Nafta spekulim prej 10 lekesh per liter

Nafta, spekulim prej 10 lekesh për liter
Rezulton se aktualisht, në tregun shqiptar ka një spekulim prej së paku 10 lekë për litër nafte të shitur. Duke marrë për bazë çmimin e naftës në tregun ndërkombëtar dhe duke i shtuar koston fiskale, kompanitë e tregtimit të karburanteve duket se po realizojnë fitime që variojnë në 20-30%, në një kohë që në deklarimet e tyre fiskale, tregtia e naftës rezulton një veprimtari me normë fitimi prej vetëm 5%. Tregu ndërkombëtar Çmimet e lëndëve të para, duke filluar nga nafta e duke mbaruar te ushqimet, pësuan rënie drastike gjatë ditëve të fundit, për shkak të krizës financiare amerikane që arriti kulmin me falimentimin e gjigantit Lehman Brothers.

 Çmimi i naftës bruto ra nën 90 dollarë për fuçi në Dubai, Londër dhe Nju Jork, pasi besohet se konsumi i naftës në botë do të ulet me shpejtësi si pasojë e krizës. Në vitin 1997, kur ekonomitë aziatike ranë në krizë, çmimi i naftës u përgjysmua në atë kohë brenda një muaji, gjë që mund të përsëritet edhe tani. Në dallim nga rënia e mëparshme e çmimit të naftës, e cila u kompensua gjerësisht nga forcimi i dollarit kundrejt lekut, kësaj here, rënia e çmimit ndodhi pa u shoqëruar me forcimin e dollarit. Kostoja e naftës Çmimi i naftës së rafinuar në tregun ndërkombëtar është 800 dollarë për tonë aktualisht, e barasvlershme me 67 lekë për litër. Këtij çmimi i shtohet akciza prej 37 lekësh për litër dhe TVSH. Në total, kostoja e nxjerrjes së naftës së cilësisë më të lartë në treg, arrin në 125 lekë për litër, nga 155-160 lekë për litër që është çmimi me pakicë aktualisht.

Kjo është një nga marzhet më të larta të fitimit për tregun e naftës që është regjistruar ndonjëherë. Çmimi i naftës në Shqipëri arriti kulmin në kuotën e 172 lekëve për litër. Çmimi u ul me 3.3% gjatë muajit gusht sipas llogarive të INSTAT dhe nuk ka lëvizur fare gjatë gjysmës së parë të shtatorit, pavarësisht se në tregun ndërkombëtar, janë ulur me 40% që kur arritën kulmin në qershor. Rritja e shpejtë e çmimit të naftës ka sjellë edhe rënie drastike të konsumit individual të këtij produkti nga shqiptarët. Gjatë këtij viti, vërehet se konsumi total i naftës është i njëjtë me vitin e kaluar, në një kohë kur zakonisht konsumi në Shqipëri rritet me rreth 15%.

Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama