Ne jemi te njejte!

Ne jemi te njejte!

“Mos u bo si magjup”, më tha Ardiani një ditë. E kishte fjalën për romët, një popull që nuk mund të dalë nga diskriminimi i tepërt që i bëhet në rrethin ku jeton.  Nuk është se më erdhi keq për vetën, e as për ‘magjupët’, sa më erdhi keq për Ardianin i cili vuan nga komplekset racore. Më erdhi keq që ai ndihet i ofenduar të ulet në një tryezë me një qytetar të një përkatësie tjetër, që pos etnisë ka edhe ngjyrë tjetër.

Rasti me të, megjithatë nuk është i izoluar. Skena të diskriminimit ndaj romëve për shkak të ngjyrës së lëkurës ndeshim shpesh edhe nëpër lokale, zyra, ambiente të tjera publike, vende ku kërkohet punë, etj. Në fakt, nuk janë vetëm qytetarët e thjeshtë ata që përdorin fjalë dhe epitete fyese ndaj këtij komuniteti, pasi shpeshherë edhe mediet dhe institucionet e shtetit tregohen të pakujdesshme.

As Ardiani nuk po mund të tregohej i kujdesshëm, edhe pse atij i tërhiqej vëmendja shpesh. “Janë racë e fëlliqtë”, është fjala tjetër që del nga goja e tij/saj. Ardiani, të lenë të kuptosh se ende nuk ka arritur ta kuptojë se edhe një ‘magjup’  është njeri dhe ka të drejta të barabarta si të gjithë njerëzit që jetojnë në vendin e tij.

Dallimi është se Ardiani ka pasur fatin që të jetë i veshur bukur, të ketë një telefon të mençur, të kryejë një fakultet, e më vonë të gjejë edhe një punë, ndërsa fatin e tij nuk e kanë pasur shumica e popullatës rome që jetojnë në Kosovë. Problemet e 15 mijë romëve të cilët jetojnë në Kosovë fillojnë nga mungesa e shkollimit, kujdesit shëndetësor e deri te gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale. Problem bazik për ta paraqet arsimimi. Rreth 85 për qind e tyre nuk e kanë të kryer shkollën fillore, ndërkaq 90 për qind nuk janë të punësuar dhe rrjedhimisht jetojnë në varfëri të skajshme.

Ky komunitet në Kosovë njihet zyrtarisht si komunitet i veçantë dhe sipas Kushtetutës, gëzon të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet e tjera, madje për ta ekzistojnë edhe strategji të cilat janë hartuar nga Qeveria e Kosovës, strategji këto të cilat iu mundësojnë romëve edukim, përfaqësim dhe riatdhesim. Por, deri më tani kjo strategji e as kjo kushtetutë nuk po gjen zbatim. Faji po hidhet prapë tek institucionet, saqë kuptohet që Ardiani gjendet edhe aty.  Prej Ardianit, ‘magjupët’ kanë nisur të ikin. Si shtegtarë që njihen, ata po shtegtojnë edhe nga Kosova, për në vendet tjera të botës, për të gjetur një mundësi jete.  Madje romët po rrisin edhe numrin e azilkërkuesve.

“Problem i vërtetë është se numri më i madh i njerëzve që kërkojnë azil janë romë, që janë të diskriminuar në Ballkan dhe jetojnë në varfëri të skajshme. Ata vijnë në BE për çështje ekonomike. Atje ata marrin ushqim, kujdes shëndetësor, ndërsa kur kthehen për në vendlindje marrin edhe të holla që është një problem shumë i madh, sepse kjo i bën që ata sërish të kërkoj azil”, deklaron një deputet i europarlamentit për çështje të azilkërkuesve.

Këtu ai flet edhe për Kosovën, duke përmendur si mungesë edhe edukimin e tyre si njërin ndër problemet kryesore për integrimin e romëve, si njëri ndër problemet kryesore që ata nuk kanë një vend pune.  Krejt këto bëjnë që  varfëria të jetë e pashmangshme në këto familje komuniteti.

Marrë parasysh deklarimet e eroparlamentarit por edhe gjendjen faktike në terren, Qeveria e Kosovës por edhe organizatat joqeveritare duhet të përkushtohen  më shumë në ngritjen e nivelit arsimor e kulturor brenda këtij komuniteti. Pa një edukim të mirëfilltë të gjeneratave të reja, nuk mund të pritet rritje e mirëqenjës brenda këtij komuniteti.

Artikulli është pjesë e serisë së shkrimeve në punëtorinë e blogut të TEDxPrishtina “Zbutja e Varfërisë” të mbajtur me 10/10/2014 si aktivitet I përbashkët nga KosovaLive and TedxPrishtina. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikuj jo domosdoshmërishtë shprehin ato të KosovaLive360 dhe të oganizatës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama