Nentor 18 / Çelet ekspozita vjetore e piktures ne Galerine FAB

TIRANË, 19 Nëntor / ATSH- Klajdi Musabelliu / "Nëntor 18", ekspozita vjetore e pikturës e çelur në Galerinë FAB (Fakulteti i Arteve të Bukura) pranë Universitetit të Arteve, ka ngjallur një interest të madh për publikun dhe miqtë e penelit, të cilët i kanë pëlqyer dhe vlersuar punimet e kësaj ekspozite.

Vizatimet e 30 piktorëve dhe artistëve, ose e thënë ndryshe paraqitja e motiveve pikturale në stilet si realiste, ekspresioniste, romantike, abstarkte, apo edhe portretet e shumta të ekspozuara në këtë ekspozitë, kanë marrë pëlqimin e miqve të bojës dhe ngjyrave, të cilët të pranishëm në ambjentet e galerisë FAB, shfaqën gjithashtu dhe interesin edhe për t'i blerë disa prej veprave.

Piktura si një degë ose disipline e artit figurativ, ka filluar që të lëvrojë gjithjnë e më shumë në vend, ku interesi i publikut kryeqytetas dëshmon se po afrohet gjithnjë e më shumë drejt këtij zhaneri artistik, e kësaj magjie pamore.

Artistët pjesëmarrës në ekspozitën "Nëntor 18" janë Adrian Devolli, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Andi Hila, Ardit Boriçi, Artan Buca, Aurel Nukaj, Bashkim Dervishi, Besim Tula, Brikena Bërdo, Buron Kaceli, Dea Tili, Eniela Veveçka, Gazmend Leka, Gjergji Marko, Hasan Çapari, Kleves Krisiko, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Matilda Odobashi, Merita Selimi, Nikolin Ivanaj, Orlis Vathi, Petro Kokushta, Robert Guci, Sali Shijaku, Stefan Taçi (Stefos),Vilson Kilica, Zef Shoshi.

Ekspozita "Nëntor 18" do të qëndrojë e hapur deri me datë 30 nëntor.

/a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama