Nemo shqiptar dhe historite e tij nen det

Nemo shqiptar dhe historite e tij nen det
Baza e Pashalimanit dhe nëndetset tona ishin një mit për këdo në vitet '60-'80. Dhe padyshim që fantazinë e brezave të rinj të asaj periudhe e bënte mjaft romantike edhe leximi i librave të Zhyl Vernit sidomos "20 000 lega nën det" me "Nautilusin" e famshëm dhe kapiten Nemon. Po kur dëshiron që të bësh atë krahasim që ia ka ngacmuar fantazinë shumë brezave se kush mund të kishte qënë ai Kapiten nëndetëseje që mund të cilësohej si Kapiten Nemo i Nautiluseve shqiptare, ish-detari i vjetër me një përvojë të gjatë si kapiten i njërës prej këtyre nëndetseve. Jak Mandrea thotë se ushtaraku më i aftë i kësaj flotiljeje nënujore ka qenë Aleko Pojani. "Ai kshte dhunti të shkëlqyera si talent i ushtarakut të detit, - plotëson karakteristikën e tij Jaku. - Nuk ishte karrierist, por një profesionist. Këtë e kuptonte kushdo që ka kaluar një periudhë kohe në nëndetse. Jeta atje ishte e rëndë.

Në kohën kur shumëkush kërkonte që të transferohej gjetkë, Aleko nuk kërkoi kurrë të largohej nga nëndetësja dhe kjo pasi ai ishte talent i lindur dhe një profesionist i rrallë, i cili për nga vetitë mund të krahasohet me admiralin e famshëm gjerman të luftës, Denisin". Dhe këtë argument Jaku e mbështet në disa raste tipike ku del në pah aftësia dhe karakteri i Aleko Pojanit si një nga më të zotët nënujës shqiptarë. Pasioni i tij për nëndetëset ka spikatur që në shkollë. Kur mbaruan 5 oficerë shkollën në Baku, ai ishte i vetmi që kërkoi më dëshirë që të shkonte për oficer nëndetëseje dhe qëndroi me gjatë nga të gjithë në nëndetëse: "Ai atje shkoi me dëshirën e tij dhe e larguan me pas pa dëshirën e tij..., - nënvizon Jaku. - Ishte i vetmi që kishte cilësi të veçanta për t'i perceptuar gjërat deri në abstraksion duke qenë edhe 200 m nën ujë".

Historiku i nënujësve shqiptarë

Historiku i nënujësve shqiptare shtrihet natyrshëm që në vitet e para të studimeve të oficerëve tanë në shkollat e ish-Bashkimit Sovjetik. Por historiku real i tyre fillon pas prishjes me rusët, thote Jak Mandrea. Në atë kohë oficeri më i mirë ishte realisht Aleko Pojani. Qe vetëm 21 vjeç kur ishte bërë komandant nëndetseje. Ai ishte i pari që e mori në dorëzim nëndetsen nga ruset dhe brenda pak kohësh e ngriti përdorimin e nëndetses deri në prefeksion. Ai realizonte manovra të tilla, saqë kolegët e cilësonin aventurier. Ishin xhelozitë e rastit që ia kishin kthyer në disa raste në diskutime vlerat në vese. Ka qenë i vetmi që e ka vënë nëndetsen në kohë paqeje në parametrat e kohës së luftës. Për të, një mekanizëm 1250 tonësh "mund të kthehej në një lodër" duke arritur deri në parametrat maksimale të përdorimit të nëndetses. Realisht, thotë Jaku në kujtimet e veta, "ai i bënte tërë ato manovra të guximshme jo se ishte aventurier, por sepse ishte një njohës i shkëlqyer i saj. "Ka qenë një komandant nëndetseje që mund ta kishte pasur zili çdo flotë!" Kjo është pjesa e konkluzionit të përgjithshëm të kolegut dhe mikut të tij, pasi tregon se 21-vjeçari kishte arritur që të realizonte lundrimin më të gjatë nënujë, deri në 21 ditë pa dalë fare në siperfaqe, pasi ndiqej nga mjetet e NATO-s në Mesdhe.

Aventura nënujore e vitit 1962

Për këdo mbase do të kishte qenë lundrimi i fundit me gjithë ekuipazh, por rasti në fjalë u përballua nga drejtimi deri në perfeksion i situatës nga më të rëndat në historikun e lundrimit nënujor shqiptar. Falë zotësisë dhe intuitës së Alekos. Ky është edhe opinioni i kolegut të vet për këtë rast të papërsëritshëm të lundrimit nënujor. Kur nëndetësja filloi zhytjen, personeli nuk kishte realizuar një detaj teknik që do t'i kushtonte rëndë anijes nënujëse kur të arrinte thellësinë 30 metër.

"Duhet të ketë qenë viti 1962, - shkruan kolegu i vet, - kur nëndetsja që komandohej nga Aleko Pojani, bëri një dalje për stërvitje 1-ditore rreth 4 -5 milje në perëndim të Sazanit, zonë ku thellësia e detit shkonte nga 240 - 280 m. Aleko ndoshta për herë të parë kreu zhytjen e shpejtë, gjatë së cilës nëndetësja për 38" kalon nga gjendja mbiujtëse në gjendjen të nënujshme, zhytet. Për fat të keq, - kujton Jaku, - një marinar motorist në lokalin V, kishte lënë të mbyllura rubinetat e cisternës së karburantit, të cilat duhej të ishin hapur më parë për të realizuar barazimin e presionit në thellësinë mbi 30 m, që siç dihet arrin në thellësinë 30 atmosferë. Pas zhytjes së shpejtë të nëndetses H-10 nën këtë presion, shpërthen cisterna dhe u derdh karburanti.

Nëndetësja H-10 merr diferent në këndin 28 gradë, siç quhet në gjuhën profesionale, pjerrësia e saj në pozicionin nënujor, dhe fillon zhytja e saj me shpejtësi. Në ekuipazhin e saj, përfshirë edhe kuadrot, shpërthen paniku. Në këtë situatë, me depozitë të çarë nën ujë dhe me pak shpresa për të dalë në sipërfaqe, komandanti i nëndetëses Pojani shfaq cilësitë e tij të rralla personale dhe teknike që zotëronte: gjakftohtësi, guxim dhe njohje e perceptim i çdo gjëje që ndodhte në çdo sekondë të avarisë së rëndë në nëndetëse. Nëndetësja kishte bërë zhytje nga 8 - 80 metër. Ndërkohë Pojani ndërpret lundrimin dhe e drejton nëndetësen nga këndi i pjerrtësisë duke përdorur për këtë një manovër të dhënë nga intuita e detarit të aftë, ajrin e presionit të lartë të motorëve për të realizuar drejtpeshimin.

Ata që e ndoqën nga afër këtë moment dramatik për fatin e të gjithëve, panë se si komandanti i tyre përshkohej nga një kompozim energjish të jashtëzakonshme, siç ishte momenti që e përshkonin me lindje idesh të sekondës, dhe falë kësaj energjie mjeti nuk përfundoi në fund të detit prej nga nuk do të mund të dilte më kurrë...". Edhe sot në moshën 75-vjeçare, - thekson ish-komandanti i një tjetër nëndetëseje Jak Mandrea, - them me bindje se edhe çdo komandant nga flotat botërore me tradita e përvojë, nuk do të kishte vepruar me aq profesionalizëm sa Aleko Pojani, i cili në ato momente ishte vetëm 24 vjeç dhe kishte vetëm 3 vjet përvojë si komandant nëndetëseje". Qenë cilësitë e tij që bënë të mundur shpëtimin nga mbytja e sigurt e nëndetëses, si dhe fatin e mbi 70 pjesëtarëve të ekuipazhit që rrezikuan të mbyteshin së bashku me të.

Pojani, komandanti më i ri i nëndetseve

Pojani ishte komandanti më i ri i një nëndetseje, jo vetëm në Shqipëri, por edhe për në të gjitha flotat e botës së asaj periudhe. Ndoshta më i riu i një nëndetseje në rruzullin tokësor, - thekson Mandrea. Ai për nga mosha dhe talenti mund të krahasohet vetëm me të famshmin Admiralin Denis të flotës së nëndetseve gjermane, i cili në Luftën e Parë Botërore ishte vetëm 21-vjeçar dhe tregoi zotësi të rralla gjatë Luftës së Dytë Botërore në artin e luftës nënujore, që e bënë të vlerësohet edhe nga armiqtë me të cilët ai u ndesh. Mandrea thotë për Pojanin se ai nën ujë sillej si një pilot në ajër. Dhe bëhet fjalë për thellësi të mëdha. "Ai "luante" nën ujë, - thotë kolegu, - duke bërë ushtrime shumë të vështira, si: zhytje të shpejtë, lundrim nën ujë me lundrueshmëri negative, bllokim timonash, diferente avarie në kufjet maksimale dhe të gjitha këto në thellësi të mëdha dhe me një masë metalike luftarake prej rreth 1200 tonësh. Nëndetësja në këto parametra stërvitjeje gumëzhin, vibron dhe është pjesë e "lojës" së komandës për të kalitur nervat e ekuipazhit për situata të vështira, të cilat Aleko ka arritur t'i përballojë me aftësi", tregon Jaku.

Kujtimet e oficerëve

Pasi kanë kaluar kaq vite, shumë oficerë i kanë hedhur në letra kujtimet e tyre duke dashur që ato të jenë sa më jetëgjata për brezat e ardhshëm. Këto kujtime janë pjesë historike, por përbëjnë edhe pjesë të një mozaiku të madh dhe plot ngjyra, që e plotëson gjithsecili me këndin e vet të vështrimit dhe të përjetimit. Ish-komandanti i njërës prej nëndetëseve të Pashalimanit, Mandrea, shkruan se ngjarjet e viteve 1960 - 61 në këtë bazë kanë tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve. Për të kanë folur e shkruar shumë shkrimtarë, gazetarë, veteranë, ish-pjesëmarrës në ato ngjarje, por edhe vrojtues të ndryshëm të atyre situatave. Jaku mendon se në to ka mjaft vlerësime objektive, por për disa prej tyre, ai thotë se kanë edhe vlerësime subjektive, të cilat nënvizon Jaku, priren nga njohjet, shoqëria dhe madje edhe nga krahinizmat, duke shtrembëruar kështu të vërtetat historike të ngjarjeve të atyre kohrave. "Ajo që më nxiti të hedh edhe unë në letër kujtimet personale rreth atyre ngjarjeve, - thotë nënujësi i vjetër, - është fakti që shumë gjëra janë anashkaluar, pasi për këtë periudhë më shumë shkruhet për anën politike të ngjarjeve dhe të problemeve, dhe shumë pak shkruhet për ata njerëz të cilët e bënë dhe e shkruan atë histori!"

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama