Nga Valbona ne Delvine adrenalina e turisteve mbi motocikleta

Nga Valbona ne Delvine, adrenalina e turisteve mbi motocikleta

Turistë nëpër Shqipëri? Kjo në vjeshtë është e mundur vetëm falë një djali të çmendur pas motorrëve, makinave të mëdha dhe cepave më të bukur të Shqipërisë. E pikërisht për këtë ai ka ftuar të huajt që ta vizitojnë Shqipërinë edhe këtë vjeshtë për herë të tretë. Edvin Kasimati ka udhëhequr dhjetëra turistë të ardhur në Shqipëri nga vende të ndryshme nga Valbona e deri në Delvinë. Për të na rrëfyer të gjithë trajektoren e për më tepër detaj të këtij turi “Shekulli” ka intervistuar një nga emrat më të njohur të Rrally në Shqipëri, Edvin Kasimatin, djalin e “çmendur pas makinave dhe motorëve që këtë herë i ka ftuar të huajt në një udhëtim të jashtëzakonshëm. Edvin Kasimati, drejtues i Rally Albania, komenton për gazetën “Shekulli” motivet që e kanë shtyrë në organizimin e këtij turi. Ai na tregon se edukata dhe kultura që këta të huaj sjellin në turizmin shqiptar i bën edhe më mirë turizmit tonë. E së fundi, ata mund të jenë ambasadorë në botë për të sjellë sa më shumë miq në Shqipërinë tonë të vogël, por me shumë vlera.


Ky është viti i tretë i turit. Nga ndryshon ky nga vitet e kaluara?
 

Ky tur, që quhet “Albania Raid” është një udhëtim i tipit RAID, që nga anglishtja do të thotë lëvizje në vende të reja. Turi që sapo përfundoi është organizuar për herë të tretë. Ideja nisi nga gara “Rally Albania” dhe nga kërkesat e shumta që kishte, por shumë pjesëmarrës ose nuk kishim kohë në atë pjesë të vitit ose gara për ta ishte shumë impenjative dhe kërkonin diçka më të qetë dhe më turistike. Ndryshimi nga dy vitet e para është pjesëmarrja e plotë sipas parashikimit. Këtë vit kemi realizuar një trajektore më të gjatë dhe kemi përfshirë të gjithë Shqipërinë, nga Valbona deri në Delvinë.


Ishte një javë udhëtim nëpër zonat turistike shqiptare... A shkoi gjithçka mirë?

 

Në përgjithësi gjithçka shkoi mirë. Kuptohet aksidente të vogla, rrëzime, pak të gërvishtura e goditje të vogla janë gjithmonë të përfshira dhe nuk përbëjnë shqetësim. Për sa i përket pjesës të turizmit, sigurisht që shkoi mjaft mirë. Turi kalon nëpër vende, male, pyje, lumenj e shumë vende të tjera, ndër të cilat 95 për qind e shqiptarëve as i kanë parë e as nuk kanë plan që t'i shohin ndonjëherë. Shqipëria është një vend i bukur, por nëse të kanë detyruar që të jetosh për dekada në ato vende, nuk ke më asnjë dashuri ose dëshirë të shkosh e t'i vizitosh përsëri.


Po këshillat që rezervuan ata për turizmin tonë?

 

Hera-herës janë plehrat që janë shokuese për sasinë dhe papërgjegjshmërinë në lëshim, dhe nuk flas për plehra personale, por për plehra masive. Nuk ka ndonjë këshillë të veçantë sepse turistet nga Evropa Veriore janë të rezervuar në këshilla dhe të tillë ishin shumica këtë vit.


Kryesisht, vendet që vizitohen nga të huajt janë bregdeti i jugut dhe turizmi malor në veri të Shqipërisë. Ju keni zgjedhur edhe fshatrat... Përse kjo zgjedhje?

 

Me thënë të drejtën të gjithë “të huajt” që takoj unë ose janë në kontakt me organizatën tonë nuk kanë shumë interes për bregdetin e jugut, por për pjesë malore të Shqipërisë. Sigurisht që veriu është i bukur dhe i ashpër, por edhe pjesa malore qendrore e zona e vargmaleve të Juglindjes është mbase edhe më e bukur. Kam shumë pak me “të huajt” që kërkojnë plazhet e jugut të Shqipërisë ose edhe ata janë shumë pak. Plazhet e jugut të Shqipërisë kanë shumë pak ndryshim nga ato të Greqisë ose Kroacisë ose Turqisë, madje ofrojnë shumë pak kushte se konkurrenca. Ndërsa malet e Shqipërisë janë unike. Por fatkeqësisht, asnjë shqiptar nuk ka ndërmend t'i vizitojë ata në të ardhmen e afërt. Për momentin malet shqiptare janë të mbushur me turistë evropiane.


Dhe përse në vjeshtë?

 

Vera është shumë e nxehtë. Dhe trafiku është shumë i rënduar dhe i rrezikshëm në atë periudhë. Pastaj ky është një lloj turizmi disi elitar dhe jo domosdoshmërisht pjesëmarrësit kanë vetëm verën si kohë pushimi. Dhe një fakt tjetër është se, për udhëtim me motor dhe i veshur, korriku dhe gushti është shumë i vështirë.


Shqiptarët kanë ëndërr klubin dhe shezllonin
 

Sigurisht që ndryshimi mes turistëve të huaj dhe atyre shqiptarëve është i madh, është madje edhe i dukshëm. E pikërisht për këtë e pyetëm edhe Edvin Kasimatin djalin që sapo ka përmbyllur me sukses udhëtimin e tretë turistik për të huajt në Shqipëri. Ai tregon se si është të punosh me të huajt dhe se çfarë projektesh ka për vitin e ardhshëm të këtij turi që tashmë është kthyer në një traditë që kontribuon bindshëm në turizmin e Shqipërisë dhe njohjen e vlerave turistike që përmban vendi ynë.


Sa mendoni se e njohin të huajt pas një turi Shqipërinë?

 

Kjo fjala “të huajt” është shumë e gjerë dhe shumë e përdorur, por “të huajt” që marrin pjesë në këto udhëtime janë pjesa aventuriere e masës së turistëve evropianë, që vizitojnë Shqipërinë. Dhe ata mbeten shumë të kënaqur dhe me gojë hapur. Pjesa e turistëve që kalon nëpër qytetet e plazhet popullore të Shqipërisë nuk besoj se ka të njëjtin impresion për Shqipërinë.


Cilat ishin përshtypjet më të veçanta që lanë të huajt nga ky tur?

 

Ky vit pati një eksplorim të plotë të krahinës malore jugore. Mali i Trebeshinës, Dhembelit, Çajupit, lugina e Zagorisë, Salaria dhe të tjera ishin disa nga vendet e veçanta që lanë më shumë mbresë. Edhe moti ato dy ditë ishte kristal kështu që “të huajt” ndalonin për minuta të tëra të mrekulluar dhe bënin foto pa ndërprerje. Sepse pas çdo kthese dilte një pamje më e bukur se ajo që na ishte shfaqur një kthesë më parë. Por siç e përmenda edhe në fillim, asnjë shqiptar nuk ka në plan të shkojë në këto vise të mrekullueshme të Shqipërisë.


Pse pjesë e këtij turi janë vetëm të huajt? A nuk mendoni se ka shqiptarë që nuk e njohin mirë vendin e tyre, zonat turistike?

 

Vendet e botës së tretë, si Shqipëria, për momentin kanë ëndërr klubin, tavolinën, shezllongun e plazhit, turizmin pasiv dhe jo turizmin aktiv dhe me adrenalinë të lartë. Duhen dekada e dekada të tëra që të lindë ky brez turistësh shqiptarë. Nuk është faji jonë. Është një situatë dialektike.


Me siguri po planifikoni edhe turin e katërt të këtij lloji? Cilët elementë do të vijojë suksesin e kësaj tradite?
 

Po, jemi në përgatitje të edicionit të katërt. Kërkesat kanë filluar që tani dhe duhet pasur parasysh edhe limitet e organizimit në numrin e lartë të kërkesave. Do të vazhdojmë me trajektore të reja që përfshijnë edhe zonat verilindore të Shqipërisë që janë një bukuri po aq e veçantë sa pjesa tjetër malore e Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama