NOTAT/ Vleresimet e lojtareve ja ku gaboi Agostineli perballe Dajes

NOTAT/ Vlerësimet e lojtarëve, ja ku gaboi Agostineli përballë Dajës

Autorët e golave dhe trajneri i bardhebluve kanë marrë notat më të larta pas përfundimit të derbit Tirana-Partizani në "Selman Stërmasi".

FUTBOLL TIRANA PARTIZANI - Lojtaret e Tiranes, duke festuar shenimin e nje goli, gjate ndeshjes se futbollit, Tirana-Partizani, 2-1, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin "Selman Stermasi, ne Tirane. /r/n/r/nSOCCER TIRANA PARTIZANI - Tirana's players celebrate scoring during the Albanian Super League football match Tirana vs Partizani, 2-1 at the "Selman Stermasi" stadium in Tirana.

Për ekipin e Tiranës futbollisti më i vlerësuar është Bakaj, ndërsa me notën më të ulët është vlerësuar Muça, pas kartonit të kuq që mori në minutën e 56´.

Për Partizanin nota më të larta kanë marrë Sukaj dhe Fili, ndërsa trajneri Agostineli duket se e ka humbur betejën me rivalin e tij.

TIRANA

Ed.Bakaj 6,5 - Mund të kishte bërë më tepër te rasti i golit në sekondat e fundit, por gjithsesi zhvilloi një ndeshje të mirë dhe nuk bëri asnjë gabim. Konstant..

Teqja 6 - Vuan në pjesën e parë në krahun e djathtë dhe ka përgjegjësi te goli i Sukajt. Në pjesën e dytë, sidomos pas spostimit në qendër të mbrojtjes, përmirësohet ndjeshëm dhe ia del mirë.

Muça 4,5 - Dy nota më pak sepse e lë skuadrën me 10 veta në një moment delikat, por edhe sepse mori dy të verdhë krejtësisht të evitueshëm. Një mbrojtësi me staturën e tij kjo nuk i falet, sado mirë të ketë luajtur në 56 minuta.

Gërçaliu 6 - Luftarak dhe agresiv pa masë, por shpesh më i ngadaltë sesa duhet për ndeshje me këtë ritëm. Gjithsesi shtrëngoi dhëmbët pas daljes së Muçës dhe sakrifikoi shumë.

Hoxhallari 7 - Një nga ndeshjet e tij më të mira me Tiranën. Asnjë gabim në fazën mbrojtëse dhe ndihmon shumë në atë sulmuese. I qartë dhe i vendosur në veprimet e tij, i jep shpesh frymëmarrje skuadrës me inkursionet.

Vucaj 6,5 - Nuk është ende ai i kohëve të arta, por këtë herë, ndryshe nga më parë, i duhet të mendojë më shumë për mbrojtjen sesa për sulmin. Dhe ia del mirë. I rëndësishëm (Nga min 73´ Papa- Nuk stonon, përkundrazi lufton si të mundet).

Karabeci 7 - Kapiten i vërtetë. Dirigjon me qetësi dhe autoritet mesfushën, lufton si luan dhe nuk e humb për asnjë moment toruan. Ndër të paktit që i jep frymëmarrje Tiranës kur presingu i kuq është asfiksues.

Peçi 6,5 - Një lojtar i fituar te bardheblutë. I shkëlqyer tek aksioni i golit të dytë të Tiranës dhe ka shumë autoritet në fushë. Nëse mbetet i përulur dhe po kaq sakrifikues edhe në të ardhmen, me siguri do bëhet dikushi (Deliaj nga min 63´ - Duket sikur ka një jetë që luan titullar, por është ende shumë i ri. Provë e shkëlqyer për mbrojtësin e krahut).

Lika 7 - Fantastik te goli i dytë i Bakajt. Dakord, nuk bën më mrekullira si dikur, por ama sakrifikon shumë dhe iu desh të luftonte sa për dy (Halili nga min 90+2´ - I pafat, mund të kishte shijuar më shumë sesa një barazim dramatik).

Fukui 7 - Ka pak lojtarë si ai që vrapojnë aq shumë dhe që luftojnë aq shumë. I lëvizshëm duke mos u dhënë asnjë pikë referimi rivalëve dhe befasues në daljet pas shpine. I rrezikshëm.

El.Bakaj 8 - Gol dhe shumë lëvizje pa top. Ndryshe nga shumë herë të tjera, dje ishte i pamarkueshëm për mbrojtësit e Partizanit. Nëse do kishte bërë liderin në të gjitha ndeshjet, ndoshta Tirana mund të kishte disa pikë më shumë tani.

Trajneri Ilir Daja 7,5 - I detyruar të hedhë në fushë një formacion pa surpriza dhe me mungesa të mëdha, arrin të bëjë atë që pak vetë e mendonin para se të niste ndeshja. Ishte duke mundur Partizanin pas 8 ndeshjesh... Qartazi kishte punuar mirë me skuadrën dhe ekipi iu bind në perfeksion. Mëkat nëse nuk vazhdon të jetë më trajner i kësaj skuadre.

PARTIZANI

Hoxha 6 - Pa faj te golat e Tiranës, sepse mbrojtësit e tradhtojnë. Sa për pjesën tjetër është i përhershmi: hijerëndë dhe me shumë prezencë në fushë.

Fejzullahu 5 - Ndeshje për t'u harruar. Asnjë inkursion dhe asnjë asist i vyer për shokët. Kurrë më parë nuk kishte vuajtur kaq shumë në një ndeshje me Tiranën.

Krasniqi 4,5 - Fajtor te goli i dytë i pësuar, sepse nuk lexoi mirë aksionin dhe Bakaj iu shkëput sikur të ishte fillestar. Paraqitje nën nivelin mesatar. (Nga min 54, Fili 7,5 - I jep grintë skuadrës dhe shënon golin që mban në lojë Partizanin për titullin. Një blerje e zgjuar e të kuqve)

Atanda 5 - Ndeshje jo e mirë për nigerianin. Gabon disa herë dhe në rastin e golit të Muçës nuk mbulon asnjë lojtar. I ngadaltë në lëvizje dhe në mendim.

Ibrahimi 5,5 - Nuk i jep asnjë ndihmë skuadrës në fazën sulmuese dhe më shumë se sa duhet i ashpër. Nuk shfaqet vendimtar as në goditjet standarde për të shfrytëzuar shtatlartësinë. Gilman Lika e bën të vuajë disa herë.

Gomez 6 - Vuan presingun e vazhdueshëm të Karabecit dhe të mesfushorëve të tjerë të Tiranës. Pak i ndihmuar edhe nga loja në krah e shokëve. Gjithsesi munguan vertikalizimet dhe qetësia e një regjisori për ta bërë Partizanin më efikas në zonën e rivalëve.

Batha 6 - I ashpër sa duhet, por ndonjëherë e tepron me nervozizmin. (Nga min 68, Raçiç 6,5 - E ul ai topin për Sukajn në golin e dytë dhe kur shkodrani doli huq finalizoi Fili. I vlefshëm për Partizanin).

Trashi 5,5 - Punon shumë dhe jep shpirtin në fushë, por pa efikasitetin e duhur. Asnjë inkursion për të qenë, ndonëse nuk ka frikë të përplaset me këdo në fushë.

Vila 5,5 - Pak i qartë në fushë. Felipe dhe Batha nuk i japin topat kur duhet dhe si duhet që ai të nisë galopimin. Kjo e detyron të kthehet në thellësi dhe të mos dalë asnjëherë në lojën e tij.

Torrasa 5 - Përhumbet në mesfushën e Partizanit dhe nuk ka lidhje fare me lojtarin e ndeshjeve të fundit. I ngadaltë dhe disi i trembur në fushë. Nuk bën asgjë për t'u mbajtur mend. (Nga min 78, Bardhi - Grintë dhe cilësi. Është e ardhmja e Partizanit dhe ndoshta edhe e futbollit shqiptar)

Sukaj 8 - Shpik një gol nga hiçi dhe mban në panik mbrojtjen bardheblu gjithë kohën. Në rastin e golit të dytë tërheq me vete sërish dy mbrojtës dhe i hap rrugën Filit të shënojë. I pazëvendësueshëm te Partizani. Nëse do të hiqte dorë nga gjuajtjet pa kuptim nga distanca, mund të quhej lider. Trajner,

Andrea Agostineli 5,5 - Të barazosh një derbi në sekondat e fundit në fushë kundërshtare, nuk është dramë. Por qartazi dukej që s'e kishte përgatitur ndeshjen si duhet. Zëvendësimet i goditi, por nuk u dha dot zgjidhje manovrave të lojtarëve të tij në mesfushë. Ishin kaotike thuajse gjatë gjithë ndeshjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama