Ne Gjeneve me te madhin Skenderbe

Ne Gjeneve, me te madhin Skenderbe
Bota ndër shekuj ka nxjerrë figura të mëdha, që në tërësinë e tyre lavdinë e kanë fituar si pushtues. Duke qenë të tillë, Aleksandri, Cezari e deri tek Kostandini merituan të vendosen në piedestal, kryesisht në vendet nga dolën. Skënderbeu ynë e meritoi Madhështinë e tij për faktin se shkëlqeu duke luftuar kundër një perandorie të madhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ndalimi i një pushtuesi potencial, si ai osman në portat e Adriatikut, e bën Skënderbeun simbol të luftërave për mbrojtjen e lirisë kombëtare, atribut që nuk e ka pasur asnjë nga paraardhësit e tij nëpër botë. Aktet heroike të luftëtarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Skënderbeu, rrezatuan në gjithë kujtesën popullore të kombeve të ndryshme, të cilët, të ndodhur në situatë pushtimi morën si model strategun Skënderbe.

Ndër shumë vende po përmendim Gjenevën.

Paria gjeneveze, e ndodhur para sulmit të Dukës së Savojës, francezit Charlie Emanuel i Parë, më 12 dhjetor 1602 u mblodh dhe vendosi të mbrohet ashtu si luftoi populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut. “Skënderbeu në krye të një vendi të vogël përballoi një ushtri të madhe perandorake, – folën prijësit e Gjenevës. – Ai na jep forcë që ne të përballojmë duke luftuar”. Skënderbeu u bë frymëzues për luftën mbrojtëse të gjenevezeve dhe qyteti u mbrojt. Këtë të vërtetë historike e nxori nga arkivi veterani dhe patrioti model Astrit Leka, ose siç është quajtur nga gazeta e Gjenevës “GHI” “Vënësi i busteve të heronjve nëpër botë”.

Astrit Leka, i vlerësuar si Nderi, jo vetëm i Gjenevës por i gjithë Zvicrës, e meriton të quhet Njeriu i Shekullit të Pavarësisë. Para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur imazhi i popullit tonë kishte rënë poshtë, për shkak të trazirave të vitit 1997, Astrit Leka, ky luftëtar shembullor, loboi pranë organeve më të larta shtetërore zvicerane për vendosjen e bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë.

Gjeneva, zemra e botës, ku janë vendosur selitë më të larta të organizatave ndërkombëtare, ka vetëm një vepër arti kushtuar strategëve të vendeve të tjera. Dhe ky është busti i Skënderbeut tonë legjendar.

Ky bust, një mrekulli e duarve të arta të Odise Paskalit të pavdekshëm, është vendosur në pragun e madh që quhet  William Poppard, buzë liqenit Leman. Me shikim nga liqeni, kjo vepër arti skalit madhështinë e historisë tonë kombëtare dhe vlera të mëdha arti. Skënderbeu ynë vizitohet dhe përshëndetet jo vetëm nga bashkëkombasit e tij, por nga qytetarë të mbarë botës. Mbrapa bustit, rreth 30 metër është një godinë tradicionale e Gjenevës ku është vendosur selia e Organizatës Ndërkombëtare të Tregëtisë e më sipër ajo e Shkencës… Në këtë park të madh që qarkon liqenin, busti i Skënderbeut rrezaton nga larg e flet për një komb sa të vjetër aq heroik. Monumenti i Skënderbeut i vendosur në Romë e Gjenevë së shpejti do të vendoset në Budapest e po kështu do të vendoset me siguri në shumë vende të tjera të botës.

Për këtë po punon biri i këtij populli, Astrit Leka, në moshë madhore, por i madh dhe në shpirt. Duke iu referuar gazetës së Gjenevës  “GHI” citojmë: “Astrit Leka po punon me shqiptarët e komuniteteve të Nju Jorkut, Londrës, Parisit, Strasburgut, Bratislavës, Barcelonës, Johanesburgut e Tanamarivesë, që në këto vende të ngrihen monumente të Skënderbeut, si dhe Nënë Terezës”. Ky tribun shqiptar është dhe themeluesi për zhvillimin e vendeve të lindjes, ka merituar dhe vlerësime të mëdha, jo vetëm nga personalitetet e mendimtarëve vendorë, por dhe nga shteti zviceran.

Për trimëritë e të madhit Skënderbe, të bazuara në dokumente arkivale, kam shkruar e do të shkruaj, por 15-vjetori i vendosjes së bustit të heroit tonë kombëtar, më nxiti për të thënë të vërtetën e madhe se Skënderbeu është një legjendë, fakt që me siguri do të përjetësohet në tërë botën. Me Skënderbeun, Nënë Terezën, e të tjerë pasues të denjë, imazhi i kombit tonë do të lartësohet nëpër botë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama