Nje hero me shembullin e Enver Hoxhes

Një hero me shembullin e Enver Hoxhës

Një vepër ku figura e vërtetë historike nuk konfirmon heroin e teksteve të shkollave apo imazhin e tij në hapësirën shqipfolëse Oliver Jens Schmitt paraqiti dje në sallën e mbushur me replika historike veprën “Skënderbeu” që pretendohet të sjellë në aspektin shkencor edhe një model kritik të historiografisë për çështje të rëndësisë kombëtare për shqiptarët. E megjithatë ishte një takim topitës sepse askush nga kolegët shqiptarë nuk e kishte lexuar veprën me mbi 550 faqe. Edhe një farë replike (e llojit “unë mik e kam por po ia them) me tezat e historianit vjenez, profesorit të ri të Universitetit të Evropës Juglindore, u bë në mënyrë jo profesionale dhe me hipoteza të tipit që krahasonin motivin e hakmarrjes të Skënderbeut ndaj Sulltanit, me motivin e hakmarrjes së Wilhem Tell-it. Kjo vepër me titullin thjesht “Skënderbeu”, është herët të recensohet dhe përtypet nga audienca me gjithë dokumentacionin e pasur arkivor mbi bazë të cilit është synuar të shkruhet jeta e Skënderbeut përtej historive të shumta dhe kujtesës që na lidh tash 5 shekuj me të. Dy vjet para, ndërsa Schmitt e kishte përfunduar “Skënderbeun”, gjen dokumentin që e e vitit 1484 që e detyron historianin të rishohë krejt nivelin e jetës personale të heroit. Dokumenti i zbuluar në arkivat e Milanos, dëshmonte se cili është motivi që ky fisnik renegat i pagëzuar i krishterë, i konvertuar në mysliman, i rikthet fesë së të parë dhe bëhet mbrojtës i krishtërimit, madje “athleta christi”. Dhe në fund të fundi, kjo figurë që “edhe sot nuk perceptohet dot pa emocione”, siç shkruan historiani vjenez, që jetoi në një epokë ku shndërroheshin kohët, siç u përmend shpesh dje për Arbërinë mesjetare, bëhet madhështore në sytë e Schmitt-it sepse: Skënderbeu nuk kishte për qëllim krijimin e një shteti shqiptar në periferi të perandorisë osmane, por shkatërrimin e perandorisë, pastaj krijimin e një mbretërie arbëre, mbretëria e epirit në Ballkanin perëndimor.

Kjo është për mua me të vërtetë themelore. Ideja për krijimin e shtetit ishte, por pas shkatërrimit të armikut. Intervista Zoti Schmitt, në ç’mënyrë një dokument mundi të ndryshojë rrjedhën e studimit tuaj të përfunduar tashmë, dokument që ju detyroi të rishkruanit gjysmën e veprës “Skënderbeu”. Rëndësia e dokumentit është që tregon për herë të parë shkakun personal të Skënderbeut për t’u rebeluar: Babai i tij u vra nga sulltani. I detyruar nga zakoni Skënderbeu, vendosi të kryejë hakmarrje, të marrë gjakun nga familja e Sulltanit. Natyrisht kjo nuk mund të shpjegojë gjithë kryengritjen që kishte një dimension më të gjerë dhe më të madh. Unë isha i detyruar ta rishkruaj librin sepse ky dokument ndryshon të paktën në nivel personal veprimtarinë e Skënderbeut. Kjo është e qartë. Në jetën e historianit është shumë i bukur ky lloj zbulimi dhe, natyrisht, isha i kënaqur që librin s’e kisha botuar dhe mund të ndryshoja karakterin e tij. Ndonjë koleg juaji shqiptar e quajti motivin e hakmarrjes si të “letërsisë kalorsiake”, si tek Ëilhelm Tell-i, një motiv “i pabesueshëm” për të çuar tek kryengritjet e mëdha të heroit. Ky dokument është mjaft i saktë sepse i tregon një audience për ambasadorin e Skënderbeut disa muaj pas rënies së Kostandinopolit. Është e qartë që një ambasador i Skënderbeut ka nevojë për një argument shumë të fortë për të shpjeguar se pse Arbëria kërkonte ndihmë dhe mbështetje me një ushtri të Papës. Dhe papa mund të reagonte për një argument si çështja fetare, por ambasadori nuk e ka përdoror këtë lloj argumenti. Mund të themi që ishte pak naiv sepse ka treguar historinë siç ishte, sepse nuk kishte motiv të vepronte ndryshe, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ambasadorët milanezë: nuk kishin motiv për të ndryshuar historinë. Kanë treguar vetëm atë që amabsadori i Skënderbeut i ka prezantuar Papës. Ju përmendët që koncepte si besa, apo edhe hakmarrja, kanë qenë koncepte që Skënderbeut nuk ia njohën dhe nuk ia vlerësuan apo besuan aleatët. Shembulli më i mirë është ekspedita e Skënderbeut në Itali. Mbreti i Napolit Alfonsi V vdiq (1458) dhe biri i tij Mbreti Ferdinand, kishte konflikt me një pretendent francez.

Në mendimin politik perëndimor, Skënderbeu nuk ishte i detyruar të dërgojë ushtri ose të komandojë personalisht një ushtri në Itali sepse besa midis mbretit dhe Skënderbeut mori fund me vdekjen e mbretit. Por sipas mendimit të Skënderbeut ideja që Mbreti Alfons e ka ndihmuar në një situatë shumë të vështirë, në rrethimin e parë të Krujës, e detyronte që edhe pa një besë, të ndihmojë birin e mbretit. Pra edhe koncepti politik, edhe koncepti i mentalitetit midis Italisë në njërën anë dhe në anën tjetër Arbërisë mesjetare, ishte shumë i ndryshëm. Vetmia e tij në vdekje dhe fama e përjetshme pas vdekjes. Është një paradoks? Nuk është paradoks, sepse flasim për nivele të ndryshme. Niveli i parë është niveli historik, Skënderbeu si burrë politik dhe jeta e tij që përfundon me një disfatë ushtarake. Në fund të jetës ai ka krijuar edhe një kolaps demografik sepse Sulltani dhe ushtritë osmane e kanë shkatërruar Arbërinë të paktën zonën e Tumenishtit, zonën e Krujës, të Matit, zonën e Dibrës dhe kanë vrarë ose deportuar afro 65-75% të banorëve. Ky është kolapsi demografik. Kemi si provë dokumentet osmane, dokumentet e Skënderbeut, dokumentet perëndimore që tregojnë të njëjtën histori. Në tjetër nivel është miti i Skënderbeut si ideali i udhëheqësit të luftëtarëve në malësi jo vetëm për shqiptarët po edhe për sllavët e jugut sepse ai ka përjetësuar idealin e luftëtarit dhe udhëheqësin karizmatik në Ballkan, në të njëjtën kohë edhe si “athleta christi” në perëndim dhe si ideal e burrë shteti në Venedik. Pra nuk është një paradoks, por është një kalim nga njeriu historik tek miti. Skënderbeu mbinatyror si tek kjo sallë e mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar e mbushur me replika, a nuk janë dëshmi që shkenca e historiografisë shqiptare është në krizë, sepse është e pashkëputur nga depolitizimi i djeshëm? Të gjithë monumentet që njohin shqiptarët në Shqipëri, por edhe ato që janë eksportuar në Kosovë dhe në Maqedoni, janë prodhime të realizmit socialist. Kjo është një tendencë, një trajtim i artit nën komunizëm. Për fat të keq në Shqipëri nuk ka një traditë artistike të para luftës dhe të gjithë shqiptarët njohin vetëm një traditë.

Mendoj që këto monumente kanë një mesazh shumë të ashpër dhe jo shumë njerëzor. Skënderbeu ishte një njeri i jashtëzakonshëm, por në radhë të parë ishte njeri, jo monument. Edhe historianët e epokës komuniste kanë krijuar një Skënderbe me shembullin e Enver Hoxhës, si paraardhës i Enver Hoxhës. Kanë krijuar edhe idenë e një vendi të izoluar, shumë të vogël, idenë që Shqipëria ka mbijetuar vetëm me forcat e veta. Natyrisht që kjo ishte dhe ideologjia e epokës së Hoxhës, por nuk ka të bëjë me realitetin mesjetar. Historianët që tani po diskutojnë për interpretimin e historisë duhet të kuptojnë me çfarë metodologjie është operuar. Është koha për një kritikë historiografike. Prof. Luan Malltezi tha se për të përgatitur historianë që të punojnë në arkivat e botës, aponë Vatikan ku një ditë kërkim është shumë e kushtueshme, duhen sidomos para. A është kjo mënyrë për të kapur kohën e humbur me deficite të mëdha në shkencën e historisë? Me tranzicionin, me kalimin nga socializmi në demokraci, shkenca shqiptare ka humbur një brez, një gjeneratë të të rinjve. Natyrisht janë edhe shkaqet ekonomike që mund të shpjegojnë këtë fakt. Nga ana tjetër, historianët edhe në Evropë nuk janë si biznesmenët, anëtarët më të pasur të një shoqërie. Dmth në situatën aktuale bursat janë për historianët, për shkencëtarët e rinj, një rrugë dhe një gjë e rëndësishme. Shkenca duhet të jetë edhe atraktive, sepse duhet të tërheqë më të mirët. Stili juaj i të rrëfyerit u çmua në veçanti. Si mund të bëhet tërheqëse historia? Magjepsja e shkencës, e historisë në këtë rast, duhet të ketë një nivel intelektual, por duhet të ketë edhe një nivel shumë personal. Kjo është magjia e historisë dhe e të kaluarës. Për mua, me “Skënderbeun” është përvoja e dytë. Dikur ajo që më kishtetërhequr në historinë e shqiptarëve ka qenë izolimi i saj. Kjo ka ngjallur kuriozitetin time për këtë vend.

Elsa Demo
Nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama