Nje histori me shume zero

Nje histori me shume zero
Shumë shqiptarëve ende u kujtohet kur në vitet ’80, propaganda e regjimit komunist përhapi fjalë në të gjithë vendin se ish gjetur thesari i Ali Pashë Tepelenës, i cili po transportohej drejt Tiranës me dy “Zisa të mbushur rrafsh me flori”. Pavarësisht faktit se pesha specifike e arit është e tillë sa mbushja rrafsh do ta bllokonte çdo lloj kamioni që dispononte Shqipëria në atë kohë, pas kësaj legjende urbane të realizmit socialist kishte një të vërtetë. Në tentativë për të nxjerrë vendin nga gjendja tepër e vështirë ekonomike, qeveria komuniste mori përsipër të hulumtonte gojëdhënat popullore që flisnin për thesare të fshehura, me shpresën se mund të gjendej ndonjë prej tyre.

Ky angazhim u mor kaq seriozisht, sa ministri i Brendshëm i kohës, Hekuran Isai, vuri në punë dy kompani ushtarësh me pajisje minakërkuese, në kërkim të thesarit të Ali Pashës. E ndërsa ari nuk u gjet kurrë, lajmi i gëzueshëm u përhap në mbarë popullin shqiptar, i cili e priti fermanin e shpëtimit të ekonomisë me gaz e hare të madhe. Interesant është fakti se plane të tjera të ngjashme, disa syresh edhe më të habitshme, për shpëtimin e ekonomisë së vendit, në nivel operacional përfshinin gjithashtu nisma po kaq absurde. Rezultati i këtyre tentativave, me gjithë entuziazmin e kohës – dhe pavarësisht poezisë së Pablo Nerudës për Shqipërinë që e prodhon bukën vetë – brenda një dekade kulmoi me sistemin e tollonave.

Sot, rreth 30 vjet më vonë, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi se qeveria e tij do të marrë 3.2 miliard euro kredi nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, shifra më e madhe e marrë hua ndonjëherë brenda një periudhe afatshkurtër. Duke qenë se si rregull, deklaratat e krerëve të qeverive duhen marrë seriozisht, shpallja e bujshme nga shefi i ekzekutivit u trajtua gjithashtu me seriozitet.
Ç’ka ra menjëherë në sy është se gati njëkohësisht me lajmin e uljes së shpenzimeve në buxhetin e shtetit publiku shqiptar u njoftua edhe për marrjen e një borxhi kolosal nga qeveria. Në buxhetin e vitit 2010, qeveria ka parashikuar një ulje të fortë të shpenzimeve, deri në 39 miliardë lekë, ose rreth 280 milionë euro.

 Vetëm në sektorin e rrugëve, qeveria ka bërë të ditur se do të shkurtohen rreth 6 miliardë lekë shpenzime të parashikuara më parë. Nga ana tjetër, në kohë rekord, Kryeministri Berisha njoftoi me krenari marrjen e një borxhi të ri, në kuotën e 3.2 miliardë eurove, para që do të shpenzohen në zhvillimin e projekteve në sektorin e energjisë dhe sërish në infrastrukturë, pavarësisht reduktimit të parë në buxhet pikërisht në këtë fushë. Borxhi i ri u deklarua si rezultat i marrëveshjeve të huamarrjes së qeverisë shqiptare me një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, si Banka Gjermane e Zhvillimit, Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Korporata Financiare Ndërkombëtare dhe një sërë bankash nga vendet e OPEK-ut.

Për më tepër, ulja e shpenzimeve në buxhetin e këtij viti, racionalisht ekspozohet si e pakuptimtë, përballë marrjes së huave, në një vlerë totale prej 3.2 miliardë eurosh. Aq më tepër që në buxhetin e parashikuar ulet zëri i dedikuar për rrugët dhe nga ana tjetër, sipas vetë burimeve zyrtare të qeverisë, një pjesë e shumës së marrë hua do të shkojë për financimin e një sërë aksesh rrugore, siç është rruga “panoramike, fushore, pa kthesa” Tiranë-Elbasan, boshti i jugut, si dhe rrugët rurale.

Duke marrë të mirëqenë marrjen e këtij borxhi, qeveria duket se ka shpërfillur sërish shqetësimin e institucioneve ndërkombëtare dhe të Bankës së Shqipërisë për nevojën e rishikimit të shpenzimeve dhe uljes së borxhit publik, i cili aktualisht pluskon në nivelin 59.9 për qind të PBB-së. Por jo për shumë kohë. Me marrjen e kësaj shifre, borxhi publik i Shqipërisë parashikohet të kapërcejë në kuota që do të frikësonin të gjithë operatorët e besueshëm ndërkombëtarë e vendas. Por këta të fundit ende nuk kanë dhënë shenja paniku. Cila mund të jetë arsyeja?
Një shifër e dobishme në këtë aspekt është PBB-ja (GDP-ja) e vendit, e cila sot llogaritet në kuotën e jo më shumë se 11 miliardë dollarëve, ndërsa huaja që qeveria deklaron se ka realizuar është 3.2 miliard euro.

Nëse krahasimi mes dy shifrave e bën pretendimin e qeverisë të tingëllojë qesharak, mjafton të kujtohen disa miliarda të tjera të viteve të shkuara, për të arritur në përfundimin se teorikisht vendi ka – ose më saktë duhet të kishte – para që kanë mbërritur nga jashtë në formë investimesh apo huaje, në shifra të përafërta apo dhe më të mëdha se PBB-ja e tij aktuale.

Deputeti socialist Arben Malaj, tha për revistën se deklarata e Kryeministrit është e pabazuar dhe se shifra e deklaruar është jorealiste dhe tejkalon mundësitë reale të ekonomisë shqiptare për të marrë një hua të tillë. “Ekzistojnë kufizime logjike, por edhe ligjore, lidhur me buxhetin e shtetit, që nuk e mundësojnë një borxh të tillë”, tha Malaj. Ish ministri i Financave shtoi se e vetmja e vërtetë pas këtij lajmi mund të qëndrojë në nivele të komunikimit që mund të ketë kryer pala shqiptare me institucionet e përmendura, por jo më shumë. Sipas Malaj, realizimi i një kredie të tillë është i pamundur edhe për faktin se që nga viti 1992 e deri më sot, kreditë e buta të marra nga Shqipëria nuk e arrijnë vlerën e 3.5 miliardë eurove.

Historia e financimeve miliardere
Historia e miliardave të qeverive Berisha-Nano e ka fillesën në vitin 1994, kur Televizioni Shqiptar dha lajmin se një biznesmen maltez kishte mbërritur në Tiranë dhe do të investonte në vend 2 bilion dollarë. Në median e kohës shpërthyen menjëherë debate nëse bilioni kishte gjashtë apo dymbëdhjetë zero. Çështja e bilionit u duk se u sqarua në vitin 1996, moment i pagëzuar edhe si epoka e artë e firmave piramidale, kur qeveria njoftoi se ishin siguruar financime të huaja që shkonin mbi 2 miliardë dollarë, të cilat do të investoheshin në energji, turizëm dhe transport. Pas këtij momenti, lajmi i miliardave u bë ekskluzivitet i propagandës së qeverive socialiste. Ish Kryeministri Fatos Nano rezulton disi më i përmbajtur në deklaratat e tij me miliarda euro apo dollarë, por megjithatë i ka intensifikuar këto përpjekje kryesisht brenda viti 2003, kur janë regjistruar tre raste premtimesh me mbi nëntë zero. Në një rast ai llogariti që investimet e publike dhe private, vendase e të huaja do të kalojnë rendin e 1 miliard dollarëve. Kjo shumë do të arrijë në mbi 3 miliard dollarë amerikanë deri në fund të vitit 2005. Ndërsa në një takim me elektoratin e Vlorës ai deklaroi se do të investohen 3 miliard dollarë në pesë vitet pasuese. Ndërkohë, e njëjta shifër projektohej si total i investimeve për të gjithë vendin në tre vitet e ardhshme. Madje në 2004-ën, plot 20 vjet nga përmendja e parë e termit, në një transmetim lajmesh të një televizioni privat, spikerja shqiptoi sërish fjalën “bilion”.
Qeveria Berisha II nuk priti gjatë për të filluar sërish marrëveshjet miliardere. Në 2007-ën, Kryeministri takoi përfaqësues të kompanisë Oppenheimer, e cila menjëherë pas takimit në Tiranë u hodh gjyq nga Oppenheimer-i i vërtetë për mashtrim lidhur me një projekt prej miliarda dollarësh (http://www.allbusiness.com/services/business-services/4302512-1.html). Por, kompania sakaq kishte shprehur gatishmërinë (citohet Këshilli i Ministrave) “për të nënshkruar së shpejti me palën shqiptare një kontratë për investime me vlerë ‘disa miliardë dollarë’ në fushën e turizmit për zhvillimin e infrastrukturës turistike dhe ndërtimin e fshatrave turistikë, në fushën e energjisë dhe të industrisë, në ndërtimin e një porti të ri dhe një rafinerie”.
Po këtë vit, që ishte edhe viti i krizës energjetike, Kryeministri foli edhe për miliarda euro – shifra nuk u përcaktua saktë – investime në sektorin energjetik. Një vit më vonë, në Tiranë mbërriti Kryeministri italian Silvio Berluskoni, i cili nënshkroi një kontratë për investime në energji me vlerë 2.3 miliardë euro, pjesë e një vëllimi total financiar marrëveshjesh prej rreth 4 miliardë eurosh. Hapa konkrete për materializimin e kësaj serie marrëveshjesh, ende nuk janë parë, por ndërkaq rreth dy javë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Rregullim Territorit, Kryeministri Berisha tha se në zonën e Vilë-Bashtovës do të realizohet një ndër projektet më të mëdha turistike në vend, që parashikon një investim prej 1.2 miliard euro. Më pas doli në treg edhe historia e 3.2 miliardë eurove. Lidhur me borxhin më të ri të Shqipërisë, Kryeministri ndër të tjera theksoi se “Kreditoj do të thotë para së gjithash, besoj”. Të dy këta faktorë mbeten për t’u provuar në të ardhmen e afërt, nëse vërtetë do të ketë gjasa të materializohen, apo do të përfundojnë në ditarin e bilionëve të Maltës, Oppenheimer-it kallp dhe thesarit mitologjik të Ali Pashës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama