Ne pasardhesit e Ismail Qemalit

Ne, pasardhesit e Ismail Qemalit
Stërnipi i Plakut të Vlorës tregon historinë e familjes së tij të famshme. E shkuara e hershme dhe e djeshmja e pasardhësve të themeluesit të shtetit modern shqiptar. Persekutimi i heshtur nën komunizëm dhe heshtja ndaj tyre në demokraci. Darling Vlora, në 100 vjetorin e Pavarësisë, tregon të vërtetën e tij për njeriun të cilit Shqipëria i detyron flamurin.

Cila është lidhja juaj e gjakut me Ismail Qemalin?

Ismail Qemali, emri i tij i plotë Ismail Qemal bej Vlora, është paraardhësi im i drejtpërdrejtë. Njëri nga djemtë e tij, Qamil bej Vlora (1895-1950) është gjyshi im, i cili la dy djem: Ismail Vlorën (1920-1990) dhe Xhevdet Vlorën (1922-1993) dhe unë jam një ndër fëmijët e Ismailit.
 
Kush ka mbetur tjetër nga pasardhësit e tij të drejtpërdrejtë? Mund të ofroni një pemë gjenealogjike të familjes?

Nga gjashtë djemtë e Ismail Qemalit, vetëm dy prej tyre lanë pasardhës: djali i madh, Mahmud bej Vlora (1872-1920) dhe djali i vogël, Qamil bej Vlora. Pas vdekjes së Mahmud bej Vlorës (1920), gruaja e tij bashkë me tre fëmijët: Aleksandër, Suzan dhe Blanche, u vendosën në Itali. Aleksandër Vlora (1914-2001) jetoi në Bari të Italisë, ku ishte profesor në Universitetin e atij qyteti. Fëmijët e tij, djali Nedim dhe vajza Vitoria, bashkë me familjet e tyre, sot jetojnë po në atë qytet.

Gjyshi im, Qamil bej Vlora, u vendos në Shqipëri më 1919 dhe është i vetmi nga djemtë e Ismail Qemalit që jetoj në Shqipëri edhe gjatë periudhës komuniste. Në vitin 1919 u martua me Ylvije Dyrmishin, vajzë e patriotit Ahmet Aga Dyrmishi, me të cilën kishte dy djem: Ismail dhe Xhevdet, të cilët jetuan në Tiranë. Prindërit e mi, Ismail Vlora dhe Esma Hurshiti u martuan më 1945. Nëna ime ishte vajza e Mehmet Hurshitit, arrestuar më 1944 dhe dënuar me 15 vjet burg, dënim që e vuajti në famëkeqin e Burrelit, dhe mbesë e patriotit dhe politikanit Javer bej Hurshiti, pushkatuar me vendim të Gjyqit Special, më 1945. Nga kjo martesë lindën pesë fëmijë: Kleoniqi (1959), Ariana (1961), Qamil (1964), Elvinda (1965) dhe Darling (1967). Djali tjetër, Xhevdet Vlora, u martua me Fatushe Kripën, me të cilën la dy fëmijë: Ada (1965) dhe Qemal (1966).

Pemën Gjenealogjike të Familjes «Vlora» e ka ndërtuar për herë të parë zv.Konsulli austro-hungarez në Vlorë,

Dr.Karl Ranzi (më vonë Konsull në Janinë; Konsull i Përgjithshëm në Damask, etj). Punimi i tij (ndërtuar në formë skice) mban datën 18 prill 1905 dhe gjendej në Arkivin e Vienës, zbuluar në sajë të kërkimeve të prof.dr.Eqrem Zenelajt, i cili e ka përfshirë edhe në librin «Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë / 1699-1918» (Prishtinë 2010, f.381). Duke qenë se punimi i Dr.Ranzit i përket vitit 1905, ai shkon deri tek brezi i fëmijëve të Ismail Qemalit, që i përkasin të njëjtit brez të Eqrem bej Vlorës i cili, më 1945, e ndërtoj Pemën e Familjes akoma më të zgjeruar. Eqrem bej Vlora vazhdon edhe në një brez më poshtë, duke shkuar deri tek brezi i tim eti. Tani është detyra e brezit tim që ta plotësojë më tej këtë Pemë. Për këtë qëllim, bashkë me prof.dr.Eqrem Zenelajn, po punojmë që, me rastin e këtij 100-vjetori, të paraqisim një studim mbi Historinë e Familjes «Vlora».
 
Babai juaj mbante emrin e Plakut të Vlorës, çfarë fati pati ai nën regjimin komunist?

Im atë lindi më 26 korrik 1920. Duke qenë i pari djalë që lindte në Familje, pas vdekjes së Ismail Qemalit, ai pati nderin që të trashëgonte emrin e tij të plotë. Them të plotë pasi edhe im atë u quajt Ismail Qemali, sepse në atë kohë, ashtu siç bëhet edhe sot në shumë vende të Europës, vendoseshin dy emra. Edhe Eqrem bej Vlora, në Pemën Gjenealogjike të Familjes, emrin e tim eti e shënon të plotë: Ismail Qemal, ndërkohë edhe në pasaportën e studentit, të cilën unë e kam, pasaportë e vitit 1944, emri i tim eti shënohet: Ismail Qemal Vlora.

Babai im studimet e mesme i kreu në Paris. Në vitet e para të pushtimit mori pjesë në lëvizjet antifashiste studentore dhe bojkotoi studimet në Siena të Italisë. Por, duke parë vijën që po ndiqte lëvizja nacional-çlirimtare, shpejt u distancua dhe shkoi në Vienë, për të vazhduar studimet e larta, në Fakultetin e Mjekësisë. Studimet e larta nuk i përfundoi dot, pasi u kthye në Tiranë për të takuar familjen dhe nuk mundi të largohej më, për shkak të mbylljes së kufinjve.

Në Shqipërinë komuniste jeta për të nuk ishte aspak e lehtë. Peripecitë e shumta që ai kaloi përgjatë atyre viteve, janë një histori më vete. Që në vitin 1947 drejtuesit e shtetit shqiptar, nëpërmjet një vendimi arbitrar, marrë nga «Komisioni për Kontrollin e Rregjistrave», i ndryshoi mbiemrin familjes nga «Vlora» në «Ismaili». Më pas, edhe pse për pak muaj, im atë u arrestua (1951), i akuzuar për «humbje armësh», gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Korçë. Persekutimi vazhdoi në mënyrë kostante përgjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, duke u pasqyruar në forma nga më të ndryshmet: sekuestrimi i pronave, dënimet, strehimi, punësimi, arsimimi, etj.

Pavarësisht se im at kishte një kulturë të gjerë, ishte shkolluar në Perëndim, fliste disa gjuhë të huaja, në Shqipërinë komuniste ishte thjesht punëtor. Megjithatë e rëndësishme është që ai jetoi kryelartë, duke nderuar veten e tij dhe emrin që trashëgonte. Vlerat e tij intelektuale i demostroi gjithmonë, por sidomos në vitet e fundit të jetës, me kurset që jepte për mësimin e gjuhës franceze dhe italiane. Për këtë ishte duke përgatitur edhe një metodë mësimdhënie, e cila i mbeti e papërfunduar, në dorëshkrim. Im atë nuk rreshti së kërkuari të drejtën e tij, kthimin e dinjitetit, kthimin e mbiemrit. Pak para se të vdiste, në vitin 1990, ai arriti të korrigjonte atë padrejtësi që ishte bërë ndaj atit dhe familjes së tij, duke rimarrë përsëri mbiemrin «Vlora».
 
Pse e dha dorëheqjen Ismail Qemali, sipas kujtimeve të paraardhësve tuaj?

Pavarësisht versionit historik, në familje flitej shpesh edhe mbi veprën e Ismail Qemalit, ato tregime që përgjithësisht trashëgohen veç në familje. Këtu ndodhte që të flitej edhe për «dorëheqjen» e tij. Pavarësisht se këto nuk mund të quhen versione historike, unë di që në ato pak diskutime mbi këtë temë versioni ka qenë gjithmonë i njëjtë, i cili përputhej me procesverbalin e nënshkruar si nga Ismail Qemali ashtu edhe nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Vlorë. Të habit fakti se përse sot kërkohet diçka ndryshe në një kohë që, veprimi që bëri Ismail Qemali, kishte për qëllim t'i ipte fund anarkisë që ishte krijuar në Shqipëri, anarki e krijuar nga reaksioni i brendshëm, që kërkonte me çdo kusht ta rrëzonte Qeverinë demokratike të Ismail Qemalit.

Çfarëdo që mund të diskutohet sot unë jam i bindur se Ismail Qemali, nëse do dëshironte të qëndronte akoma në pushtet, do kishte qëndruar. Por ai nuk kishte aspak qëllim pushtetin. Ismail Qemali, një njeri me një eksperience të jashtëzakonshme, i cili i kishte dyert e hapura midis më të mëdhenjve të Europës, me shumë prej të cilëve kishte miqësi personale të krijuar në vite, nuk ishte aspak ambicioz, përkundrazi. Kur biografi i tij, shkrimtari amerikan Sommerville Story, i cili e intervistoi për një kohë të gjatë, e kishte pyetur se pse nuk e mbajti pushtetin me çdo kusht e me forcë, siç do kishin bërë shumë pushtetarë në pozitat e tij, ai i ishte përgjigjur se veprime të tilla nuk mund t'i bënte një njeri që kishte luftuar për liberalizëm në një vend të prapambetur, siç ishte Perandoria Osmane. Ai e kreu misionin e tij, ndaj vendosi të largohej.
 
Princ Wied-i është shprehur shumë ashpër për Ismail Qemalin dhe e etiketon si një nga fajtorët për situatën e Shqipërisë. A mund të na thoni se ku buron kjo armiqësi?

Në përgjithësi kam dashur të lexoj punime të kundërshtarëve të Ismail Qemalit, pra «kritika» kundrejt tij, sepse nga ato ke shumë për të mësuar, sigurisht nëse arrin të kuptosh arsyen e përseve të tyre. Nuk i kam lexuar mendimet e Princ Wied-it, por mund të them që mendimet e tij nuk përbëjnë aspak rëndësi pasi, në radhë të parë, Princ Wied-i nuk pati periudhë bashkëpunimi me Ismail Qemalin dhe, nga ana tjetër, Wied-i nuk e njihte aspak realitetin shqiptar. Burimi i kritikave të Princit mendoj se lidhet thjesht me faktin se Ismail Qemali, që kur u shpall kandidatura e tij, u shpreh kundra, sepse nuk dëshironte që fatet e Shqipërisë të vendoseshin në duart e një «të famshmi të panjohur», siç e ka quajtur më pas (dhe historia i dha të drejtë).

Mbretërimin e shkurtër të Princ Wied-it, Ismail Qemali e ka lidhur me përkujdesjen e pakët që Fuqitë e Mëdha të kohës treguan për të zgjedhur një Sovran për një vend, lumturia e të cilit varej nga një përzgjedhje e vëmendshme.  Fuqitë e Mëdha, ndoshta të lodhura nga politika e brendshme shqiptare, i besuan Esad Pashës, i cili premtoi mbështetjen e tij të plotë ndaj Princ Wied-it, dhe pranuan që ai të kishte një rol të rëndësishëm në qeverinë shqiptare. Por shumë shpejt u gabuan, pasi Esad Pasha u arrestua dhe u largua nga Shqipëria, pas premtimit që nuk do përzihej më në çështjen shqiptare. Vëmendja e Fuqive të Mëdha, të cilat po kërkonin t'i jepnin jetë shtetit të sapo krijuar shqiptar, u kthye sërish ndaj Ismail Qemalit, i cili u kthye në Shqipëri dhe u takua me Princ Wied-in. Bashkëpunimi i tyre mendoj se do kish qenë padyshim pozitiv, por fati i keq e deshi që Europa të hynte në Luftë dhe «çështja shqiptare» mbeti mënjanë.

Si është e vërteta e marrëdhënieve ndërkombëtare të Ismail Qemalit pas dorëheqjes. Në dokumenta ka dalë se ka pasur shumë ndikim nga francezët dhe italianët, që në këmbim të favoreve ndaj tyre, të kishte një pension?

Pas dorëheqjes, pra pas largimit nga Qeveria e Vlorës, Ismail Qemali jetoi në vende të ndryshme të Europës. Ai nuk hoqi dorë kurrë nga interesimi për fatet e atdheut dhe për këtë arsye marrë­dhëniet e tij me qeveritë e shteteve europiane vazhduan përgjatë gjithë atyre viteve. Shtetet ku ai jetoi, të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta apo indirekte ndaj Shqipërisë, kërkonin të gjenin edhe mbështetjen e tij, sigurisht në këmbim të favoreve. Një ofertë të tillë bashkëpunimi, sipas dokumentave italiane (botuar në një libër mjaft interesant nga Renzo Falaschi «Ismail Kemal bey / il pensiero e l'opera attraverso i documenti italiani», Roma 1985), pati nga Franca, por ai nuk e pranoi, pasi pas Francës qëndronte Serbia, ndaj aspiratat kombëtare shqiptare, mbështetës i të cilave ai ishte, nuk përputheshin me politikën franceze të asaj kohe.
 
Cilat kanë qenë raportet e familjes suaj me regjimin, e keni ndjerë veten të trajtuar ndryshe?

E rëndësishme është që asnjë nga familjarët e mi nuk bashkëpunoi me atë regjim. Për ne ky ishte një veprim mëse normal, sepse prejardhja nuk të lejon të bashkëpunosh me asnjë regjim diktatorial, për t’u bërë vegël e një qeverie apo individi dhe historia e familjarëve të mi vërtetoi këtë fakt. Veten sigurisht që e kemi ndjerë ndryshe për faktin se prejardhja jonë nuk përputhej aspak me realitetin që jetonim çdo ditë, me dyert e shkollave që na mbylleshin; me punërat e rënda që na ofroheshin; me ambientet e shtëpisë ku banonim; me hipokrizinë që duhet të përballonim çdo çast, etj. dhe kjo mospërputhje, për familjen time, shoqëroi plot 45 vjet ekzistencë thelbësisht kontradiktatore.
 
Si pasardhës të Ismail Qemali, mendoni se është bërë sa duhet për njohjen e figurës së tij dhe a jeni përfshirë edhe ju zyrtarisht në programin e festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë?

Edhe po të mos kisha qenë pasar­dhës i Ismail Qemalit, sepse për mua ai është më tepër një figurë kombëtare sesa familjare, mund të them se jo vetëm nuk është bërë sa duhet, por është bërë shumë pak. Dhe kjo mosnjohje nuk vlen vetëm për Ismail Qemalin, kjo mosnjohje përfshin një pjesë të mirë të figurave tona kombëtare. Ne duhet ta njohim Historinë për të njohur vetveten, sepse shpesh ndodh që gabimet tona ua atribuojmë të tjerëve dhe anasjelltas. Deri më sot ne nuk jemi përfshirë në programin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Unë do dëshiroja që në këtë 100-vjetor të përfshiheshin pasardhësit, sidomos Vlorajt, që jetuan në Shqipëri, që në një farë mënyre apo në një tjetër, përzgjodhën të jetojnë në atdhe, me të mirat dhe të këqiat që u ofroi, sepse në këtë mënyrë, në radhë të parë, ajo padrejtësi që u nis me gjyshin tim, Qamil bej Vlorën, djalin e Ismail Qemalit, duket sikur fillon të vihet në vend.
 
Si është e vërteta e vdekjes së Ismail Qemalit. A është e vërtetë që është helmuar, apo gjithshka ka qenë një vdekje natyrale?

Vdekja e Ismail Qemalit do mbetet gjithmonë një mister. Janë shumë arsye që të çojnë të mendosh në një helmim, sepse ai përfaqësonte një çështje e cila kishte shumë armiq, por, njëkohësisht, janë të shumta edhe arsyet që të bëjnë të mendosh për një vdekje natyrale, por shkaktuar nga një zemërim i fortë i brendshëm, rezultat i mosmarrjes pjesë në Konferencën e Ambasadorëve, që po zhvillohej në Paris. Këtë Konferencë ai e priste me padurim, i përgatitur të mbronte çështjen kombëtare shqiptare, duke patur edhe mbështetjen e fortë të «Partisë Politike» të shqiptarëve të Amerikës, vendit ku ai kishte mbështetur, me largpamësi, shpresat e atdheut të tij. Megjithatë, pas kaq vitesh, është vështirë të dalësh nëpër përfundime të nxituara gjë që duket sikur përjetë do ta mbaj të veshur me mister vdekjen e tij.
 
Pse fëmijët e tij më pas patën një jetë paksa të vështirë?

Fillimisht, pasi u vendosën në Shqipëri, djemtë dhe vajzat e Ismail Qemalit, patën një jetë normale. Në radhë të parë ata po jetonin në atdhe, në një vend ku kujtimi i Atit të tyre nderohej dhe respektohej, por edhe sepse gëzonin pronat e familjes. Një pjese të fëmijëve të tij, sidomos vajzave, ju lidh edhe pension nga shteti shqiptar, si pasardhës të Ismail Qemalit, në bazë të «Ligjit për shpërblim patriotik», të vitit 1927.

Pavarësisht nga kjo kishte edhe përplasje politike, fenomen normal. Psh gjyshi im, gjyshi im, Qamil bej Vlora («Chevalier de la Légion d'Honneur», 1926 dhe «Kavalier i Urdhërit të Skënderbeut», 1928), i cili për një kohë të gjatë kishte qenë Sekretar i Irë i Ministrisë së Jashtme, u largua nga Shqipëria me 1932. Në atë kohë në Shqipëri u zbulua «Organizata e Fshehtë e Vlorës». Duke qenë se largimi i tij përkoj pikërisht në të njëjtën kohë, fillimisht u mendua se mos edhe ai bënte pjesë në atë organizatë, por që më pas nuk u vërtetua edhe pse ai, bashkë me familjen jetoj jashtë Shqipërisë, deri më 1940.

Megjithatë askush nuk i sekuestroj pasurinë apo t'i përndiqte familjarët që jetuan në Shqipëri. Po atë vit djali tjetër i Ismail Qemalit, Et'hem bej Vlora, ishte figura kryesore e festimeve të 20-vjetorit të pavarësisë, ku, me kërkesën e popullit të Vlorës, qeveria shqiptare organizoi spostimin e eshtrave të Ismail Qemalit nga Kanina në Vlorë. Et'hem bej Vlora, kapiten në pension, vdiq më 1937 dhe varrimi i tij u krye me nderimet më të mëdha, nën kujdesin e vetë Bashkisë së Tiranës, ku morën pjesë mjaft personalitete të rëndësishme të kohës. Problemi lindi në Shqipërinë e pas '44-ës ku, pavarësisht se pasardhësit e Ismail Qemalit nuk donin të merreshin me politikë, u trajtuan ndryshe, sepse i përkisnin asaj shtrese intelektualësh dhe patriotësh që ishte vënë në shënjestrën e luftës së klasave.

Qamil bej Vlora, pasi u kthye në Shqipëri, më 1940, u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist ju kërkua bashkëpunim me atë regjimin, por ai nuk pranoj, refuzim që më 1946 do t'i kushtonte arrestimin, me preteksin «armë-mbajtje pa leje», pasi ju gjet një revolver, më shumë antik se funksional, dhe u dënua me një vit burg. Gjatë burgut u bë turbekuloz dhe vdiq më 1950, në moshën fare të re, 55-vjeçare.

Nga ana tjetër, pasardhësit e Ismail Qemalit që jetuan jashtë Shqipërisë, i demostruan vlerat e tyre intelektuale në fusha të ndryshme të jetës, si p.sh. Aleksandër Vlora dhe i biri i tij, Nedim Vlora; Nermin Vlora Falaschi, Vera Blloshmi, Heinz Schmidtchen, etj.
 
Jeni përfshirë në një procedurë shumë të ngatërruar në lidhje me njohjen e pronësisë mbi atë çfarë mund të keni trashëguar nga Ismail Qemali, çfarë ka ndodhur deri më tani?
Ismail Qemali i përkiste Familjes së madhe «Vlora», që gjithë Shqipëria e di që ka patur prona. Nga ana tjetër, edhe në ato pak rreshta që i dedikoheshin biografisë së tij, shënohej «rrjedh nga një familje çifligare». Procedura e pronave të tij është vërtet shumë e ngatërruar dhe ne, deri më sot, nuk kemi marrë asgjë, pavarësisht se jemi përpjekur dhe po përpiqemi, por pa patur asnjë mbështetje institucionale. Megjithatë unë mendoj se nuk ka vend demokratik në botë që të jetë kaq indiferent karshi pasardhësve të shtetformuesit të tij.

Ismail Qemali, përveç përkushtimit të tij ndaj çështjes kombëtare, për të realizuar qëllimin e tij, për të lëvizur lart e poshtë nëpër Europë duke lobuar për Shqipërinë, vuri në dispozicion edhe pasurinë e tij ndërsa Shqipëria, drejtuesit e ndryshëm të qeverive shqiptare, nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël që Familjes së tij t'i japin atë që i takon. Ne nuk kërkojmë prona të Ismail Qemalit të vëna gjatë kohës që ishte në pushtet, por prona që ai i kishte trashëguar brez pas brezi. Pra nuk kërkojmë të na falin, por të na kthejnë çfarë na kanë marrë.
 
Keni ndonjë mesazh për politikën shqiptare?

Në lidhje me Veprën e paraardhësit tim, Ismail Qemal bej Vlorës, në lidhje me gjithshka që ka të bëjë me familjen «Vlora», që vuajti duke jetuar në Shqipëri, unë do doja që shteti shqiptar të mbyllte një kapitull, të vinte në vend një padrejtësi, duke i kërkuar falje Ismail Qemalit për qëndrimin e padrejtë që u mbajt karshi pasardhësve të tij. Në këtë 100 vjetor jemi vonë, por është ende momenti i duhur, sepse siç thotë populli, «më mirë vonë se kurrë»...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama