Monarkia Zogu beri me prona bujqit minoritare

Monarkia, Zogu beri me prona bujqit minoritare
Ndërsa vendet fqinje prej dekadash vijonin me polikën asimiluese dhe diskriminuese ndaj pakicave etnike, siç ishin ato shqiptare në Greqi apo Jugosllavi, Mbretëria shqiptare e drejtuar nga mbreti Zogu I bënte të kundërtën. Madje, duke kaluar edhe parashikimet. Nëse brenda pak viteve në Greqi përqindja e minoriteteve ra ndjeshëm, pra edhe në kurriz të asimilimit të minoritetit shqiptar, në Shqipërinë monarkike, minoritarët u bënë me prona, u fuqizuan dhe u shkolluan edhe më mirë se shqiptarët.

Akademik Beqir Meta thotë se: “I ndodhur përballë fqinjëve të fuqishëm dhe me aspirata kundrejt shtetit shqiptar, Mbreti Zog u përpoq që të bënte një politikë pragmatiste dhe sa me luajale ndaj tyre. Qëndrimi tolerant dhe luajal ndaj minoriteteve u konsiderua si një pjesë e kësaj politike dhe si një faktor që do të kontribuonte në stabilitetin e shtetit shqiptar”. Meta përmend me shifra dhe fakte se si minoritetet e shtuan  dhe u përkrahën, apo se si vllehët u penguin të ktheheshin në Rumani, për të mos dëmtuar marrëdhëniet dypalëshe etj. Studimi i Prof. Dr. Beqir Meta, është pjesë e botimit më të ri të shtëpisë botuese  “Toena”, për periudhën 1928-1939 të Monarkisë Shqiptare. Në këtë botim përfshihen studime nga emra të njohur si Bernd Fischer, Bajram Xhafa, Jason Tomes, Valentina Duka etj.

Periudha e monarkisë ishte një etapë e re në rrugën e vështirë të konsolidimit të shtetit shqiptar. Ndryshe nga shtetet fqinje ballkanike, të cilët ishin themeluar e konsoliduar si shtete homogjene dhe unitare nga pikëpamja fetare, gjë që kishte ndikuar shumë në kultivimin e hipernacionalizmit dhe ekskluzivizmit etnik, shteti shqiptar ishte krijuar dhe po zhvillohej si një entitet politik, që bazohej në tolerancën dhe bashkimin e popullsisë etnike shqiptare të tre besimeve të ndryshme, me një maxhorancë të spikatur myslimane. Kjo gjë, ndikoi mjaft në pranimin dhe kultivimin e bashkëjetesës në diversitet dhe në shmangien e fenomenit të ekskluzivizmit dhe hipernacionalizmit. Këto diferenca dhe të tjera si këto, në zhvillimin e shtetit shqiptar, patën një ndikim të rëndësishëm në politikat ndaj minoriteteve. Gjithashtu, një ndikim të ndjeshëm ka pasur edhe dëshira e vazhdueshme e shtetit shqiptar për të qenë një model pozitiv në trajtimin e minoriteteve në Ballkan, me shpresën se kështu do t’i shërbente më mirë mbrojtjes së popullsisë së shumtë shqiptare që jetonte në shtetet fqinje. Kjo tendencë dhe përkujdesje vihet re në të gjithë aktivitetin politiko-diplomatik të shtetit shqiptar gjatë periudhës së Mbretërisë. Por ka ekzistuar edhe një konsideratë tjetër e rëndësishme. I ndodhur përballë fqinjëve të fuqishëm dhe me aspirata kundrejt shtetit shqiptar, Mbreti Zog u përpoq që të bënte një politikë pragmatiste dhe sa me luajale ndaj tyre. Qëndrimi tolerant dhe luajal ndaj minoriteteve u konsiderua si një pjesë e kësaj politike dhe si një faktor që do të kontribuonte në stabilitetin e shtetit shqiptar. Në fakt jo vetëm Mbreti, por thuajse i gjithë spektri i nacionalizmit shqiptar, si gjatë kësaj periudhe që po analizojmë por edhe para e pas saj e ka vlerësuar bashkëjetesën dhe trajtimin tolerant të minoriteteve si një politikë të pandryshueshme, e cila pikësëpari i shërbente interesave kombëtare të lartpërmendura. Kjo është një veçori specifike e nacionalizmit shqiptar në raport me nacionalizmat ballkanike, të cilët kanë konsideruar si një parim themelor të forcimit dhe konsolidimit të shteteve të tyre kombëtare, politikat e dobësimit, asimilimit dhe spastrimit etnik të pakicave.

Ndryshe nga shtetet fqinje, që erdhën duke e ulur ndjeshëm peshën specifike të popullsisë së minoriteteve kombëtare brenda tyre, si rezultat i zhvillimit të vrullshëm të proceseve asimiluese apo politikave të konvertimit dhe spastrimit etnik, Shqipëria e ruajti të pandryshuar peshën specifike të popullsisë së minoriteteve kombëtare, kryesisht për faktin se proceset e lartpërmendura nuk u zhvilluan në Shqipëri. Ky është një dallim thelbësor dhe ky fenomen u ruajt edhe gjatë Monarkisë. Kështu p.sh. Greqia e uli peshën e minoriteteve nga 23% në vitin 1920 , në 4-5% në vitet 30.

Në politikën e shtetit shqiptar u konstatuan raste të spikatura kur shteti u përpoq të frenojë largimin e pakicave. Kështu në vitet 1928-1934, qeveria e A. Zogut mori masa për të penguar emigrimin e vllehve të Shqipërisë për në Rumani. Ata synonin të emigronin për arsye ekonomike. Largimi i tyre u konsiderua nga qeveria si një çështje që dëmtonte prestigjin e shtetit shqiptar dhe miqësinë shqiptaro-rumune. Secili shtet ballkanik do ta kishte mirëpritur dhe inkurajuar këtë emigrim, i cili u shkonte përshtat projekteve të tyre për homogjenizimin kombëtar.

Një veçori specifike e qëndrimit të shtetit shqiptar në periudhën e Mbretërisë ndaj minoriteteve është se ai i respektoi të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe zbatoi një politikë tolerante ndaj tyre në mënyrë të njëanshme, duke mos zbatuar parimin e reciprocitetit me vendet fqinje. Megjithëse shqiptarët në Greqi dhe Jugosllavi, nuk i kishin të drejtat që gëzonin pakicat në Shqipëri, megjithëse ato në disa raste po vuanin politikat e asimilimit e spastrimit etnik, qeveria shqiptare në asnjë rast, nuk u fut në rrugën e zbatimit të sanksioneve reciproke. Në të vërtetë pati kërkesa nga një pjesë e shtypit dhe e administratës shtetërore për marrjen e masave reciproke por ato nuk u pranuan nga Mbreti dhe qeveria.

Qëndrimet e shtetit shqiptar dhe ato të fqinjëve të tij dallonin në mënyrë thelbësore edhe në një çështje tjetër themelore: në qëndrimin ndaj pronës së minoriteteve, e cila është elementi më jetësor i ekzistencës së tyre. Shteti shqiptar gjatë Monarkisë, ashtu si dhe para saj, nuk ndoqi asnjëherë politika shpronësimi të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të përgjithshme apo selektive kundrejt pakicave. Pakicat në Shqipëri në vitet ‘20-‘30 erdhën duke e përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike dhe statusin social. Po kështu ata përmirësuan edhe statusin e pronësisë. Shumica e popullsisë minoritare, para krijimit të shtetit shqiptar, kishte pasur statusin e bujkut çifçi. Ky status erdhi gjithnjë duke u përmirësuar. Ky proces eci përpara veçanërisht gjatë Monarkisë me ligjet që dolën për qiramarrjen e tokave bujqësore, të cilat favorizonin bujqit. Kështu u përmirësua gjendja ekonomike e tyre dhe u rrit përqindja e atyre që kalonin nga kategoria e bujkut pa tokë, në atë me tokën, si pronë e tij. I vetmi rast, ku qeveria dështoi ishte në konfliktin e pronarit të fshatit Goricë, Maliq bej Frashëri me bujqit e atij fshati. Si rezultat i këtij konflikti pronësor, fshatarët e Goricës u larguan nga Shqipëria.

Minoritetet ruajtën të paprekur identitetin e tyre etnik, kulturor dhe arsimor, i cili erdhi gjithnjë duke u konsoliduar. Rasti më interesant dhe mjaft domethënës ishte ruajtja tërësisht e paprekur e minoritetit shumë të vogël malazez në Vrakë të Shkodrës, me një popullsi prej 1 500 vetash.

Në trashëgiminë historike të Monarkisë një vend të rëndësishëm zë edhe mbrojtja e hebrenjve në vitet 30.

Më shumë mësues për minoritarët se shqiptarët

Mbretëria zbatoi një politikë tolerante ndaj pakicave, madje u tejkaluan edhe disa kufizime e parashikime të Traktatit të Lidhjes së Kombeve. Shteti shqiptar financoi shkollat minoritare në një masë të konsiderueshme. Pesha specifike e shkollave minoritare në raport me numrin e fshatrave dhe të popullsisë ishte dy herë më e lartë se mesatarja e vendit. Kështu në minoritet, kishte 1 shkollë për 829 banorë, ndërsa në popullsinë shqiptare të qarkut të Gjirokastrës kishte 1 shkollë për 1 500 banorë . Në vitin 1934, kur filloi dhe konflikti për shtetëzimin e shkollave greke përqindja e nxënësve shqiptarë, në raport me fëmijët e moshës së detyrimit shkollor ishte 36,29%, kurse ajo e fëmijëve të minoritetit grek 79,30%. Përqindja e nxënësve shqiptarë në krahasim me numrin e popullsisë ishte 4,8%, e atyre grekë 9,9%. Përqindja e nxënësve të moshës shkollore që frekuentonin shkollën në minoritetin grek të Shqipërisë ishte 79,30% kurse ajo e nxënësve grekë në Greqi ishte 75% . Përveç kësaj u toleruan në heshtje edhe financimet e qeverive dhe subjekteve greke e serbe për shkollat e pakicave në Shqipëri, gjë të cilën këto shtete nuk e lejonin kurrsesi brenda territorit të tyre. Minoriteti grekofon dhe ai vlleh kishin përfaqësim më të lartë se ai proporcional në parlamentin dhe në administratën shtetërore shqiptare. Qeveria shqiptare deklaronte se “grekofonët ishin pranuar në radhën e nëpunësve të lartë të shtetit, e oficerëve, policisë, xhandarmërisë në një proporcion që nuk i përshtatet aspak numrit të tyre në raport me popullsinë e përgjithshme të Shqipërisë. Asnjë shtrëngim për sa i përket përdorimit të gjuhës së tyre, gëzimit të pasurisë së tyre, sigurimit të jetës dhe nderit të tyre nuk u është bërë kurrë. Ndërsa gjithë këto të drejta që u përkasin pakicave janë shkelur në mënyrë të padurueshme nga qeveria greke ndaj pakicës shqiptare në Çamëri” .

Gjatë gjithë periudhës popullsia minoritare gëzoi lirinë e plotë të kultit, ritet në kisha kryheshin në gjuhën amtare, nxënësit merrnin edukimin fetar në gjuhën amtare dhe priftërinjtë caktoheshin nga vetë minoriteti.

Krahas kësaj politike liberale ndaj pakicave, Zogu vijoi politikën e tij për konsolidimin e institucioneve kombëtare fetare, politike, arsimore, kulturore etj. Pikërisht këto përpjekje nuk u mirëpritën nga fqinjët, të cilët u përpoqën me të gjitha forcat ta pengonin procesin e konsolidimit të këtyre institucioneve thelbësore kombëtare dhe në përgjithësi procesin e stabilizimit të shtetit shqiptar.

Fusha më e preferuar e tyre u bë kinse politika për mbrojtjen e minoriteteve, e cila u krijonte avantazhe për të ushtruar presion në mënyrë të maskuar ndaj shtetit shqiptar që ai të frenonte apo devijonte procesin e konsolidimit të tij.

Greqia dhe Jugosllavia u përpoqën të përdorin në këtë betejë edhe një pjesë të emigracionit politik shqiptar, kryesisht i besimit ortodoks. Kështu, në shkurt 1929, me nxitjen e autoriteteve greke, Koço Tasi dhe Foto Dusi duke u paraqitur si përfaqësues të dy organizatave kristiane dhe si interpretë të ndjenjave të popullit shqiptar kristian (ortodoks e katolik), i paraqitën një peticion Lidhjes së Kombeve (më tej: LK), ku ankoheshin kundër neneve 223 dhe 232 të Kushtetutës shqiptare, kundër adaptimit të Kodit Civil Francez nga Shqipëria pa bërë përjashtime në legjislacion lidhur me të drejtën e familjes dhe të “minoriteteve kristiane”, për karakterin unik të sistemit elektoral në Shqipëri, duke kërkuar një kolegj të veçantë elektoral për kristianët, për politikën fetare të shtetit shqiptar, duke sulmuar përpjekjet e qeverisë për mbështetjen e procesit të krijimit të Kishës Autoqefale Shqiptare. Madje ata nuk ngurronin të sulmonin as Kongresin Kishtar të vitit 1922 të Beratit, i cili kishte vendosur për autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare .

Megjithëse këto ankesa, nuk kishin të bënin me minoritetet nacionale, por subjektet që ato i referoheshin, ishin qytetarë të kombësisë shqiptare, u morën seriozisht nga sekretari i Lidhjes së Kombeve, Drummond. Ai njoftoi, se këtë peticion do t’ua komunikonte anëtarëve të Këshillit, i cili do të kërkonte sqarime prej qeverisë shqiptare.

1 shtator 1928, si u shpall Monarkia

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri. Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve(mandateve), seanca u mbyll.

Më 27 gusht, në orën 16.00 u zhvillua mbledhja e dytë, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, -nënkryetar; Fiqri Rusi -kujdestar; Ejëll Serreqi -sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit. Më 29 gusht, në orën 17.00. u zhvillua mbledhja e tretë. U lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë, dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve. Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri. Komisioni mbajti mbledhjen e tij, më 30 gusht 1928.

Ditën e shtunë, më 1 shtator 1928, në orën 09.00. u zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë. Kështu, në orën 9.12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqipëtarëve. Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin. Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Europë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Mbretëror, (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10.00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Një gazetë e kohës ka botuar një foto të tij, për të cilën thotë se është bërë 5 minuta më pas, (Telegraf, 9 shtator 1928).

Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17.00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14.00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16.00. u dëgjua buçitja e trumpetave dhe më pas hymni kombëtar. (Gazeta shqiptare, 2 shtator 1928).

Betimi i Zogut

“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama