Mrekullia e parajses shqiptare te Jonit

Mrekullia e parajsës shqiptare të Jonit
Rruga gjarpëron në shtatë kthesat e famshme të Llogorasë, aty ku bregasit e kanë pagëzuar “Rrugët e Bardha” ku kaloi Çezari në vitin 48 para Krishtit, në prag të ndeshjes së tij me Pompeun. Më tej peizazhi pason me plazhet e Dhralesë në Palasë, të Perivolit, të Jaliskarit, të Shkambos në Dhërmi, të Gjipesë e me tej me mrekullinë e Jalit që shtrihet në këmbët e fushës së Vunoit. Që nga Karaburuni malet e Vetëtimës i qëndrojnë si “roje” sipër detit sikur ta ruanin atë nga valët shkumëzuese të detit në dimër. Vetëm në verë deti duket sikur bën paqe më bregun, me gjiret, me plazhet, me njerëzit, me rërën e zallin, me shkëmbinjtë e honet, me grykat e shpellat, me gjallesat nënujorë dhe ato të florës dhe faunës së mrekullisë joniane. Kush i shkeli një herë këto treva dhe nuk ngeli “rob” për të shijuar sërish mrekullitë e natyrës joniane. Panorama mahnitëse në mes gjelbërimit e të ullirit të shfaq papritur një hapësirë të pafund kaltërsie. Përpara të shfaqet madhështia e detit dhe e bregdetit të tij dhe nga ana tjetër ashpërsia e malit që në shumë vende bie thikë mbi det. Gjiret e shumta detare (për të cilat duhet thënë se natyra ka qenë e kursyer) ja shtojnë edhe më tepër bukurinë piktoreske. Peizazhi natyror është shumë tërheqës, prandaj edhe plazhet e Dhërmiut, të Jalit, të Himarës, të Qeparoit, Borshit, Piqerasit e Lukovës janë bërë këto vitet e fundit tepër të pëlqyer dhe të frekuentuar.

Të joshur nga ky ballkon i natyrës mendja më shkon tek vargu brilant i poetit të njohur të bregut Lefter Çipa “…Këtu në vendet e mia/ ku dhe zoti vjen i ftuar…”. Parajsa e plazheve është padyshim, në Dhërmi, në Jalë, Himarë, Qeparo, Borsh, Piqeras, Lukovë e deri në Butrint. Rruga edhe pse është vënë dorë mbi të përsëri mban për autor projektusesit austriakë të vitit 1918. Ajo gjarpëron përmes ullishtesh dhe ngjitet në Palasën historike. Sa kalon urën e Palasës bletërritës të shumtë të ofrojnë mjaltin e famshëm të zonës. Ata tashmë kanë “pushtuar” territoret e ish-batalionit ushtarak të Palasës, që pati një jetëgjatësi mëse 20 vjeçare. Më tej rruga të fton mes aromë lulesh dhe frutash të limonave dhe portokalleve që janë simbol i bregut të begatë dhe i dorës së palodhur të punës dhe të djersës së bregasve. Nga Llogoraja në Dhërmi makina “fluturon” falë investimit në një rrugë të re kryesisht në funksion të turizmit të ri që lulëzon vrullshëm në këtë zonë. Vunoi dhe Vranishti - një shtëpi me një çati dhe me dy porta Në Dhërmi në fshatin më shkollë më se 400 vjeçare, në fshatin e shkrimtarit të shquar shqiptar Petro Marko marrin jetë libra të prozatorit të madh shqiptar që prehet nën hijen e një ulliri.

Në të dalë të këtij fshati buzë rrugës bare e restorante duken se janë ngritur në qiell mbi plazhin e Dhërmiut. Ata janë ngritur kryelartë si kapedanët e bregut, “të penës e të dyfekut”. Të papërsëritshëm në llojin e vet, mahnitës sikur je në avion dhe jo në tokë sikur je vizitor i qiellit dhe jo i tokës. 500 metra mbi det dhe të shikosh poshtë nuk ke tokë por detin e kaltër të paanë e të pafund. Nuk dëshiron që kjo pamje të mbarojë. Kur kalon fshatin Ilias befas përballemi me qytet-fshatin Vuno. E quajmë qytet prej planimetrisë, vendosjes, kanalizimeve që është i pari fshat i Shqipërisë. Por Vunoi ose siç thirret “mal” është i binjakëzuar me fshatin mbrapa malit, Vranishtin, fshat me traditë të madhe në lumin e Vlorës. Është kjo arsyeja që Vunoi dhe Vranishti quhen një shtëpi më një çati dhe me dy porta. Vunoi me mençurinë zgjuarsinë dhe trimërinë e bijve dhe bijave i ka dhënë emër dhe e ka ngritur atë në altarin e kombit. Dhjetëra e dhjetëra intelektualë dhe sidomos oficerë madhorë ka “prodhuar” fshati-qytet me emrin Vuno.

Jala dhe kisha veneciane

Në këmbët e Vunoit ndodhet Jala, një emër i vjetër dhe i ri i rivierës dhe i turizmit shqiptar. Të duket sikur në këtë parajsë të perëndisë zbret nga qielli dhe jo nga toka përmes rrugësh gjarpërushe përmes një fushe të mbushur me ullinj e me fruta të shumta si portokalle, limonë, fiq, kumbulla, arra, vreshta etj. Në Jalë bashkëjeton deti me tokën e malin, me ajrin e pastër, me ujin e kristaltë, me klimën e shëndetshme, aty majë një kodre, kodrës më të bukur të Jalës në një sipërfaqe prej 8000 m² ngrihet Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve që mban emrin e “arkitektit” të saj “Andon Sheti”, burrit të mençur, ushtarakut të zotë që kishte origjinën nga Bregu i Kapedanëve, bregu i burrave të kuvendit, që u godit nga diktatura. Janë 226 shkallë që lidhin kaltërsinë e detit befasues me korpusin e tre godinave të pushimit të ushtarakëve. Vijnë këtu ushtarakë të niveleve të larta drejtuese të Forcave të Armatosura Shqiptare. Shtëpinë e pushimit të ushtarakëve e nderojnë edhe miq, gazetarë e deputetë të parlamentit shqiptar etj. Në lartësinë sunduese të kodrës më piktoreske të Jalës dy godinat e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve sikur ja hijeshojnë edhe më shumë bukurinë qytezës turistike të Jalit. Duket sikur ndërron klimë dhe del nga plazhi në mal por jo me teleferik por me shkallët e sheshta dhe të shtruara me mjeshtëri. Diellit të verës së nxehtë “i bëjnë shoqëri” pushuesit e shumtë, që kur ai çel syrin mbi malet e Vunoit deri sa “shtrihet” për gjumë tej në perëndim mbi det. Pikërisht këtu nuk ka nevojë për kondicionerë pse flladi i detit, dhe era nuk mungon. Këtu klima të fal shëndet dhe të përtërin forcat për punë. Por këtu në Jalë pluhuri i historisë ka “mbuluar” visare të së shkuarës, të kulturës dhe të traditës sonë. Ne mësuam që në këmbët e Majës së Taborit (tabur- nga osmanishtja do të thotë batalion) ndodhen rrënojat e një kishe veneciane gati 700 vjeçare, që sipas banorit Hil Bala atë deri më sot e kanë vizituar vetëm vizitorë të huaj (gjermanë e italianë) që kanë mbërritur edhe me harta të posaçme për vendndodhjen e tyre më të vjetër të Jalit. Kisha veneciane e Jalës ka një mbishkrim ende të padëshiruar. Ah sikur të ishte ilirisht!.

Nga “Kulla e Pashait” tek Vila 30 vjeçare e Jalit

Në çdo skutë të Jalës ka një histori. Nuk ka kaluar veçse një shekull kur Jalën e bukur të Jonit e zotëronte një tabur (batalion) osman. Në krye të kodrës gjendej një “kazermë” e thjeshtë dhe një stallë kafshësh, por edhe kulla e vrojtimit, që thirrej “Kulla e Pashait”. Në shkallaret e Jalës si një dëshmi historike e ndërtimit ka të dokumentuar një datë 3.5.1973. Ka qenë pikërisht viti kur “Vila” e Jalit merrte jetë nën kujdesin e Ish-drejtorit të drejtorisë së Zbulimit Andon Sheti. Në kuadrin e 30 vjetorit të çlirimit, në nëntorin e vitit 1974 Jala bëhej gati të inaugurohej. Por në vend të inaugurimit të saj vinte e ashtuquajtura “fshesë e hekurt” që ra pa mëshirë mbi ushtarakët madhorë të ushtrisë. Arkitekti i saj do të burgosej dhe persekutohej, do të shkonte si shumë të tjerë në gijotinën e diktaturës. Jala nuk do të ngelej “jetime”. Fare pranë saj në Himarë në 1976 do të ngrihej Brigada e Himarës që pati jetë vetëm 20 vjeçare (1976-1996), e cila kishte në vartësi repartin e Jalës. Në fakt Vilat e Jalës vetëm në vitin 1977 do të quheshin “të përfunduara”, por në fakt edhe të harruara. Pas vitit 1985 ajo do të kompletohej dhe me një kapacitet prej 11 dhomash do të vihej në shfrytëzim vetëm për pak kohë. Në vitet 1992 deri 1997 do të shfrytëzohej me një kapacitet dhomash tepër të reduktuar dhe që ishte në vartësi të Brigadës së Himarës. Vetëm pas viteve 2000 do të vihej përsëri në funksion të plotë pune dhe me ngritjen dhe vendosjen në funksion të godinës së re 3 katëshe me kapacitet 12 dhoma vitin që shkoi do të bënte që të rritej kapaciteti pushues për 23 ushtarakë për çdo rejs 10 ditor. Hapësira prej tetë mijë metrash katrorë në pronësi të FA lejon mundësinë e investimit dhe të rritjes së kapacitet në të ardhmen.

Tre mini skela dhe pesë plazhe gjysmëhëne

Tre mini skelat e Jalës vijnë që nga antikiteti edhe pse ato mbajnë emrat e tyre janë ndërruar disa herë. Tashmë vijnë me emra të rinj nga fise të vjetra Skela e Duke, e Kape dhe e Spire. Pesë plazhet e Jalës janë si ballkon në formën e gjysmëhënës ku dallga dhe valëzimi i detit puthin orë e çast rërën e “lozin” me shkëmbinjtë e përjetshëm. Flladi i Jonit me të pesë gjiret e vegjël ku më i madhi i tyre nuk është më shumë se gjysmë kilometri e me një gjerësi 30-50 metra pasohet me dhjetëra e dhjetëra kilometra vijë bregdetare të karakterit disi shkëmbor. Ishin autorët e antikitetit Pseudo-Skylaksi, Polibi, Straboni, e Apiani të parët që “caktuan kufijtë” e Ilirisë dhe ilirëve në 6500 stade (staid është masë gjatësi helenike 1 stad = 177.6m). Prej stadit vjen edhe emërtimi stadium. Natyrshëm edhe në këtë pjesë të bregut, liburnët “bënin ligjin” sikurse bënin historinë me famën e tyre në Adriatik, Jon dhe në Mesdhe. Anijet liburne, dikur i binin kryq e tërthor detit Adriatik dhe Jon (e deri në Mesdhe), traditë kjo që u pasua edhe nga ardianët, autoriatët, taulantët etj. Dikur këtu në Jalë ishte streha e piratëve të detit, dhe më vonë e të gjithë pushtuesve me radhë. Aty kanë qëndruar romakë, bizantinë, osmanë, venecianë. Këtyre brigjeve, bukurive të pashoqe u ka kënduar Lord Bajroni apo Servantesi. Dallgët e detit kanë përkëdhelur dhe freskuar përjetësisht perlat e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare. Bregu i Jalës të ofron krahas bukurive edhe të papritura të panumërta, plazhe ranore e shkëmbore, skena të një të kaluare të mbushur me mite, legjenda dhe një trashëgimi historike të paçmuar. Janë tashmë të njohura edhe flijimet që ilirët bënin për nder të perëndive të tyre, betejat që zhvillonin perandorët romakë, gjurmët e 4 kryqëzatave, por edhe inspirimet hyjnore të Homerit dhe të Ciceronit. Qetësia, flladi, fëshfërima e valëve të detit, por edhe muzika e mbrëmjes në 7-8 bar restorantet e Jalës i japin jetë këtij gjiri piktoresk. Tek “Gërbi”, “Barba”, tek Lavdosh Halili, Nasi Simoni, Bashkim Andoni, Taqo Bala, Hilë Bala etj., gjen gjithçka që nga pijet gjithë shije por edhe prodhime të freskëta të detit. Në Jalë të duket vetja sikur je në “qiellin e shtatë”, në parajsën turistike të Jonit edhe pse rëra është e ashpër dhe me shumë zhavorr dhe zall. Por kaltërsia e qelqtë e detit me ujë qelibar të josh dhe të fton ta shijosh atë. Edhe kur e vrojton gjatë përsëri s’ngopesh me të. Janë fise të shumtë në Jalë na thotë Berti Rrënja, një ish ushtarak që na tregon si vendali pse është rritur pranë gjyshes së tij këtu në Jalë. Berti na flet për Përroin e Gjik Xhoxhanit, Pusin e Peristerajve (Perister –pëllumb i egër), Gjirin e Qeramidheve, Kodeden, Ngalenë, Gjipenë, Kodrat Ndërmaja, për Molin e Kape, të Spire dhe të Duke, për Qivurin e Cakokos, për rrugën e mushkave që historikisht kanë zbritur në Jalë, për majën e Kol-lekës, për Lerën e Baltovinën, për kodrën e skutarajt (kodra e shkodranit) për stanin e Koçe dhe për pusin më të ri që po hapet mbi Jalë në lartësinë 270 metra mbi nivelin e detit. Një pjesë e mirë e mbiemrave janë të njëllojtë me ata të malësisë së Shqipërisë çka flet për lëvizjen e popullatës.

Jala turistike në “darën” e historisë

Pushuesit vendas dhe të huaj që vijnë këtu në perlat e Jonit mësojnë edhe për historinë e kësaj treve. Me pushtimin osman, Himara, Vunoi, Jala, Qeparoi dhe i gjithë bregu u pushtua nga Sulltan Mehmet Ngadhënjimtari, por më 1570 osmanët u dëbuan nga venedikasit. Pas disa dekadash osmanët përsëri u rikthyen në bregdet duke vendosur në Jalë një tabur askerësh osmanë (batalion ushtarak). Më 1797 Ali Pashë Tepelena sulmoi dhe mori Himarën dhe gjithë bregdetin si hakmarrje që bregasit kishin ndihmuar suljotët. Kështu në vitin 1803 filloi të ndërtonte kalanë që sot mban emrin e tij. Pas betejave të shumta e të përgjakshme, Kara Aliu rimori plotësisht dhe vendosi pushtetin e dhunshëm në të gjithë bregun, përfundoi kalanë në vitin1818 dhe e pajisi atë me topat më modernë të kohës. Një lapidar fare buzë detit kaltërosh u flet dhe u kujton të gjithë pushuesve për historinë. Është pjesë e ngjarjeve të mëdha të Luftës së Madhe Antifashiste. Pikërisht në këtë vend është themeluar më 1 gusht 1943 çeta e Bregut e udhëhequr nga Minella Koleka, Andrea Varfi, Arshi Mero dhe Zaho Koka. Vitet do të rridhnin. Kohët do të kalonin dhe objektet e reja dhe të vjetra mesjetare e antike do të shndërroheshin në objekte turistike për tu vizituar dhe për të mësuar më shumë rreth tyre. Ato janë krenaria e historisë, traditës dhe kulturës sonë kombëtare.

Monument i rivierës joniane

Në kalanë 200 vjeçare të Ali Pashë Tepelenës të bie në sy “plazhi i nuses”, aty ku lahej Vasiliqia, e shoqja e Ali Pashë Tepelenës. Nga Kepi i Stillos deri tek Gjiri i Arushës sa kalon gadishullin e Karburunit mrekullitë nuk kanë të sosur dhe secila ka një histori. Kalaja e Ali Pashës në Palermo vetëm pak kilometra në Jug të Himarës dhe fare pranë ish-bazës së nëndetëseve të Porto-Palermos “pushtohet” çdo ditë nga vizitorë të shumtë: shqiptarë e kosovarë, grekë, italianë, malazezë, maqedonas, serbë, anglezë, gjermanë, studentë nga Evropa etj. Ata shikojnë edhe muret e kalasë së vjetër të Himarës, të ndërtuara fillimisht si fortesë e fisit epirot të Kaonëve (lebërve), që daton shekullin e IV pK- shek. XVI. Monumentet e rivierës joniane të kujtojnë udhëtimin imagjinar të Odisesë, frymëzim i Homerit... Kalaja u ndërtua me mjeshtëri nga punëtorët e Ali Pashës, nën mbikëqyrjen e arkitektit të tij Petro Përmetarit si dhe dy arkitektë të huaj një italian dhe një francez. Përmasat e kalasë janë 150 x 400 m dhe lartësia e bedenave 20 metra. Legjenda e kësaj kalaje vjen deri në ditët tona. Ai e ndërtoi këtë kala edhe si dhuratë për një ndër gratë e tij, Vasiliqinë. Në kala ndodhet dhoma e pashait, dhoma miqve ku priti edhe Lord Bajronin, dhoma e Vasiliqisë, dhoma e haremit, dhoma e rojeve, dhoma e pusit, burgu që ka shërbyer pothuaj për të gjithë regjimet. Korridori qendror brenda kalasë, kufizohet me kolona dhe harqe guri. Në kala nga brenda është edhe shkallarja që të ngjit në bedena. Prej bedenave që bien direkt mbi det mund të soditësh një pamje të rrallë fantastike përmbi kaltërsinë. Kalaja ka gjithashtu një dalje sekrete për në det. Jo larg kalasë, fare pak metra larg detit Aliu dha urdhër për ndërtimin e një kishe për nder të Vasiliqisë. Kjo kishe u ndërtua vetëm në 48 orë dhe pas përfundimit të saj Aliu e testoi fortësinë e saj duke futur brenda saj të tre arkitektët dhe i pagoi ata vetëm pasi e qëlloi kishën me top dhe asaj iu thërrmua vetëm një gur. Duhet thënë se në vendin ku u ndërtua kalaja 2 shekuj më parë ndodhej Manastiri i Shën Kollit të Palermos (dëshmi e mbishkrimit të vitit 1800 të kutisë së lipsanave (eshtrave) të shenjta të tij, që ruhen në Kishën e manastirit të Shën Mitrit në Qeparo). Syri shëtit gjirin e gadishullit dhe piktoresk të Panormës (Panormus - liman me ujëra të thella). Nga deti dhe toka mund të dallosh lehtë muret e kalasë 4000 vjeçare në kodrën e Kukumit si dhe dhjetëra e dhjetëra objekte kulturore dhe historike të turizmit të ri shqiptar. Pushuesit me rejse javore, 10 ditore apo dy javore janë ata që shijojnë kaltërsinë e detit, rërën e ajrin e pastër, por edhe kur vizitojnë monumentet historike kanë çfarë të tregojnë për vepra të përkryera të artit ushtarak me vlera të veçanta arkitektonike dhe turistike të papërsëritshme në llojin e vet. Kalatë dhe veprat e kultit të të gjithë bregut i mbajnë portat e hapur për miq vizitorë të vendit dhe të huaj.

Turizmi kulturor në bregdetin jonian

Objektet e shumta të bregut ofrojnë edhe turizmin kulturor, historik, arkeologjik etj. Kalatë e manastiret, objektet e kultit janë në masë të konsiderueshme. Le të hedhim një vështrim të shkurtër. Kalaja e Aliut në Porto Palermo është ngritur në Bregun e Kapedanëve, në djepin e këngës, në shtëpinë e erës, në vendin e kontrasteve të mëdha të relievit natyror. Atë e rrethojnë përrenj, hone, gryka, kanione, brigje shkëmbore, kepa, gremina e shpella detare, por edhe tarraca të gjelbëruara. Aty deti ka bërë paqe të përjetshme me tokën, me rërën, zallin dhe shkëmbin. Dhjetëra gojëdhëna, mite e legjenda bashkëjetojnë me të vërtetat historike. Pikërisht aty gjeti strehim Odisea i Homerit (emër ilir që thirrej “O i mjerë”, sepse nuk shikonte). Oazi klimatik është sa i magjishëm aq edhe i papërsëritshëm. Në Bregun e “Vajzës së valëve” të këngëtarit himarjot të viteve 30-të Neço Mukës, të Dhimitër Varfit, të Katinës, Mones e shumë të tjerë në shtëpinë e poetit brilant të Bregut Leftër Çipa, që i tëri është çimentuar si një shkëmb i përjetshëm kënge, vetë kënga është e papërsëritshme me asnjë vend të botës dhe me asnjë polifoni tjetër. Askund nuk këndohet me shtatë zëra në një isopolifoni. Sofra e bregdetit të jonit është e shquar për dije, kulturë e civilizim. Udhëtari dhe pushuesi në bregdetin jonian “puth” valën e shkumëzuar të detit kaltërosh dhe retë e Malit të Vetëtimave; ngitet lart në maja e takuan historinë në bedenat e kalasë 200 vjeçare, por edhe të monumenteve të tjerë historikë të kalasë së Borshit, e më tej në Piqerras, Lukovë, në Shuvasi, në Kakomenë e bukurive, në Manastire e deri në Kalanë e Lëkurësit që ka shkruar histori dhe që më tepër kanë shkruar të huajt se sa vendasit për të. Nuk do të mjaftonin këto radhë për të flisnim për Sarandën, Butrintin dhe qytetërimin e Finiqit. Midis këtyre bukurive të natyrës dhe të dorës së njeriut ka edhe probleme. Këtu koha nuk është gjithmonë “behar” dhe as të gjitha problemet nuk “shkojnë si në vaj”. Bregdeti jonian është një derë tashmë e hapur përjetësisht, që pret jo vetëm vendas, shqiptarë të të gjitha trevave por pushues të vendit dhe të huaj sepse natyra dhe dera e mikpritjes së madhe shqiptare qëndron gjithmonë e për të gjitha stinët e vitit. E gjithë bukuria joniane ka të veçantat e saj në çdo stinë, ka jo vetëm pamje që të mahnitin. Ato të ftojnë të eksploroni në pafundësinë joniane të rivierës shqiptare. Në bregdetin jonian, natyra ka qenë shumë bujare, dora e njeriut pak e kursyer, zalli i bardhë, uji i kristaltë, bukuri magjepsëse, pamje të mrekullueshme e ka emrin: Bregdeti shqiptar një mrekulli e parajsës shqiptare.



Gazeta: Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama