Nese Berlini nuk eshte aq terheqes shkoni ne Tirane

Nese Berlini nuk eshte aq terheqes, shkoni ne Tirane

Portali “Momondo”, një nga guidat e udhëtimeve më të njohura turistike europiane, ka publikuar një artikull mbi destinacionet alternative verore 2015, ku kryeqyteti ynë Tirana përfshihet si një ndër destinacionet e rekomanduara për t’u vizituar.

Aty bëhet një përshkrim i shkurtër historik i kalimit  të Shqipërisë nga regjimi  i mëparshëm në zhvillimin e sotëm, flitet për ambjentet që mund të vizitohen e mund të pushohet, për muzetë dhe veprat kulturore që rrethojnë kryeqytetin, shëtitoret e gjera e me njerëz, duke përfunduar me natyrën piktoreske të malit të Dajtit, si një destinacion turistik lehtësisht i arritshëm për t’u vizituar.

“Nëse dëgjon njerëz që thonë se Berlini nuk është aq tërheqës sa ishte dikur, atëherë thuaji që i duhet të shkojnë në Tiranë”, shkruhet në këtë portal. “Në fillimet e viteve ’90 kryeqyteti shqiptar konsiderohej si një vend i mbyllur. Vendi ishte i paralizuar si pasojë e shtrëngimit nga dora e fortë komuniste, kriminaliteti ishte i lartë dhe godinat e regjimit shtypës ishin duke shkuar drejt rrënimit”.

Por tashmë kryeqyteti shqiptar është kthyer në një destinacion veror të madhërishëm duke ofruar një eksperiencë të bukur ballkanike. Merr teleferikun përmbi parkun kombëtar të Dajtit ose qëndro në vendet e ulëta dhe shijo gatimet e peshkut me çmime jashtëzakonisht të ulëta, të cilat shërbehen nëpër kafenetë te lagjja e ish-Bllokut. Ose ndoshta dëshiron që ta zësh peshkun vetë? Atëherë qyteti bregdetar i Durrësit ndodhet vetëm 30 minuta larg.

“Përveç të madhërishmit Muzeut Historik Kombëtar dhe një gati-në-shembje Piramide, e cila u ndërtua për të nderuar diktatorin e dikurshëm Enver Hoxha, Tirana nuk ka ndonjë veçanti. Në vend të këtyre veçantive, janë banorët dhe ajo ndjesia e veçantë që e kthen këtë vend në një destinacion që ja vlen për tu vizituar. Pi verë të ëmbël shqiptare dhe shplodhu në bulevardin e Dëshmorëve, i cili ofron një përzierje të arkitekturës otomane, italiano-fashiste dhe arkitekturës postmoderne dhe shumëngjyrëshe të cilat janë shembuj të historisë së larmishme të Tiranës”, shkruan portali.

Shqipëria turistike është pasqyruar në disa revista e gazeta prestigjoze botërore këto dy vitet e fundit, gjë që rrit mundësinë për një turizëm të mirëfilltë dhe elitar. Është detyrë e strukturave përkatëse që ta administrojnë me efikasitet këtë prestigj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama