Nje ishull turistik si Sazani

Nje ishull turistik si Sazani

Ishulli i braktisur i Sazanit do të kthehet në një destinacion të rëndësishëm të turizmit në vendin tonë. Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka nisur punën për ndjekjen e një projekti ambicioz për kthimin e ishullit në një zonë të rëndësishme të turizmit rajonal. Drejtori i saj, Auron Tare vizitoi dje ishullin dhe “inauguroi” nisjen e punimeve me ngritjen e flamurit kuqezi.

Një agjenci franceze e quajtur “Conservatuar de Littoral”, do të bashkëpunojë ngushtë me specialistë të Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.  Këta të fundit po qëndrojnë në ishullin e Sazanit për të vënë në jetë  planin e veprimit të fillimit të projektit “Sazani”, një projekt që synon ta kthejë ishullin e Sazanit në një atraksion turistik të klasit të parë, duke respektuar në mënyrë korrekte  ekosistemin dhe historinë e ishullit.

 




Përveç  aspektit turistik, projekti kërkon të krijoje në ishull një Qendër Kërkimore Shkencore, e cila do të kryejë studime mbi ekosistemet detare, arkeologjinë navale, energjinë alternative duke e kthyer këtë qendër në një fokus të bashkëpunimit me universitete ndërkombëtare.

Sazani është një ishull me një gjeografi të përsosur për të zhvilluar turizmin detar, atë të aventurës, të historisë dhe të peshkimit. Një pjesë reliktesh nënujore si, amfora e objekte të tjerat gjetura pranë ishullit, janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik  dhe atë arkeologjik në Durrës.


Ishulli ka një histori të lashtë që zë fill  nga shekulli i VI p.e.s. me emrin Sason. Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt jonianë të Greqisë u pushtua nga Anglia. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama