Mode lamtumira e Valentinos

Modë, lamtumira e Valentinos

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë stilisti. "Kam vendosur që të largohem dhe ky është momenti më i mirë për t‘i thënë lamtumirë botës së modës". Valentino do të largohet në janar të vitit 2008. "E ardhmja ime do të jetë plot me impenjime të reja. Disa prej tyre do të jenë të lidhura me modën, sepse është qëllimi im që të krijoj institucione që përcjellin artin e modës". Shtëpia e modës, e cila është themeluar nga ai 45 vjet më parë, nuk do të krenohet më me krijimtarinë e tij. Koleksioni "pret-a-porter", që mban firmën e Valentinos, është ai që do të shkojë në pasarelë në Paris, në muajin tetor, ndërsa në janar do të sfilojë në pasarelë koleksioni i tij i fundit "haute couture", gjithmonë në kryeqytetin francez. Festimet e mëdha që u bënë në muajin gusht në Romë, kanë qenë në një farë mënyre një "lamtumirë" paraprake, njëlloj ashtu siç e kishte parashikuar bota e modës. Megjithatë, ai ka ndërmend të merret përsëri me modë, por nga ana institucionale dhe kulturore. Vetë Valentino ka shpjeguar se është ky momenti i duhur për të lënë gjithçka, kur "festa ende nuk ka mbaruar".

"Ngjarja e madhe që kremtoi 45 vitet e mija të punës, muajin e kaluar në Romë, ka qenë një moment magjik, me të vërtetë i papërsëritshëm - ka thënë stilisti - do të ishte e pamundur të barazoje emocionin dhe gëzimin për miqësinë dhe konsideratën që e gjithë bota dëshironte të më shprehte në këtë rast. Prandaj kam menduar që ky është momenti më i mirë për t‘i thënë lamtumirë botës së modës". Valentino shpjegon në detaje edhe se do të kompletojë punën e tij të "couturier" në fund të janarit 2008. "Po punoj ende për koleksioni "ready-to-wear" (gati për t‘u veshur) që do të prezantohet në Paris, në muajin tetor dhe atë të modës së rëndë që do të sfilojë në janar. Pastaj ndihem i lodhur me zgjedhjen e modeleve, ateliereve dhe sfilatave dhe veç kësaj mendoj se e ardhmja ime do të jetë e mbushur me impenjime dhe interesa të reja. Kam qenë me fat që e kam ushtruar pasionin tim të adoleshencës. Ky pasion ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një punë që më ka dhënë shumë kënaqësi dhe më ka ndihmuar të mbaj një stil timin, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në modë". E kuptoj se ndërmarrja që mban emrin tim do të ndryshojë, por uroj që grupi krijues që do të stilojë linja të ndryshme dhe ku bëjnë pjesë edhe disa prej asistentëve të mi, të dijë të ndjekë punë time, në një mënyrë për të cilën të ndihen krenarë", përfundon stilisti, duke nënvijëzuar se falënderimi i tij shkon "për mijëra persona të modës, që më kanë ndjekur në këto vite, të gjitha ngjyrave që kanë lartësuar gjithnjë punën time dhe sidomos bashkëpunëtorët e mi, që më kanë ndihmuar të bëhem i suksesshëm në karrierën time".

Dhe për lamtumirën e Valentinos ndërmarrja "Gattinoni" komenton kështu: "Lamtumira e modës së Valentinos? Është një akt vetëm fizik. Gjurmët e tij do të mbeten si shenjë e paprekshme e një stili, e një kategorie të pangatërrueshme, si të mëdhenjtë e muzikës dhe kinemasë, Greta Garbo, Ava Gardner, Milva". Edhe presidenti i kësaj kompanie ka thënë dy fjalë për stilistin e madh: "Valentino do të mbetet një figurë emblematike në fushën e modës. Jam i lumtur që trashëgimia e tij nuk do të humbasë dhe puna e tij e më shumë se 40 viteve do të kthehet në një shembull për brezat e rinj".

Cili është sekreti i suksesit tuaj?

Gjithnjë kam parë punën time dhe kam ecur në rrugën time. Nuk kam ndjekur kurrë minimalizmin.

Cilët do të vlerësonit nga kolegët tuaj?

Eh Karl Lagerfeld është shumë i zoti sesi dizajnon "Chanel". Lacroix është një krijues shumë i mirë, gjithashtu edhe Jean Paul Gaultier. Ndërsa nga italianët kemi zonjën Versace, e cila është shumë e zonja. Armani ka bërë gjëra të mrekullueshme. Janë të gjithë stilistë, që nuk e kanë filluar karrierën e tyre shumë kohë më parë, ndërsa të rinjtë ecin gjithnjë me hapin e gabuar.

Si është e mundur që nuk keni rritur një delfin tuajin, një trashëgimtar?

Është një defekt i imi, jam shumë i përkushtuar ndaj punës. E adhuroj t‘i bëj gjërat për hesapin tim. Unë kam një punë që nuk të lë hapësira.

Është e vërtetë që pak kohë më parë ishit gati të adoptonit një fëmijë nga Maroku?

Ishim në Marrakesh, besoj 25 vite më parë. Mbërritëm atje me një makinë "Kadillak", e cila u rrethua menjëherë nga njerëzit. Mes tyre ndodhej edhe një fëmijë i vogël, që nga shoqëronte gjatë gjithë kohës. Në atë kohë, ai ishte vetëm katër vjeç dhe mendova që ta adoptoja. Por papritur u ndesha në shumë vështirësi dhe për më tepër ishte nëna ime ajo që më ndaloi. Ka qenë ëndrra ime të kisha fëmijë. Por duke qenë se jam një tip që merakosem për gjithçka, mendoj se do të kisha qenë një baba i palumtur.

Cilën grua do të kishit zgjedhur si nënën e fëmijëve të tu?

Shpeshherë modeleve të mija u thosha: do të bëj një fëmijë me ty, edhe me ty dhe me ty gjithashtu! Ehhh... si shumë njerëz edhe unë kam pasur dikur një dashuri të madhe, aktoren Marilù Tolo. Isha shumë i dashuruar pas saj. Ishte vërtetë e bukur, brune me sy të mrekullueshëm. Ajo ishte 17 vjeç, ndërsa unë 27. Madje i dhurova edhe një unazë, por ajo nuk e pranoi. Jam ndjerë vërtetë shumë keq. Tani ajo jeton mes Meksikës dhe Los Anxhelos, është martuar dhe ka një burrë shumë të pasur. Ndonjëherë flasim edhe me njëri -tjetrin, sidomos gjatë festave.

Festimet e mëdha që u bënë në muajin gusht në Romë, kanë qenë në një farë mënyre një "lamtumirë" paraprake, njëlloj ashtu siç e kishte parashikuar bota e modës

Kam vendosur që të largohem dhe ky është momenti më i mirë për t‘i thënë lamtumirë botës së modës". Valentino do të largohet në janar të vitit 2008. "E ardhmja ime do të jetë plot me impenjime të reja. Disa prej tyre do të jenë të lidhura me modën, sepse është qëllimi im që të krijoj institucione që përcjellin artin e modës"

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama