Nje debat i forte Qosja- Kraja dhe nje reagim i ashper

Nje debat i forte Qosja- Kraja dhe nje reagim i ashper

Një debat i fortë është ndezur në shtyp mes publicistit të njohur kosovar, Mehmet Kraja dhe akademikut Rexhep Qosja. Pas shkrimit të gjatë të Mehmet Krajës, ku thuhet se Shqipëria po e përdor Kosovën, ka reaguar Qosja me një shkrim në GSH, duke theksuar se Shqipëria nuk po e përdor Kosovën. Por ky debat ka sjellë një reagim të ashpër të Akademisë së Shkencave të Kosovës. Ata thonë se shkrimi i Qosjes është dashakeq dhe i gënjeshtërt. ASHAK thotë se nuk ka absolutisht asnjë lidhje me shkrimin e Mehmet Krajës “Kosova dhe Shqipëria në katër pamje”, i botuar para disa ditësh.

“Shkrimi i Krajës është autorial dhe anëtarët e Akademisë kanë mundur ta lexonin si të gjithë lexuesit e tjerë. Qosja, si dezinformues kujdestar dhe urrejtës patologjik i Akademisë, privilegjet e së cilës i gëzon si të gjithë anëtarët aktivë të saj, ndonëse nuk e ka shkelur pragun e saj tash e 15 vjet, mund t’i drejtohet vetëm Mehmet Krajës dhe pikëpamjeve të tij personale në shkrimin e përmendur”, thuhet në një njoftim të Akademisë.

Më poshtë janë dy shkrimet e debatit.



Kosova dhe Shqipëria në katër pamje
Nga Mehmet Kraja
1.Hapësira mediale

Në pikëpamje mediatike, raportet Shqipëri-Kosovë janë të ngatërruara, komplekse, të pabarabarta. Mediet elektronike të Shqipërisë janë fuqizuar së tepërmi në Kosovë dhe, bashkë me këtë, është shtuar edhe ambicia e tyre për ta përdorur Kosovën si ndajshtim pezhorativ të Shqipërisë. Diskursi i kësaj medie ndaj Kosovës është paternalist, ka brenda recidivizmin historik dhe metodën e sprovuar të propagandës komuniste: Kosova duhet ta dojë Shqipërinë, kurse Shqipëria e do vetëm veten e saj. Prandaj, në hapësirën e ndërmjetme mediatike Kosovë-Shqipëri kanë krijuar avantazhe të mëdha njerëzit e Kosovës që e bëjnë jetën reale në baltën dhe mjegullën e Prishtinës, ndërsa jetën e idealizuar (bashkë me ëndrrën e vjetër Shqipëri) e bëjnë në sallonet imagjinare të Tiranës, pa çka se në dalje nga ndonjë studio televizive mund t’i godasë si tokmak turinjve kundërmimi i rëndë Lanës. Në dukje të parë kjo është marrëzi kosovare dhe do të ishte gazmore, po mos të kishte brenda tragjizmin anekdotik, po ashtu kosovar: kosovarët, edhe sot që e kanë shtetin e tyre, patriotizmin nuk e masin me dashurinë ndaj Kosovës, por me dashurinë ndaj Shqipërisë. Kurse Shqipëria e shfrytëzon këtë gjendje anormale: shet në Kosovë arrogancë politike, arsimore, kulturore, shkencore etj., ndërsa nga Kosova kërkon nënshtrim dhe inferioritet. Disa ditë më parë, i trimëruar nga kjo rrethanë, e keni parë se si një deputet i Shqipërisë i kërkonte llogari kryeministrit të ri të Kosovës për biografinë e tij politike, në një kohë që askush në Kosovë nuk do ta bënte këtë për ndonjë deputet ose kryeministër të Shqipërisë, në ka qenë spiun i Sigurimit, i Greqisë apo i Serbisë. Tashmë e di secili në Kosovës se si mediet e Shqipërisë promovojnë disa autoritete fiktive në Prishtinë (përfshirë edhe “babanë e kombit”!) dhe përmes tyre kërkojnë ta sundojnë hapësirën politike, kulturore dhe intelektuale të Kosovës. Sekush thotë se kjo bëhet për inerci nga kohët e komunizmit, ose të Sigurimit famëkeq, por e vërteta është se deri tani promovimet e këtilla i kanë bërë dëm të madh Kosovës. Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të bëhet protektorat mediatik i Shqipërisë, aq më pak nëse mediet e Shqipërisë nuk mësojnë pak etikë profesionale dhe të kultivojnë në masë minimale ndjenjën e respektit për Kosovën. Për disa medie të Tiranës, Kosova vazhdon të jetë hapësirë e përshtatshme për të konstruktuar propagandë. Ja një rast, të cilit do t’ia kishte zili edhe Gebelsi. Raportit për kapjen e një serbi me 12 kilogramë eksploziv në Prishtinë, “Top News” ia shton në fund edhe këtë fjali: Nuk u konfirmua se eksplozivi i kapur nga policia kishte lidhje me vizitën e Edi Ramës në Prishtinë. Pas këtij lajmi, asnjë kosovar kokëshkretë nuk duhet të dyshojë se prapa takimeve të shpeshta të Ramës me Vuçiqin mund të fshihet ndonjë paudhësi e kryeministrit të Shqipërisë, në dëm të Kosovës.

2.Përdorimi politik i Kosovës

Kosova dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë të përdorimit dhe të keqpërdorimit politik. Veçmas ka lënë shije të keqe përdorimi politik i Kosovës nga ana e Shqipërisë, që nga themelimi i shtetit shqiptar deri në ditët e sotme. Vetë akti i shpalljes së pavarësisë kishte brenda një dozë padrejtësie ndaj Kosovës. Kolosi i shqiptarizmës, Hasan Prishtina, mbronte idenë se Kosova mund të çlirohej vetëm nëse në Tiranë vendosej një pushtet patriotik, luajal ndaj Kosovës. Këtë iluzion ai e pagoi me kokë. Nuk ishin vetëm Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha që e keqpërdorën Kosovën për utilitarizëm politik dhe pushtetar, por ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare u sollën pa konsideratë edhe një numër intelektualësh dhe krijuesish të profileve të larta. Noli, sapo erdh në pushtet, shpërndau Komitetin e Kosovës; Koliqi, pas Revolucionit të Qershorit, me gjithë shpurën e tij për katër vjet gjeti strehë në Jugosllavi; Çabej e quan kufirin e Shqipërisë kufi natyror; Shuteriqi më 1947 në Beograd e quan Elbasanin “Stara Srbija”; Camaj u martua me vajzën e kryespiunit serb. Ose një rast krejt i vonë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë më 2012 sakrifikoi bashkëpunimin e shkëlqyer që kishte me Akademinë e Kosovës, vetëm që ta ftonte në kremtimin e 40-vjetorit nënkryetarin e Akademisë Serbe, Lubisha Rakiqin, njërin nga ideatorët e “Memorandumit” famëkeq. Pra, politikisht, Kosova kishte nevojë për një vijë të qartë ndarjeje me Serbinë, ndërsa Shqipërisë i pengonte ky fakt. Më anë tjetër, në njëqind vjet shtet Shqipëria e kishte barrë Kosovën, madje një barrë e tillë që e tejkalonte fuqinë e saj për ta administruar. Por, a thua arriti ndonjëherë Kosova t’ia kthente Shqipërisë borxhin e madh të kësaj barre të rëndë dhe të nevojës për përkujdesje të vazhdueshme? Fundja, animozitetet e sotme Shqipëri-Kosovë a mund të kenë edhe këtë prapavijë, se Shqipëria ndihet e lodhur nga një Kosovë e parritur përjetësisht? Përveç patriotizmit euforik dhe ndonjë ndihme të hershme, siç ishte ajo e Isa Boletinit, kosovarët nuk gjetën shumë raste për ta ndihmuar Shqipërinë, vetëm se nuk janë të paktë në Kosovë, ata që mendojnë se kombin dhe shtetin shqiptar e bënë lëvizjet politike dhe luftarake që u zhvilluan në Kosovë, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më 1912. Por, mbi të gjitha, ishte mburoja e Kosovës ajo që iu bëri ballë rrebesheve të shumta mbi Shqipërinë, në mënyrë që sot Tirana me shumë diell mesdhetar, të mos kishte në përdorim popullor një gjuhë kontinentale.

Në vitet e fundit, përdorimi politik i Kosovës nga Shqipëria ka marrë domethënie tjetër. Çuditërisht, Shqipëria e këtyre viteve ka bërë një shpërndërrim situatash: mosinteresimin për Kosovën, refuzimin, madje qëndrimin konsistent për mosintegrim të ndërvetshëm të shqiptarëve në Ballkan e afishon si politikë konstruktive, me koherencë evropiane dhe ndërkombëtare. Por kosovarët nuk mund të jenë aq të paditur, sa mos ta kuptojnë se prapa tullumbaceve të këtilla politike fshihet një politikë meskine e shtetit shqiptar ndaj Kosovës, madje e mbështjellë ndonjëherë me cinizëm jo aq të hollë.

3.Kthimi në Beograd

Është një ambicie e kamotshme e Beogradit, që të gjejë zgjidhje për Kosovën duke bërë marrëveshje me Tiranën. Tirana, gjithashtu, e ka pasur synim të lidhet me Beogradin, duke anashkaluar Kosovën, madje, po u pa e nevojshme, edhe në dëm të Kosovës. Prapavija e këtyre dredhive ka qenë, është dhe do të mbetet e tejdukshme, vetëm se, njësoj si kosovarët, një pjesë e faktorit ndërkombëtar nuk e beson këtë lidhje, ose e shikon me skepsë të arsyeshme. Në planin e përgjithshëm, nuk kërkohet shumë dije politike që të kuptohet se integrimin evropian të Ballkanit kishte synim ta rivalizonte gazi rus. Tani këtë funksion duhet ta kryejë kapitali kinez, të cilit i duhet një këmbë vend për t’u futur në Europë. E zëmë se kjo është politikë e lartë dhe se neve nuk na bie hise të merremi me të, por është shumë e qartë se kthimi i Shqipërisë në Beograd po bëhet përmes Kinës dhe se Shqipëria, pasi ia jep me koncesion Kinës portin e Shëngjinit, që ia kishte premtuar Kosovës, bën plane pa Kosovën, për një hekurudhë që do të kalojë nëpër Kosovë dhe e cila do të lidhë Serbinë me Detin Adriatik. Kjo është politika e madhe, e cila është e hijezuar në shumë pamje, prandaj nuk del shumë e qartë. Politikë e vogël është se kryeministri i Shqipërisë, për një kohë të shkurtër, është takuar tri herë me kryeministrin e Serbisë, dy herë për “kinezeri”, një herë për patriotizëm. U pa qartë se Kosova nuk prishi esencën, prishi vetëm idilin e jashtëm. Shkuarja në Beograd si akt patriotik është një recidivizëm i përbashkët shqiptar-kosovar, ndoshta një nostalgji komuniste-internacionaliste. Ka të tjerë burra dhe gra, nga Kosova dhe Shqipëria, që ende e shohin ëndërr Beogradin, të gjitha këto i kam të qarta, vetëm se nuk e kam të qartë ç’i hyn në punë Edi Ramës patriotizmi, meqë ai ka rënë copash për të treguar se vjen nga një proveniencë intelektuale krejtësisht e imunizuar nga vese të tilla provinciale. Më anë tjetër, vetëm patriotë nuk mund të quhen liderët e Shqipërisë, të cilët sa herë që e panë të nevojshme, për pushtetin e tyre, e bënë shtetin paçavër, pavarësisht se ky fakt e përkeqësonte shumë pozitën e shqiptarëve kudo në botë. Dhe i turpëronte.

Në të vërtetë, unë ende nuk e kuptoj edhe një gjë tjetër, çfarë kërkojnë liderët politikë të Shqipërisë që merren me Kosovën, kujt i hyn në punë angazhimi i tyre në këtë krah? Për opinionin e brendshëm të Shqipërisë, ka kohë që Kosova nuk thotë gjë. Secili politikan i Shqipërisë, angazhimin për Kosovën e paguan me humbje votash. Që të eksportojnë përvojën e tyre politike, apo modelin e tyre të qeverisjes, edhe kjo më duket e pabesueshme. Cilën përvojë pozitive mund t’i ofrojnë ata Kosovës? Le të dalë kushdo në pikën kufitare të Morinës, le të shikojë Kosovën në njërën anë dhe Shqipërinë në anën tjetër dhe le ta thotë se kush kujt mund t’i shesë mend, rreth përvojës së bërjes së shtetit. Dhe si mund të sillen me aq arrogancë këta liderë politikë të Shqipërisë, kur vinë në Prishtinë, ndërsa për pesëmbëdhjetë vjet kanë eksportuar në Kosovë fjalamani boshe, hipokrizi patriotike, lypsa që rrinë nëpër semaforë, drogë të të gjitha llojeve dhe femra të trafikuara? Dhe zarzavate me hormone dhe pesticide.

4.Gjuha dhe kultura

Kjo është një pikë delikate, ku Kosova, sipas logjikës së gjërave, do të duhej të ndihej inferiore. Që në Seminarin e parë, pas luftës së vitit 1999, doli një gjuhëtar me emër i Shqipërisë dhe tha se Kosova duhej të bënte “desllavizimin e gjuhës”. Ishte një goditje e pamëshirshme në një plagë të hapur. Kosova për një kohë të gjatë i kishte jetuar të gjitha format e diskriminimit gjuhësor, përfshirë edhe segregacionin, aparteidin, së fundi edhe fashizmin gjuhësor. Asaj i duhej kohë që ta merrte veten, prandaj në një goditje të këtillë kishte mungesë mirëkuptimi dhe mirësjelljeje. Këtë mungesë bontoni gjuhësor Tirana do ta manifestojë ndaj Prishtinës përgjatë gjithë kësaj periudhe. Nuk është se Shqipëria ka një gjendje gjuhësore ideale dhe nuk është se njerëzit në Kosovë nuk e dinë se sistemi fonetik i shqipes së folur në Shqipërinë e Mesme është cenuar ndjeshëm nga italishtja, apo nga greqishtja në Shqipërinë e Jugut. Pavarësisht se standardi u krijua në rrethana politike dhe gjuhësore të pafavorshme për Kosovën, askush këndej kufirit nuk kërkoi revidimin e tij, me përjashtim të ndonjë zëri periferik. Por Tirana gjuhësore, në vend që të merrte parasysh rrethanat e reja të krijuara në Kosovë, për shkak të trysnisë së brendshme dhe ndonjë frike fiktive se mund ta humbte primatin dhe prestigjin, mori qëndrim armiqësor ndaj çdo forme të liberalizimit dhe ashpërsoi tej mase kursin dogmatik. Edhe barbarizmat e të folmeve toske këmbëngulet të përfshihen në fjalorët normativë, ndërsa manifestohet refuzim kategorik edhe ndaj fjalëve burimore, vetëm pse ato mund të vijnë nga gegërishtja. Më e keqja ndodh, kur Kosova perceptohet në Tiranë si armike e standardit, imazh ky që ka filluar të zëvendësojë stereotipin e mëhershëm të Kosovës primitive, e cila duhet të kolonizohet gjuhësisht nga Shqipëria, për ta civilizuar. Më anë tjetër, mbështetësit e dogmës në Shqipëri, çështjen e standardit e kanë kthyer në çështje ideologjike, madje edhe partiake, duke shtrirë disa reflektime të shëmtuara politike e kulturore edhe në Kosovë.

Kolonizimi kulturor është edhe një tjetër ide fiktive që është nisur nga Tirana në drejtim të Prishtinës. Kosova ka shumë mungesa kulturore, siç ka edhe Shqipëria mungesa kulturore, vetëm se askush në Prishtinë nuk është i gatshëm që ta zëvendësojë integrimin me protektorat, aq më pak me kolonizim. Kjo ide e marrë e Tiranës, njësoj si akomodimi në provincializëm i Prishtinës, janë faktorët kryesorë që pengojnë komunikimin më të mirë kulturor dhe krijimin e hapësirës së integruar kulturore shqiptare.

Fundja, më në fund, ka ardhur koha që t’ia themi njëri-tjetrit disa fjalë të pakëndshme, që ta çlirojmë shpirtin dhe të mos na kapë veremi.

 

 

Shqipëria nuk po e përdor Kosovën
Nga Rexhep Qosja
IDEOLOGJIA E PRAPAVAJTJES



Këto ditë Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës iu paraqit opinionit të Kosovës dhe të Shqipërisë me një artikull më pak a më shumë programatik, të titulluar Kosova dhe Shqipëria në katër pamje të nënshkruar prej zëdhënësit të saj, në të cilin trajtohen disa dukuri kryesisht të imagjinuara midis këtyre dy shteteve.

Është ky artikull që na kthen në një kohë të shkuar: në kohën e pashallarëve dhe të bajraktarëve e kjo domethënë në kohën e feudalizmit. Është ky një artikull jo rastësisht i botuar në kohën e përpjekjeve më tepër se njëvjeçare të të dy shteteve shqiptare për krijimin e hapësirës gjithëkombëtare ekonomike, tregtare, energjetike, arsimore, kulturore dhe mediale, që aq padëshirueshëm e shikojnë disa vende ballkanike e ndoshta edhe ndonjë vend evropian.

Është ky artikull – jehonë e mbledhjeve të përbashkëta, të filluara në Vlorë, të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Kosovës. Është ky artikull, me të cilin në të vërtetë synohet t’i vihen themelet një vetëdijeje tribaliste, krahinoriste, lokaliste, veçuese, në jetën kombëtare shqiptare.

Është ky një artikull me të cilin udhëheqja njëzetvjeçare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më në fund, e vetëhoq maskën e mbajtur gjatë, që ia fshihte fytyrën. Siç kemi mundur të shohim e të dëgjojmë në mediet elektronike kjo udhëheqje edhe më parë, kohë pas kohe, me nga një gisht e luante sadopak maskën në fytyrën e saj, por jo sa t’i shihej krejt fytyra. Kësaj radhe ajo e çmaskoi në tërësi fytyrën e vet duke dashur ta tregojë si fytyrë të krejt Akademisë! Mund të besohet se rrethanat e përtashme politike kosovare dhe ndërkombëtare ajo i kuptoi të leverdishme për të hequr maskën e për të shkruar çka shkroi në këtë artikull.

Dhe, çka na tregoi ky çmaskim i vonuar i ASHAK-ut?

Na e tregoi një mosdurim, që në disa raste kalon në urrejtje, ndaj Shqipërisë! Dhe, na e tregoi një vogëlsi, një inferioritet, një paranojë para studiuesve shkencorë, para disa figurave politike, para mediave, madje, para shtetit shqiptar në tërësi!

Na e tregoi një mosdurim, që në disa raste biberoset me cinizëm, ndaj, si e kanë thënë disa anëtarë të kësaj udhëheqësie para një kohe, paternalizmit të intelektualëve të Shqipërisë, që fyen studiuesit e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, të cilët nuk pranojnë mësime prej askujt sepse as vetë nuk e mësojnë askend!

Dhe, të gjitha këto mosdurime, të biberosura me cinizëm të kohëpaskohshëm, kjo udhëheqje na i tregoi në katër pamje, që mua adhuruesin e filmave, ma kujtuan filmin e Lordan Zafranoviqit Pushtimi në njëzet e gjashtë pamje, të punuar në kohën e komunizmit.

Ky vetëçmaskim i udhëheqjes së ASHAK-ut, nuk më kujtoi vetëm filmin e Zafranoviqit, por më kujtoi edhe personazhe të tjera: më kujtoi edhe nacionalistët e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Serbisë të cilët gjykimet për marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës i mbështesnin në një tezë: Shqipëria është shteti amë i Kosovës, që na i rrezikon interesat në Kosovë, prandaj në qoftë se shohim se i shtrin duart ndaj Kosovës sonë, ne, pa një pa dy, duhet t’ia presim ato duar: t’ia presim deri në bërryla e, në qoftë se është e nevojshme, edhe deri në krahë, në të dy krahët!

Po i tregoj me radhë rreziqet që Kosovës i vijnë prej Shqipërisë sipas zëdhënësit të ASHAK-ut!

SHQIPËRIA E RREZIKON KOSOVËN ME MEDIET E SAJ

Me çka bëjnë në Kosovë, mediet elektronike të Shqipërisë, po e nxisin mosdurimin tonë, madje edhe urrejtjen tonë, ndaj tyre. Ndaj tyre duhet të jemi përjashtues të pamëshirshëm për dy arsye: e para, sepse janë shtuar shumë, janë fuqizuar shumë, ushtrojnë ndikim të madh, të gjithfarshëm në Kosovë; dhe, e dyta, sepse këtë shtim, këtë fuqizim, këtë ndikim të gjithanshëm e të gjithfarshëm në Kosovë po e tregojnë me paternalizëm, domethënë me baballarësi të paligjshme. Me cilësitë e tilla këto media e kanë bërë Kosovën “ndajshtim pezhorativ të Shqipërisë”! E thënë shkurt e shqip, mediet elektronike të Shqipërisë, madje, edhe gazetat, e kanë bërë Kosovën ndajshtim të qesharakëzuar të Shqipërisë!

E gjithë kjo përulje, i gjithë ky nënçmim i Kosovës prej medieve të Shqipërisë, ndoshta disi edhe do të durohej sikur të mos ishin edhe disa të këqija të tjera edhe më të rënda që mediat shqiptare po ia bëjnë Kosovës!

E keqja e parë është: mediet e mallkuara të Tiranës në propagandën e tyre qesharakëzuese ndaj Kosovës po bëjnë që kosovarët “patriotizmin nuk e masin me dashurinë ndaj Kosovës, por me dashurinë ndaj Shqipërisë” – çka nuk guxojmë të lejojmë asnjë çast më tutje!

E keqja e dytë është: këto media, për t’i arritur qëllimet e tyre djallëzore pa ngurruar aspak, në Kosovë po shesin “arrogancë politike, arsimore, kulturore, shkencore etj, ndërsa nga Kosova kërkojnë, shikoni e dëgjoni mirë çka kërkojnë, “nënshtrim dhe inferioritet”! Pra nënshtrim e inferioritet! E keqja e tretë është: “mediet e Shqipërisë promovojnë disa autoritete fiktive në Prishtinë (përfshirë edhe “babanë e kombit”) dhe përmes tyre kërkojnë ta sundojnë hapësirën politike, kulturore dhe intelektuale të Kosovës”! E ne, ne në Kosovë, të shurdhër e të verbër, po harrojmë se “promovimet e këtilla i kanë bërë dëm të madh Kosovës”! Por, cili është ky dëm, si duket ky dëm, si shfaqet ky dëm, në cilat pjesë të trupit e trurit e ka plagosur Kosovën ky dëm, udhëheqja e ASHAK-ut nuk e thotë. Nuk e thotë as se, përpos “babait të kombit”, Rexhep Qosjes së mallkuar, cilët janë ata të promovuar të tjerë nga mediet shqiptare me të cilët Shqipëria do të donte ta sundonte “hapësirën politike, kulturore dhe intelektuale të Kosovës”. Ndoshta do ta thotë kur në Akademi t’i pranojnë edhe procesmbajtësit dhe kafebërësit e LDK-së!

E keqja e katërt është: mediet elektronike të Shqipërisë me shumë qejf e afirmojnë deputetin i cili nuk ngurroi “t’i kërkonte llogari kryeministrit të ri të Kosovës për biografinë e tij politike, në një kohë që askush në Kosovë nuk do ta bënte këtë për një deputet ose kryeministër të Shqipërisë, në ka qenë spiun i Sigurimit, i Greqisë apo i Serbisë”! Mos i tejkaloni aluzionet e kësaj fjalie lexues: udhëheqja e ASHAK-ut nuk e thotë hapur, por e thotë siç di ajo – çfigurshëm: se në Shqipëri paska pasur dhe ka edhe sot spiunë jo vetëm të Sigurimit, jo vetëm të Greqisë, po edhe të Serbisë! Të Serbisë, pra!

Përfundimi: medieve të Shqipërisë, atyre elektronike se ato të shkruarat për fat nuk vijnë shpesh në Kosovë, duhet t’u thuhet: stop! Mbrapsht kthehuni! Kosova nuk është dhe s’do të jetë kurrë protektorat medial i Shqipërisë!

Në Kosovë mund të shohim, duhet të shohim e të dëgjojmë, qindra e qindra medie elektronike turke, gjermane, franceze, angloamerikane, arabe, por jo edhe shqiptare, jo edhe medie të Shqipërisë, sepse, ndryshe prej atyre të Evropës e të Lindjes, këto të Shqipërisë duan të na bëjnë “ndajshtim pezhorativ”, qesharakëzues, protektorat medial të Shqipërisë!

Për këtë arsye Kosova ndaj Shqipërisë duhet të bëhet shoqëri e mbyllur, pa treg të lirë, pa qarkullim idesh e njerëzish, në të vërtetë Kosova duhet ta shohë Shqipërinë si Serbinë, jo, më zi se Serbinë, si dreqin e të birin!

SHQIPËRIA E RREZIKON KOSOVËN DUKE E PËRDORUR POLITIKISHT

Kosova, na thuhet prej zëzmadhuesit të udhëheqjes njëzet-vjeçare të ASHAK-ut, përdoret politikisht prej Shqipërisë nga dita e themelimit të saj! “Vetë akti i shpalljes së pavarësisë kishte brenda (pra brenda e jo jashtë) një dozë padrejtësie ndaj Kosovës”! Në çka qëndron kjo dozë padrejtësie? Nëse nuk qëndron në faktin se Shqipëria u shpall jo në kufijtë e sotëm, po në kufijtë etnikë, duke përfshirë të gjitha trojet ku shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë etnike, dreqi dhe i biri mund ta dinë se në çka e “qëndronte” atë dozë padrejtësie zëdhënësi i ASHAK-ut. Dhe, më tej, ndërsa Ahmet Zogu e Enver Hoxha “e keqpërdorën Kosovën për utilitarizëm politik dhe pushtetar”, një numër i intelektualëve, si Fan Noli, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Dhimitër Shuteriqi, Martin Camaj, e të tjerë ndaj Kosovës “u sollën pa konsideratë”. Kështu, pa konsideratë u soll edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në vitin 2012, kur “bashkëpunimin e shkëlqyer që kishte me Akademinë e Kosovës”, e cila vuante rëndë prej paternalizmit të studiuesve nga Tirana, e sakrifikoi për asgjë: për të ftuar “në kremtimin e 40-vjetorit nënkryetarin e Akademisë Serbe, Lubisha Rakiqin, njërin nga ideatorët e “Memorandumit” famëkeq”, i cili dikur ishte anëtar i ASHAK-ut, i cili dikur ishte edhe mik i Mahmut Bakallit dhe i Dervish Rozhajës, i cili nuk kishte asnjë lidhje me Memorandumin në fjalë përpos se ishte nënkryetar i Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve, ku u shkrua ai Memorandum.

Çudi jo e vockël pse tabori i udhëheqësve të ASHAK-ut na qenka pezmatuar aq pezmatueshëm pse Akademia e Shqipërisë e ftoi Lubisha Rakiqin në Tiranë, po nuk pezmatohet aspak pse aq zyrtarë politikë, publicistë, artistë nga Prishtina shkojnë gjithnjë e më shpesh në Beograd sot!

Përdorimi politik i Kosovës, sipas udhëheqjes së ASHAK-ut tonë, është tejthelluar dhe tejshtrirë, sidomos, kohëve të fundit. Ndodh kjo për arsye se Tirana e ka pasur dhe vazhdon ta ketë “synim të lidhet me Beogradin, duke anashkaluar Kosovën, madje, po u pa e nevoj-shme, edhe në dëm të Kosovës”! Dëshmi të përdorimit të këtillë politik të Kosovës, sipas udhë-heqjes së Akademisë sonë, na qenkan edhe dy shkuarjet e tanivonshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd.

Pse u turr aq shpejt kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd? Pse u turr aq shpejt pa e pyetur udhëheqjen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila, e di më mirë se krejt Shqipëria dhe më mirë se të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, se çka thuhet atje – në Beograd? Dhe, këtë e ka dëshmuar sidomos në vitin 1981 kur aq vendosmërisht e dënoi “kontrarevolucionin”, që kishte bërë rinia shqiptare në Kosovë, dhe këtë e ka dëshmuar kur ka përkrahur ndryshimet kushtetutare që autonominë e Kosovës e kanë bërë autonomi komunale dhe këtë e ka dëshmuar posaçërisht mençur kur e ka përkrahur me mendje e me zemër, duke ia dhuruar disa anëtarë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila Sllobës, Sllobodan Millosheviqit, do t’ia paqësojë, do t’ia bëjë tepih të kuq, Kosovën, të cilën ai do ta shkelë pamëshirshëm me çizmet e tij, me milicinë e tij, me UDB-në e tij, me paraushtarakët e tij, me ushtrinë e tij deri në vitin kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të ngrihet kundër këtij paqësimi nënshtrues, me të cilin LDK-ja e turpëronte Kosovën, dhe do ta dëbojë Sllobën me forcat e tij prej Kosovës.

U turr kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd sepse aty gjeti leverdi shtetërore në marrëdhënie me Serbinë dhe me Kinën. U turr kryeministri i Shqipërisë në Beograd pa u lodhur aspak pse me këtë turr po e dëmtonte Kosovën, po e dëmtonte Kosovën shumëfish: edhe duke ia ripremtuar Kinës Portin e Shëngjinit që më parë Shqipëria “ia kishte premtuar Kosovës”, por edhe për të bërë “plane pa Kosovën për një hekurudhë që do të kalojë nëpër Kosovë dhe e cila do të lidhë Serbinë me Detin Adriatik”.

Medet, oj Kosovë, sa të këqijat po t’i bën Shqipëria! Po e lidh Serbinë me Detin Adriatik me vijë hekurudhore e cila do të kalojë nëpër tokën tënde dhe e cila, po u bë, më së shumti dobi ekonomike e të tjera do të të sjellë pikërisht ty.

Pyete veten Kosovë, pyete veten siç po e pyesim veten ne udhëheqësit e Akademisë, si kokat më të mençura të Kosovës, pyete veten pra Kosovë se “çfarë kërkojnë liderët politikë të Shqipërisë që merren me Kosovën, kujt i hyn në punë angazhimi i tyre në këtë krah?” Në këtë krahun e djathtë, pra, që kurrë nuk është pajtuar e nuk do të pajtohet me krahun e majtë, edhe pse atij krahu i kanë takuar e i takojnë intelektualët më të çmuar, më të rëndësishëm të Shqipërisë. Mbushu mend, mori Kosovë, e shikoje mirë pikën kufitare të Morinës në të dy anët e saj, në anën tënde, Kosovë, dhe në anën e Shqipërisë, Kosovë, dhe thuaj mandej se “kush kujt mund t’i shesë mend rreth përvojës së bërjes së shtetit. Dhe, si mund të sillen me aq arrogancë këta liderë politikë të Shqipërisë, kur vinë në Prishtinë, ndërsa për pesëmbëdhjetë vjet kanë eksportuar në Kosovë fjalamani boshe, hipokrizi patriotike, lypsa që rrinë nëpër semaforë, drogë të të gjitha llojeve dhe femra të trafikuara? Dhe zarzavate me hormone dhe pesticide”.

A e morët vesh, more kosovarë? Mbushuni mend more kosovarë! Ruajuni more kosovarë, ruajuni fort se prej Shqipërisë po të vijnë dhe, po qëndrove kështu e heshtur siç po paraqitesh edhe më tej, do të të vijnë të zeza që nuk të kanë ardhur prej Serbisë, prej Maqedonisë a prej Malit të Zi. Do të të vijnë: jo vetëm fjalamani, por fjalamani boshe, do të të vijnë hipokrizi, domethënë rrena e mashtrime patriotike, do të të vijnë lypës që rrinë ku nuk rrinë lypësit tanë – që rrinë nëpër semaforë, do të të vijnë droga edhe të llojeve që nuk janë prodhuar dhe nuk prodhohen në tokën tënde pjellore, do të të vijnë edhe kurva të trafikuara jo vetëm prej Shqipërisë, por kush dreqi e di edhe prej nga tjetër dhe me çfarë sëmundjesh krejt! Ne, udhëheqësit e ASHAK-ut, po të lusim Kosovë që ta dish: Shqipëria është kobi yt – ajo do edhe të të helmojë me hormone, me pesticide e me femra!

SHQIPËRIA E RREZIKON KOSOVËN EDHE ME GJUHË E KULTURË

Përpos me gjithë të këqijat, gjithë të zezat e sipërpërmendura, Shqipëria, e denjë vetëm për vle-rësime ironike e cinike, e denjë, madje, për urrejtje, e rrezikon Kosovën edhe me përpjekjet e saj të vazhduesh-me që ta bëjë “të ndihet inferiore” edhe në fushë të gjuhës e të kulturës. Dëshmi për këtë përpjekje të saj kundërkosovare janë: e para, deklarata e një gjuhëtari me emër në Seminarin e Gjuhës, të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare, në vitin 1999, në të cilën ai tha se Kosova do të duhej të bënte “desllavizimin e gjuhës”; e dyta, “refuzimi kategorik edhe ndaj fjalëve burimore, vetëm pse ato mund të vijnë nga gegërishtja”, ndërsa në fjalorët normativë përfshihen “edhe barbarizmat e të folmeve toske”; e treta, kthimi i çështjes së standardit “në çështje ideologjike, madje edhe partiake, duke shtrirë disa reflektime të shëmtuara politike e kulturore edhe në Kosovë”. Por ne, udhëheqësit e ASHAK-ut, e themi shkoqur se Shqipëria duhet ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë se ne, udhëheqësit e ASHAK-ut jemi të vetëdijshëm se “Kolonizimi kulturor është edhe një tjetër ide fiktive që është nisur nga Tirana në drejtim të Prishtinës”! Por ne, kokat udhëheqëse të ASHAK-ut, do t’i shkaktojmë disfatë shekullore kësaj ofensive kolonizuese me të cilën ajo, Tirana, si mendje pushtuese, i është vërsulur Kosovës!

Merrni vesh kosovarë: i shpëtuat kolonizimit të Serbisë në sajë të politikës paqësuese, nënshtruese të LDK-së, kurse prej kolonizimit të Shqipërisë do t’u shpëtojmë ne – drejtuesit e ASHAK-ut qe njëzet e kusur vjet!

Ç‘të thuhet seriozisht për këtë kolonizim? Mos të ishin lidhjet kulturore kudo e kurdo, mos të ishin lidhjet kulturore midis kontinenteve, shteteve, popujve, kulturat kombëtare në gjithë planetin e Tokës do të varfëroheshin shumë, pashmangshëm shumë, kurse ato më të voglat, ndoshta, edhe do të shuheshin. Për këtë arsye togfjalëshi kolonizëm kulturor, aq i keqpërdorur në publicistikën e shekullit 18 e 20, është komprometuar plotësisht në shkencat e shekullit 20, në mënyrë të veçantë të gjysmës së dytë të shekullit 20. Të flasësh për kolonizimin kulturor, në këtë rast gjuhësor dhe kulturor, në kulturën e një populli, brenda një populli, të flasësh për kolonizimin e kulturës së një pjese të një Kombi prej pjesës tjetër të të njëjtit Komb, kjo nuk është dëgjuar dhe nuk mund të dëgjohet në planetin e Tokës askund por, ja, po dëgjohet në ASHAK-un tonë!

Të flasësh për kolonizimin kulturor të Kosovës prej Shqipërisë, pa të cilën shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi nuk do të mund të mbaheshin; të flasësh për kolonizimin kulturor dhe politik të Kosovës prej Shqipërisë, pa ekzistimin e së cilës shqiptarët do të shpërnguleshin atje ku donte Vasa Çubrilloviqi – në Turqi; të flasësh për kolonizimin kulturor dhe politik të Kosovës prej Shqipërisë, prej Shqipërisë ku shqip-tarët e mbetur jashtë kufijve të saj kanë gjetur shpëtimin vetjak sa herë janë rrezikuar prej Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë; të flasësh për kolonizimin kulturor e politik të Kosovës prej Shqipërisë pa të cilën nuk do të mund të bëhej Lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e kjo do të thotë të jesh i privuar sa prej gjykimeve objektive historike e të përtashme, aq edhe prej dëshirës për qenien e atyre lidhjeve shpirtërore, kulturore e morale që ruajnë tërësinë e një Kombi.

PËRFUNDIMI

Nuk ka dyshim se të dhënat mediale, historike, politike, gjuhësore dhe kulturore me të cilat bëhet përpjekje që të dëshmohen synimet e Shqipërisë për t’i imponuar Kosovës paternalizëm, për më tepër për t’i imponuar inferioritet, protektorat a kolonizim kulturor janë të dhëna të shpikura dhe si të tilla janë të vëna në shërbim të një ideologjie separatiste, provinciale, tribaliste brendakombëtare daullet e së cilës tani e sa kohë po jehojnë edhe në paraqitjet televizive të disa intelektualëve, disa gjuhëtarëve, disa të ashtuquajturve analistë, së fundmi edhe në paraqitje të zyrtarit të dikurshëm të Sllobodan Millosheviqit, kryeministrit të përtashëm të Kosovës; dhe, së fundi në shkrimin e taborit privatizues të ASHAK-ut. Janë këto daulle të nekrofilëve që me dëshirën më të madhe ia shkruajnë nekrologun idesë së madhe gjithëshqiptare e cila e ka lëvizur historinë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: idenë e madhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Separatizmin e tyre brendakombëtar, provincializmin e tyre, tribalizmin e tyre të shprehur aq papërmbajtshëm, aq fyeshëm në shkrimin Kosova dhe Shqipëria në katër pamje ata daullexhinj nekrofilë po përpiqen ta arsyetojnë si “shtetarë”: Kosova është bërë shtet dhe ky shtet duhet të ketë identitetin e tij shtetëror, identitetin e tij gjuhësor, identitetin e tij kulturor, identitetin e tij kombëtar kosovar dhe atdhetarizmin e tij kosovar.

Në qoftë se shqiptarët pavarësisht ku jetojnë – në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, në Çamëri, në diasporë kanë një gjuhë, që i thonë gjuha shqipe, kanë një letërsi, që i thonë letërsia shqipe, kanë një kulturë, që i thonë kultura shqiptare, kanë një histori, që i thonë historia shqiptare, kanë një identitet, që i thonë identiteti shqiptar, pashmangshëm, natyrshëm, ata kanë edhe një atdhetarizëm, që i thonë atdhetarizmi shqiptar. Dhe, ky atdhetarizëm shqiptar, gjithëshqiptar, nënkupton obligimet, përkushtimet mendore, ndjenjore dhe morale ndaj të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, pa dallim dialekti, pa dallim krahine, pa dallim shteti ku jetojnë ata.

Për këtë arsye gjykimet tribaliste e lokaliste mbi paternalizmin, protektoratin, kolonizimin, me çka Shqipëria po rrezikuaka Kosovën, të cilat tash e sa kohë zihen në kuzhinën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, pashmangshëm do të përfundojnë ku edhe e kanë vendin: në plehun e historisë!

Mësimet historike na mësojnë të jemi të bindur se: Kosova dhe Shqipëria, të ndara dhunshëm prej shteteve të mëdha evropiane do të bashkohen vullnetshëm prej shqiptarëve. Dhe, do të bashkohen për të pasur mundësi natyrore e njerëzore shumë më të mëdha për zhvillim më të madh, më të gjithanshëm, për të jetuar bashkë larg më mirë, më të pasur, më të pasur materialisht dhe më të pasur shpirtërisht.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama