Nishani Rama telefonoi perdori tone e fjale te papranueshme

Nishani: Rama telefonoi, perdori tone e fjale te papranueshme

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në intervistën e dhënë në “Top Story” për gazetarin Sokol Balla ka bërë publike një bisedë të zhvilluar me tone të ashpra nga Kryeministri Edi Rama, pas vendimit për bllokimin e emërimit të ish-ministrit Visar Zhiti në postin e ambasadorit në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Ka hyrë një viti i ri me një luk të ri për ju?

Besoj më afër origjinalit dhe është kursim në gjërat e mëngjesit.

Ndonjë arsye?

Thjesht lehtësi për punën e përditshme

Një ankesë e përfaqësuesve e katër komuniteteve fetare në Elbasan të datës 5 shkurt, që i kthen një familjeje të njohur një pronë ku gjendet një kishë. Akuza që vjen nga mazhoranca është që famija juaj ka lidhje me këtë çështje. Cila është e vërteta?

Kjo nuk është një çështje aspak midis zotërisë (Taulant Ballës) dhe meje si person. Ai foli në emër të qeverisë në Parlament, Presidenti u akuzua në mënyrë të papranueshme dhe të patolerueshme. Nuk e shkel ligjin Presidenti. Mund të përfshihet në afera korruptive, por ka mënyra dhe mekanizma, ka formate për të hetuar të gjitha shkeljet dhe abuzimet, por kurrë nuk dëgjohet që qeveria të dalë në mënyrë të organizuar në mes të parlamentit dhe në mënyrë të paverifikuar të artikulojë akuza jashtë cdo norme etike. Është e vërtetë që bashkëshortja ime i përket familjes së Qemal bej Karaosmanit, një prej firmëtarëve të Pavarësisë. Por në rastin e pronës në fjalë, nusja ime nuk është trashëgimtare fare në këtë pronë. Janë 15 familje që janë përfshirë dhe nusja ime nuk është fare trashëgimtare, edhe pse një pjesë e saj është në pronësi të mamasë së nuses time. Kësaj familjeje i është njohur prona që prej vitit 1994, por ende nuk e kanë marrë. Është një pronë që nuk ka pasur kurrë kishë. Është ndërtuar një magazinë dhe më pas kanë ndërtuar një kishë dhe jo vetëm, pasi janë ndërtuar objekte të tjera me qëllim biznesi. Trashëgimtarët gjatë këtyre viteve kanë kërkuar që marrja në përdorim e kësaj prone të bëhet me kontratë të pronarëve realë të kësaj prone. Gjithsesi, kjo është një çështje që i takon gjykatës jo gjykimit tim. Unë do referoj dy momente që kanë të bëjnë me këtë çështje: e para lidhet me kohën kur unë isha ministër i Brendshëm, me firmën time, me vendim të posaçëm, një pjesë e kësaj prone i ka kaluar Bashkisë së Elbasanit. Dhe kjo ka shkaktuar hatërmbetje nga njerëzit e gruas. Dhe nga ajo ditë, Bashkia e Elbasanit është pronare e një pjese të asaj prone. E dyta, më bëri përshtypje lehtësia me të cilën akuzohet në Kuvend. Kjo është një çështje që është gjykuar në Gjykatën e Lartë mbas gati 3 vjetësh. Nëse do të kishte pasur ndonjë ndërhyrje nga Presidenti i Republikës, kjo çështje nuk do të ishte lënë atje për 3 vjet. Gjithsesi, kjo çështje nuk është e lejueshme as në aspektin moral, për të denigruar figurën e Presidentit. Por lehtësia me të cilën ndërmerren fyerje të tilla, denigrime të tilla, për kohën që po jetojmë janë të papranueshme dhe të patolerueshme.

Reagimi i parë nuk ka ardhur nga qeveria, por nga 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare…

Unë nuk akuzova PS-në, pasi ka një dallim si instrument mes qeverisë dhe PS-së. E njëjta akuzë u bë edhe kur u spostua godina e PD-së dhe u sulmua edhe në atë rast familja ime, pa asnjë lidhje dhe që në atë kohë ende s’kanë kërkuar falje për akuzat e pavërteta dhe të pabaza që u bënë në atë kohë. Dhe ky është një rast i përsëritur. Por qëllimi i gjithë asaj tymnaje, është vijim i një skenari të mirorganizuar dhe që funksionon prej kohësh për të denigruar Presidentin e Republikës si institucion, me qëllim për ta bërë të pabesueshëm te qytetarët.

Jeni President, por keni qenë në politikë aktive në PD për të paktën 12 vjet. Politika është perceptim dhe fakti që njerëzit shohin që Gjykata e Lartë merr një vendim ndaj një familjeje që ka lidhje të drejtpërdrejtë me familjen e Presidentit, ndërkohë që pronarët e ish-SHQUP janë në luftë për pronën e tyre… Këta pronarë dhe shumë pronarë shohin që e drejta nuk shkon në vend për ta…

Prona për të cilën po bëjnë fjalë pronarët u është njohur dhe kthyer si pronë atyre që në vitin 1994, ku s’kam qenë asgjë. Në rastin e SHQUP-it nuk kemi të bëjmë me një pronë të regjistruar si pronë private, kishim të bënim me një pronë shtetërore të regjistruar në inventarin e pronave publike dhe u bë kalimi nga një ent, që ishte Ministria e Mbrojtjes në emër të një enti tjetër që është partia e opozitës. Partitë politike janë asete publike. Kemi të bëjmë me raste krejt të ndryshme, por qëllimi i gjithë asaj tymnaje dhe spekulimi të papranueshëm dhe joetik, është i instrumentalizuar në vijim të një skenari politik që zgjat prej shumë kohësh për të denigruar institucionin e Presidentit të Republikës që nuk meriton të besohet për parimet që pretendon se mbron dhe beson. Kam një karrierë timen në politikë, në jetën publike që e kam ndërtuar me kontributin tim, me punën time me arritje dhe dështime e cila nuk mund t’i fshihet gjykimit të opinionit. Kjo është një betejë mes institucionit të Presidentit dhe dhunës institucionale ndaj Presidentit të Republikës, por nuk më cenon në detyrën time. Tani në rastin që ju përmendët, shtëpisë qendrore të ushtrisë, nuk kemi të bëjmë me një pronë të regjistruar si pronë private në pronësi të pronarëve të saj. Kishim të bënim me një pronë shtetërore, ende në inventarin e pronave publike. Dhe u bë transferimi i kësaj prone publike nga një ent që ishte Ministria e Mbrojtjes në një ent tjetër publik, që është një parti politike.

Pra, ju po thoni që në rast se pronarët e vjetër vërtetojnë se ata janë pronarët e asaj toke me vendim gjykate, ish-ndërtesa e SHQUP-it duhet t’u kthehet pronarëve?

Po në qoftë se gjykata vendos që ajo pronë t’u kthehet pronarëve, natyrisht që po. Kjo është një diferencë e madhe e asaj që ne po themi.

A jeni i sigurt që ju si kryetar i shtetit, si kryetar i KLD-së nuk keni ushtruar pushtetin tuaj në këtë vendimmarrje të Gjykatës së Lartë?

Fakti që një çështje e tillë ka qëndruar në gjykatë për tre vjet tregon më së miri se sa ka ndërhyrë Presidenti i Republikës.

Në janar të 2013-s, bashkëshortja e kreut të opozitës u akuzua në atë kohë nga mazhoranca e atëhershme se familjarët e saj kishin ndërtuar një ndërtesë në një pronë që nuk ishte e tyrja… A do ta ndihmonit ju Linda Ramën nëse ajo do t’ju kërkonte ndihmën tuaj?

Unë nuk dua të futem aspak në trajtimin e çështjeve të tilla që prekin persona të tillë të jetës së vendit. Kjo së pari nuk është çështje e Presidentit të Republikës. Dhe besoj se etika, mirësjellja, duhet të jenë të pacenueshme dhe duhet të jetë e palëkundshme duhet të jetë angazhimi i tyre për të zbatuar ligjin dhe për të ndëshkuar ata që e shkelin atë.

Deklarata e së enjtes së kaluar meriton një shpjegim. Në kujtesën time nuk më rezulton që të ketë një deklaratë të tillë të një Presidenti ndaj një Kryeministri, në limitet e etikës, në limitet e korrektesës politike dhe funksionit tuaj kushtetues. Në bazë të përkufizimit kushtetues jeni simbol i unitetit të vendit. Rama, Basha, Meta, Berisha këta përfaqësojnë vullnetin politik që u lejon që të marrin pozicione të caktuara edhe ato kritike ndaj Presidentit, por Presidenti duhet që të durojë dhe balancojë humoret e zotit Rama, lojërat e zotit Meta, gënjeshtrat e zotit Basha, apo kërcënimet e zotit Berisha. Deklarata juaj ishte e tensionit të lartë.

Ka qenë një deklaratë që nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme jashtë etikës. Ka qenë një deklaratë që dënonte dhunën e pandërprerë institucionale e vijueshme ndaj institucionit të Presidentit që përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti përfaqëson unitetin, jo se duhet të zgjidhet nga 100 përqind. Presidenti automatikisht përfaqëson unitetin që në momentin që zgjidhet. Askush për asnjë lloj emocioni nuk mundet të fyejë dhe denigrojë këtë institucion që është kreu i shtetit.

Ndodh, ndodh, ka ndodhur me qeverisjen e mëparshme, kur Kryeministri e cilësoi Presidentin e Republikës horr bulevardi. Dhe si ka mundësi që ju sot, pas 3 vjetësh jeni kthyer në Presidentin më politik që ka pasur ky vend. Por të dilni dhe të thoni që qeveria po bën veprime jakobine, është një akuzë shumë e rëndë që ju bëni. Kjo e fut vendin në krizë zoti President… dhe këtu e shikoj pozicionin tuaj shqetësues.

Deklaratat tuaja publike janë shqetësuese në politikë.

Konkluzioni juaj që unë jam Presidenti më politik, është konkluzioni juaj, por unë s’mendoj të njëjtën gjë.

Ka një sulm të pandërprerë politik që ditën e parë të kësaj qeverie, që s’ka ndodhur kurrë. Nuk bëj avokatin as të Berishës as të Topit, secili prej tyre ta bëjë vetë, por që terma dhe fyerje që janë përdorur nga presidentë ndaj kryeministrave nuk do të dëgjohen nga Bujar Nishani. Pse ky sulm i organizuar? Nuk ka pasur në historinë e pluralizmit shqiptar, sa herë që Presidenti kthen një ligj në Parlament, sa herë që Presidenti çonte një dekret, askush nuk merrej me dekretin, argumentat, por në mënyrë të organizuar me fyerjet ndaj Presidentit, sa i shëmtuar dhe i bukur ishte Presidenti, si ecte Presidenti, në mënyrë të përsëritur, çdo dy muaj ndaj Presidentit, familjes dhe fëmijëve të tij. Ai reagim ka qenë pas 30 minutash pas një telefonate të papranueshme mes Kryeministrit dhe Presidentit.

Ç’doni me thënë me këtë?

Atë ditë kam qenë në zyrë, pasdite, si çdo ditë të përcaktuar në axhendën time. Jam njoftuar nga sekretaria që të kërkon Kryeministri të lidhet me telefon. E kam pritur me kënaqësi natyrisht. Domethënë që ka pasur biseda të mëparshme, jo të shpeshta, për çështje pune. Unë kisha dëgjuar që Kryeministri telefonon gjyqtarë, prokurorë dhe flet me to. T’ju them të drejtën nuk e kisha besuar. Kisha dëgjuar që Kryeministri telefonon gjyqtarë dhe prokurorë, por nuk e kisha besuar dhe i kisha quajtur të ekzagjeruara, por jam tronditur nga tonet dhe fjalët e përdorura atë natë ndaj Presidentit, një fjalor i papranueshëm. Nuk mundesh as të ulërasësh, as t’i bërtasësh, as ta fyesh një President për arsye pse nuk dekretokam Visar Zhitin. Menjëherë pas kësaj deputeti i qeverisë doli në Parlament me ato akuza. Unë do të përballem me dhunën institucionale që adresohet ndaj institucionit të Presidentit dhe qytetarit të këtij vendi. Presidenti është aty të mos ketë frikë se mund ta heqin nga puna, gjobisin etj., etj.

Në atë telefonatë perceptuat kërcënimin që mund të shkarkoheni nga kjo mazhorancë? Çfarë ju shtyn ta bëni këtë publike pikërisht sonte?

Ka qenë një telefonatë e papranueshme, e paimagjinueshme, e adresuar me tone dhe terma të papranueshme. Besoj që kjo është e qartë dhe e besueshme.

Sa zgjati biseda?

Nuk ka rëndësi se sa ka zgjatur. Para ca ditësh është publikuar edhe në mediat dhe unë nuk e di se kush e ka nxjerrë.

Cili është synimi i sulmit?

Ka synim që ta bëjë institucionin e Presidentit një kukull pa identitet në varësinë e Kryeministrit. Presidenti ka bashkëpunuar në mënyrë shumë luajale me qeverinë, që ditën e parë, do vazhdoj të bashkëpunoj në mënyrë të tillë. Nuk ka qenë çështje Zhiti, ka qenë çështje institucionale, jam aty si President për të mbrojtur interesin e shtetit. Çështja është se prej gati dy vjetësh është kthyer në shqetësim për marrëdhëniet institucionale. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë nuk përfaqëson vetëm qeverinë. Nuk kam thënë që Visar Zhiti nuk ishte i denjë. I kam kërkuar Kryeministrit në mënyrë të përsëritur që duhet të bashkëpunonim të diskutonim paraprakisht për kandidaturat që do të shkonin ambasadorë dhe jo për arsye pazaresh. Qeveria duhet të punojë me njerëz dhe instrumentet. Konsultat i kam kërkuar për të shmangur problematikën që mund të lindnin me kandidatura të veçanta. Unë nuk e konceptoj propozimin e Kryeministrit një copë letre, propozimi është që Kryeministri i thotë Presidentit që kemi këto kandidatura për këto vende, a mendoni që ky person me këto karakteristike do të rrisë përfaqësimin? Kjo diskutohet paraprakisht dhe nuk ka asgjë të keqe.

Rasti “Zhiti” nuk besoj se ka nevojë për konsultë?

Tani megjithëse Presidenti e ka kërkuar 5 herë të konsultohet, vazhdon të injorohet. Ndodhi një incident shumë i rëndë, një vend mik i ynë nuk e pranoi letrat kredenciale të Presidentit, Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas këtij incidenti i kam kërkuar në mënyrë të prerë dhe publike që duke vënë shtetin në situata të tilla, Presidentin në një pozicion të tillë, nuk do miratoj asnjë kandidaturë pa konsulta paraprake. Kërkesa u injorua dhe erdhën propozimet për katër ambasadorë të tjerë, mes të cilës edhe zoti Zhiti. Erdhi ambasadori në BE, në Maqedoni, Izrael dhe Vatikan. Unë nuk mund të mbajë standarde të dyfishta. Natyrisht e gjithë ajo që pasoi qëndrimin e Presidentit dëshmoi për fat të keq që ishte një kurth politik, një skenar i stisur politik për të vendosur Presidentin në një raport me opinionin që gjykonte përmbajtjen e refleksionit tjetër, pa ditur dinamikën e ecurisë, komunikimit, bashkëpunimit. Ndaj edhe njëherë, aty Presidenti i Republikës është që mbi interesin e çdo individi, ndjenjat e çdo individi, të mbrojë interesin dhe dinjitetin e shtetit.

I keni refuzuar të katër këta emra?

Kushtetuta ka paraparë të drejtën e Presidentit për të dekretuar dhe të drejtën për të mos dhënë shpjegime sepse interesat shtetërore nuk janë për në pazarin publik dhe Presidenti shikon, baraspeshon e vlerëson interesin e shtetit dhe kjo është arsyeja që i është dhënë e drejta Presidentit që të mos e dekretojë dhe të mos japë shpjegime.

Ju thoni që nuk e keni të detyruar shpjegimin, po zotin Zhiti pse e thërritët dhe i dhatë?

Zoti Zhiti kërkoi të takohej me mua, po ta dija që do të shfrytëzonte këtë për shoë mediatik, nuk do ta kisha pritur.

Është sugjeruar që Presidenti të mos jetë më as komandant i Forcave të Armatosura dhe as kryetar i KLD-së…

Duhet të respektojmë atë që kemi vendosur në ligj dhe Kushtetutë. Kur s’janë përmbushur këto, atëherë për mua është e papranueshme. Parlamenti është sovrani dhe të ndryshojë Kushtetutën, le ta ndryshojë, por jo të shkelë Kushtetutën me një ligj. Nëse Parlamenti mendon që nuk i duhet fare Presidenti, le ta bëjë, që i duhet një president kukull, le ta bëjë.


Muça, ambasadori i refuzuar

Presidenti i Republikës në intervistën e mbrëmshme akuzoi qeverinë për bllokim të dekretit të ambasadorit, të nxjerrë në 23 korrik të vitit 2014. Bëhet fjalë për caktimin e Ermal Muçës si ambasador në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, rezident. Edhe pse kreu i shtetit ka firmosur emrin e Muçës, mësohet se emri i tij është bllokuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama