Ende 23 vjet pas vdekjes njerëzit vazhdojnë të flasin hdhe kanë kërshëri të dinë mbi jetën e Enver Hoxhës. Vdekja e tij gjithnjë ka qenë e mbuluar me një tis misteri. Nuk dihet ende nëse vdekja e tij ishte natyrale, apo e stimuluar.
( Ka nga ata që mbrojnë variantin e fundit). Por ky lloj kurioziteti, i justifikuar në Shqipëri, duket se grish edhe të huajt. Nuk përkthehen vetëm libra të shqiptarëve mbi epokën, por edhe vetë të huajt shkruajnë çka dinë e ç’kanë dëgjuar. Një prej tyre është profesori Yves Pouliquen. Nuk është njeri dosido, por një mjek okulist, anëtar i Akademisë Franceze.
Këto ditë në Paris, në Francë, doli në qarkullim libri i tij “Le médecin et le dictateur” (“Mjeku dhe diktatori”). Ngjarjet nisin në maj të vitit 1979, kur një avion i kompanisë “Air France” niset nga Parisi drejt Beogradit. Në bordin e avionit, një nga kirurgët më të njohur të spitalit “Broussais”, udhëton me etiketën “Diplomat”. Destinacioni është Tirana, kryeqyteti i diktaturës më të izoluar në botë. Ndërsa misioni: Një vizitë mjekësore për Enver Hoxhën, diktatorin.
Pikërisht këtë udhëtim, në qendër të sistemit diktatorial, tregon sot Profesori Pouliquen, duke sjellë në 174 faqet e këtij libri dialogjet me atë që për shumë njerëz ishte vetëm një imazh, por gjithashtu edhe ekzagjerimet shpesh groteske ashtu si dhe të tmerrshme të një regjimi, pasojat e të cilit bota i njohu vetëm mbas rënies së tij. E pabesueshme të njihesh kështu me personazhin Hoxha!
Doktori nuk është i verbër dhe kupton shumë mirë kush fshihet pas këtij personi në dukje i dashur dhe frankofonisë së tij kaq teatrale. Por një mjek, a mundet ai të vendosi nëse duhet apo jo të mjekojë një të sëmurë sidomos, kur ky i fundit përfaqëson atë që luftojmë? I ndodhur mes betimit të Hipokratit dhe “shpëtimit” të një populli, mjeku duhet të zgjedhë. Yves Pouliquen, 76 vjeç është një kirurg i njohur në Francë, me një karrierë të gjatë në fushën e okulistikës dhe të botimeve. Ka botuar librat “La Transparence de l'œil” (“Transparenca e syrit”), “Un oculiste au siècle des Lumières”, (“Një okulist në shekullin e Lumierëve”), “Madame de Sévigné et la médecine du Grand Siècle”, (“Zonja Sévigné dhe mjekësia e shekullit të madh”),
Alma Mile : Gazeta Shekulli











