Në qendër të fshatit të Nartës, djemtë dhe vajzat e reja, të moshuar, kërcejnë dhe këndojnë të veshur me rrobat më të bukura dhe plot ngjyra, ndërsa një pjesë tjetër të veshur me rrobat e karnavaleve kërcejnë vallen popullore karakteristike në këto ditë Pashke. Ndryshe nga çdo stinë tjetër e vitit, në fshatin e Nartës ndihet humori, gazi dhe hareja në ditët e Pashkës dhe karnavaleve, ku të gjithë bijtë e këtij fshati, të cilët kanë emigruar në Greqi, vijnë për të festuar këto ditë të gëzuara kristiane për ta në fshatin e tyre të lindjes dhe në banesat e tyre. Kisha e Shën Janit, e mbushur përplot nga nartiotët, festoi ditën e ringjalljes së Krishtit dhe deri ditën e djeshme të gjithë banorët e këtij fshati festuan pa pushim këto ditë karnavalesh.
Të veshur me rroba karakteristike karnavalesh ata kanë lëvizur në gjithë rrugicat e ngushta të këtij fshati, ndërsa një nartiot i veshur me kostumin e gomarit është ai që i shoqëron në këtë turmë gazmore. Krejtësisht e veçantë kjo festë gazmore e karnavaleve festohet vetëm në fshatin e Nartës, ndërsa vera është ajo që shoqëron për 24 orë rresht çdo banor të kësaj feste. Pas ringjalljes së Krishtit, që ata e quajnë në gjuhën e tyre greke "kristos Anestis", vizitat e shpeshta në kishë dhe në banesat e tyre nuk kanë të sosur për tri ditë rresht. Me urimet në gjuhën greke në këtë festë karnavalesh dhe Pashke, ata kalojnë këto ditë të gëzuara, që siç e quajnë ndryshe, janë ditët më të gëzuara për gjithë ortodoksinë.
Gazeta Shqip











