NUK JAM PENDUAR PER ZGJEDHJET E JETES SIME

NUK JAM PENDUAR PER ZGJEDHJET E JETES SIME
Cilat janë karakteristikat e veçanta që ju ia njihni mirë vetes?

Le të themi se mirësia është një nga virtytet e mia të forta. Unë mendoj se jam njeri i mirë, korrekte me të tjerët, e dashur në shoqëri. Është pak e sikletshme të flasësh për veten në këtë mënyrë. Unë do thosha se tek njeriu ekzistojnë të gjitha: si e mira dhe e keqja. Njerëzit janë të krijuar në këtë formë. Kam përshtypjen se përgjithësisht më zotëron e mira.

Thatë që nga karakteristikat tuaja është mirësia. Është kjo anë e medaljes që tregoni dhe në momentet e vështira?

-Unë përgjithësisht mendoj pozitivisht dhe në momentin që mendon kështu, reagimet janë gjithnjë pozitive. Unë jam njeri impulsiv, por përgjithësisht nuk prek në shtegun e së keqes por në atë të të mirës. Edhe kur ndodh diçka e keqe unë mendoj arsyen pse ndodh. Kjo më bën të mos krijoj probleme me të tjerët.

Edhe në rastet kur të tjerët ju shkaktojnë një padrejtësi mendja përsëri tek e mira ju shkon?

-Është e çuditshme por unë edhe në këto raste nuk mendoj keq. Gjëja e parë që mendoj është “mos kishte një arsye pse ndodhi?”, sepse e kam të papranueshme faktin që dikush do të më bëjë keq. Sepse unë nuk dua t’i bëj keq askujt. Të paktën me dashje, jo. Mbas analizës secili mban pjesën e vet. Unë i lë Zotin se ai është shumë i madh. Unë nuk dua t’i bëj keq askujt.

Mendoni se kjo paqe me mirësinë reflektohet edhe në pamjen tuaj të jashtme?

-Ndoshta. Kur bëhej “Miss Albania” të gjithë më thërrisnin Nënë Tereza. Unë jam kjo që jam. Unë kam lindur kështu. S’kam lindur perfekte. Por në përgjithësi më mbulojnë këto virtyte.

Si arrini të evidentoheni tek të tjerët?

-Unë nuk kam kompleksin të evidentohem. Ajo gjë vjen në mënyrë natyrale. Unë nuk mundohem të sillem ndryshe. Unë sillem siç jam dhe njerëzit më pranojnë kështu siç jam. Unë nuk jam perfekte. Kam defektet e mia. Por jam unë, me të tërën me të mirat, të këqijat, jam unë. Nuk mundohem të sillem mirë kur më vjen të bërtas apo të bëj të kundërtën.

A keni pasur një model që e keni ndjekur duke u rritur?

-Në punë kam pasur Vera Grabocken. Është një zonjë që punon në mënyrë të mrekullueshme. Ka shumë energji dhe është një grua e fortë.

Në luftën për të gjetur vetveten keni ndjekur një shembull?

-E kam shumë të pranueshme veten kështu siç jam dhe nuk mundohem të gjej modele. E shoh dikë dhe i admiroj forcën që ka. Por vetëm kaq. Asnjëherë nuk mundohem të bëj si ata. Unë kam mënyrat e mia të të sjellurit dhe të punuarit, të cilat më kanë funksionuar ashtu siç janë. Unë dhe vetë si person jam energjik. Modelet që admiroj nuk dua t’i kopjoj, thjesht i admiroj.

Gjithsesi në këto vite keni ndryshuar. Çfarë keni bërë për të përsosur vetveten?

-Përsosja vjen në mënyrë natyrale. Njeriu ndryshon me jetën që kalon. Të transformon jeta sociale. Unë nuk kam bërë gjë për të ndryshuar. Ndryshimet kanë ardhur vetë me rritjen.

Keni pasur ndonjëherë beteja të vështira?

-Edhe kam pasur. Unë jam njeri shumë i fortë dhe di t’i përballoj sfidat. Me mirësi, me butësi di t’i përballoj. Në përgjithësi jam një femër e fortë. Mendoj se në këtë jetë çdo gjë rregullohet, mjafton të gjesh çelësin. Unë kam përshtypjen se kam ditur ta gjej. Thatë se shfaqeni tek të tjerët me të mirat dhe të këqijat që ke.

 Nëse ne kemi perceptuar anët e mira të këqijat tuaja cilat janë?

-Duhet të jetosh me mua për t’i njohur. Unë jam pak nevrike dhe impulsive. Sa jam e mirë, e durueshme dhe e butë aq jam dhe impulsive. Këto evidentohen në ato situata ku duhet të nxjerrësh dhëmbët. Dhe unë kam tekat e mia.

Ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni grua e bukur. A ka ndonjë histori simpatike lidhur me suksesin tuaj në shoqëri?

-Nuk mund ta them, sepse unë nuk e konsideroj veten shumë të bukur. Unë jam një vajzë si shumë të tjera. Po të dalësh në rrugët e Tiranës dhe do gjesh vajza që ke qejf ti shohësh, të kënaqet syri sepse janë të bukura pa fund. Njerëzit janë të predispozuar të më shohin thjesht se unë jam një emër që jam lancuar dikur. Mendoj se vetëm ky është ndryshimi. Unë mendoj se jam një vajzë e këndshme, simpatike, me mënyrat e veta, e pranueshme tek njerëzit. Nuk mendoj se suksesin e kam vetëm nga pamja e jashtme, mendoj se më shumë vlerësohet personaliteti.

E kthejnë akoma çunat kokën kur ecni në rrugë?

-I perceptoj dhe tani pëlqimet e njerëzve. Por mendoj se është vetëm kurioziteti se jam Misi i parë. Goca të bukura ka plot. Ato kthejnë kokën sepse shohin Valbonën. Shpeshherë më ndalojnë rrugës dhe më thonë: “Valbona , po ti nuk ke ndryshuar! “Kjo gjë mua më lumturon. Është një kënaqësi që njeriu e përfton dashje pa dashje. Por mendoj se është kuriozitet.

Një nga karakteristikat tuaja është mungesa e impostimit. Jeni e vërtetë në ekran, në jetë dhe në skenë. I vërtetë si konstatim?

-Unë them që 100 % është kështu. Unë fuqinë e vetes e shoh tek e qenit Bona. Më pëlqen ta prezantoj veten kështu siç jam. I respektoj rregullat e skenës por nuk ngacmoj aspak të qenin Unë. Këtë nuk e ndryshoj.

A ka kërkuar dikush ta ndryshojë Unin tuaj?

-Askush, nuk guxon. Kam personalitetin tim. Nuk lë njeri të më ndryshojë. Kritika marr dhe i quaj shumë normale. Kanë qenë dhe ato pjesë e rritjes sime. Mendoj se njeriu përmirësohesh me kohën. Çdo gjë vjen me hap. Perfeksionimi vjen në mënyrë graduale.

Në shoqëri keni zënë gjithnjë vendin e liderit?

-Nuk e kam këtë kompleks. Në përgjithësi në shoqëri kam pasur një vend të konsiderueshëm. Dhe kjo ka ndodhur shumë shpejt, dhe nuk ka lidhje me missin. Unë që kur kam qenë fëmijë kam qenë tip shumë i shkathët, me shumë personalitet që i jepja drejtim gjërave. Në një farë mënyre drejtoja si gocat dhe çunat e lagjes. Ka ardhur në mënyrë natyrale drejtimi. Dhe kur luanim unë dija të zgjidhja lojën e duhur, të organizoja dhe të zgjidhja momentin duhur për të bërë gjërat.

Kjo ka vazhduar dhe kur jeni bërë e madhe?

-Është një karakteristikë që më ka ndjekur gjithmonë. Unë jam njeri i organizuar në përgjithësi.

Jeni e organizuar dhe kur i vini vetes qëllime për të arritur diku?

-Jo. Unë jetën e kam jetuar dhe gëzuar siç më ka ardhur. Nuk kam kërkuar shumë, i kam lënë gjërat të më rrjedhin. Unë më shumë kam pasur dëshira se qëllime në jetë. Dhe ato dëshira unë i kam realizuar. Nuk kam qenë e mbytur nga qëllimet se duhet ta bëj diçka medoemos. Unë nuk jam shumë ambicioze. Unë nuk vdes po nuk e realizova diçka në jetë.

Kur një vajzë bëhet miss është e lidhur me skenën, spektaklin, dukjen. Ju e keni këtë kompleks?

-Unë nuk dua të dal kudo. Unë nuk jetoj për tu dukur. Kënaqësinë e marr në rrugë, në shoqërinë time. Nuk kam nevojë të shfaqem kudo dhe t’i bëj reklamë vetes.

Raportet me njerëzit gjithnjë mbi shina pozitiviteti?

-Nuk mbaj mend gjatë jetës sime të kem një raport negativ me dikë. Personat joshës kanë një magji të brendshme. Ato shprehin diçka por jo gjithçka.

Ju keni sekrete të jetës suaj që nuk i shfaqni dhe që ju bëjnë misterioze për të tjerët?

-Sekretet janë për të respektuar jetën time. Janë ca gjëra private që nuk duhet të hidhen në shesh sepse nuk janë bërë për t’i hedhur në shesh. Jeta e një njeriu është vetëm e tij, dhe ndërsa janë të tijat nuk ka pse të dalin për të tjerët.

Megjithatë e keni një mister të brendshëm?

-Nuk e di se ku e kam misterin sepse në fakt unë mendoj se jam një libër shumë i lexueshëm për të tjerët. Se di.

Përgjithësisht vlerësimet e të tjerëve ndaj jush ku konsistojnë?

-Për korrektësinë, ndershmërinë, mirësinë dhe rehatinë. Jam tip komod. Nuk vë njeri në siklet, nuk vë njeri në pozitë. Mendoj se shoqëria i vlerëson këto gjëra. Nuk besoj se nuk kam bërë njerëzit të ndjehen keq. Unë i kam të pastra gjërat. Kam një mendim për njerëzit dhe këtë ia shpreh në sy. Nuk dua që ai mendimin tim ta dëgjojë nga dikush tjetër. I kam inat gjërat prapa krahëve.

A i keni arritur gjërat lehtësisht në jetë?

-Kam punuar për t’i arritur. Unë nuk vishem me taka në punë, por me atlete. Unë nuk shkoj për tu dukur në punë, po për të punuar. Këtë gjë e kam bërë gjatë gjithë jetës. Ato njerëz që më mbajnë në punë më mbajnë pikërisht për këtë gjë. Nuk më mban njeri për sytë e bukur. Sytë e bukura t’i sheh një ditë, ja një muaj dhe më pas punëdhënësi nuk ka nevojë për pamjen tënde. Në këtë botë jep dhe merr. Nuk ka ndryshe.

Pasionet tuaja cilat janë?

-Jam e lidhur me artin. Edhe puna që bëj ka lidhje me artin. Me librat nuk kam marrëdhënie shumë të mirë.

Shkoni në palestër?

-Nuk shkoj fare në palestër. Sigurisht që kur rritesh ke nevojë për pak palestër por jam pak dembele. Jam marrë shumë vite me sport dhe e ndjej veten të lodhur. Jam njeri që nuk e teproj me ushqimin, jam e kujdesshme dhe pjesa tjetër është një metabolizëm shumë i mirë.

Ka probleme me celulitin Valbona. Apo s’keni fare?

-Nuk ka femër që s’ka celulit. Kam pak dhe unë, por minimalisht.

Përgjithësisht e ndiqni modën?

-Nuk e ndjek fare. Veshjet që vesh unë nuk kanë të bëjnë me tendencat e sezonit. Unë vesh ato që më shkojnë mua në trup, që më rrinë mirë dhe më pëlqejnë. Nuk dua t’ia di fare nëse është në modë ose jo.

Çfarë e bën të lumtur Valbonën?

-Çdo gjë e bukur: natyra, dashuria, marrëdhënia e mirë, qetësia. Të qenit pranë familjes sime.

Qani ndonjëherë?

-Sigurisht që qaj. Jam njeri si gjithë të tjerët. Përgjithësisht lotoj në gëzimet e mia dhe të të afërmeve. Jam njeri që nxjerr shumë lot gëzimi.

Momentet më të vështira në jetë si i përballon?

-Atëherë nuk qaj por bëhem njeri shumë i kontrollueshëm. Në rastet e vështira del në pah ana e fortë e karakterit tim.

Keni bërë ndonjë marrëzi gjatë jetës tënde?

-Jo nuk jam njeri i marrëzive. Jam njeri me përgjegjësi dhe më pëlqejnë gjërat që natyra ka diktuar. Çmenduritë e mia janë shumë të pranueshme.

Jeni penduar për ndonjë gjë që keni bërë në jetë?

-Nuk pendohem. Kur gjërat i dua, i bëj dhe nuk pendohem. Nuk kam kaluar gjëra për të cilat të pendohem. Ka gjëra që nuk do doja ti kisha bërë. Besoj se kjo u ndodh të gjithëve.

Cilat kanë qenë prioritetet tuaja në jetë?

-Prioritet për mua ka qenë familja. Për mua karriera vjen gjithnjë e dyta. Unë nuk jetoj dot pa njerëzit e mi. Nuk jam femër karrieriste. Nuk jam njeri që vdes të jem dikushi. Jam rastësisht dikushi. Unë e ndjej veten të zakonshme si gjithë të tjerët. Unë nuk kam ëndërruar të jem mis në jetë. Unë nuk kam ëndërruar të jem njeri i famshëm. Jeta më solli të jem e tillë.

Çfarë keni ëndërruar të jeni?

-Të kem një jetë të qetë, të kem një punë të mirë me të cilën të mbaj familjen dhe kaq. Dua të bëj një jetë absolutisht normale. Nuk është se jam një femër që dua të jetoj në luks. Mjafton që unë të kem njerëzit e mi afër, të mos më mungojë ushqimi dhe të tjerat të vijnë e të ikin nuk u bë qameti. Nëse nuk vesha një palë këpucë sot do i vesh nesër. E marr shumë thjesht jetën.

Cilat janë gjërat e zakonshme që i jetoni me kënaqësi?

-Çdo gjë që ka të bëjë me jetën e bëj me kënaqësi. Unë kam një punë, kam miq kam një familje ku kthehem me kënaqësi. Me shëndet janë mirë.

A është e vështirë të ecësh në jetë kur je një vajzë e bukur?

-Impresioni i parë është i rëndësishëm dhe unë për fat këtë gjë e kam pasur. Por e mëpasmja nuk varet nga bukuria. Bukuria është vetëm prezantim. Në momentin e dytë bukuria shkon në zero dhe duhen treguar aftësitë. Unë nuk kam marrë kurrë përsipër gjëra që nuk di t’i bëj.

Me kë i keni më të mira marrëdhëniet?

-Me të gjithë. Unë kam konceptin se për fat njeriu mund të jetë i pasur dhe po për fat mund të jetë i varfër. Për mua ka vlerë njeriu dhe jo gjërat që ai zotëron. Njeriu përfaqësohet nga karakteri jo nga pasuria. Personalisht kam marrëdhënie shumë të mirë me pastruesen, me atë që fshin rrugën. Me çdo njeri. Çdokush ka në jetë fatin e vet. Për mua të jesh presidente apo roje është njëlloj. Këtë vlerësim e kam prej familjes sime. Jam edukuar me respektin ndaj qenies njerëzore me çdo lloj petku qoftë ai.

Keni kaluar një fëmijëri të bukur?

-Kam kaluar një fëmijëri të mrekullueshme. Unë kam pasur fatin të jetoj në një familje me harmoni dhe kjo është shumë e rëndësishme për një fëmijë. Kam jetuar me dy prindër pozitivë që më kanë dhënë shumë dashuri. Jam rritur mes dashurisë. Me familjarët e mi jam shumë e lidhur. Ne vuajmë, gëzojmë dhe mërzitemi të gjithë së bashku. Marrëdhëniet nuk i kam krijuar kurrë për interes, vetëm për ndjenjë shpirtërore.

Marrëdhënia me nënën si është?

-E kam të mahnitshme. Ajo është një grua e fortë dhe unë i kam ngjarë asaj në karakter.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama