Modelja deshperimi qe vjen nga pasarela

Modelja, dëshpërimi që vjen nga pasarela

Vetëm dy ditë më parë, ndodhi edhe vdekja e radhës në botën e pasarelave. Sigurisht që edhe këtë herë bëhet fjalë për një modele të pafat, që nuk ka mundur t‘i bëjë ballë presionit të madh që ka ndier në profesionin e saj. Të paktën kjo është ajo çka modelja ka pohuar para se të vdiste. Dhe nuk është fjala për ndonjë fillestare të paambientuar me rregullat e lojës së pasarelave, por për një nga modelet kryesore që punonte për "Chanel". Ajo është gjetur e varur në apartamentin e saj në Paris, pasi kishte lënë në blogun e saj në internet mesazhin e fundit: "Lamtumirë, përgjithmonë".

Daul Kim, 20 vjeçe, u zbulua nga një miku i saj dhe sipas policisë, gjasat e para janë për një vetëvrasje. Modelja bukuroshe koreane, që u shfaq në skenën e modës europiane në vitin 2007, kishte punuar për agjencitë më të famshme për disa sezone. Duket se modelja kishte një ndjeshmëri të veçantë dhe një shpirt të brishtë, që nuk u ka rezistuar dot presioneve të botës së pasarelave. Në një blog të sajin në internet, që e kishte hapur disa muaj më parë nën titullin "Dua të flas për veten time", ajo rrëfente herë pas here përvojat personale në punë. Nga shkrimet që hidhte, të linte të kuptoje se përditë përballej me një botë që i ngjallte vetmi dhe dëshirë për të ikur sa më larg. Mesazhin e lamtumirës ajo e ka shoqëruar edhe me një këngë me tekst melankolik. 

Për shokët dhe miqtë ajo kishte kohë që ndodhej në një gjendje të brishtë emocionale, e cila rëndohej vazhdimisht nga presioni që ndiente në karrierën e vet. Më 30 tetor shkroi në blogun e saj: "E depresionuar deri në çmenduri dhe super e ngarkuar me punë, unë po ndihem gjithnjë e më e vetmuar dhe më larg kësaj bote. Tashmë jam shndërruar në një fantazmë".

Vetëvrasja e saj, sipas policisë, është e dyta që ndodh në Paris dhe në botën e modës. Në muajin mars, një tjetër modele, edhe ajo në dukje e depresionuar, britanikja 28-vjeçare Lucy Gordon, u gjet e varur në apartamentin e saj në një nga lagjet më shik të Parisit, në të cilën edhe Kim kishte apartamentin e saj. Për sa i përket koreanes, ajo ishte shumë e famshme dhe së fundi kishte lidhur kontrata mjaft të mira, por sa më shumë ngrihej në karrierë, aq më depresive bëhej dhe më e mbyllur në vetvete. Pas lajmit të vdekjes, blogu i saj është mbushur me qindra mesazhe simpatie që i kanë ardhur fatkeqësisht pas vdekjes, nga ata që e njihnin dhe nuk e njihnin, por u trishtuan për vendimin ekstrem që ajo mori dhe mbi të gjitha për shkaqet që e bënë të binte në depresion dhe të zgjidhte rrugën e ikjes nga kjo jetë. Blogu i saj ishte një blog shumë emocional, në të cilin ajo shkruante sikur të ishte duke folur me veten. Ishte i mbushur me sentencë, copëza jete, përshkrime situatash dhe veçanërisht përshkrime të gjendjeve të brendshme që e mundonin vazhdimisht.

Javët e fundit, gjithë sa hidhte në blog kishin të bënin me vetminë. Një mikesha e saj e afërt tha se ndoshta përmes këtyre shkrimeve ajo donte të tërhiqte vëmendjen e dikujt. Por, të tjerë thonë se vajza nga Koreja ishte e brishtë emocionalisht, sepse bota e modës është e pamëshirshme ndaj modeleve, si për sa i përket mënyrës se si i kërkon që të punojnë, ashtu edhe për sa u përket presioneve të brendshme e të jashtme, para të cilave ndodhen gjithmonë vajzat e bukura. Më 31 dhjetor ajo kishte postuar në web këtë mesazh: "Mendoj se këtë ditë do ta mbaj mend gjatë si dita që për herë të parë arrita të fle 10 orë rresht pa ndihmën e ndonjë ilaçi a qetësuesi dhe mbi të gjitha pa parë ëndrra të tmerrshme me njerëz të frikshëm. Pas gjumit u ndjeva e qetë dhe e çlodhur. Nuk m‘u desh që të merrja si zakonisht arratinë nga bota, apo njerëzit". Por duket se kjo ndjenjë nuk ka zgjatur shumë për modelen fatkeqe, e cila i ka dhënë fund jetës atëherë kur mund ta kishte shndërruar ekzistencën e saj në një jetë me vlerë dhe kënaqësi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama