Ne Prishtine hapet sipari i dyte i..

Në Prishtinë hapet sipari i dytë i..

Në Prishtinë ka hapur siparin festivali i dytë ndërkombëtar i muzikantëve të rinj, i quajtur DAM. Vepra "Rike rike DAM" hapi ditën e parë të këtij festivali, që do të vijojë të sjellë vepra interesante për dhjetë ditë rresht. Në të tri skenat e këtij festivali, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, si dhe në kishën "Shën Ndou", për dhjetë ditë me radhë do të performojnë 200 studentë pjesëmarrës vendorë dhe 45 studentë dhe artistë ndërkombëtarë, ka bërë të ditur Dardan Selimaj, drejtor i këtij festivali. Sipas tij, është pikërisht numri më i madh i pjesëmarrësve që do të mbahen në këtë edicion, dallimi më i madh nga edicioni i vitit të kaluar, ndërkohë që do të interpretohen 10 vepra premierë të kompozitorëve të rinj. "Këtë vit kemi edhe interpretimin e disa veprave premierë, të cilat janë shkruar nga kompozitorë të rinj.

Janë 10 vepra premierë, të cilat përveç instrumentistëve vendorë do të interpretohen edhe nga instrumentistë ndërkombëtarë", ka bërë të ditur Selimaj. Edhe pse këtë vit festivali ka një mbështetje më të madhe, Selimaj ka thënë se përsëri programi nuk është realizuar 100 për qind. "Mbështetja është më e madhe, por edhe kërkesat janë më të mëdha dhe mjetet që i kemi marrë nuk kanë mjaftuar për të realizuar 100 për qind projektin që e kemi bërë. Për herë të parë këtë vit e kemi mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës dhe jemi të sigurt që vitin tjetër do të na mbështesin katër herë më shumë", ka thënë ai. Edhe pse hyrja në koncertet do të jetë falas, drejtuesit e festivalit kanë vendosur që të vendosin një kuti ku do të mblidhen kontributet e vizitorëve.

Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama