Mjeket kriteret qe duhet te permbushin per punesim ne Gjermani

Mjeket, kriteret qe duhet te permbushin per punesim ne Gjermani

Të rinjtë shqiptarë, të cilët përfundojnë studimet në degët e Mjekësisë apo Infermierisë, në pamundësi për të gjetur një pozicion pune në vend, kërkojnë rrugë të reja. Përvoja e disa mjekëve të rinj, të cilët vitet e fundit iu drejtuan shtetit gjerman dhe punësimi i tyre në profilin përkatës shtoi interesin e të rinjve për të arritur këto mundësi. Thomas Dannecker, mjek dhe përgjegjës për punësimin e të rinjve në vendet e Evropës Juglindore, në një forum të hapur me studentët dhe të diplomuarit në degët e Mjekësisë, tregoi mundësitë që ofron Gjermania në ditët e sotme. “Unë shoh se në Tiranë ka shumë interes për të shkuar në Gjermani. Prej 6 vitesh shteti gjerman ka shtuar kërkesat për mjekë shqiptarë, pasi numri i atyre që përfundojnë atje, nuk është i mjaftueshëm. Unë iu flas juve, duke u nisur nga përvoja që kam, qysh nga viti 2008 në Budapest, kur shumë të rinj u rekrutuan, edhe sot janë mjekë me përvojë në Gjermani. Por, për të arritur këto mundësi duhen fillimisht të plotësohen disa kritere, së bashku me të drejtën e ushtrimit të profesionit, nëpërmjet pajisjes me diplomë”.

Kriteret

Duket se kriteri kryesor për të zënë një vend punë në klinikat apo spitalet gjermane është gjuha e mbrojtur në nivelin C1. Doktor Dannecker, tregon se në disa rajone të Gjermanisë, aktualisht mund të punësohen edhe mjekë, të cilët kanë mbrojtur nivelin B2 të gjuhës gjermane, por shumë shpejt edhe aty ky kriter do të shfuqizohet. “Në Serbi vura re që pranoheshin studentë, të cilët ishin këshilluar të arrinin nivelin B2 dhe kjo nuk me pëlqeu, duke e ditur se ata do të kthehen mbrapsht. Klinikat gjermane nuk marrin tarifa nga aplikantët që tentojnë të punësohen në Gjermani. Edhe aplikimi atje nuk kushton. Specializimi dhe punësimi, menjëherë sapo fitohet mundësia, janë me pagesë”. I pyetur nga studentët për llojin e kursit, provimeve shtesë që mund të jepen pas diplomimit dhe specializimit që duhet të zgjedhin sipas vullnetit apo të detyruar, Dannecker iu tha atyre se ata duhet të përgatiten për trajnim dhe në një provim ekstra, para se të punësohen në shtetin gjerman. “Unë iu rekomandoj kurse të kualifikuara, edhe pse disa prej tyre kushtojnë më shtrenjtë se të tjerët. Gjithçka varet nga motivimi. Ndryshimi mes gjermanishtes së thjeshtë dhe gjuhës shkencore është shumë i madh. Në qoftë se zotëroni nivelin B2, mësojeni me gjuhën e përditshme, por jo me gjuhën e klinikës. Shumë të rinj që kanë ardhur me B2 janë ndeshur me shumë probleme. Në qoftë se keni bërë nivelin C1 këtu, edhe atje duhet të bëni kursin C1 mjekësor. Shqipëria nuk është në BE dhe diploma nuk është e mjaftueshme, çka do të thotë se duhet t’i nënshtroheni një provimi në Gjermani. Diploma që nuk njihet në EU ka nevojë për një provim ekstra. Ky provim përcakton gjithçka nga fusha e mjekësisë. Para provimit do të ndiqet një praktikë, pa pagesë ku përfshihet ushqimi, sigurimi dhe do merrni një rrogë 500 euro. Nga përvoja me mjekët, rezultatet kanë qenë shumë të mira. Pothuajse të gjithë e kanë kaluar. Pas kësaj duhet marrë një listë me 6-7 dokumente. Ato kanë informacion për aplikimin dhe licencimin atje. Në qoftë se do jeni pajisur me licencën e mjekut, do të keni shanse shumë të mira për një vend pune si mjek dhe specialitetin mund ta zgjidhni sipas dëshirës tuaj”, e mbyll dr. Dannecker.

Emigrimi

Të rinjtë tregojnë se pamundësia për të gjetur një vend pune apo për të fituar konkursin në ciklin e tretë të studimeve, i bën ata të mendojnë për largimin drejt Gjermanisë. Por ky është mendimi i atyre mjekëve të përgjithshëm, të cilët ende nuk kanë marrë një rrogë si mjekë në shërbimet shëndetësore.

I parë në optikën problematike, për “dëmet” që i vijnë shtetit nga emigrimi i mjekëve, ai mund të kërcënojë stabilitetin e sistemeve shëndetësore.

Ky fenomen kontribuon në uljen e cilësisë së shërbimeve të ofruara, duke zvogëluar transferimin e nevojshëm të njohurive mes brezave. Shqipëria në vitin 2012 kishte mesatarisht 1.145 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që mesatarja evropiane në të njëjtin vit ishte 3.4 mjekë për 100 banorë, pra afërsisht 3 herë më pak se mesatarja evropiane.
250 punonjës të shëndetësisë janë larguar nga Shqipëria përgjatë dy viteve të fundit, nga të cilët, 170 mjekë dhe 80 infermierë. Shkak i emigrimit, sipas tyre është bërë paga e ulët, presioni që hasin në mjediset e punës statusi social që kanë ata në shoqëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama