Për të gjithë studentët që duan të nisin ose të vazhdojnë studentët jashtë vendit, një mundësi është edhe Polonia. Nis aplikimi për përfitimin e bursave universitare dhe pasuniversitare në universitetet publike të Polonisë për vitin akademik 2015- 2016.
“Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shkencës dhe Arsimit të Lartë të Polonisë, Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Lartë të Republikës së Polonisë ofron të drejta studimi universitare dhe pasuniversitare në universitetet publike të Polonisë, për vitin akademik 2015-2016”, thuhet në njoftimin e MAS.
Të interesuarit për këto të drejta studimi duhet të dërgojnë me postë pranë Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dokumentet që kërkohen. Aplikantët për studime universitare do t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës polake, ndërsa aplikantët për studime pasuniversitare, të cilët nuk i kanë kryer studimet e tyre universitare në Poloni, duhet të jenë të pajisur me certifikatën e njohjes së gjuhës polake. Afati i fundit për pranimin e dokumenteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është data 3 korrik 2015.
Shpenzimet e udhëtimit për në Poloni, si dhe shpenzimet e ushqimit dhe të akomodimit, të cilat shkojnë afërsisht 350 euro në muaj dhe duhet të mbulohen nga vetë aplikantët. Pala polake merr përsipër tarifën e shkollimit dhe mundësinë për akomodimin dhe ushqimin me pagesë në konviktet dhe mensat e studentëve.
Dokumentet
Për studime universitare:
1.Kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë;
2.Formularin e plotësuar (bashkëlidhur këtij njoftimi) me një fotografi me ngjyra;
3.Vërtetimin e notave për tri vitet e shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës;
4.Raportin mjekësor për aftësi studimi;
5.Fotokopjen e faqes së të dhënave të pasaportës;
6.Dëshminë e penalitetit;
7.Fotografi dokumenti.
Për studime pasuniversitare:
1.Kërkesën për studime pasuniversitare;
2.Formularin e plotësuar (bashkëlidhur këtij njoftimi) me një fotografi me ngjyra;
3.Fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë;
4.Listën e notave;
5.CV;
6.Dy letra rekomandimi;
7.Programin e studimit;
8.Raportin mjekësor për aftësi studimi;
9.Fotokopjen e faqes së të dhënave të pasaportës;
10.Dëshminë e penalitetit;
11.Fotografi dokumenti.