Natyra ka privilegjuar Shkodren...

Natyra ka privilegjuar Shkodrën...
Një studim i REC ka nxjerrë në pah se kjo zonë ka mundësi pa fund për turizmin

E rrethuar nga lumenj e liqene, bjeshkë e alpe të mrekullueshme dhe diversiteti i bimëve e kafshëve

SHKODER- Rajoni i Shkodrës njihet nga ekspertët, si një nga zonat me vlerat më të pasura natyrore dhe mjedisore, që po të ruhen dhe shfrytëzohen siç duhet do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin ekonomiko –social, jo vetëm të kësaj zone, por edhe të zonave përreth saj. Privilegjet

Qendra rajonale e Mjedisit (REC), për Evropën Qendrore dhe Lindore, ka kryer një studim të hollësishëm të kësaj zone, duke nxjerrë si konkluzion se, në sajë të pozicionit gjeografik të përshtatshëm që ka kjo zonë, resurset e shumëllojshme të trashëguara, ndërthuren në mënyrë perfekte, duke shpalosur vlerat e një mjedisi tërheqës që krijon mundësi të mëdha për investime në fushën mjaft fitimprurëse të turizmit. Natyra, e thënë me plot gojën, i ka privilegjuar banorët e zonës së Shkodrës me mjediset e pasura me vlera natyrore plotësisht origjinale, ku më kryesoret janë: Liqeni i Shkodrës, lumi Drin, kaskadat e Drinit (liqenet e Vaut të Dejës dhe Komanit), lumi Buna, plazhi i Velipojës, rezervati i Velipojës. Laguna e Vilunit, zona e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna dhe Parku i mrekullueshëm Kombëtar i Thethit.

Më saktësisht, për të dhënë vlerat e detajuara të kësaj zone, drejtuesit e REC, i referohen ekosistemit më të pasur në Ballkan, që përfaqësohet nga liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna, që buron nga ky liqen. Studimet kanë nxjerrë se ekosistemi paraqitet me një biodiversitet të admirueshëm. Kështu liqeni i Shkodrës me një sipërfaqe prej 368 km 2, nga të cilat brenda kufijve shqiptarë ndodhen 156km2, sepse pjesa tjetër ka mbetur brenda kufijve të Malit të Zi, numëron një pasuri të rrallë brenda tij. Studimet e biodiversitetit kanë nxjerrë: 281 lloje shpendësh, 61 lloje peshqish,17 amfibësh,33 reptilësh, 37 gjitarësh, 39 molusqesh dhe 122 lloje bimësh, shifra këto që dëshmojnë për vlerat e padiskutueshme të këtij liqeni. Vlerat mjedisore të kësaj zone shtohen dukshëm, po të kihet parasysh fakti se ka një lidhje të njëpasnjëshme të liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe detit Adriatik, lidhje në të cilën vihen re ligatina të shumta dhe mjedise të mrekullueshme për zhvillimin e turizmit. Por jo vetëm kjo pjesë të ofron pasuri dhe mundësi të zhvillimit të kësaj fushe, sepse më në veri të kësaj zone ndodhen alpet të pasura me një mjedis interesant dhe tërheqës në shumë aspekte.

Alpet dhe bjeshkët

Shkodra mes bukurisë dhe shkatërrimit

Alpet madhështore ofrojnë bukuri dhe peizazhe të rralla, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: zona e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna, rrafshi i Dukagjinit, ndër të cilat shfaqen luginat e lumenjve alpin siç janë ai i Cemit dhe i Vermoshit, me ujëra të pastra qelibar, me ujëvara të mahnitshme dhe liqene të tipit alpin. Por kur studiohen vlerat e zonës së Shkodrës, nuk mund të anashkalohet prania e sistemit malor alpin që ndodhet në majat e larta mbi 2000m, ku spikat malësia e Bjeshkëve të Namuna me peizazhet e veçanta që ofrojnë cirqet, luginat akullnajore të Jezercës, Sefercës,Vermoshit dhe Lepushës. Por vlerat natyrore të alpeve nuk mund të kuptohen pa biodiversitetin e rrallë të bimësisë, florës dhe faunës, ku livadhet janë etiketuar si “qilima me lule shumëngjyrëshe”, ndërsa pyjet madhështore si “mushkëritë” e kësaj zone, epitete këto të njëllojta edhe për Parkun e Thethit. Por, përveç vlerave natyrore, specialistët e mjedisit në Shkodër kanë studiuar edhe nivelin e dëmtimeve të këtyre vlerave në zonën e Shkodrës. Kështu studimet kanë nxjerrë që gjatë 15 viteve të fundit ka pasur mjaft dëmtime në pyje, në zonën e Cukalit, Vilëzës, Shoshit, Mnelës dhe veçanërisht në atë të Vermoshit. Dëmtime kanë rezultuar edhe tek biodiversiteti i liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, të cilat janë shkaktuar nga gjuetia pa kriter, peshkimi me mjete shfarosëse dhe në periudha të ndaluara, është dëmtuar vegjetacioni i brigjeve i liqenit dhe lumit, ku janë hedhur mbeturina dhe janë bërë ndërtime. Shqetësuese paraqitet edhe gjendja e sipërfaqeve të gjelbra në hyrje të Shkodrës, pranë lumit Buna, ose më saktë lulishtja e Pazarit, që përfshinte 81700 m2 gjelbërim, por që nuk i ka shpëtuar dëmtimeve të mëdha, si nga sëpata, ashtu dhe nga ndërtimet. Po kështu dëmtime ka pasur edhe në kurorën rrethuese të qytetit në një rreze prej 1 deri në 3 km.

“Shpëtimi”

Ende në kohë...

Edhe erozioni mbetet problematik, sidomos në fshatrat Dajç dhe Shirq pranë bregut të lumit Buna, ku zona të tëra janë të papyllëzuara dhe të dëmtuara nga fenomeni erozion. Ekosistemi u dëmtua pas viteve 90-të dhe nga hedhja e mbeturinave në shtratin e lumit Kir që derdhet në lumin Drin e më pas në lumin Bunë. Duke parë të gjitha këto fenomene negative që kanë dëmtuar zonën e pasur natyrore të Shkodrës, specialistët e mjedisit shprehen se instancat përkatëse, duhet të vijojnë punën me strategjitë efikase në mënyrë që të ruhen dhe ripërtërihen të gjitha vlerat e padiskutueshme mjedisore dhe natyrore të zonës së Shkodrës, si dhe të merren masa të menjëhershme për ruajtjen nga dëmtimi i mëtejshëm i këtyre vlerave.

Sipas specialistëve, ruajtja dhe ripërtëritja e këtyre zonave arrihet, duke u marrë të gjitha masat për mbrojtjen e vlerave ekologjike të zonave të dëmtuara nëpërmjet projekteve dhe programeve të veçanta nga institucionet që merren me ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit, duke monitoruar dhe ruajtur terrenet e pasura, duke ndaluar ndërhyrjet abuzive, duke eliminuar faktorët shkatërrues të mjedisit, duke krijuar një harmoni ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe atij ambiental ,duke ruajtur impaktin ambiental dhe ngritur struktura administrative dhe ligjore që do të merren me këto pasuri të mrekullueshme. Marrja e gjithë këtyre masave do të bëjë që të gjitha vlerat mjedisore dhe natyrore të zonës së Shkodrës të futen në rrjedhën e shfrytëzimit nga fusha e turizmit, që do ti japë një zhvillim të shpejtë kësaj zone, e cila tani për tani njihet ende si një zonat më të varfra ekonomikisht, pavarësisht nga vlerat e mëdha mjedisore dhe natyrore që mbart në vetvete.

Nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama