Në Shqipëri ekziston mendimi i gabuar se diplomat e universiteteve tona do të njihen jashtë Shqipërisë me ndonjë vendim të përbashkët të qeverisë sonë dhe qeverive të huaja. Nga qeveria jonë jepet përshtypja se po punohet në këtë drejtim dhe janë bërë edhe përparime për gjetjen e një formule magjike. Kjo është thjesht demagogji e përdorur nga qeveritarët tanë të cilët në shumicën e rasteve nuk arrijnë të bëjnë as identifikimin e saktë të problemeve që kanë universitetet tona. Mos identifikimi i problemit bën të pamundur zgjidhjen e afërt. Përse diplomat tona nuk kanë vlerë jashtë Shqipërisë? Përgjigja është fare e thjeshtë; niveli shkencor i universiteteve tona është i pakrahasueshëm me nivelin shkencor të universiteteve perëndimore. Në këtë artikull ne duam të trajtojmë shkurtimisht disa nga problemet e arsimit universitar shqiptar dhe të sugjerojmë disa rrugë që duhet të ndjekin universitetet tona për t’u transformuar në institucione bashkëkohore shkencore.
1. Cilat janë problemet dhe të metat e universiteteve tona? Në kulturën dhe mentalitetin e qeverive shqiptare është e vështirë të pranohen dështimet, por arsimi ynë universitar ka dështuar plotësisht. Të gjithë studentët shqiptarë dhe prindërit e tyre duhet të kenë të qartë se diplomat tona do të kenë vlerë vetëm atëherë kur universitetet tona të ngrihen në nivelin shkencor bashkëkohor. Diçka e tillë do të arrihet vetëm atëherë kur të nxitet puna shkencore në institucionet e arsimit tonë të lartë. Sot pedagogët e universiteteve tona japin thjesht mësim pa asnjë aktivitet tjetër shkencor (përveç ndonjë rasti shumë të rrallë). Eshtë e pamundur të gjesh artikuj shkencorë të botuar sot në botë nga profesorë apo studentë të institucioneve shqiptare. Në të njëjtën kohë vende më të vogla dhe me më pak potencial shkencor se Shqipëria prezantohem shumë herë më mirë në arenën ndërkombëtare. Ka disa arsye për këtë mungesë të punës shkencore në universitetet tona. Së pari, niveli shkencor i pedagogëve të universiteteve shqiptare është mjaft i ulët. Pjesa dërrmuese e pedagogëve tanë kanë mbaruar 4-vjeçarin në Tiranë dhe s’kanë asnjë kualifikim pasuniversitar. Le të kujtojmë se kualifikimi pasuniversitar është 5 vjet në Perëndim dhe, edhe pas një kualifikimi të tillë, është mjaft vështirë të gjesh punë nëpër universitete. Po të shtosh edhe 4 vjet të universitetit dhe botimet shkencore që kërkohen, atëherë sakrificat në Perëndim janë mjaft të mëdha. Pikërisht këto sakrifica i japin pedagogut të Perëndimit një respekt mjaft të madh 1 2 tek studentët, por edhe në pjesën tjetër të shoqërisë. Programe të tilla të gjata ku konkurrenca është mjaft e madhe eleminojnë nga sistemi të paaftët, të cilët në Shqipëri janë me bollëk. Gjithashtu këto programe krijojnë mundësitë që studentët pasuniversitarë të kryejnë punë serioze shkencore në mbrojtjen e diplomave pasuniversitare. Pikërisht programe të tilla mungojnë në Shqipëri.
Gjatë këtyre 10 viteve të fundit vihet re një fenomen tjetër negativ në arsimin shqiptar. Janë shfaqur në masë doktoratat fantazmë. Këta pseudo-doktorë janë nga segmentë të ndryshëm të shoqërisë; militantë partiakë (të të gjitha partive), doganierë, biznesmenë, ministra etj.. Eshtë e pamundur të gjesh informacion mbi punën e tyre shkencore për mbrojtjen e doktoratës. Po t’i pyesësh ata buzëqeshim lehtë e të ftojnë për të pirë ndonjë kafe apo konjak. Krijimi i një ushtrie mediokrish me tituj shkencorë ligjëron mediokritetin dhe do të ketë pasoja mjaft të rënda për arsimin dhe shkencën tonë. Efektet negative të këtij fenomeni kanë filluar të ndihen, si për shembull: mosbesimi tek universitetet tona dhe si pasojë largimi në masë i studentëve tanë nëpër universitete të huaja. Titujt shkencorë në Shqipëri kanë humbur vlerën dhe respektin që kanë në vendet e tjera të botës. Pedagogu ynë nuk ka asnjë nxitje për të kryer punë shkencore sepse sistemi ynë arsimor i shpërblen individët në bazë të vjetërsisë dhe jo në bazë të punës shkencore. Për këtë arsye ne gjejmë pedagogë të universiteteve tona të cilët kanë nga 30 vjet punë në fakultetet tona dhe asnjë artikull shkencor. Rrogat e pedagogëve tanë nuk diferencohen në bazë të arritjeve shkencore siç ndodh kudo në botë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një profesor i ri mund të paguhet më shumë se një profesor me 40 vjet eksperiencë. Ka raste që kjo shtesë rroge arrin deri në 3-4 herë më shumë. I vetmi kriter i promovimit të pedagogëve është puna shkencore. Bilanci i aktivitetit shkencor të çdo departamenti bëhet çdo vit. Universitetet klasifikohen në bazë të arritjeve shkencore dhe emrave të njohur të profesorëve që kanë në përbërjen e tyre.
Shpërndarja e fondeve qeveritare për universitetet publike bëhet në bazë të një klasifikimi të tillë. Pikërisht për këto arsye konkurrenca midis universiteteve për të marrë elementët më të mirë është tepër e madhe. Si rezultat i drejtpërdrejtë i ligjeve të tilla, një pedagog harxhon mjaft kohë për kërkime shkencore. Pikërisht sistemi ynë arsimor duhet të aplikojë reforma të thella për t’i nxjerrë pedagogët tanë nga kafenetë dhe për t’i futur në biblioteka. Mungesa e një organi të lartë shkencor në Shqipëri e bën të pamundur vendosjen e standardeve shkencore bashkëkohore. Në shumë vende të botës ky funksion kryhet nga Akademia e Shkencave që në Shqipëri nuk është shumë aktive. Mungesa e revistave të mirëfillta shkencore, botimeve akademike, konferencave e seminareve shkencore krijon një boshllëk shumë të frikshëm për të ardhmen e një kombi. Eshtë mjaft e rëndësishme që Akademia e Shkencave të Shqipërisë të jetë aktive sidomos në shkencat ekzakte. Shqipëria s’ka nevojë për filozofë e pseudo-shkencëtarë por për njerëz që punojnë, që njohin mirë literaturën bashkëkohore dhe që mund të drejtojnë institucione shkencore. Eshtë detyra e Akademisë së Shkencave të gjejë njerëz të tillë e të ushtrojë ndikimin e saj që këta njerëz të marrin drejtimin e institucioneve tona. Në arsim këto vitet e fundit vërehen fenomene që janë unikale për Shqipërinë. Një nga më shqetësuesit është korrupsioni që vihet re tek pedagogët tanë duke u shtrirë dhe tek ministria e Arsimit. Shumica e shqiptarëve njohin studentë që kanë paguar pedagogët e tyre për të marrë provimet. Kjo praktikë ka vetëm një emër vjedhje. Arsyetime banale si e kemi rrogën të ulët, do të ushqehemi e të tjera janë jo vetëm
NGRITJA E UNIVERSITETEVE TONA NË NIVELE BASHKËKOHORE 3 qesharake por edhe ofenduese karshi studentëve dhe familjeve të tyre. Paaftësia e plotë e ministrisë së arsimit dhe organeve kompetente të prokurorisë për t’i prerë rrugën këtij fenomeni po i kushton shtrenjtë arsimit shqiptar. Ky korrupsion është mjaft i përhapur edhe në shkollat e mesme ku është bërë tashmë një praktikë e pranueshme që mësuesit të kryejnë konsultime me pagesë për nxënësit e tyre. Në shumicën e rasteve këto konsultime kryhen në ambjentet e shkollave. Një tjetër rast korrupsioni është ndryshimi i disa teksteve të shkollave të mesme me qëllim që persona të veçantë të përfitojnë disa tendera. Për të identifikuar personat që janë të përfshirë në korrupsion është mjaft e lehtë, sepse askush nuk përpiqet të fshihet. Eshtë mungesa e dëshirës nga organet kompetente për ta frenuar këtë fenomen. Dalja në skenë e shkollave private ka ndryshuar disi balancën në arsimin e mesëm shqiptar. Eshtë mendimi im personal se efekti i shkollave private është negativ. Shumica e tyre nuk ofrojnë asgjë të re në përmbajtje.
Përmirësimet që ato sjellin janë thjesht kozmetike. Eshtë mjaft shqetësuese mbështetja që organet tona qeveritare u bëjnë shkollave të tilla. Të krijohet përshtypja se ministria e Arsimit dhe qeveria janë më të shqetësuara për arsimin privat se atë publik. Megjithatë, shkollat publike janë ende shkollat më të mira në Shqipëri dhe është bindja ime se ato do të mbeten të tilla edhe në të ardhmen. Asnjë institucion privat nuk mund të të japë larminë dhe konkurrencën e një shkolle publike. Shkollat private nuk i bëjnë fëmijët më të aftë, përkundrazi, më të llastuar. Gjimnazet tona publike do të vazhdojnë të mbledhin fëmijët inteligjentë prindërit e të cilëve janë punëtorë, arsimtarë, bujq, apo edhe të papunë. Talenti në shkollat publike gjithmonë do të jetë më me shumicë se në shkollat private. E meta kryesore e shkollave private që janë shfaqur deri më sot në Shqipëri është se ato shihen nga pronarët e tyre thjesht në aspektin e përfitimit. Drejtuesit e këtyre shkollave nuk e kanë largpamësinë dhe idealizmin e nevojshëm për të krijuar institucione arsimore që t’i qëndrojnë kohës. Kurse të huajt që kanë krijuar shkolla të tilla me arrogancën e tyre nuk mund të kuptojnë se eksperienca e arsimit të mesëm e fillor shqiptar është një thesar nga i cili vetë të huajt mund të përfitojnë shumë.
Pikërisht kjo eksperiencë duhej ruajtur me fanatizëm e ndryshuar sa më pak. Ndryshimet duheshin filluar nga segmenti i arsimit që nuk jepte rezultat dhe ky segment është arsimi i lartë. Kohët e fundit po flitet shumë për universitetet private. Le të shpresojmë se këto universitete do të sjellin diçka të re në arsimin universitar, por nuk do të jenë zgjidhja magjike. Ka shumë mundësi që të jenë institucione mediokre me qëllimin e vetëm të përfitimit ekonomik. Duke qenë një popull që s’ka shumë për të festuar vihet re në opinionin shqiptar një ekzagjerim i rezultateve të studentëve tanë jashtë shtetit. Ky ekzagjerim i ka rrënjët ndoshta tek egoizmi i theksuar personal i shqiptarit ose ndoshta tek një ndjenjë inferioriteti që ne shqiptarët kemi karshi Perëndimit. Si për t’i mbushur mendjen vetes se ne jemi njësoj me botën, ne përpiqemi të festojmë edhe gjëra fare qesharake. Në gazetat tona gjen artikuj për talente të vërteta që po dalin nga shkollat tona të mesme. Shumë herë dëgjon legjenda për shqiptarë që kanë arritur majat më të larta në shkencën botërore. Ka ardhur koha që ne ta shohim të vërtetën në sy dhe ta pranojmë atë publikisht. Ne jemi një popull që kemi shumë pak njerëz të aftë në shkencat ekzakte. Ekzagjerime të tilla krijojnë përshtypjen e rreme se çdo student shqiptar që shkon jashtë do të arrijë majat e shkencës. Duke u nisur nga ide të tilla mijëra të rinj që kanë shkuar në Amerikë për të vazhduar vitin e katërt të shkollës së mesme, sot enden rrugëve, pa dokumenta e pa të ardhme. Këto 4 ekzagjerime i vënë njerëzit në gjumë këtu në Shqipëri duke krijuar përshtypjen se çdo gjë po shkon mirë dhe shmang trajtimin e problemeve të arsimit tonë. Së fundi, tek studentët tanë ekziston mendimi se ata po i bëjnë një favor të madh shtetit e shoqërisë duke vajtur në shkollë. Studentët tanë shpesh bëjnë greva ekonomike, duke harruar se ata në shkollë s’po i dërgon njeri me zor, se ata më të aftët do ta lenë Shqipërinë me rastin e parë që t’u krijohet. Ata duhet të kuptojnë se shkollën e lartë e kryejnë për interes të tyre dhe askush nuk u ka borxh shkollimin.
2. Reformat në arsim janë domosdoshmëri për zhvillimin e vendit Në qoftë se Shqipëria do të zhvillohet me ritmet e vendeve perëndimore, atëherë arsimi ynë duhet ta paraprijë këtë zhvillim. Teknologjia e re, interneti, globalizimi po krijojnë mundësi të mrekullueshme për popujt e botës së tretë që ta ngushtojnë hendekun midis tyre e vendeve të zhvilluara. Shembujt e Indisë, Kinës e mjaft vendeve të tjera ilustrojnë potencialin e madh të zhvillimit që mund të sjellë kjo teknologji e re. Nuk është rastësi që vendet që po përfitojnë nga këto kushte të reja zhvillimi janë pikërisht vendet me një arsim ku theksi vihet mbi shkencat ekzakte. Pikërisht kjo teknologji e re mund të ketë efekte negative për Shqipërinë në qoftë se ne nuk zgjedhim rrugët e përshtatshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve që po ndodhin kudo në botë. Në qoftë se reformat tona arsimore do të jenë me vend dhe të shpejta efekti pozitiv ekonomik mund të jetë kolosal. Vetëm Gjermania do të japë 50 000 viza në vit, për 10 vitet e ardhshme, për matematikanë, informaticienë e programues. Vendet e tjera perëndimore kanë nevoja të ngjashme. Kryesisht këto viza shkojnë tek vendet e Lindjes. Europa gjithmonë do të ketë probleme demografike dhe si rrjedhim nevojë për njerëz të aftë në degë që kërkojnë një përkushtim të madh. Ne kemi avantazhin e madh që jemi populli më i ri në Europë. Në vend të prostitutave e trafikantëve ne mund të dërgojmë në Europë programues, matematikanë, njerëz të arsimuar. Përfitimi ekonomik, politik dhe moral do të ishte i jashtëzakonshëm dhe imazhi i Shqipërisë në botë do të fillonte të ndryshonte.
3. Rrugët e mundshme për një transformim të shpejtë Unë nuk pretendoj që në një artikull të tillë t’u jap përgjigje gjithë problemeve të arsimit shqiptar. Megjithatë unë dua të sugjeroj disa rrugë të cilat mund të jenë mjaft të frytshme për arsimin tonë universitar. Natyrisht u mbetet organeve përkatëse të vendosin se sa do t’i marrin parasysh sugjerime të tilla. Së pari, marrja në punë nga universitetet tona e profesorëve aktivë në kërkime shkencore, të cilët të kenë botuar artikuj në revista të respektueshme në botë. Pa mohuar punën që bëhet, duhet pranuar se ka shumë nga fakultetet tona që nuk mund të rregullohen me efektivin pedagogjik ekzistues. Pikërisht për këto fakultete duhen gjetur njerëz të aftë që të marrin plotësisht drejtimin e këtyre institucioneve. Në qoftë se individë të tillë shqiptarë nuk gjenden atëherë pse jo edhe të huaj. Natyrisht ata do të paguhen me vlerën e tregut në botë, por ky është një investim i domosdoshëm dhe fondet mund të dalin nga rrugë që do t’i përshkruajmë më poshtë. Persona të tillë duhet të vihen në krye të fakulteteve tona dhe t’iu lihet dorë e lirë për t’i drejtuar ato. Së dyti, është më se e nevojshme ngritja e instituteve pasuniversitare. Diçka e ngjashme me sistemin amerikan në Shqipëri do të funksiononte mjaft mirë. Këto institucione duhet të krijohen sa më parë dhe në të gjitha degët. Pasi të mbarojnë 4-vjeçarin studentët më të mirë do të lejohen të regjistrohen në këto institute.
Në të NGRITJA E UNIVERSITETEVE TONA NË NIVELE BASHKËKOHORE njëjtën kohë ata do të kryejnë funksionin e asistentit dhe do të paguhen për punën që bëjnë. Kështu do të pregatiteshin kuadrot e nevojshëm për të dhënë mësim në universitet. Këto institute do të ishin bërthamat shkencore në vend dhe do t’i jepnin një shtytje të menjëhershme kërkimit shkencor. Në krye të çdo instituti të tillë duhen vendosur personat e përmendur më sipër. Rigjenerimi i Akademisë së Shkencave dhe shndërrimi në një akademi mbarëshqiptare. Eshtë e nevojshme që Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës dhe shqiptarët kudo që janë nëpër botë të përfshihen në këtë proçes rigjenerimi të shkencës sonë. Ne jemi një popull i vogël ku botimet shkencore janë të pakta, kështu që duhet t’i shfrytëzojmë burimet tona sa më mirë. Shqiptarët jashtë atdheut, të cilët janë në institucione shkencore kudo në botë mund të ndihmojnë shumë. Pikërisht Akademia e Shkencave duhet të jetë ura ndërmjetëse midis grupeve e individëve të ndryshëm. Pedagogëve ekzistues duhet t’u bëhet e qartë se në një institucion shkencor siç është Universiteti ka vend vetëm për njerëz që bëjnë punë shkencore.
Ata që nuk janë të aftë të kryejnë kërkime shkencore do të dërgohen në institucione më të ulta si shkollat e mesme ose duhet të dalin në pension. Shpërblimi duhet të bëhet i diferencuar duke pasur si kriter vetëm kërkimet shkencore. Duhet të futen titujt shkencorë dhe të bëhet diferencimi i pedagogëve në bazë të këtyre titujve. Drejtimi i universiteteve tona duhet decentralizuar. Sot Ministria e Arsimit kontrollon gjithçka duke filluar nga programet, tekstet, degët që hapen e mbyllen, rregullat e pranimit e gjithë hollësitë e tjera. Eshtë e pamundur të futësh programe bashkëkohore në universitetet tona kur këto programe duhen aprovuar nga njerëz jo specialistë dhe shpesh të paaftë. Një pedagog, sado i aftë, në sistemin ekzistues nuk ka asnjë hapësirë për të punuar. Drejtimi i degëve duhet t’u lihet plotësisht specialistëve përkatës. Roli i ministrisë së Arsimit duhet të minimizohet sa më shumë në lidhje me arsimin universitar. Në aspektin ekonomik, ka ardhur momenti që të futen taksat për arsimin universitar. Këto taksa do të shtonin fondet e universiteteve tona, por në të njëjtën kohë do të rrisnin seriozitetin e studentëve. Sot të rinjtë tanë shkojnë në universitet, sepse shpresojnë se diploma do t’iu sjellë përfitim ekonomik. Shoqëria nuk ka pse të paguajë për këtë. Në qoftë se do të jepen disa bursa këto duhet të jepen vetëm në bazë të rezultateve akademike. Fakultetet tona kanë shumë sekretare, pastruese, roje e plot të tjerë që marrin rrogat.
Ky personel duhet shkurtuar në maksimum duke i kaluar fondet tek personeli shkencor. Pjesëmarrja në universitet duhet të zgjerohet. Çdo i ri ose e re që ka mbaruar shkollën e mesme dhe ka dëshirë dhe mundësi financiare për të vazhduar universitetin, duhet të ketë të drejtën të regjistrohet. Natyrisht universitetet tona kanë diferencë ndërmjet tyre dhe studentët do të konkurrojnë për t’u pranuar në shkollat më të mira. Baza kryesore e këtij konkurrimi duhet të jetë mesatarja e shkollës së mesme. Një konkurs disa orësh nuk mund të zëvendësojë punën e katër viteve, sidomos kur pastërtia e konkurseve të tilla vihet në dyshim. Vendosja e mesatares si kriter diferencimi do t’i jepte rëndësinë e duhur shkollës së mesme. Rritja e numrit të studentëve nuk kërkon shpenzime kolosale siç pretendohet nga ministria e Arsimit. Le t’u kthehemi klasave të mbrëmjes dhe semestrave të verës. Numri i studentëve tanë mund të trefishohet pa asnjë investim shtesë. Së fundi, duhet të investohet në teknologjinë e re. Sot interneti është bërë mjeti më i fuqishëm në kërkimet shkencore. Në kushtet tona kur bibliotekat nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në nivelin e bibliotekave të Perëndimit, interneti merr një 6 rëndësi të veçantë. Do t’i hapte studiuesit shqiptar një dritare të madhe dhe do të binte botën në tavolinat tona. Interneti duhet të futet në zyrën e çdo pedagogu, në dhomën e çdo studenti, në laboratorin e çdo instituti. Shpenzimet, të cilat janë të përballueshme, duhet të dalin nga taksat e studentëve dhe nga buxheti i shtetit. Natyrisht që opinioni i përgjithshëm në Shqipëri është se reformat nuk janë kaq të thjeshta për t’u zbatuar. Gjithashtu, të paaftët do të përpiqen të mbrojnë statusquo- në me të gjitha mënyrat e të na mbushin mendjen se gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Unë kam bindjen e plotë se arsimi ynë i lartë mund të ndryshojë shumë shpejt. Ne kemi atë çka shumë vende të tjera nuk e kanë: studentë të aftë dhe ambiciozë. Thembra e Akilit është që këta studentë t’i shpenzojnë energjitë e tyre në punë të mirëfilltë shkencore.
Department of Mathematics, University of California at Irvine.
T. Shaska











