Ne Gramshin pa kallash...tani ka monotoni

Në Gramshin pa kallash...tani ka monotoni
Ia ngasim pak muhabetin, por ai nuk ka nevojë. E kalon vetë edhe hiperbolën. Me veshjen tipike të banorit provincial shqiptar: trikuartin, një palë pantallona të zbërdhylyra nga stërmbajtja, më shpjegon sak...proceset se si prodhohej dikur Kallashnikovi. Me një saktësi, që... e humb shpejt fillin. Ka krenarinë sikur punon në Pasadena, sepse kallashi, që prodhohej afër qytetit të tij- ishte më i miri në Botë. Nuk e dimë se për çfarë mund të mburresh në këtë qytet. Sa më shumë flet, aq më shumë në vesh më vjen nga ushtria, fjalia që e kam përsëritur qindra herë, si shumë bashkëmoshatarë të mi: “Është një armë e fuqishme në duart e popullit ushtar e cila shërben për eliminimin e armikut me zjarr, qytë dhe bajonetë...”. Për dreq, kallashi në Gramsh ka hyrë në punë për dy gjëra: për të mbajtur gati 800 veta në punë...dhe për të lënë pas viteve ’90 të shekullit të shkuar të 800 vetat pa punë...Një nga të cilët është burri me trupin mesatar që na rrëfen. I është afruar dhe një i dytë, por që duket açik se ky muhabet ia ka sjellë në majë të hundës. Eglendiset me ne. Ka gjetur motivin për ditën e tij. Një mikja jonë, që ka qëndruar pak vjet në këtë vend, ishte pa ardhur këtu pika e vetme e referencës për qytetin. Por, ajo nuk ka udhëtuar me ne. E zënë me një takim shkrimtarësh diku në veri të Evropës...nga ajo kemi pak gjërat që burri na i përzien sipas mënyrës së tij. Të tjerët burra, në këtë kafe, i kanë drejtuar sytë drejt një teletext-i, ku linjëzohen në një ekran pa jetë çifte të tëra ndeshjesh të kampionateve të futbollit...

Për Uzinën dhe pak gjëra të tjera
Uzina e armëve të këtij vendi, është në fund të një rruge që nuk mbaron, kur nisesh 100 kilometra më tutje nga Tirana. Pak apartamente, që janë bërë për banorët e shpërngulur janë më tej dhe pastaj qyteti është i fosilizuar që në socializëm. Të paktën në pamje. Si për ironi të fatit është tepër afër. Në mesin e Shqipërisë. Dikur, në këtë segment të rrugës, Elbasani lidhej me Gorën e Korçës. Që andej shkohej tutje në Greqi. Por, atëherë banorët ishin fshatarë dhe jo qytetarë si sot. Sot po i kthehen nga pak fshatit. Bash kjo kohë të vjen si e ngrirë rrugës sepse hasim mushka dhe banorë që ecin si dikur në drejtim të kundërt të makinave. Ka një peizazh të njëllojtë, por shumë të këndshëm prej Devollit. “Ej Devoll, Devoll”...do të shkruante një nga bardët e njohur komunistë dikur. Një mësues nga Elbasani, që na ka thënë se do të jetë udhërrëfyesi ynë për Gramshin, shpall në mes të rrugës, bash atje ku asfalti fillon e bëhet pak më i vrazhdë se për herë të fundit atje ka qenë vite e vite të shkuara. Këto ndodhin shpesh me shqiptarët. Kthehem e kqyr. Është po ai që më ka thënë të kundërtën. Por njeh. Më siguron. Edhe banorin, që do e kemi përballë në fillim në klubin e qytetit- e njeh. Të dy dorëzanët, pas pak, nuk e njohin njëri-tjetrin. “Kur erdha në fillim në Gramsh, mallkova veten. Nuk e kuptoja nënë time. Kishim lënë Sarandën për këtë palo qytet. O Zot sa i vogël...sa i pashpresë...”. Të gjitha fragmentet e bisedës së mikes sime- i ndjej më të afërta, kur mundohem të futem në pulsin e qytetit. Por Gramshi është gurëzuar. Edhe regjimi kishte bërë një pjesë të rrugës me asfalt tjetër e kishte lënë ashtu. “Pse kush do vinte këtu”, më thotë një 40 vjeçar, që sapo është kthyer nga Greqia dhe që i shtohet pa zë tavolinës sonë. Gramshi ishte vend për kallashin, për banorët, për të persekutuar...dhe duhej të ishte i pamësuar nga armiqtë. Banorët sillen si të jenë qendra e botës. Por, me katrahurën e vitit ’97 dhe armët e Shqipërisë, ata kanë të drejtë të krenohen. Nuk kanë lënë media të huaj pa u fokusuar. “A keni më ato armët...Luftoni akoma”, më ka thënë një fshatar në kufi të Bjellorusisë. Po, bash këtu, prodhohej arma, që u derdhte barutin “në fyt armiqve”. Ndaj monotonia e qytetit nuk grishte askënd, ashtu si ndodh edhe sot në ditët tona. Kështu jetonte qyteti mbi Devoll duke prodhuar vdekje në qetësi dhe duke iu fshehur armikut, që të dridhej kur të kujtonte Gramshin. Kur uzina mori jetë më 1964, Gramshi sapo ishte ngritur në këmbë...Burrat që kam në tavolinë pak e kujtojnë atë kohë. Vetëm se mbajnë mënd mirë, momentin e jashtëzakonshëm kur 10 kilometra më tutje, regjimi socialist vendosi që të ngrihej diga e Banjës. Qyteti, tash e tutje, do mbërrihej edhe me traget, ndërsa gramshiotët mund të bëheshin edhe peshkatarë. Poetët provincialë shtuan dhe metaforat e liqenit fantazim në krijimet e tyre...

Por ëndrrat mbesin ëndrra
Vetëm se liqeni nuk u bë kurrë, ndërsa ne duke ecur në bregun e djathtë të Devollit, na dukesh se edhe relievi kodrinor-malor rreth tyre nuk pushon kurrë. Devolli në zonën e Gramshit ka shumë tarraca lumore. Gramshi është i ndërtuar mbi një tarracë lumore, njësoj si Memaliaj, Burreli, Kukës..Historia e përmend këtë vend rreth 600 vjet të shkuara, por kaq asgjë më shumë...Diga që u ndërtua nuk i hyri ndonjëherë në punë këtij vendi, ndërsa Devolli rrjedh i qetë në një hapësirë bajagi të madhe. Gramshin e mbërrin pas rreth 1,5 orësh kur ke lënë një nga qytetet kryesore të Shqipërisë, Elbasanin. Hyrja, si në të gjithë qytetet tona, nuk ka as edhe një grimë mbresëlënëse. “Nuk mund të thuhet se qytetarët jetonin ndryshe..por ishte ku e ku me Sarandën nga kisha ardhur unë me familjen time. Nuk kishte frymën e saj,por ndërtesat që kishin marrë shtat që nga 1960 filluan të popullohen”, më kujtohen fjalët e gazetares. Si dy pika uji, ajo i ngjan gjithë lokaliteteve të harruara shqiptare. Ngjan shumë me Ersekën, Tropojën, Burrelin, Memaliajn etj. Në pamje të parë, pa asnjë pikë lidhje, me kohën e re. Letargjia e Gramshit ka filluar në momentin që Hidrocentrali i madh i Banjës pushoi së qeni në planet qeveritare, thotë më i riu në tavolinën tonë...Ndoshta dhe më shumë, sepse produkti i saj, nuk i hyri më në punë kurrë gjindjes. Banja, veçse do të prodhonte energji do të shërbente edhe për vaditje. Një gjë, e cila kurrë nuk u realizua. Mësuesi ka gjetur dhe një të njohur tjetër. Në fakt, në vetëm 900 metra gjerësi të këtij qyteti dhe në aksin tjetër që ka shtrirjen 2.8 kilometra dhe ku zhvillohet jeta e 15.000 banorëve, probabiliteti për të takuar të njohur është i dendur. Të 3242 familjet në rreth janë në rreth 2300 ndërtesa klasike të kohës së socializmit, ecin në pak segmente. Janë të veshur gati njësoj dhe të rinjtë bëjnë dallim me imitimin e trashë të qyteteve të mëdha. Por, pa teprime. Xhinse, pantallona të ngushta për vajzat, rroba të errëta për brezin e dytë. Arkitektura tipike me kubaturën e vogël, kurse qendra, ku dominon bashkia dhe bashkë me të edhe njerëzit, duket se është kalcifikuar me kohën. Tamam këtu do të gjejmë Nardin, 30 vjeçar, një nga burokratët e rinj të bashkisë. Është i veshur mirë, por mbi të gjitha tepër skrupuloz në gjërat që thotë. “Përsa i përket papunësisë janë rreth 2100 persona të papunë (flasim për fuqinë e aftë për punë), kurse përsa i përket emigracionit nuk ka ndonjë shifër ekzakte por duke menduar dhe përllogaritur që në territorin e Bashkisë GRAMSH ndodhen rreth 2300 familje, përllogarisim me përafërsi rreth 2000 persona, por është e pamundur të disponohet një statistikë e saktë për këtë gjë”, më shpjegon. Kam dy shifra të kundërta, por...e lë. Institucioni i Bashkisë i është drejtuar shpesh Entit të banesave për të zgjidhur problemin e të pastrehëve. Kryebashkiaku i qytetit, i ardhur nga PD-ja, ka filluar që të punojë për rikonstruksionin e tërë rrjetit të ujësjellësit, ndaj të cilit nuk ishte vënë dorë që prej 40 vjetësh dhe rrugëve. Gjej një nëpunës të tij që mundohet të verë rregull me fotot, që ka bërë në qytet nga punimet në infrastrukturë. Duhet dhe propaganda. Kryetari e ka kuptuar se ndryshe puna e tij nuk ka pamje. Të 420 bizneset, që janë në rreth, plotësojnë 60 % të ardhurave të buxhetit të bashkisë. Dhe, kryetari ka kuptuar se peizazhi i qetë dhe makinat e rralla që i afrohen Gramshit, mund të ndryshojnë vetëm nëse Bashkia do të ndryshojnë qytetin. Ka një të drejtë. Qyteti ka pak resurse tashmë, do më shpjegojë një mik i mësuesit, që do takoj pak më vonë, kur do më bëj një panoramë blic për qytetin. “Nuk ka asgjë, veç institucioneve kryesore. Nuk ia vlen të jetosh këtu”. Por pse-në, B. L. 50 vjeçar, nuk më sqaron dot.

Me Nardin
Këtë mundohet të ma shpjegojë Leonard Comka, një burrë i ri simpatik, që ka punuar në Itali, më pas në Tiranë dhe është kthyer kur është bërë me fëmijë. Një nga funksionarët kryesorë të bashkisë është njeriu që më sqaron me kujdes për të dhënat. Por me cak. “Jemi duke punuar për një database dhe ekipi i ri i kryebashkiakut ka punuar shumë, më sqaron. Është qytet i bukur...më beso!”. Mundohem ta besoj, por edhe ai vetë e di se duhet punë që Gramshi të ketë ndonjë lloj tërheqje. Nuk ka jetë kulturore. Ka vetëm një ekip futbolli dhe kafe e bastore. “Po ti?”-e pyes. “Kam familje”, ma mbyll qarkun. Moria e fotove, që i gjej sërish mbi tavolinën e punonjësit të dezhurnit (më duket se bën sikur punon), janë në fakt sinjali i Gramshit të ri. Kryetari i ri Kastriot Zëra ka punuar për infrastrukturën, rrugët, rrugicat, kanalizimet. Ka asfalt, por nuk e ndjejmë se është hera e parë që afrohem në këtë qytet. Ka gjelbërim, por mbi të gjitha një klimë të mrekullueshme, që e sigurojnë në vit 116.8 ditët me reshje, ku temperatura mesatare vjetore është 13.5º me minimalin 6º celsius dhe gushtin 23.5º. Ka një mesatare vjetore të reshjeve 1074 mm, që duhet quajtur e mirë. Dhe, ka pastërti. Kryetari ka rregulluar një rrugë në ish-pallatin e oficerëve. Në një intervistë Zëri ka thënë se do të punojë shumë për lagjet periferike të qytetit të tij, që unë sërish s’i dalloj dot në këtë udhëtim të parë në qytet. Dielli e bën qytetin që të ketë më shumë jetë, ndërsa qyteti ka nevojë për punë dhe mbijetesën. Zyrtarët e tij kanë premtuar për ujësjellësin dhe po mundohen të menaxhojnë edhe bashkëpunimin me donatorët e huaj, ku rezultatet janë që nga projekti i “Interreg 3-A Adriatik”, që si për ironi është një qendër për komunikimin e familjeve me të emigruarit. Burimi i parë i jetës në qytet. Ndërkohë dhe një projekt tjetër, i cili synon të sjellë bashkinë e Barletës në qytet në një marrëveshje kulturore, që duhet thënë se qytetit i mungon shumë.

Për natyrën
Vetëm se qytetit më shumë se çdo gjë i mungon e ardhmja. Këtë e shikon nga baritja kaotike e njerëzve. Nga sasia e bareve, nga dëshira për të ikur, nga llotot...nga sytë. Është i njëjti muhabet. Të rinjtë presin moshën të ikin. Të kalojnë matanë. Të vjetërit të mbijetojnë dhe që qeveria të kthej sytë. “Më ndiqnin me sy deri tutje. Por Gramshi, aq ishte. Vërtetë nuk ishin të emancipuar, por ishin të mirë, kujtoj kolegen time. Mundohesha të tregohesha se isha ndryshe”. Vetëm se banorët e 10 lagjeve, në qytetin me lartësinë që shkon nga 180 deri më 320 metra mbi nivelin e detit, u bënte shumë përshtypje. Sikur ti kem parashtruar mendimin qytetit, mbi një si bregore, janë rresht disa pallate me tulla të kuqe, ku antenat parabolike janë të drejtuara të gjitha nga një drejtim. Shumë sy ndjekin kot, kalimin e makinës, sepse duket se nuk kanë ndonjë gjë më të mençme për të bërë. Ka shumë njerëz që rrinë kot, ndërsa disa rroba “third hand“ kanë dalë nga një si zgëqe për tu shitur. E vetmja gjë e re optimiste për Gramshin tash është se qyteti përmendet pak më shpesh. P.sh. edhe në “hartën” e ndërtimit të HEC-eve të vegjël është vendosur edhe Gramshi. Dhe, mbase për këta të gjorë do ketë më shumë energji, mbase do ketë më shumë lëvizje.

Natyra përreth
E kemi pak të vështirë që të merremi me qytetin. Ndaj duam të shkojmë më tej. Por Gramshi duket se nuk të jep mundësi për më tej. Mbizotërojnë shibliakët që përbëhet nga shkurre gjethe-rënëse siç janë drizat (Paliurus aculeatus) , që takohen kryesisht në Gramsh...Pasi vjen Devolli shkon gjithnjë në drejtim të veriperëndim, ku lugina zgjerohet gradualisht dhe hyn në sinklinalin e Gramshit...dhe zhvillohet përgjatë tij. Lugina është përgjithësisht në fazën e pjekurisë, kam lexuar në literaturën gjeografike. Kjo duket sidomos nga Gramshi deri në Gostimë dhe Kozarë. Në këtë pjesë lugina e Devollit është e zhvilluar mirë me shtrat të gjerë e të mbushur me aluvione dhe në këtë sektor pëson edhe shumë dredhime dhe degëzime. Tarracat lumore kanë zhvillim të madh dhe në ato janë ngritur qendrat kryesore të banuar si Gramshi dhe fshatra të tjera. Shpatet, të cilat e rrethojnë luginën, bien butë dhe formojnë relieve të qeta kodrinore në trajtë të shkallëzuar në pjesët më të poshtme. Ato janë të qëndrueshme veç disa pjesëve ku vërehen shembje e rrëshqitje të vogla. Në disa pjesë si në Gramsh dhe Banjë lugina ngushtohet aq shumë. Pikërisht, në këtë vend ishte llogaritur edhe kompleksi i madh i Banjës, që do shërbente për prodhimin e hidro-energjisë dhe ujitjen e fushave të Myzeqesë.

Armët dhe qyteti
Por planet, natyra mbetën bashkë me socializmin. Tani e ka radhën mbijetesa.
Njerëzit dikur ishin më të heshtur se sot. Largoheshin në mëngjes në punë, ndërsa kur vinin në mbrëmje linin pas të tjerë në punë, që produktin e tyre: armët, municionet, dhe predhat i magazinonin për t’i pasur gati për armikun që vigjilonte diku. Armiku nuk erdhi kurrë, ndërsa kur vetë shqiptarët u hirotinosën si keqbërës, e kishte marrë ferra uratën. Viti ’97 është një temë që më mirë mos të hapet në këtë vend. Faji i kallashnikovit apo i gjërave të tjera, por pas ’90 ishte një katastrofë për Gramshin?! U harrua koha kur ata prodhuan kallashin e parë shqiptarë më 1982. U harrua edhe se në fillim të viteve ’90, arritën të prodhonin deri në 30.000 armë të tilla syresh. Në fakt deri më 1980 aty prodhoheshin vetëm karabinat, por në 1982 u arrit të prodhoheshin deri më 3 mijë copë kallashnikovë, pas drejtimit të ri që mori uzina, nga e cila sot ekziston vetëm konvencioni.”Pastaj u përshtat teknologjia për kallashin..Duhen dhjetëra mijëra procese pune që të bëhen pjesët”, më thotë punëtori, që më është mburrur për kallashin në fillim. “Ne i bëmë të gjitha këto”, më thotë edhe shoku tjetër. Të dy tashmë jetojnë, falë fëmijëve që i kanë jashtë dhe me ato pak para, që u kanë mbetur nga ajo sfilitje e gjatë.

Pa armët. Me
kujtimin e tyre
Këta mendoj se duhet të jenë ata banorët e saj të zbritur nga Verça, Sulova dhe Tomorrica, që i dhanë Gramshit veç qetësisë dhe madhësinë, që më 18 shkurt të vitit 1960 të shpallej qytet. Askush nuk e morri vesh ndonjëherë sesi bëhej vdekja në të. Vdekja nuk dukej. Ajo ishte e strehuar në zgafellet e mëdha ku strehohej armatimi , që mund t’i mjaftonte armatosjes për një lufte kontinentale. Askush nuk e llogariste sesi mund të bësh vdekje, sepse vdekja ishte larg natyralisht nga popullsia e re e qytetit, shkruan gazetarja, që e braktisi nga të parat Gramshin, për të gjetur jetën e saj të re.
...
Tejet panelit të kafesë, njerëzit e qytetit janë të qetë. Njerëzit baresin të qetë dhe shumë të ngeshëm...Në qendër të qytetit, është e mbledhur në konceptin arkitekturor të një agoraje socialiste, i gjithë Gramshi. Më vjen ndërmend sërish gazetarja e njohur. “Pak kohë më vonë u mësova. Shëtisja në rrugën e vetme dhe atje ndjeva shikimet e djemve por edhe interesimin që kishin për kulturën shumë njerëz në këtë vend. Ishte bukur”. Qyteti do të masakrohej nga bandat më 1997 që kërkonin të merrnin armët, kurse kulmi mediatik i saj ishte kur aktori amerikan Michael Douglas në kuadër të një programi të UNDP-së do të prishte pak më vonë armën bash këtu në qendër...Deri më atëherë Uzina do të shkurtonte pak nga pak të gjithë personelin e saj dhe më 1992 gjithçka do të merrte dërrmën.
Këtë ditë me diell që ndajmë kafen me ta, banorët jetojnë me shpresën se do të ndryshojë diçka. Kurse G.R. na fton në shtëpi, ashtu si Nardi dhe të tjerë. E ngacmojmë sërish për armët e tij. Më thotë krenar se kushedi në çfarë tribuje i zgjidhin tash hesapet, armët që ka nxjerrë ai me gramshiotët. E përshëndesim. Megjithëse me ngucjen për të na mbajtur me zor...bëhen disi të mërzitshëm. Në këtë vend nuk mjafton që të jesh bujar. Ne duam të ikim. Ata të qëndrojnë dhe të shtyjnë muhabetin. Është kaq larg ende...

Materali teknik i konsultuar nga teksti akademik i Gjeografisë Fizike të Shqipërisë dhe të dhënat teknike afruar nga punonjësi i bashkisë Leonard Comku.

Shkruan : Ben Andoni   : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama