Nipi i Skenderbeut Dua te bej nje film ku te interpretoj ‘gjyshin”

Nipi i Skënderbeut: Dua të bëj një film, ku të interpretoj ‘gjyshin”
Nëse nuk do të ishte mbiemri Kastriot, ata nuk do të kishin asnjë pikë takimi. Edhe pse në një distancë kohe shekullore, pasardhësit e Skënderbeut vazhdojnë të na rifreskojnë memorien për Heroin tonë Kombëtar. Italiani Alessandro Castriota Scanderbeg, është i 14-ti brez pasardhës i Skënderbeut. Një lidhje e largët, aq sa dhe e afërt. Pas vizitës së tij të parë në Shqipëri një vit më parë, më 17 prill 2007, ai është rikthyer sërish. Tashmë, jo më me kuriozitetin e njohjes së vendit të origjinës së tij të lashtë, por me ide dhe projekte për të ndërtuar ura lidhëse mes këtij vendi, "atdheu" të ri për të. Në atë vizitë, Alessandro, ku me aparatin e tij do të fiksonte çdo detaj shqiptar, do ta cilësonte ardhjen e vet si një lloj "rikthimi në Itakë". Madje, kohën e diktaturës, nga ato që ka dëgjuar, do ta quante "rrokullisje në absurditetin e fatkeqësisë njerëzore". Në fakt, pasardhja e Skënderbeut ka qenë e errët për shqiptarët për shekuj me radhë. Pas emigrimit të Donikës dhe Gjonit në mbretërinë e Napolit, terri dhe indiferenca do të mbulonin pasardhësit e heroit legjendar. Artisti dhe aktori, Alessandro Castriota Scanderbeg, jeton në Rossano të Kalabrisë, pranë komunitetit të arbëreshëve.

Çfarë është Skënderbeu për ju dhe si jeni njohur me "famën" e tij shqiptare?
Në vitet '90, kur takova shqiptarët e parë në Itali, pashë një lloj interesimi të pamat për Skënderbeun, gjë që më befasoi.
Skënderbeu për ta ishte një gjysmë perëndi, ashtu si edhe e imagjinoja kur isha fëmijë. Ardhja ime në Shqipëri ishte si një rikthim në origjinë.
Si e keni njohur ju historinë e Skënderbeut?
Unë jam 14 herë nip i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Që kur kam lindur, kam njohur disa variante të historisë së Skënderbeut. Unë kam dëgjuar nga babai im për të, pasi ekzistonte historia për heronjtë dhe e shihja Skënderbeun se më dukej si një legjendë e më pëlqente, por në fakt ishte një histori. Pastaj, shqiptarët e parë që erdhën në Shqipëri, më kanë treguar për pasionin e tyre për këtë hero dhe vitin e kaluar, në udhëtimin e parë që bëra në Shqipëri, e kam ndjerë këtë shenjë, që Skënderbeun e ka në zemër çdo shqiptar.
Kjo është vizita juaj e dytë në Shqipëri. Ka një motiv konkret apo...?
Kjo vizitë e imja në Shqipëri këtë herë ka një motiv ndryshe nga hera e parë. Kur erdha vitin e kaluar, më pëlqeu Shqipëria dhe padyshim që dëshiroj të vij sa herë që të kem mundësi. Por këtë herë jemi këtu, pasi po organizojmë një event mbarëshqiptar në Zvicër dhe grupi i punës po organizohet në Shqipëri dhe ky është takimi ynë i parë.
Cilat janë impresionet që morët nga Shqipëria kur e njohët atë realisht?
Mjaft gjëra, si pozitive edhe negative. Pozitive është ky vitalitet që kanë shqiptarët në të gjitha fushat. Kam njohur mjaft artistë njerëz që duan të punojnë për Shqipërinë. Negative është se ka një lloj anarkie, nuk ka një rregullsi që t'i ndjekë gjërat sipas shkallëve. Nuk ka një plan arkitekt të rregullt, ka ende anarki dhe normal, që ka nevojë për pak kohë të ecë për të arritur modernizimin.
Po në Itali, çfarë impakti përbën Skënderbeu?
Në Itali nuk do të thotë asnjë gjë. Për mua po. Pasi kam mundësinë të kem një lidhje direkte me një burrë të vërtetë dhe është një stimul për të ecur si të ishte një baba që të mëson të bësh këtë apo atë gjë. Është një stimul i madh për mua.
Duke e njohur historinë e tij, çfarë vlerëson në karakterin e Skënderbeut?
Admiroj forcën e tij të madhe, si fizike dhe morale, një zemërgjerësi e madhe, kapaciteti për të drejtuar. Ky guxim shpirti edhe përballë më të fortëve ndaj tij, pasi ai nuk dorëzohej asnjëherë.
Mendoni se i ngjani paraardhësit tuaj?
Shpresoj. Respektoj atë dhe përballë tij ndihem i vogël, por shpresoj t'i ngjaj diku.
Ndërkohë, ju jeni një artist në Itali...
Po është e vërtetë, unë kam punuar si aktor i një kompanie teatrale për dy vjet me "Picoli teatro a Milano", me shfaqjen "Vita di Galileo" e Bertolt Brecht. Kam punuar gjithashtu si aktor teatri në Romë. Tani po bëj një muzikal të "Komedisë Hyjnore" të Dantes (La Divina Comedia), në të cilin interpretoj Virgjilin, udhërrëfyesin latin të Dantes.
Duke qenë një artist, keni menduar të realizoni ndonjë projekt në Shqipëri, aq më tepër që tashmë i keni arsyet e vërteta për ta bërë këtë.
Shpresoj që "Komedia Hyjnore", vitin e ardhshëm të ketë një turne jashtë Italisë dhe besoj të jetë edhe në Shqipëri. Ky projekt që do të jetë në Zvicër, është një iniciativë me artistët kosovarë. Ndërkohë që ëndrra ime është të vendos në skenë një dramë ose një film mbi Skënderbeun, ku Skënderbe interpretohet nga një Skënderbe.
Çfarë mesazhi do të donit t'u jepnit gjithë shqiptarëve që lexojnë këtë intervistë tuajën?
Kemi dy emra: Skënderbe dhe Nënë Tereza. Le t'i marrim si dy shembuj, për të pasur forcën dhe kurajën që kishin ata.

Pema gjenealogjike
Nga Gjergj Kastrioti Skënderbe tek Alessandro Castriota Scanderbeg kemi 14 gjenerata. I biri i Skënderbeut, Gjoni, i cili u vendos në Pulia dhe vdiq në vitin 1514, lindi Ferrante. Ferrante, i cili vdiq në vitin 1561, lindi Pardo-n. Pardo, i cili vdiq në vitin 1596, lindi Fabio Costantinno-n, i cili vdiq në vitin 1615. Fabio Costantinno lindi Costantinno Alessandro-n, i cili vdiq në vitin 1643. Costantinno Alessandro lindi Vitantionio, i cili vdiq në vitin 1716. Vitantionio lindi Alessandro-n, i cili vdiq në vitin 1743. Alessandro lindi Vitantionon, i cili vdiq në vitin 1811. Vitantiono lindi Alessandro-n, i cili vdiq në vitin 1803. Alessandro lindi Giorgio, i cili vdiq në vitin 1846. Giorgio lindi Francesco-n, i cili vdiq në vitin 1905. Francesco lindi Luigi-n, i cili u spostua në Napoli dhe vdiq në vitin 1954. Luigi lindi Costantinno-n, i cili lindi Alessandro-n, i lindur në Napoli dhe i vendosur në Kalabri. Të gjitha dokumentet gjenden në arkivin e Napolit dhe atë të Leçes, të cilat vërtetojnë pasardhësit e Gjergjit

SKENDERBEU
Figura madhështore legjendë e Skënderbeut, ka kaluar me shekuj në një mit, ndërkohë që shkrimtari Gennaro Francione në librin biografik për Skënderbeun e ka cilësuar "një hero shumë planesh i kohëve moderne dhe pionier të Bashkimit Evropian ".

HISTORIA
Historia e familjes së tyre korrespondon me atë të Shqipërisë gjer në vitin 1468, kur vdekja e Gjergjit e la vendin pa asnjë udhëheqje dhe mbrojtje. Megjithatë, për ta mbetet përherë një gjurmë lidhjeje mjaft e kuptueshme e historisë familjare me Shqipërinë.

ARTISTI
Artisti Alessandro ka punuar si aktor i një kompanie teatrale për dy vjet me "Picoli teatro a Milano" me shfaqjen "Vita di Galileo" e Bertolt Brecht. Ka punuar gjithashtu si aktor teatri në Romë. Ndërkohë që aktualisht po bën muzikal të "Komedisë Hyjnore" të Dantes.

PINJOLLI
Në fund të vitit 2004, në Shqipëri do të shkelte i pari Kastriot, madje edhe me të njëjtin emër, si edhe artisti Alessandro Castriota Scanderbeg. Alessandro, i parë ndryshe nga artisti ishte lauruar në mjekësi, shkencëtar në neurologji dhe gjenetikë.

DY KASTRIOTET
Dy Alessandro Castriota Scanderbeg kanë të njëjtin gjysh, por i pari jeton në Leçe dhe i riu artisti në Kalabri. Në gjashtëqind vitet e jetës së princërve Kastriotë në Itali, jetojnë dy degë: ajo e Napolit dhe ajo e Leçes.

TRUNGU
Prej trungut të kolosit legjendar, Gjergj Kastriotit, kanë dalë njerëz me vlera dhe personalitet të madh. Në jetën dhe karrierën e pinjollëve kastriotas, gjen: avokatë, gjykatës, mjekë, shkencëtarë, artistë, poetë, ushtarakë të lartë, klerikë, kryetarë bashkie, guvernatorë.

Nga: Ilda Lumani
(a.r/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama