Ne vena kam muziken shqiptare me jazz-in mbroj shpirtin tim

Ne vena kam muziken shqiptare, me jazz-in mbroj shpirtin tim

“Muzikës duhet që t’i japësh një shans, që të arrijë të ta ndryshojë jetën. Kurse shansi që neve na jep muzika, dhe ajo se çfarë bëjmë me këtë shans, është tjetër mesele”. Kështu shprehet këngëtarja Eda Zari në një intervistë për gazetën “Shekulli”, rreth jazz-it, por edhe për pjesëmarrjen e saj në aktivitetet kulturore në Shqipëri. Për të jazz-i, është më tepër një qëndrim mental dhe shpirtëror, se sa një lloj stili muzikal. Asaj jazz-i i shërben sa herë do të bëjë diçka ndryshe nga turma, diçka me anë të së cilës mundet që të mbrojë shpirtin. Teksa interpreton muzikën jazz, Eda Zari ka si referim dashurinë, mallin, shpresën, pritjen naive, fjalën, udhëtimet, fotografinë, gjërat e vogla banale etj. Në rastin e Edës nuk ka asnjëherë sikur, sepse ajo ka dellin dhe venat e muzikalitetit shqiptar. Muzika e saj është një gërshetim i muzikës jazz me muzikën tradicionale shqiptare. Traditat e muzikës folklorike shqiptare nuk i ka ndarë asnjëherë sipas përkatësisë gjeografike, përherë ajo bën një përzierje motivesh dhe ngjyrash me elemente folklorike nga e gjithë Shqipëria.

 Eda, pas “Jazz & Wine ” në Berat, kësaj here riktheheni për Tetorin Gjerman në Tiranë. Ju sjellin në Shqipëri dy kultura me të cilat ju përfaqësoheni, ajo shqiptare dhe ajo gjermane. Si ndiheni?

Si ndihem?! Rehati, mirë dhe sërish pranë publikut të vendlindjes. Këtë radhë jo jazz dhe verë, por jazz dhe poezi. Një mbrëmje ku kultura, poezia, muzika gjermane dhe ajo shqiptare krijojnë botë të reja tingujsh në ambientet e Katedrales Ortodokse, ku do të interpretoni së bashku me instrumentistët tuaj, të klasit të lartë. Një ndërthurje fjalësh në shqip dhe gjermanisht…

Më datë 18 tetor, në sallën koncertale të Katedrales Ortodokse në Tiranë, do të performojmë, së bashku me kuartetin tim dhe me pjesëmarrjen e Ema Kristos (zërit shqiptar të frymës poetike gjermane), në një koncert të organizuar në kuadrin e aktiviteteve të Tetorit Gjerman nga Ambasada Gjermane, dhe më datë 19 tetor do të jemi në Teatrin “Skampa” në Elbasanin e Isuf Myzyrit, te Meka dhe djepi i muzikës së Shqipërisë së Mesme. Ejani, hyrja është (e thënë zhargon) badihava! Thuhet shpesh që bota e jazz-it personifikohet si një ishull, ku gjërat vijnë si vijnë, spontane, aty për aty, thjesht improvizohet. Por e vërteta është se, nëse 20 për qind e muzikës është improvizim, pjesa tjetër është plan puro.

Dhe ja ç´thotë Bertolt Brecht… "Nga tigrat shpëtova, me gjakun tim ushqeva çimkat. Por për të ngrënë, më hëngrën mediokret! “ ...kënaquni me maniakllëk, fjalë, mendime cinike, fjalë dashnie dhe ca "korsazhe", që as vetë nuk e dimë ç´kopsa do t’i vëmë...”, janë vargjet me të cilat keni shoqëruar njoftimin se, do të jeni pjesë e Tetorit Gjerman… Por a kanë një domethënie këto vargje për ju?

Berti (kështu e thërrasin Brecht-in në qarqet e tyre shkrimtarët e sotshëm gjermanë), ka një citat që i shkon bukur dhe prerë kësaj të fundit. Ai thotë: “Shkrimtari nuk mund të shkruajë aq shpejt, sa ç’bëjnë luftëra qeveritë; sepse të shkruarit kërkon përpjekje mendore”. Dhe kur flasim për përpjekje mendore, ndodhemi automatikisht te pretendimi i lartë, te maniakllëku dhe malli i disa qarqeve të caktuara njerëzish për të dëgjuar, për të kuptuar me njerëzillëk se si ca gjëra thuhen shkoqur edhe mes poezisë. Marrëdhënia jonë njerëzore, mosfunksionimi ynë me botën tonë shpesh të thyer, na shton urinë për mbrëmje të tilla.

 Kisha është përzgjedhur për shkak të një lidhje që mund të ketë mes jazzi-t dhe besimit në Zot, apo...?

Koncerti mund të ishte bërë edhe te bordura përballë hotel “Dajtit” (një vend që e kam goxha për zemër), si një ndodhi urbane në prehër të Tiranës. E kam po aq përzemër kulturën e performancës artistike në rrugë, mëhallë, gjitoni, rruginë, bllok pallatesh, sepse e kam praktikuar dhe organizuar me shumë sukses me djemtë e “Hemingway Bar Tirana”, apo në ambientet e hapura muzeale, por është pak në vëmendje të publikut. Edhe Festivalin Jazz&Wine e realizuam me sukses në Muzeun Etnografik në Berat në shtator, apo te Stacioni i Trenit, apo tek ish Uzina e Autotraktorëve, e “xhaxhit”... S’di. S’ka lidhje vendi në këtë rast, as me fenë, as me anën shpirtërore. Im atë thoshte një fjalë: Në do të falesh, shko në natyrë, atje është Zoti. Për hir të së vërtetës, në këtë rast nuk gjej asnjë lidhje këtu me jazz-in. Jemi në një stinë ku moti është me hope, ndaj salla në fjalë është e bukur dhe bujare për një publik të gjerë, ku të gjithë mund të rehatohen për të shijuar jazz&poezi.

Kultivimi i traditave të mirëfillta

Gjatë pjesëmarrjes suaj të fundit në Tiranë përmendët edhe 5 Nëntorin, ku Polifonia Shqiptare, mund të festojë denjësisht e plotë merita të larta përvjetorin e 9-të të marrjes së titullit, “Kryevepër e paprekshme e trashëgimisë gojore” nga UNESCO. Ju si ambasadore e kulturës shqiptare, a mendoni se nëpërmjet kulturës mund të përfaqësohemi edhe më mirë?

Nuk e di nëse do të festohet ky përvjetor në vitin e nëntë të marrjes së titullit. Në e kemi në xhins kulturor që i festojmë të tillë përvjetorë, ose kur mbushet një pesëvjeçar, ose në një dekadë. Në rastin që ju përmendni, e kisha fjalën jo te një festim konkret, por në sensin e të qenit të ndërgjegjshëm për ç’ka kemi trashëguar dhe se është meritë e të gjithë atyre që punojnë dhe u dedikohen vlerave të kulturës sonë. Iso-Polifonia jonë duhet futur në praktikën muzikore, në lice apo në akademi, si lëndë primare. Kjo do të sillte fryte. Tjetra, paçka se nuk ndodhesha në Tiranë (më datë 29.09.2014), më del në shteg rasti të përgëzoj diçka tjetër që shkon dorë më dorë me vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, e kam fjalën për aktivitetin e mrekullueshëm që realizoi Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale, drejtuar nga Shpend Bengu, apo Meri Kumbe etj., për “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.

Larmia e kostumeve, veshjet tradicionale, qeleshet, shajakët, brezat, thurja dhe qepja e opingave, mëndafshet dhe dimitë e mermerit, sumbullat dhe ylyqet prej ari, instrumentet, lojërat popullore, vallet, ritet e ekspozuara, janë të përkryera dhe unike. Paraqitja e thjeshtë e qarqeve kulturore nga e gjithë Shqipëria, më solli ndërmend festimet në Bavari, Köln, Rheinland Pflaz të Gjermanisë (dhe këtu nuk e kam fjalën për komercializmin e “Oktoberfest”), ku folku i vërtetë këndonte kredon e tij kulturore. Fotot dhe shumë artikuj të etnologëve, mediet e huaja, por edhe miqtë e mi, më impresionuan deri në ngazëllim. Dhe i tëri ky aktivitet, përsëri në rrugë, në bulevard të qetë dhe pa shumë “tamtame” fodulle si dikur. Kjo është gjithë ç’kemi me se krenohemi; kultura, kultivimi i traditave të mirëfillta, vallet, lirika e vajeve, gazet e këngëve të dashurisë, gjithë ç’është e vërtetë te ne. Kjo është logoja jonë, kartëvizita që, duhet të dalë nga sepetet dhe të jetë e pranishme mes nesh, pa nota patriotike demode, por ja me krejt natyrshmërinë e saj.

Më inspirojnë: dashuria, malli, shpresa, pritja naive dhe fotografia

Thuhet se jazz-i mund të të ndryshojë jetën. Si ndikon jazz-i në jetën e Edës?

 ... të ndryshon jetën?! Muzikës (çfarëdo qoftë ajo), së pari duhet t’i japësh një shans, që të arrijë të ta ndryshojë jetën. Se çfarë bëjmë neve më pas me shansin që na jep muzika për të përfshirë dhe rregulluar orenditë tona shpirtërore dhe jetësore, kjo është tjetër mesele.

Bille Holiday, këngëtarja e jazz-it, mendonte se, “dhembja dhe frustrimi” janë elemente themelorë për të inspiruar shpirtin e një këngëtari jazz-i? Po juve si mendoni?

Kam përforcuar besimin se jazz-i është më shumë një qëndrim mental dhe shpirtëror tek unë, se sa një lloj stili muzikal. Dhe tjetra, nëse më duhet strehim për të mbrojtur shpirtin, apo më duhet që të bëj ndryshe nga ç’bën turma, ky është jazz-i. Ti nuk di se ç’mund të ndodhë me “tonikën”, sepse nuk është çështje që ka të bëjë me gjendjen e mendjes, por të shpirtit.

Çfarë ju inspiron për të interpretuar?

Ç’më inspiron?! Dashuria, malli, shpresa, pritja naive, fjala, udhëtimet, fotografia, gjërat e vogla banale të përditshme dhe ca të tjera...

Përveç mbështetjes keni pasur edhe momente “kritike” gjatë karrierës suaj? A keni menduar ndonjëherë për ta lënë atë?

Kjo nuk bën pjesë në mendimet e mia.

Keni treguar gjithmonë dobësi të madhe për muzikën shqiptare. Por nëse e lëmë mënjanë kombësinë, çfarë do të të lidhte me repertorin shqiptar, me folklorin kombëtar?

 ... unë po flas tërë kohën për dashuri, dhe s’ka si të shkojmë në nivelin e dobësisë. Dhe, tjetra, s’ka “sikur” në rastin tim. Unë kam dellin dhe venat e muzikalitetit shqiptar, dhe këtu mbaron filmi.

Gjatë një interviste të mëparshme së bashku për “Shekulli”-n keni thënë se, Lelajt e Përmetit janë një pus i thellë, të cilin ju e eksploroni herë pas here. Sa thellë keni arritur të eksploroni kësaj here?

Dinastia Lela ka pusin e saj, por nuk janë të vetmit. Vetë Remziu dhe Myslymi kanë qenë eksplorues të paepur. Dardha, nën dardhë, apo jo?

Çfarë këshille do t'u japësh të rinjve që kërkojnë të integrohen në muzikën jazz?

 Adetet që duhen të influencohen nga shembuj të denjë, por jo të bëhen kopje e keqe e tyre. Të kenë durim për të njohur muzikën e kulturës së tyre, të ngulin këmbë te dialogët muzikalë me të huajt, të kultivojnë një herë në javë praktikën e një “jam session”, kudo qoftë, në qilar të një shtëpie, garazh makinash, shtëpi kulture, studio me qira, kudo që jepet mundësia. Të jenë vetvetja muzikalisht, ta kurojnë repertorin e tyre me fanatizëm dhe të dëgjojnë muzikë jazz të paktën 1 dhe 2 orë në ditë me kufje në vesh, jo si vetëdetyrim, por si dashni që të ka zënë në lak. Së fundmi, t’i bëjnë mirë veshit dhe muzikës, sepse, kush e bën këtë, ka bërë punën më të madhe. Të tjerat le t’i gjejnë vetë.

Biografi

Për afro dy dekada Eda Zari jeton në Gjermani. Në moshën 4-vjeçare filloi të këndojë në gjirin e familjes (nga ana e nënës), në familjen Lela nga Përmeti. 10 vjeç del në skenë. Në moshën 16-vjeçare prezantohet në festivalet e RTSH-së. Më pas fillon studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, por i hiqet e drejta e studimit për arsye politike. Në fund të viteve ‘90 vazhdon studimet në Gjermani në Konservatorin Musikhochschule të Këlnit dhe diplomohet si, “Oper Singer”. Ka interpretuar si soliste në opera, muzikalë, opereta dhe në shumë koncerte me formacione orkestrale, WDR -Rundfunk Orchestra (West German Radio), Orkestra e Dhomës Drezden, WDR TV etj. Ka realizuar disa albume: “Statement”, “Supernaturale”, “Lela dè Përmet”, “Eja”, “Tokë e Panjohur”, me stile muzikore të ndryshme si jazz klasik, pop-soul dhe world music.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama