Ndeshja Shqiperi-Armeni Plisat e Prishtines perleshen fizikisht me tifozet e Mitrovices

Ndeshja Shqiperi-Armeni, 'Plisat' e Prishtines perleshen fizikisht me tifozet  e Mitrovices

Një përleshje fizike mes tifozëve shqiptarë të Mitrovicës  dhe ‘Plisat” e Prishtinës ka ndodhur mesditën e sotme në Elbasan, përpara ndeshjes Shqipëri-Armeni. “Plisat”, thuhet se janë konfrontuar me grupin e “Mitrovicës”, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të ndjekur nga afër kombëtaren tonë.

 

Ngjarja ka ndodhur pranë  kryqëzimit  “1 Maji”,  i cili ndodhet në qendër të qytetit. Burimet nga vendi i ngjarjes  bëjnë me dije për gazetën Shqip, se palët janë konfliktuar për çështjen e një parulle, që njëri prej grupeve të tifozëve mbanin në duar, e cila ishte shkruar në gjuhën serbe. Nuk dihet përmbajtja e saj. Fillimisht palët  u konfliktuan verbalisht e më pas, situata degjeneroi në përdorimin e sendeve të forta. Burime të pakonfirmuara  nga policia, thonë se gjatë përleshjes janë përdorut edhe thika.

 

Nga të dhënat paraprake bëhet dije se 4 persona  kanë përfunduar në spital. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e tyre dhe plagët që kanë marrë në trup. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët bënë të mundur shoqërimin e disa prej tifozëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama