Ne Butrintin e Eneas...koha eshte ndalur per shqiptaret

Ne Butrintin e Eneas...koha është ndalur për shqiptarët


Disa shpezë të egër i shikoj që tutje, që lodrojnë të qeta në breg. Vau, i kahmotshëm, përcjell banorët përtej, kurse dy punëtorë bëjnë kinse sikur punojnë në ndarjen e jashtme të qytetit antik të Butrintit. Asnjëherë nuk kam ardhur në dimër. Nuk ka shumë rëndësi. Njësoj, sa herë që njerëzit përmendin Butrintin, asosacioni të lidh vetvetiu me historinë, arkeologjinë e një treve, që ka shtrirë rrënjët pafund në histori. Në dimrin 2007, Butrinti, nuk të grish më me ndonjë veçanti, përveçse kënaqësisë për të parë në dheun e gërrmuar dhe për të hetuar aty mbeturinat pafund, që i kanë qëndruar shekujve.
Njeriu i biletave respekton kartën e gazetarit (Ndryshe nga sitet e tjera arkeologjike në vend). Pastaj pamja e mësuar në sy. Si dekada e dekada më parë: Kulla veneciane, kështjella në majë të kodrës, teatri antik, Baptisteri, Bazilika, gurët e mureve, dhe një det përtej, që çuditërisht e gjej gjithmonë të qetë e më të qetë. Të gjitha, përmblidhin në një fjalëz të vetme, Butrint. Kjo kryevepër e natyrës dhe e njeriut është në skajin jugperëndimor të Shqipërisë, ku gjendet një nga gadishujt më të bukur, Ksamili ose Heksamili...Nga një anë Joni, në anën tjetër liqeni i Butrintit, Pelodestit të lashtë ose liqeni i Zanave...

Rikthim
I jam rikthyer Butrintit vetëm pak muaj më pas. Më saktë qytetit, që prej vitesh mahnit shumicën e turistëve, që frekuentojnë Shqipërinë dhe Mesdheun. Këtë herë jo si vizitor, por me një sy tjetër. Një vajzë simpatike, që më thotë se punon sipër, do më drejtojë, por jo guidën. “E bëj vetë”-i them me dashamirësi. Më grish për muzeun. Objekti nuk ka energji, dhe si për dreq, është e vetmja gjë të cilën nuk e kam parë në Butrint. E duam, e kërkojmë. Teatrin e ka zënë gjumi dimëror, ndërsa boshësia e njerëzve e bën më të vetmuar. Tabelat e bukur-përshkruar janë piketat e vetme të lavdisë. Në këtë vetmi, plot me lagështinë e një dite shiu, të preh qetësia e liqenit prapa malit, pyllit më në lindje, manastirit të vjetër...Vajza e sheh që interesi ka rënë, por që në fillim ma ka pritur thatë: “Do ju’a tregoj muzeun, drejtori nuk është”. Për fat është tepër e edukuar. Nuk flet më fare. Nuk e shqetësoj. Hap dalëngadalë derën dhe më grish brënda në interioret e Kalasë veneciane. E ndjek pa gojë. I përsëris se orientohem vetë. Paqja është vendosur në errësirë. Në vitin 1997, këtu gati ndodhi hataja, por arkeologët e kishin parashikuar. Pjesa më e madhe e objekteve u dërgua me shpejtësi në Tiranë...Në errësirë Agripa, Ahtinoi, Asklepi, të shikojnë pa jetë. U ndriçoj fytyrat me një Ericson po aq të vjetër. Të ngurtësuar në shekuj, nuk dinë më shumë se ç’të thonë. Statuetat më tutje në sheshin e brendshëm të muzeut tregojnë një pjesë të kësaj krenarie, që ka qenë në vend. Më pas monedha, armë gjithshka...Duket se momentin e shfrytëzojnë dhe dy të tjerë që vijnë dhe vizitojnë dhe ata. Nuk flasim. Lëvizim si hije.

Butrinti...politik
Dalim. E falenderojmë. Kaq. Asgjëkundi Rangers-at e njohur. I druhem vajzës. Ndërsa, pak më parë, kam pyeut ata që kanë punuar ose ata që punojnë ende. Pas ndërrimit të politikës dhe për Butrintin nuk pati më aq qetësi. Si në një plenium partie, ministri i sotëm i kulturës i kërkoi drejtorit aktual që të largonte njerëzit e Auronit Tares, drejtorit karizmatik, që e kam fiksuar me siluetën e stërgjatë në kronikat e kohës, duke e ruajtur qytetin nga fantazmat e kohëve moderne. I ngrati e dinte se në Shqipëri funksionon me “të fortë”. “Akoma i mban ti ata”, i tha Z.Leskaj, drejtorit për ish-punonjësit, që shpëtuan dikur qytetin. Për hir të vërtetës, drejtori i ri, nuk kishte luajtur deri më atëhere asnjë nga punëtorët. Atij, vetë, i duhej të udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Butrintit dhe anasjelltas, por asnjëherë të mos vendosej në qytet. “Nëse jeni i interesuar te dini se si jam ndier për ndryshimin e drejtimit të Parkut, mund t’iu them se nuk ka asgjë të veçantë për t’u përmendur. Çdo njeri ka në kokë një ‘drejtor ideal’”, më ka thënë patetike një specialiste e tashme.. Në fakt, më thotë se është e kënaqur që ka po ata kolegë, po atë zyrë dhe që i është rritur rroga. Nuk jam fare aq i interesuar, por vajza simpatike që punon dhe është laureuar vetëm pak vite më parë, është e prerë. Një tablo tjetër me fakte ma jep një ish-punonjës i Butrintit. Nuk fyen, pavarësisht se ndjehet i prekur. Tek ai ndjej, pak pulsimin e Butrintit. Puna që është bërë vitet e fundit në Butrint, dhe që personalisht dua t’ua atriuboj shumë njerëzve të shkuar, duket se i ka rrënjët e thella. Këtë e ndjen në qytetin relativisht pastër, ndërsa tabelata të orientojnë mirë për qytetin. Kuptohet se gjëkundi nuk ka drejtor dhe Rangers. Qyteti, më duket i plakur në këtë post vend, ndërsa kujtoj se një presion politik iu var mbi kokë dhe Ugolinit, në kohën e tij, për të gjetur pjesën e Romës në këtë vend.
E Butrinti ngjalli cmirën e të gjithë burokratëve shqiptarë, pasi falë drejtorit të dikurshëm, ajo u fut në shumë axhenda, por më shumë se kaq, ajo u bë një vend “i detyrueshëm” për VIP-at më të njohur të botës. “Kush ka ardhur tani?”- pyes dikë, që më hiqet si kopetent dhe që e gjej rastësisht. “Njerëz”,-më përgjigjet. “Po të huaj”, e pyes. “Vinë dhe ikin”, më thotë. “Nga je”- e pyes. “Nga Skrapari”,-më gjegjet, ndërsa nuk e gjej që nga fillimi, kur kam ardhur se ç’bën me murin e jashtëm. “Çfarë pune keni bërë së fundi?” Më shikon me dyshim. “Ç’të hyn në punë”. “Jam gazetar”- i përgjigjem. Hesht. OK...Bëhemi miq. E miklon fakti që tentoj t’i bëj foto...

Çfarë mund të bëheshin
Nuk e di, çmund të bëhej, por Demiri, një nga punonjësit e njohur në këtë vend më sqaron se nga ky vend është larguar një ekip i tërë, tashmë i konsoliduar dhe i vlerësuar nga institucionet ndërkombetare. Muzeumin, që e shikoj vetë, restauruar më 2005 tashmë nuk ka drita dhe si rrjedhojë duhet të ketë probleme të mëdha në administrimin dhe manaxhimin e tij. Pse jo edhe duke e rrezikuar koleksionin, që mbart. Vetë, kam fat, sepse dita e shiut më ka dhënë pak dritë difuze.
Në vitin 2000 me mbështetjen e Bankës Botërore, përherë të parë në Butrint u krijua një ekip Rangers, të cilët u trajnuan nga Federata Botërore e Rangers. Ky ekip u konceptua si një ekip roje, por edhe udhërrëfyesish për vizitorët që vinin në Park. Në dhjetor të këtij viti, ky ekip u shpërbe, dhe u vendos që Parku të ruhet nga roje private, më sqaron dikush. Nga këta, dy njerëz ishin trajnuar në SHBA, ndërsa një tjetër ishte përgatitur dhe kishte një diplomë ndërkombëtare për guida turistike, marrë në Qipro. Sipas njerëzve, që tashmë nuk punojnë në këtë vend, shumë nga punëtorët e Butrintit kishin kaluar në disa kurse kualifikimi për restaurime dhe kishin një eksperiencë të gjatë në Butrint. Në të vërtetë, rishtarët dhe sidomos ky që flas, është nga Skrapari. Nuk bëj dot lidhje, pastaj gjej një arsye shqiptare, që më mposht. Mbase llogjika e drejtorit aktual, që vazhdon të japë leksione në universitetin e Elbasanit, duke e ndarë kohën e tij mes këtij qyteti dhe Butrintit nuk shkon më shumë. Por, këto ndryshime kanë bërë që mos të ketë asnjë projekt të ri nga administrata aktuale. Madje, edhe projekti për një mision arkeologjik të pavarur shqiptar nën drejtimin e prof. Cekës është ndaluar. Falë këtij Projekti, prej dy vitesh vazhdonte këndshëm ardhja e studentëve tanë për të punuar në Butrint. Nga kjo politikë, tashmë kemi vetëm një ekspeditë arkeologjike, ajo angleze e fondacionit Butrinti. Prej këtyre të fundit paguhet një rrogë drejtori aktual te Parku, një rrogë për dikë, që e ka ndarë kohën e tij në dy vende...
Por, njerëzit që pyes- më tregojnë se edhe plani i Manaxhimit, që është kërkuar nga UNESCO, prej një viti- nuk është hartuar dhe paraqitur akoma. Ndërsa, të ardhurat, që vinë prej vizitorëve, nuk kanë gjetur ndonjë rrugnajë...
Pak për Butrintin e të gjithëve
Të lodhshme, por të vërteta. Preferoj t’i kushtohem pak Butrintit, që çdo herë më duket më i bukur.
Kanali i Vivarit në zbaticë i kalon ujrat e liqenit në det dhe në baticë i kalon ato të detit në liqen. Në një kohë, falë kësaj pozite, qyteti përdorej edhe si skelë. Itenerarët detarë e përmendin këtë fakt në shekullin e III, por në këtë vend kalonte dhe rruga e madhe detare prej Dyrrahut e Aulonës në Nikopol e më tej. Por, Natyra nuk mjaftohej me kaq. Fusha e Kestrinës (Vrinës) dhe kodrat e bleruara i siguronin Butrintit korrje të begatshme dhe një blegtori të mirë. Liqeni, nga ana tjetër, jepte peshq e midhje pafund. Jo më kot, afër këtij vendi, ka një qendër prehistorike. Nga periudha e parë e hekurit sheshi i sipërme i kodrës u rrethua me blloqe të mëdha e të papunuara. Ky ishte fortifikimi i parë. Qyteti i parë i identifikuar që përmëndet në gjeografi i shekullit të VI para Krishtit Hekateu, është Butrinti. Pas pesë shekujsh e hasim sërish emrin e tij.
Këtë herë është rradha e Teukrit të Kizikut, që risjell një legjendë të lashtë, sipas të cilës Eneu, heroi i Trojës duke lundruar nga Troja në Perëndim bëri fli një ka për hyrjen e tij në Epir. Kau i plagosur çau me të shpejtë përmes detit, hyri në një gji dhe doli në bregun e një toke ku ra dhe ngordhi. Këtë ai e quajti profeci dhe tokës i vunë emrin “Buthrotus”. Ndërsa, Rasini vendosi Andromakën. E kujtoj si në jerm përmallimin e Mitrovicës, që dëshironte ta luante në Sarandë...

Nëpër të
Më duhet të ndjek itenerare të njohura, por gjithmonë njeriun e grish Porta e Luanit...E kujtoj se është bërë që t’i ngjante në Trojë, portës me të njëjtën emër, mbase...Rrugës mund të meditosh, kur kaloj teatrin, nimfeun, Bazilikën... Ky ka qenë një nga qytetet epirote të kaonëve, sepse thjesht një hamëndje të çon në legjendën e krijimit të tij, që si mundi t’u jepej armiqve të akenjve. Në shekullin e IV para Krishtit u ndërtua shëtitorja dhe tempulli dhe nisi jeta dhe përtej mureve. Pas vitit 168 para Krishtit, kur u krijua lidhja e Presaibëve, Butrinti u kthye në një vend me një sërë qytetesh satelite e kështjella të varura (Karalibeun, Qenurionin, Kalivonë, Vagalatin, Malathrenon, Çukën e Ajtoit, Kataajtoin). Në Butrint ishte Eklesia (këshilli i qytetarëve-që vendoste për gjëra madhore); Buleja (administronte qytetin); strategu (kreu ushtarak dhe civil); prostati dhe kryeprifti. Qyteti ka teatër dhe dy tempuj, që tregojnë se dikur vendasit kishin interesa të thella kulturore. Sot, ato flenë, por me një dinjitet të rrallë. Për fat, Butrinti nuk pësoi fatin e 70 qyteteve epirote, që u shkatërruan nga romakët. Ajo mbeti kryeqendër e krahinës, ndërsa Çezari i madh e ktheu në depo. Qyteti filloi të merrte ujë nga Xarra dhe kjo duket në monedhat. Në këtë kohë qyteti arrin 11 ha. Të kësaj kohe janë gjimnazi, tre çezmat monumentale të qytetit etj...
Në kohën e Julian Apostatës në shekullin e IV kemi dhe mozaikët, kurse në vitin 451 përmëndet edhe peshkopi i Butrintit... Ai përmendet integralisht edhe në Mesjetë dhe i shpëton dorës së Ostrogotëve, falë fortifikimeve. Më 1081- 1084 është arenë luftrash mes Bizantit dhe Romanëve. Hyn në Despotatin e Epirit, pastaj në dorë të Bizantit sërish më pas, Anzhuinëve dhe pastaj më 1386 venecianëve. Ali Pasha ndërtoi më 1807 kështjellën në Vivar. Për fat, nga viti 1928-1930, Zogu e dha për gërmime me koncesion dhe fati i madh ishte Ugolini, me grishjen e tij instiktive por edhe të ndikuar, që la Finiqin dhe erdhi këtu duke bërë zbulime të njëpasnjëshme...
...
E bukur,-i kthehem skraparlliut, që është siguruar se po i bëj foto, që nuk do t’i duhen. “Ku keni punuar, sëfundi?”. Më shikon në sy. “Këtu, afër”- më thotë, por me dëshirën e madhe që t’i hiqem sysh. Po. Do t’i hiqem. Shiu po afron me nxitim. Janë nuk e di sesa kilometra deri në Tiranë. Atje, ku shpesh flitet për Butrintin, por që më duket se pak e njohin. Iki. Ndërkohë vau bën rrugën e rradhës. Butrinti shtyn e pret. Ai është mësuar të presë vdektarë dhe Zota. Ashtu si priti Enean, dhe para tij edhe Andromakën e gjorë. Mbesin, ato, që në periudha të ndryshme kanë jetuar: kulla veneciane, kështjella, muzeumi i sotëm deri vonë pa objekte, teatri i famshëm antik, kollonat e mbetura greko-romake, liqeni që bashkohet me detin, dhe pafundsija blu, që të afron me të panjohurën e shekujve. Largohem. Eshtë dimër. Muzgu mbulon fushën e Vrinës dhe kështu shuhen pak nga pak edhe zhurmat që lëshojnë pas shpendët, ndërkryer me teatrin antik teksa ndjekin pretë e tyre. Kthim.

Ben Andoni-Revista Mapo

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama