Muzeu Kombetar; Mes joshjes se turisteve vapes dhe rikonceptimit

Muzeu Kombetar; Mes joshjes së turistëve, vapës dhe rikonceptimit

Temperaturat shënojnë mbi 40 gradë. Ditë të nxehta që nuk janë parë prej disa vitesh. E megjithatë, kuriozët, me aparat në dorë i sheh nëpër rrugët e Tiranës. Janë turistë të huaj që kanë zgjedhur të shuajnë kureshtjen për vendin e vogël. Fokusojnë gjithçka që ju tërheq vëmendjen në kryeqytetin shqiptar. Përshtypjet nga ajo që është e sotme i marrin në mënyrë të vetvetishme. Ndërsa për të njohur të kaluarën, historinë dhe kulturën e këtij populli, domosdoshmërish i drejtohen Muzeut Kombëtar.

Me një biletë, që për ta ka vlerën e 300 lekëve të reja, ndërmarrin udhëtimin përmes historisë. Në pavijonet e Muzeut Kombëtar që tregojnë të kaluarën. Për të huajt ndoshta është e mjaftueshme, por prej disa kohësh është ndërmarrë një proces rikonceptimi për të paraqitur me vërtetësi të gjitha ngjarjet historike të përjetuara në Shqipëri. Është menduar edhe për ngritjen e atyre që mungojnë, si ai i Pavarësisë e i Komunizmit, si dhe pasurimi i atyre ekzistues, jo pak të përfolur si pavijoni i Luftës Antifashiste. "Vapa është shumë e madhe dhe ka ndikuar edhe në numrin e vizitorëve", - na thonë te sporteli. Gjithsesi, nuk mungojnë. Gjatë vizitës tonë takojmë disa të tillë. Ata që këto ditë ngjiten shkallëve të muzeut, e i shkojnë deri në fund pavijonit të Gjenocidit, do të shohin se në hapësirën ngjitur me të, të shpërndara në mënyrë të çrregullt ka objekte etnografike. Prej disa kohësh po punohet për çeljen e një ekspozite etnografike.

Sigurisht që pas gjenocidit nuk është një ndjesi e këndshme të shohësh kulturën popullore, por kjo hapësirë ka qenë e vetmja e mundshme. Janë vetëm disa ditë nga përurimi dhe objektet po vendosen nëpër vitrina. Duke filluar nga 1 gushti do të jetë e hapur për vizitorët si një dimension i munguar, por edhe i kërkuar nga turistët. Deri më tani, arkeologjia dhe ikonografia kanë tërhequr më shumë vëmendjen e tyre. Ndërsa kanë një tërheqje të veçantë ndaj kulturës popullore. Janë të shumtë ata që ndalojnë në dyqanin brenda muzeut ku shiten suvenire, endje, prodhimet veshjeve, riprodhimet e drurit e të tjera, që sillen këtu nga individë të veçantë, apo edhe nga shoqatat e artizanëve. Shumica e tyre, të mbështetura mbi motivet e traditës.

Statistikat
Numri i vizitorëve në Muzeun Kombëtar varion. Njëra ditë është e ndryshme nga tjetra dhe po ashtu edhe muajt. Numrin më të madh në këtë sezon veror e shënojnë turistët e huaj. Shifrat që na ofrohen për tre ditë të ndryshme janë: 13 turist të huaj, 19 shqiptarë; 47 të huaj e 4 shqiptarë në një ditë tjetër dhe 52 të huaj e 19 shqiptarë. Vetëm gjatë muajit qershor, Muzeu Kombëtar është vizituar nga 1.071 të huaj, 288 shqiptarë dhe 1.698 vizitorë pa biletë që kanë hyrë për të parë ekspozitat e ndryshme. Sipas drejtorit Meta, numri i tyre është rritur në krahasim me një vit më parë dhe i quan shifra të mira.

Nga një përllogaritje e thjeshtë, fitimet që merren nga biletat e turistëve të huaj gjatë qershorit janë 3 milionë e 200 mijë. Shifër e cila i shkon shtetit shqiptar. Për Metën, institucionet shqiptare nuk janë ende të gatshme për vetë administrim dhe përcaktimi i fondeve është zgjidhja më e përshtatshme, të paktën për këto kohë. E megjithatë, numri i turistëve në muze vetvetishëm është i lidhur me vet zhvillimin e turizmit në Shqipëri. E këtu janë një sërë faktorësh të tjerë të lidhur zinxhir, që do të tërhiqnin ose jo të huajt drejt vendit tonë.

Pavijoni Etnografik
Një hapësirë rreth 1.000 metra do t'i kushtohet etnografisë në Muzeun Kombëtar. Nuk është një pavijon përfundimtar, por një ekspozitë e përkohshme që do t'i paraprijë një seksioni të tërë. Objekte të nxjerra nga fondi dhe disa ekzistuese (të ekspozuara këto në një ekspozitë në kohën kur në drejtim ishte Moikom Zeqo), po vendosen në vitrina. Një tjetër rrugë për të ekspozuar kulturën popullore shqiptare. Prezantimi i së cilës, vitet e fundit ka ngelur në projekte, në ekspozita të vogla, disa personale, apo në idenë e një muzeu etnografik (i mbetur gjithnjë në diskutim). Janë rreth 450 objekte të artizanatit shqiptar që do të hapen për publikun në datën 31 korrik ora 10.00.

Sipas drejtorit të MHK-së, Beqir Meta edhe konceptimi i saj do të jetë i përkohshëm. Çdo gjë do të lëvizë sërish për seksionin e madh të etnografisë, nëse do të arrijë të realizohet. Fatura financiare është e madhe dhe e tillë do të jetë nëse as kjo ekspozitë e përkohshme nuk do të dalë në funksion të tij. Në disa vitrina janë vendosur objektet e artizanatit shqiptar, e përkrah tyre edhe ato të atij qytetar, të shprehura këto në veshje, në stoli, në vegla muzikore, veglat e punës e objekte të nevojshme për ambientet shtëpiake. Sipas Sotirulla Hoxhës, shefe e sektorit të përmbajtjes, këto objekte janë nga më përfaqësueset. I përkasin tërësisht fondit të Muzeut Kombëtar. Asgjë nuk është marrë nga Instituti i Kulturës Popullore (edhe pse ishte parashikuar një gjë e tillë), përveç konsultimit të specialistëve. Janë 40 vitrina vertikale dhe 20 horizontale që do të tregojnë traditën kulturore shqiptare.

Kondicionimi
Një problem i nënvizuar për vite me radhë është kondicionimi. Ka ngelur ende pa u zgjidhur, i mbartur që në ndërtimin e vet godinës. Mungesën e ndjen sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta. Duhet të qëndrosh vetëm pak e të fillosh të ndjesh zagushinë e djersën. E njëjta gjë është edhe për turistët që hyjnë për të mësuar historinë dhe kulturën shqiptare. Nga një kat në tjetrin, dëshira e qëndrimit para vitrinave të ndryshme mund të mundet nga mungesa e komoditetit. Por problemi sërish na çon te fatura financiare.

Luhatjen e temperaturës nuk e vuajnë vetëm njerëzit, por të gjitha objektet që ekspozohen në këtë muze. E padashur, të shkon mendja te arkivi i ikonave, kaq shumë i diskutuar. Edhe pse një arkiv i ri është ndërtuar, ato ende nuk janë sistemuar, e gjenden nën vapën përvëluese të katit të tretë. Pavarësisht përpjekjeve në drejtim të rikonceptimit dhe pasurimit të tij, situata klimatike në Muzeun Kombëtar do të vazhdojë e tillë. Edhe për sa? Kësaj nuk i dihet...

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama