Ndeshja Shqiperi-Serbia policia Ja rregullat para se te hyni

Ndeshja Shqiperi-Serbia, policia: Ja rregullat para se te hyni

Policia e Elbasanit publikon planin e masave për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes së 8 tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, ka marrë një sërë masash organizative   në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal të ndeshjes Shqipëri-Serbi, e cila do të zhvillohet më datë 08.10.2015, në orën 20:45, në Stadiumin “Elbasan Arena”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deklarata më pas vijon me njoftimin e qarkullimit të mjeteve për të gjithë tifozët, që do të ndjekin nga stadiumi ndeshjen.

Në orën 08:00 të 8 tetorit bëhet me dije se do të bllokohen disa segmente rrugore, si dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në këto akse rrugore:

-Bulevardi “Qemal Stafa” që fillon nga Posta deri në dalje të unazës, për në Librazhd.

-Bulevardi “Aqif Pasha”, që fillon nga “1 Maji” deri tek ish-konservimi i   vjetër.

-Nga ish-konservimi i vjetër deri tek Harullajt.

-Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga “rrethrrotullimi i luleve” deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës.

-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit.

-Nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve në dy bulevardet kryesore.

Hyrja e tifozëve 16:30-20:15

Bëjmë me dije se hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 16:30 dhe do të mbarojë në orën 20:15, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium.

1500 punonjës policie do angazhohen

Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 1500 punonjës policie, nga këto 308   punonjës policie do të jenë nga Drejtoria e Policisë e Qarkut Elbasan.

Masat për tifozët

Nuk do te lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.

Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:

a) sende të forta,

b) shishe (të çfarëdollojti)

c) fishekzjarre

d) monedha apo metale (të çfarëdollojti)

Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.

Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.

Të gjitha lokalet që ndodhen në Bulevardin “Aqif Pasha”, nga stadiumi deri tek “Shatërvani”, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.

Në të gjitha ballkonet, ambientet dhe pallatet përreth stadiumit nuk do të lejohen persona që nuk janë pjesëtarë të familjes.

Drejtoria e Policisë së Elbasanit i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 8 tetor 2015, lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama