Ne Adriatikun e Panjohur

Në Adriatikun e Panjohur


Të paktën për punën. Nuk shikoj, ndonjë dashuri të njeriut që më flet, të paktën për punën. Sakaq heshtin. Ndërsa, ata pak banorë, që na rrethojnë të mbetur në Bogo-Synej, gjerbin kafenë dhe rrudhen. Asgjë nuk gjej të krahasoj me këtë mjedis “pastoral” në afërsi të Adriatikut. Asgjë, veç një marshi funeral të Shopen, për nga lehtësia e qetësisë. Por, këtë nuk ia them dot Vahid Bashmetës, 41 vjeçar, që më shikon i hutuar, pasi më ka gënjyer për qejfin e tij, sistematikisht. Ka dy lopë dhe mbjell pak foragjere, jonxhë etj. “Po lule?”-e pyes. Më shikon i habitur. E shikoj ngultas. Ka të drejtë ai. Çfarë duhen lulet këtu? Por sesa punëtor e kam konfirmuar nga rrobat që mban veshur. Një xhup i përdorur lëkure, i rri sipër një golfi dhe një triko. “Kaq ftohtë ke”,-i them qyqarit. “Ne fshatarët kemi shumë ftohtë”- më thotë me çapkënllëk. Nuk e di kur i ka lënë lamtumirën punës ky njeri. Besoj shumë e shumë kohë më parë. Janë të ngeshëm dhe mjafton një burrë i vjetër që të tregojë një episod për Kuranin, që të heshtin dhe ta dëgjojnë me vëmëndje pavarësisht se plaku e përcjell shumë keq atë që ka dëgjuar nga Hatibi i fshatit të tij për fillesën e Botës dhe Nuan. Ky është episodi i zakonshëm në buzë të Adriatikut.
Pak metra më tutje, Krenari, një burrë i ri, që prej kohësh i ka dhënë jetë “Zenitit” më grish të largohemi. “Çfarë pret?”-na thotë. Çfarë presim, në të vërtetë?! Pak minuta më vonë jemi në udhëtim dhe bashkë me ne udhëton dhe Vahidi. Ka tre fëmijë, por vajza e mesme, nuk ka zhvillim normal. Ka siguruar ndihmën për vajzën, por duket se sëmundja e saj e ka topitur. “A mund të jetohet me dy lopë?”-pyes një fshatar një kohë më vonë. Qesh me paditurinë time. “Pse nuk e provon”-më thotë. Sërish udhëtim. Vahidi hesht. Nuk më gënjen më, por ngultas më pyet, sesi mund të përfitojë dhe ndonjë gjë tjetër për vajzën. Jam kurioz. Do ta riaftësojë vallë? Më zbulon pak më vonë. Kërkon sërish ndihmë! Por qetë. Duhet ta ketë bërë shpesh këtë punë.
Këtu nuk ka kohë. Nuk ka ngut. Nuk ka njerëz. Fushat flenë. Retë, që vinë mbi Fushën e Kavajës, tregojnë të vetme se Zoti duhet të vigjëlojë diku mbi këtë vend. Që çuditërisht, është e mbushur me disa qyrk-fletushka, që një kandidat komune i ka mbjellë kudo. Duke iu bërë garë reve dhe hiçit, një hatib mbi një biçikletë 28-tshe, rend me ngutin e Kostandinit. Kurse, një karrocë, me një çift predikantësh muslimane, kalëron në qejf të vet. Në rrugën e vetme në komunën e Synej-Bogos, hatibi, bashkë me ikjen-merr me vete të gjithë atë që përbën jetën e këtyre njerëzve. Zhduket, pas pak. Ne pas tij.

Shtëpia e artistëve
Në një nga këto kodrina, ku poshtë duhet të jetë një i ashtëquajtur plazhi i Gjeneralit, Krenari ka blerë një shtëpi. Bash në kulm të saj. Sipas një modeli, të parë kushedi se kurrë, ëndërron, që këtë shtëpi ta kthejë për artistët. “Dikur këtu nuk kishte ujë. Kjo i bëri shumë fshatarë që të zbrisnin, ndërsa tani duket se janë sërish të interesuar për të”. Por, nuk ia kanë ngenë. Me një makinë konkurente të Rally Albania , jemi gati në majë, ku ai ia ka blerë shtëpinë njërit prej fshatarëve të rradhës, që e braktisi këtë vend. Shtëpia është e rrënuar, ndërsa dy konstruktorë italianë, të apasionuar pas kësaj virgjërie, i kanë këshilluar, që do ishte më e leverdisshme që ta bënte nga fillimi. Por, Krenari, e ka marr qetë. Në jetë boton cilësisht (libra oxhaku e ka ëndërr), ka krijuar mundësi ekspozimi në një galeri simpatike në kryeqytet dhe mbi të gjitha një shoqëri turistike, që ka sfiduar dhe 1997. “E ktheva në grotesk”, më shpjegon gjatë udhëtimit të stërmundimshëm në kodrat e Adriatikut, sipër Karpenit. Rrisqet e turizmit në Shqipëri ua ka përkthyer si atraksione, turistëve, që kanë mirëkuptuar shpirtin ndryshe të shqiptarëve, njëkohësisht edhe improvizionin e tyre. Në këtë humbëtirë, ai ka vendosur që të jetë shtëpia e artistëve. Pak orenditë e mbetura në shtëpi nga i zoti, të tregojnë mjerimin e këtij vendi. Një dysheme e valëzuar, një kapriatë e shpërfytyruar dhe pak orendi, të denja për të veshur skamjen të shikojnë kudo. E shikoj në sy Krenarin? Do t’ia dal-më shprehet qetazi. Por, nga e thëna në të bërë, ka ende një mal, që ai nuk e lëviz dot. Sërish ikim.

Intermexo
Vahidi, një nga njerëzit, që e ka ndihmuar për të blerë shtëpinë hesht. Por, pak minuta më vonë, më tregojnë historinë e tij. Si të gjithë fshatarët, ai ka shkuar që të sigurojë bukën në Itali. Fati e ka çuar në Sanremo në qytetin e luleve. Pas një viti e gjysëm do të kapej për mungesë dokumentash dhe do të kthehesh në vendlindje. Ndërkohë, që tenton Italinë. E kapin dhe vendi dihet: në burg. Derisa Vahidi u bë proverbial, sepse e donte burgun, ngaqë atje ishte mirë. Skuqet si adoleshent kur ia kujtojnë. “Merrja 600,000 lireta, më thotë. Pastroja. Isha rehat”. Pak minuta më vonë jemi sërish në udhëtim, por pasi prehemi në një vendet ku në horizont prehet gjiri i stërmadh i Durrësit. Kaq i madh dhe me këtë hapje, ai është i denjë për luftrat e kohëve antike, nga ku patjetër këtu është zbarkuar rregullisht. Helene, Romakë, Barbarë, normanë, turq etj, të gjithë bashkë...me pafundësi përpjekjesh u janë avitur vendasve. Që nga lashtësia kjo portë e fundit e Lindjes ka qenë e lakmuar nga pushtues pa fund, që edhe historia stepet t’i kujtojë. Por, kuptohet zyrtarëve shqiptarë te turizmit, kjo perlë pak u intereson. Dikur ushtria e përdorte Karpenin për një bazë stërvitje dhe kaq...Sot, tetë rrugë dytësore, që lidhin magjistralin me Adriatikun, mbase dhe më shumë...duhet të jenë të gjitha të pashtruara. Të paktën në dy syresh, mezi i përshkojmë edhe ne, jo vendasit e drobitur. “Kam qenë tre herë në Kavajë”, na thotë një 40 vjeçare. Eshtë vetëm pak kilometra larg Kavajës, veçse, të mjafta, që qyteti për të- të jetë një kasaba e nderuar.
Për fushën dhe të tjerat
Fusha e Kavajës zgjatet nga juglindja në veriperëndim në përputhje me relievin dhe pozicionin sesi është vendosur. Ajo shtrihet nga Shkumbini në juglindje e deri në bregun jugor të gjirit të Durrësit në veriperëndim dhe nga rrëza lindore e kodrave të Kryevidhit në perëndim duke mbaruar në rrëzën e kodrave të Kavajës në lindje. E gjithë kjo hapësirë e pamatë përshkohet nga përroi i Kavajës (ose i Lesniqes) në skajin verior dhe nga përroi i Darçit, i cili rrjedh i patrazuar mespërmes fushës më në jug. Të dy këta përrenj kanë depërtuar thellë në truallin e fushës duke bërë gjarpërime. Kudo në skajin jugor të kodrave të Kavajës dhe në bregun e djathtë të grykës së Shkumbinit e rreth Grethit e shkojnë pastaj deri në buzë të detit, kur mbushet me moçalishte e me godulla.
Në skajin verior të fushës së Kavajës shtrihet Shkëmbi i Kavajës (i njohur dhe me emrin Shkëmbi i Bardhë) me lartësi 105 metra, kurse këtu në ekstremin e jugut jemi nën “mëshirën” e Shkumbinit, që duket se ka vite që është shtruar. Janë të gjitha bashkë dhe dikur një hambar, për këta njerëz, që tashmë janë proverbialë për dembelizëm, kjo fushë ka rënë në letargji. Një kthesë rruge e braktisim Vahidin. E ka mbaruar misionin e tij. E rras kapelen mbi kokë dhe zhduket.

Drejt kështjellës së Bashtovës
Në këtë rrugë, por shoqëruar me karvane të tëra kuajsh, Çelebiu në shekullin e XVII me tugat e korrierit diplomatik, bënte udhëtimin e tij. Itenerari në drejtim të Fortesës së Bashtovës. Me të njëjtën vështirësi, por kuptohet se pa mjetet e sotme. E mrekullon, kalaja, që e kanë marrë bashkëkombasit e tij dhe e habit ndërtimi, që nuk është i dytë deri në ditët tona. Po ne humbasim. Askush nuk na tregon si duhet rrugën. Si për ironi, Enveri e ka mbushur vendin përreth me bunkerë të punuar mirë. Kjo është sfida e tij për venedikasit dhe të tjerët, që e kanë gatitur këtë ndërtim ushtarak. Në kohën e keqe, kështjella shfaqet dhe njësoj na humbet. Kurse, në këtë rrugë plot baltë, edhe makina Rally druhet?! Baltës, kohës dhe pamundësisë?! “Italianët kënaqen këtu,- më thotë Krenari. Eshtë ashtu si ka qenë në përshkrimet e atyre, që kanë qenë këtu mbase dhe 100 vjet më parë”. Kemi dalë sërish në rrugë dhe që andej duke iu afruar Rrogozhinës kemi kërkuar Vilë Bashtovën. Rrugë, pa rrugë dhe premtimet e komunarëve që kanë gënjyer të ndjekin kudo. Vetëm se ajo që shfaqet duket se e fashit lodhjen. Kam në mëndje pak, atë që ka shkruar Çelebiu, por edhe vlerësimin e Han për Bashtovën...A ekziston vallë ashtu?
Në një fushë, ajo vigjëlon krejt e vetme, dhe shumë afër Shkumbinit. Ndodhet tamam në pjesën e Shkumbinit, ku Gegët dhe Toskët ndahen si me thikë. Eshtë pa gojë, ajo që të sheh para, por fisnike dhe madhështore me një stil, që e bën pashoqe në territorin shqiptar. Ka formë gati katrore me kulla të rrumbullakta nëpër qoshet dhe me kulla katërkëndëshe në mes të tre mureve. Të sjell në mëndje, kalatë e filmave. Muri i perëndimit nuk ka pasur kullë ne mes. Orientohem me përshkrimin, që ka bërë një studiues i vjetër, Jovan Adami. Në këndin e murit jugperëndimor, i cili duhet të jetë ndërtuar më vonë (në kohën turke) ka një portë më të vogël, mbi të cilën në kohën e tij Hahni ka parë dhe një mbishkrim turqisht.
Porta kryesore duhet të ketë qenë në murin veriperëndimor, vendi mbi të cilin ka qenë edhe kulla kryesore. “Kjo duket përtej mureve, të cilat dalin përjashta në të dyja anët e portës, të cilat qenë pajisur me nga dy kasimate. Muret janë pajisur gjatë katër anëve me kamare të kurorëzuara me harqe. Harqet e mureve jug dhe veriperëndimor janë më gurë, kurse harqet e tjera janë me tulla. Në harkun e katërt të anës jugperëndimore, aty ku fillon harku, është vënë në mur një hark me palmeta dhe gjethe të stilizuara, që i përkasin kohës bizantine. Në shumë vënde të murit shihen gurë gëlqerorë dhe mermeri të punuar, që janë marrë nga ndërtesat antike. Dy blloqe të tilla, të pajisur me kllapa, shihen edhe brënda mureve. Si kullat ashtu edhe kamaret janë pajisur me frëngji. Kështjella ka edhe bedena, mbi të cilën hipet nëpërmjet një shkalle dyfishe, që i jep një trashësi më të madhe murit nga ana e poshtme.
Duke qenë se kullat janë më të larta se bedenat, rrugina që lidh bedenin me shkallën nuk është rreth e rrotull në një nivel, por ngrihet te kullat me një palë shkallë të dytat. Ke frikë shpesh se do biesh, në kohën e lagët, që na shoqëron kudo. Kullat kanë qenë të ndara në kate dhe janë pajisur me nga dy porta: njëra nga ana e poshtme dhe tjetra nga ana e sipërme. Shkallët mungojnë në murin verilindor. Kullat katrore janë krejt të hapura nga ana e brëndshme d.m.th. janë me mure vetëm në tri anë. Mbi murin jugperëndimor duhet të ketë qenë bedeni, pasi tani nuk duket asnjë shenjë. Njësoj me ne, por pa na njohur, një udhëtar grek e admiron pa fund. E ka hasur në një ekspozitë, pamjen e saj, dhe në vizitën në Shqipëri nuk e ka falur për ta parë.
Qëllimi i kësaj kështjelle ka qenë, sikur e thekson, Jirecek, thjesht tregëtar, për të siguruar tregëtinë me botën e jashtme pa e përdorur skelën e Durrësit, e cila ndërronte shpesh pushtuesit në atë kohë. Ekzistenca e shumë frëngjive tregon se kështjella nuk mund të jetë më e vjetër se pas shpikjes së armës së zjarrit. Sipas Jirecekut, gjer më 1371, kjo kështjellë ka qenë nën sundimin e familjes shqiptare të Matrangajve , pastaj ka kaluar në dorë të Muzakajve. Për të marrë vesh se kur u pushtua nga turqit do të tregonte mbishkrimi i Hahnit. Thonë se kur e kanë pushtuar turqit kanë bërë shumë gjakderdhje...Por, kuptohet Çelebiu, nuk na e jep këtë “kënaqësi” kujtese. Ndërkohë, që Krenari, e mendon si një vend ideal ekspozimi, ku artistët shqiptarë në harkadat e mëdha të kishin mundësinë e ekspozimit si të barabartë. Baret i vetëm në mes të kalasë dhe nga lartësia e tij llogaris kalanë, që mbetet impozante.

Pak histori
Për herë të parë, Bashtova, na paraqitet si qendër e tregëtimit të drithit me emrin Vrego ose Briego, që nga gjysma e dytë e dhjetëvjeçarit të katërt të shekullit XIV dhe arrin kulmin me eksportin e grurit dhe të melit në dhjetëvjeçarin e gjashtë të këtij shekulli, kur krahina sundohej nga sundimtari shqiptar Vlash Matrënga.
Nga fundi i shekullit XIV, si në të gjithë Shqipërinë edhe në Vreg, tregëtimi i drithërava kaloi nga raguzianët në dorë të venedikasve. Në këtë kohë, përveç tregëtimit të drithërave, venecianët u interesuan për të mbajtur në dorë të tyre edhe pika strategjike të fortifikuara në bregdetin tonë. Pas pushtimit të Durrësit (1386), Lezhës (1393) dhe territorit të Shkodrës (1396) kërkohen me rradhë Vlora, Kanina, Himara dhe Pirgu. Qëllimi i venedikasve ishte i thjeshtë: të krijonin disa baza të forta dhe pikëmbështetje në bregdetin shqiptar prej të cilave kryesore ishin Durrësi dhe Shkodra.
Si rezultat i këtij interesimi të venedikasve për qëndrat e fortifikuara të bregdetit shqiptar përmënden në këtë bregdet një sërë fortesash. Të tilla janë ato të Durrësit, Shkodrës, Kaninës, Himarës, Pirgut, ndërsa Vrego nuk përmëndet si kështjellë.
Venedikasit kërkonin tu qëndronin turqve me një çmim sa më pak të lartë, kur kishin luftra të kushtueshme në Itali. Pra, ndërtimi i një kështjelle të re në Shkumbin ishte një shpenzim tejet i tepërt, ku mund të konservoheshin ato ekzistuese dhe një e tillë në grykën e Shkumbinit do të kërkohej shumë e ... Këtë përshkrim, që e gjej në studiuesin e njohur të kështjellave shqiptare Gjerak Karaiskaj, më step pak . Por, ka të drejtë. Në defterin e rregjistrimit të tokave shqiptare në vitin 1431-1432 nuk përmëndet kështjella e Bashtovës, por vetëm fshati i Bashtovës me 13 shtëpi, gjë që nuk ndodh rëndom me osmanët në hapësirath kur në fshat ekziston një kështjellë e tillë.

Ngut
Pak nga pak merr jetë nguti. Mbrëmja po bën vend duke e mbuluar me errësirën shekullore kalanë. Si për ironi edhe vetë Bashtova është një kështjellë e ndërtuar me ngut duke pasur parasysh materialin, që është përdorur. Këtë e dëshmojnë muret e hollë por të mbushur me kondraforte, -cilëson z. Karaiskaj, kullat me kurriz të hapur që janë më pak rezistente si edhe katet e ulëta të kulave të destinuara për luftë. Por është e llogaritur qartë që të ketë tre kate nivelesh zjarri dhe pesë kulla, të cilat nuk vërehen në asnjë kështjellë që ekziston në Shqipëri. Këtu shihet qartë se nuk ka kriter artistik këtu ka vetëm qëllim mbrojtje. Udhëtari grek, që kushedi ç’bën mundohet ti shpjegojë një bashkëatdhetares së vet karakteristikat osmane. Më kot mundohem ta bind se ka më shumë nga Bizanti...Jo për atë është otomane dhe pikë. Ballkan hesapi, mendoj.
“Ah çfarë vendi ekspozimi!-më ndjek Krenari. Ndërsa dy fëmijë që i kemi gjetur aty nga fillimi rrotullohen më kot. Se kush i ka sjellë dhe mundohen t’u shpjegojnë grekëve me një anglo-shqip elementët e kalasë. “Këtu është vend i mirë dhe ndez qiri i gjithë fshati”, e mbyllin me një koncept disi pagan fëmijtë krenarinë e tyre. Në një nga qoshet e kalasë, ajo nxin prej tymrave të qirinjve. Kurse, dikur vendi që ka qenë mbuluar me vreshta, tash është djerrë...Shqipëri hesapi?!

Në kthim
Do të jetë sërish një rrugë kthimi e njëjtë, por gjej pak kohë në një fshat sipër, që të ndjek një ritual teqe të vogël, ku një hatib predikon...Ah Zot, është i njëjti, që kam parë kur kemi ardhur. Flet pa ndalur dhe kopetent për një kohë pa kohë. U shpjegon fshatarëve, që çuditen me praninë time, se çfarë është kurani për njerëzit. “E mbajnë kot librin në makinë, sepse as Allah dhe as dreq nuk kanë!”...Fshatarët e kanë humbur disi dhe duket sikur u ka bërë magji, sepse tundin ngadalë kokën, por gjithsesi e ndjekin me kuriozitet. Nuk pitëtijnë. Allabelaversen..., thotë dikush. Nga jashtë kulmon minareja e tij, ndërtuar me disa fuçi.
Dalim. Ikim. Nga tutje, Vahidi, ka mbyllur një ditë tjetër të jetës së tij.
Grisim pa gojë natën e dimrit 2007.

Ben Andoni -Revista Mapo

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama