Sot, në orën 19:30 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mbahet koncerti i quajtur ""Grand Gala e Docenteve". Ky aktivitet është një urë bashkëpunimi mes pedagogëve të Akademisë së Arteve Tiranë dhe Akademisë Muzikore të Umbrias, Itali, të cilët ndodhen në Tiranë për edicionin e dytë të Tirana Music Festival (TMF). Koncerti është menduar në mënyrë të tillë, që artistët italianë e shqiptarë krijojnë formacione të vogla muzikore e sjellin për publikun shqiptar vepra të zgjedhura nga repertori i klasikëve botërorë. Kështu, trioja Piero Vincenti në korno, Rudina Ciko në piano dhe Fatos Qerimi në klarinetë interpretojnë një pjesë nga Mendelson. Vincenti interpreton në klarinetë solo 3 pjesë nga Stravinsky dhe një krijim të dirigjentit të orkestrës së TMF, Marco Pontini.
Një pjesë kjo që luhet për herë të parë në Shqipëri. Më tej, kitaristi Claudio Piastra i shoqëruar nga një trio harqesh e Akademisë së Arteve, ku marrin pjesë edhe Ibrahim Madhi në violinë dhe Gëzim Belegu në violonçel interpretojnë një koncert në remaxhor të Vivaldit. Kitaristi Piastra vjen edhe në një solo nga Browehr. Dueti Suzana Frashëri soprano dhe Rudina Ciko në pianoforte sjellin tri arie nga Celea, Rahmaninov dhe Verdi. Për t‘u mbyllur me një duo kanto-kitare nga Angela Baek dhe Claudio Piastra. Në të njëjtat data 12 dhe 13 korrik në të njëjtën sallë të TOB-it do të jenë studentët e TMF që do të japin koncerte, ndërsa në datën 14 korrik është koncerti përmbyllës që zhvillohet në amfiteatrin e Kodrave të Liqenit nga Orkestra e Festivalit, nën drejtimin e dirigjentit italian, Marco Pontini.
Marre nga : Gazeta Ship











