Ne gjurmet ‘e mallkimit’ te Enverit…ne Arbane

Ne gjurmet ‘e mallkimit’ te Enverit…ne Arbane
Tani, me një makinë të mirë, atje mbërrin për 40 min. Por, duhet të kesh parasysh trafikun e kryeqytetit, sepse mund të shkosh dhe shumë minuta më vonë. Dhe pastaj duhen edhe ca minuta me këmbë, që të ngjitesh në kodrën ku gjendej dikur streha e luftës së Enverit, nga e cila sipas propagandës së kohës, në vitin 1943… drejtoi një periudhë të luftës. Fshatarët e sotëm që zotërojnë shtëpinë e kanë mbuluar pllakatin nga halli, sepse i etiketojnë bashkëfshatarët si komunistë dhe u sjell andralla të tjera, plus atyre që kanë. E fqinjët? I shmangin me sa mundin
 
“Në këtë shtëpi…nga mesi...deri në fund…punoi shtabi…me në krye... Kryeradhë. Këtu shoku Enver drejtoi...”. Ana e djathtë e pllakatit është e zënë. I zoti i shtëpisë ka realizuar një si shtojcë druri në katin e dytë dhe gjysma e gdhendur e pllakës përkujtimore të Luftës antifashiste në shtëpinë e Canallajve është e padukshme. Kuptohet se deri 25 vjet më parë, kjo shtëpi guri e stërvjetër ishte krenaria e fshatit Alltat në Arbanë, muze dhe vendi i pelegrinazhit të nxënësve të gjithë zonës. Banorët kishin se çfarë t’u tregonin fshatrave përreth. Ishte pak a shumë muzeu i zonës dhe mënyra se si fshatarët mbanin lidhjet me pushtetin komunist.

Që atje, Enver Hoxha kishte dhënë disa nga urdhrat e luftës dhe, nga ky vend, ku mund të shkohej lehtë në Pezë, matanë në Peqin, të përfundoje në Vrap dhe të dilje po aq shpejt dhe në Tiranë, Enveri dhe Miladin Popoviçi bashkë me një sërë krerësh të tjerë komunistë filluan rezistencën e tyre. Këto duken si ekzagjerime sot. Të shkuara! Pasi askush nuk do t’ia dijë. Madje, komuna e ka privuar shtëpinë nga udha dhe fshatarët kanë një lloj hakmarrjeje të pagojë. Besës, të zonjës së re të shtëpisë, i duhet të udhëtojë tashmë 30 minuta të tërë deri sa të zbresë në fshat, dhe që andej ngarkuar me qumështin të kapë autobusin që të çon në Tiranë, ku e presin shumë e shumë shtëpi.
...
Për ne historia është e thjeshtë. Nis si një ekskursion në natyrë për të parë zonën dhe përfundon në kureshtje për shtëpinë e Canajllave, vendit ku qëndroi Enveri, si një fakt mbetur që nga koha kur në shkolla mësonim Historinë e PPSH-së. Në fakt, deri më aty duhet të përshkosh një trafik të çmendur dhe t’i largohesh qytetit në portën e tij jugore drejt Elbasanit dhe pa arritur në urën e Arbanës, ku rrinte kinse polici, të marrësh rrugën djathtas.

Mjaftojnë 40 minuta. I ngrati, që i ngrinte tabelën çdokujt për gati gjysmë shekulli, ka vdekur prej kohësh, duke i lënë sociologët pa një nga rastet më interesante të individit “çudi”, që jetoi njësoj në dy regjimet, me tabelëzën në dorë të policit. Rruga që të përcjell drejt Baldushkut, për fat, është e shtruar. Më tej, përshkon në një vijë lineare me kthesa të dashura pak minuta në një hapësirë që, falë rrugës së shtruar, duket shumë pjellore dhe ku të ardhur nga gjithë vendi kanë zaptuar ose blerë toka. Më së shumti nga veriu. Një grup i hareshëm kuksianësh ngacmojnë dy miqtë e mi të huaj dhe qenin e tyre dalmat, që i ndjek krenar.

Do përshkojmë një baltovinë, pastaj disa toka të tëra baltore të braktisura kur hasim një lukuni të tërë qensh që lehin në kor. Të zotët na shohin indiferentë. “Çfarë doni?”, na thotë dikush as pa na përshëndetur. “Duam të ikim te ajo shtëpia aty?” Tregojmë me dorë. “Aha...”. Jemi në Alltat. Peizazh i mrekullueshëm baritor, që koha e zymtë ia bën edhe më të dashur kolegut britanik. Në fakt, të dy kolegët e huaj kanë qenë dhe herë tjetër. Makina s’mund të shkojë më shumë. Një bashkësi kuksianësh tashmë kanë marrë këtë tokë dhe kanë ndërtuar. Por, pak më tej... Rruga jonë është frenuar nga një betonierë, e cila nuk të lë të shkosh më shumë. Që nga larg, shenjat në ajër të kuksianëve tregojnë se aty s’kalohet. Për ta paraqitur më açik, kuksianët kanë vendosur betonierën duke zënë rrugën e vetme të fshatit.
 
Fshati

I përshëndesim dhe pasi përshkojmë falë çizmeve të gjata tokat nën një baltë të stërmadhe, e lemë djathtas ‘fshatin’ e kuksianëve. Shumë më larg gjenden shtëpitë e banorëve, një pjesë ende të vjetra, ose të lëna ashtu ndanë shtëpive të reja. Këtu edhe ngjitemi. Futemi në luginën e një përroi të vogël, i cili është mbrujtur falë shiut të madh të ditëve të fundit. Nga të dy anët, peizazhi është i përbërë nga toka të lëna djerrë dhe hapësira pa fund të papunuara. Por teksa futemi në përrua, një lukuni tjetër qensh na ndalon. Dalmatja jonë rezervohet, por del se është edhe trime. Kthen kokën shpesh nga e zonja për siguri. Mu këtu hasim fillimisht B. Canallën. Një kope e tërë delesh dhe qengjash mundohen të bëjnë udhë, por të frikësuar nga të panjohurit kthehen.

Ne duam të kapim shtëpinë në majë të fshatit, në kuotën që duket se e dominon të gjithë zonën. Aty është historia dhe i gjithë intrigimi ynë. Pyesim burrin, që ka të veshur një rrobë ushtrie. “Ah, kjo po, është shtëpia ime. Po sa t’i nxjerr pak bagëtitë dhe do kthehem sërish”, thotë. Kuptohet se nuk do të vijë më. Ashtu si gjithë shqiptarët flet thjesht të na përcjellë. E shoqja, që e ndjek dhe përcjellin bagëtinë sëbashku, merr përsipër të bëjë jo vetëm mikpritësen, por edhe të japë të gjithë shpjegimet e mundshme. Ngjitemi bashkë në një hapësirë që shkon me pjerrësi deri në 20% dhe pastaj shfaqemi mbi një lëndinë, që sipas zonjës i përket vëllezërve të tjerë të të zotit.

Shtëpia që na përvijohet dhe që është shumë impozante nga poshtë, ku kemi lënë makinën, është shumë e vjetër dhe ka të ngjarë të jetë mbi 100 vjeçare. Besa nuk di të na flasë. Ka të vjehrrën 83 vjeçare në shtëpi, e cila qesh pa fund kot bdhe nuk mban mënd asgjë!!! E pyet. Përgjigja: “E ku di nona!”. Që kur shfaqet befas kërrusur në një shkop dhe pastaj do vetëm muhabet. Kushedi kur ka parë fytyra të tjera në shtëpi. Por, e veshur ashtu keqani, i ngjan më shumë personazhit armik të Borëbardhës sesa një njeriu real. Sa e hap gojën të frikëson dhe me të folurën e zonës të ngatërron më shumë. E pyes për Enverin dhe i them pse e ka mbyllur pllakatin. “Ehu, ku di gja plaka”. Aman e di mirë se po të përmendi Enverin të gjen gjëma!
 
Jetesa

Paradoksi është se banorët e kësaj shtëpie janë rikthyer në fshat, pas vitesh të tëra. Me shpresën se gjërat do ishin më mirë. Njësoj dhe ata më poshtë dhe ata që janë përreth në kodrat përreth. Kanë shtëpitë e vjetra, që kontrastojnë dukshëm me të rejat, dhe nga ndryshimi duket se diçka e kanë rritur mirëqenien. Por, të gjithë si burim të parë kanë bagëtinë dhe qumështin që ia shesin banorëve të Tiranës. Secili ka listën e vet. Shumë syresh kanë qenë gjetkë, por me ndryshimin e regjimit të gjithë janë rikthyer n’tokat e të parëve. Kanë ndarë sinorët.

Njësoj kanë bërë dhe Canallat, që fati dhe, me sa duket, edhe ndonjë tagër që kanë pasur, i lejonte të kishin një shtëpi, që kontrollonte gjithçka. Beqiri, plaku i shtëpisë, që nuk jeton më, e ndante të gjithë këtë katandi me Aliun dhe Shabanin, të vëllezërit e vet. Të dy kanë ruajtur pronat përreth kurse njerëzit e Beqirit kanë mbajtur shtëpinë. Ky ishte kur Enveri erdhi dhe drejtoi, por edhe që iu bë strehë për shumë e shumë kohë. Jeta s’do ishte kaq e thjeshtë. Në luftë po e po. Në socializëm nga përkorja dhe më vonë...nga amullia. Vështirësia, sot fillon nga banorët, të cilët kanë mbajtur distancë, sepse me ta identifikonin edhe regjimin! Komuna shkoi dhe më shumë i veçoi, dhe rruga e tyre poshtë nuk është rregulluar.

Më shumë se kaq, keqbërësit ishin shpesh vizitorë. Megjithatë, plaka e shtëpisë, në pak momente kur kthjellohet, kujton se me vështirësi të madhe mbijetuan. Edhe pse ka qenë nuse atëkohë s’e mban mënd fare Enverin!!! Nuk mban mënd ata që vinin etj.“Vërtetë, nuk kujton shumë gjëra, por e kanë pasur shumë të vështirë”, kujton Besa, që është një mikpritëse e mirë. Shtëpia është tipike klasike e jetesës së dikurshme. Çdo të thotë? Poshtë është hauri ku qëndron pa lëvizur  një gomar, lopa, matanë dhe bagëtitë dhe pastaj sipër jetojnë në një dhomë të stërmadhe, që përpara në pjesën e çardakut është përshtatur për dhomë ndjenje. Në të, një divan i sajuar, frigorifer i stërvjetër, tavolinë relikte me pak enë të kthyera përmbys, një sobë qëmoti, rroba të shpërndara, disa shishe plastike, një arkë plastike birre kthyer përmbys dhe rraqe. Pafund rraqe. Duket se ka mbetur ashtu që nga koha kur ishte Enveri me Miladinin, eksponentin malazez të luftës. Dy miqtë e mi ngatërrohen me fshatin dhe kanë mundësi të ndjekin një skenë rurale tipike arkaike shqiptare në shekullin XXI.

Sa për historinë u duket si paradoks. Plaka, e mbetur dhe që na ndjek me një shkop të madh, vetëm flet kot. Shtëpia është krejt e pambajtur. Madje dhogat ku vendosim këmbët duken sikur do shpërthejnë dhe do biem në haurin e kafshëve. Dhoma tjetër është pak më e fisme dhe shërben si kuzhinë, por edhe si vend ku flenë të dy bijtë dhe plaka. Vallë kushedi se çfarë mundimi duhet t’i jepet kësaj gruaje që ta mbajë atë! Burri nuk vjen. Besa na thotë se një nga xhaxhallarët e burrit e mbante mënd kohën kur rrinte Enveri. 45 minuta më vonë, një banor e tregon ndryshe historinë. “Ku merret vesh ka qëndruar apo jo njëri këtu. Di që vetëm na mbytën këta të ardhurit.

Të mos kishim njerëzit në emigracion, një dreq e di si do jetonim...”. Dhe, befas. “A po vjen të të jap në klub një raki?”. Të mendosh se më qahet 20 minuta dhe ka ngenë të më qerasë! Kjo i kalon pritshmëritë. Njësoj dhe të tjerë. Fshatarët e Tiranës e kanë rritur mirëqenien, por gjithnjë e ke të vështirë të mësosh se si jetojnë. Me një njeri, që duket disi si më intelektual dhe që pretendon se punon diku nga komuna, e pyes se pse nuk e shfrytëzojnë shtëpinë si vend ku mund të tërhiqnin ndonjë turist. Më shikon sikur të jem i çmendur. “Enveri? Shtëpi? Po a e di çfarë ka bërë ai?” Po, pak a shumë, i them. Po për turizëm, s’është keq. “Ehu ku e kemi ne hallin?!” Ku e keni, i bëj një pyetje tip Shvejku.

Burri që deri më atëherë më ka folur për vlera, se si jetojnë jashtë dhe se si e shijojnë jetën, ma pret: “Du me ik! Kam një sebep”, më thotë, teksa afrohemi në një klub fshati. Pastaj:“Çfarë do pinë këta të hujt, ndonjë viski, xhin”. Vazhdo, i gjegjem, janë mirë kështu. Tani, një djalë i ri, që ka dëgjuar e bën sikur merret me makinën, e ka radhën të flasë: “Këta të vjetrit, më thotë, janë si të tredh. Ky është 40 vjeç, po ia fut kot se i ka punët në terezi”. Me çfarë jeton? “Ja kështu. E shtyjmë”. Ne të tre jemi mbi 40 vjeç, por kjo s’do të thotë gjë për djalin, ashtu edhe si i gjen paratë. Nga ajo që mbledh pak më vonë, të gjithë gjegjen njësoj: E shtyjmë... Nuk besoj të jenë aq keq, në fakt.

Ideja se si mund të bësh turizëm lokal në Shqipëri është një temë e dalë shumë boje. Edhe pse pritshmëritë dhe interesat e turizmit janë krejt të tjera, për shqiptarët në kokë qëndrojnë vetëm klishe. Instancat, kuptohet, janë të politizuara dhe, po të përmendësh Enver, Esat Pasha ose ndonjë gjë tjetër, të hidhen në fyt. Të paktën, këtë provojmë me shtëpinë.
 
Enveri

Gjatë luftës antifashiste, Enveri përdori disa pseudonime dhe vetëm pas lufte do merrej vesh emri i tij i vërtetë. Ai qëndroi gjatë në Alltat nga ku ndau shumë kohë me Miladin Popoviçin emisarin e njohur të përgatitjes së luftës sonë. “Tarasi”, “Shpati”, “Valbon”, “Hasani”, “Saliu”, “Malo”, pra Enveri u shfaq si tregtar, punëtor, intelektual dhe drejtoi sa mundi nga mesi i dhjetorit 42 dhe deri në maj në Elbasan, kurse pastaj në Korçë, Skrapar, Përmet. Edhe pse shumë gjëra duken të fryra, mbase një hartë e kujdesshme mund të bënte që Shqipëria të kishte edhe këtë lloj turizmi në memorien e saj. “E kam parë para ‘43-it në fshatin Alltat mbi Arbanë, kujton ish-presidenti Moisiu. Babai na mori me vete sepse rrinim në ilegalitet. Atëherë quhej Taras, dhe Miladin Popoviçin aty e kam parë për herë të parë”.
...

As nuk e çajnë kokën më. Të zotët e shtëpisë u duhet të jetojnë dhe pllakatin e gdhendur me kujdes e kanë mbuluar nga sikleti, apo thjesht ngaqë nuk u hyn në punë. Kjo mbetet të hamendësohet. Shqetësimi i tyre është se i ndjek mallkimi i Enverit dhe pengesat vazhdojnë. E vështirë si jetojnë, pasi sot i kanë humbur krejt “privilegjet”. Plaka nuk zbret dot më nga kati i dytë, ku ngjitemi një moment për të parë.

Edhe, i biri nuk vjen, kurse ajo që shikojmë në shtëpi e kalon përfytyrimin e një jetese të thjeshtë. Quhet skamje. Anipse kur ke mallkimin e Enverit nuk ke rrugë tjetër! Duhet të durosh. Kuksianët vazhdojnë bërtasin hareshëm në një shtëpi të madhe dykatëshe që po ngrenë mbi një tokë buke. Që nga larg, zëri i dikujt syresh, që duket të ketë qenë emigrant, kërkon në një zhargon tipik rruge londinez të dijë emrin e qenit. Është koha të krenohet te bashkëqytetarët e vet, që e ndjekin indiferent me lopatat me llaç. Ikim. Dimër 2012-2013.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama