Mira Shehu I bashkohem nismes per legalizimin e kanabisit mjekesor

Mira Shehu: I bashkohem nismes per legalizimin e kanabisit mjekesor

Deputetja e Partisë Socialiste, Mira Shehu, iu bashkua nismës së deputetit Koço Kokëdhima për legalizimin e kamabisit mjekësor. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deputetja Shehu ftoi ekspertët që të nisin diskutimet për epërsitë e përdorimit të kësaj bime. Sipas saj, ka shumë arsye përse kanabisi mjekësor duhet të legalizohet, siç janë përdorimi mjekësor, ulja e normës së krimit dhe rritja e ekonomisë. Sipas ligjvënëses socialiste, eksporti i kësaj bime mjekësore me një përdorim të gjerë në fushën e mjekësisë dhe të industrisë do të sjellë të ardhura të mira për vendin tonë dhe fushat e përdorimit të kësaj bime do të jenë tregjet më të mëdha të mbledhjes së të ardhurave të mira. Ajo bëri thirrje se duhet të gjykohet qartë dhe pa emocione, të cilat rrjedhin nga një përdorim për arsye politike deri më tani.

Zonja Shehu cili është qëndrimi juaj në lidhje me deklaratën e deputetit Kokëdhima për liberalizimin e kanabisit mjekësor?

Realisht deklaratën e deputetit Kokëdhima dua ta shoh si një nismë në të mirë të vendit dhe të shoqërisë në lidhje me liberalizimin e kanabisit për efekte mjekësore dhe përdorim në mjekësi. Si e tillë, unë i bashkohem kësaj nisme dhe do të ftoja që të diskutohet në forume me profesioniste të fushës së mjekësisë dhe jo thjesht dhe vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe të industrisë për epërsitë e përdorimit të kësaj bime. Përdorimet e tjera lidhen edhe me prodhimin e karburantit, letrës, plastikës, lubrifikantëve, etj.

Mendoni se më mirë se ta luftojmë, zgjidhje do të ishte liberalizimi në mënyrë që banorët të sigurojnë jetesën me anën e kësaj kulture bujqësore, duke qenë të mbrojtur edhe ligjërisht, por edhe shteti do të përfitonte duke mbledhur taksa?

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se legalizimi i kanabisit do të rriste sasinë e përdorimit, kanabisi duhet të jetë i legalizuar, sepse legalizimi do të zvogëlojë sasinë e madhe të parave të shpenzuara për zbatimin e ligjit dhe do të jetë gjithashtu i dobishëm në trajtimin e kushteve të caktuara mjekësore. Unë mendoj se krahasuar me përdorimin e cigares dhe alkoolit, kanabisi nuk është një kërcënim për njerëzit. Bima kanabis është gjithashtu një burim i vlefshëm natyror. Ka shumë arsye përse kanabisi duhet të legalizohet disa prej të cilave përfshijnë faktin e përdorimit të kanabisit për përdorim mjekësor, norma e krimit do të jetë më e ulët, ekonomia do të rritet. Ndalimi i përdorimit të saj për efekte mjekësore është e padrejtë.

Në rast kalimi në një fazë më konkrete cilat do të jenë avantazhet e kësaj nisme?

Një ekonomi e re, një sektor i ri i shfrytëzimit, rritja e punësimit dhe më kryesorja transformimi i atij të ashtuquajturit konotacion negativ të kanabisit. Përdorimi i tij për qëllime fitimprurëse, mjekësore dhe pse jo edhe industriale më vonë.

Tashmë një pjesë e vendeve të Evropës por edhe më gjerë e kanë vënë në zbatim këtë nismë. A është momenti që kjo gjë të realizohet edhe tek ne dhe pse jo duke marrë edhe një eksperiencë ndërkombëtare?

Ne kemi marrë shumë nisma dhe eksperienca nga ndërkombëtarët, të cilat, realisht të përshtatura me kushtet tona, kanë rezultuar efikase dhe të suksesshme kur janë zbatuar dhe ndjekur me rigorozitet. Përse jo edhe kjo nismë të shikohet e favorshme për kushtet dhe vendin tonë. Mendoj dhe situata aktuale është në favor. Në shumë vende të zhvilluara përdorimi i kanabisit mjekësor është bërë pjesë e mjekësisë. Përshëmbull nga informacionet që unë kam në Gjermani një medikament i kanabisit mjekësor që njihet me emrin DRONABINOL është i miratuar nga organizata farmaceutike siç është FDA në USA. Është në trajtë fluidi dhe përdoret me pika për të gjithë pacientët që kurohen me kimioterapi për të shmangur gjendjen e vilanisë dhe ndjesinë e përzierjes si dhe për persona të moshës së tretë që jane kequshqyer dhe vuajnë nga anoreksia. Raste të tjera ka shumë.

Liberalizimi i kanabisit si bimë mjekësore për eksport a do të kishte ndikim tek ekonomia shqiptare?

Impakti më i rëndësishëm i përdorimit për eksport padyshim lidhet me rritjen e ekonomisë shqiptare. Eksporti i kësaj bime mjekësore me një përdorim të gjerë në fushën e mjekësisë dhe të industrisë do të sjellë të ardhura të mira për vendin tonë. Fushat e përdorimit të kësaj bime do të jenë tregjet më të mëdha të mbledhjes së të ardhurave të mira. Ndaj duhet legalizimi. Duhet të gjykohet qartë dhe pa emocione, të cilat rrjedhin nga një përdorim për arsye politike deri më tani.

Po te kriminaliteti, duke mos harruar faktin se një numër i madh i personave të burgosur vijnë si pasojë e kultivimit të kanabisit?

Nëse ne do të licensojmë kompani të cilat do të merren me kultivimin dhe tregtimin e kanabisit mjekësor do të sigurojmë që të mos shitet në rrrugë për përdorim vetjak dhe pa recetë mjeku, por të gjenerojë të ardhura për vendin dhe ekonominë. Procedurat për marrjen e licensës për kultivim duhet të kalojnë përmes një procedure rigoroze dhe tepër të sofistikuar ku të ketë siguri maksimale të kultivimit dhe të tregtimit të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore. Kjo mënyrë do të ulë edhe atë që ju e quani kriminalitet të kanabisit.

“Ëndrra amerikane” në Uashington

Marijuana tani është legale në shtetin e Uashingtonit, në veriperëndim të Amerikës. A do të shkaktojnë shitjet e saj një bum ekonomik? Kimberli Blis dhe partnerja e saj, Kim Rixhuej, kanë kërkuar mënyra sesi ta marrin veten ekonomikisht. Këto gra mbetën pa punë, pasi punëdhënësit e tyre shitën një biznes të mishit gjatë recesionit. Dy vjet e gjysmë më pas, Rixhuej nuk ia ka dalë që ta gjejë një punë stabile, derisa Blis punon me gjysmë orari. "Jemi më të vjetra se 50 vjet dhe jemi gra", thotë Blis. "Njerëzit si ne e kanë më së vështiri që të gjejnë punë sot. Nuk kemi çka të presim në të ardhmen". Por, legalizimi i marijuanës e ka ndryshuar këtë realitet. Tani Blis dhe Rixhuej janë duke bërë plane për hapjen e një dyqani të kanabisit në qendrën e qytetit Olimpia, në Uashington, me anë të rreth 20.000 dollarëve të kursimeve të tyre.

Këto gra janë në mesin e shumë banorëve të Uashingtonit, të cilët janë duke u munduar që të përfitojnë nga tregu rishtazi legal i marijuanës, për të cilin ata shpresojnë se do t’ua ofrojë një fillim të ri, do të krijojë vende të reja të punës, si dhe do ta stimulojë ekonominë e dobët të Uashingtonit. "Unë do të punoj për ëndrrën time amerikane, gjë që është hapja e një dyqani të marijuanës", thotë Rixhuej. Por, përkundër këtyre fillestarëve në këtë treg, ka edhe të tillë që ka kohë që merren me shitjen e marijuanës. Ata tani vetëm do të kalojnë nga tregu i zi, në atë legal. Zyrtarët shtetërorë nuk janë të sigurt se sa të ardhura do të sjellë shitja legale e marijuanës, për shkak se ky treg kurrë nuk kishte qenë i rregulluar. Por, ekspertët parashikojnë se kjo industri, brenda një periudhe prej pesë vjetësh, do të mund të sjellë një fitim prej rreth 2 miliardë dollarë. Dhe, këtu nuk përfshihen tregjet sekondare, të cilat legalizimi i kanabisit mund t’i stimulojë – turizmi, bujqësia dhe industria ushqimore.

Shitjet fillojnë vitin e ardhshëm, pasi Bordi shtetëror i Uashingtonit për kontrollimin e alkoolit, të caktojë rregullat për kultivuesit, përpunuesit dhe shitësit e marijuanës, një gjë e cila nuk është bërë ndonjëherë në botë. Natyrisht, shumë biznese në Uashington tani janë duke u marrë me këtë punë, ku më të dalluarat këtu janë barnatoret mjekësore, të cilat merren me shitjen e kanabisit tash e ca vjet. "Legalizimi i marijuanës u miratua pjesërisht, për shkak se kjo procedurë ka vjet që është duke u zhvilluar. Tani ishte momenti që ta rregullonim këtë çështje, në mënyrë që shteti të merrte të ardhura nga shitja e marijuanës”, thotë një zyrtar. Këto barnatore mjekësore që merreshin me shitjen e marijuanës, nuk mund të hapnin llogari bankare dhe, me gjasë, nuk kanë paguar kurrfarë taksash.

Pse t’i druhemi kanabisit mjekësor?

Jeri Goodell

Plot 23 shtete në SHBA kanë implementuar deri tani programe për kanabisin mjekësor. Në shtetin tim, Ajoua, ligji për legalizimin e kanabisit mjekësor ka ngecur dhe shumë pacientë që kanë probleme serioze shëndetësore nuk munden të marrin trajtimin e nevojshëm. Kanabisi është një nga medikamentet më të sigurta dhe është mjaft efektiv në trajtimin e dhimbjeve, glaukomës, kancerit, sklerozës, epilepsisë dhe shumë sëmundjeve të tjera të rënda. Kanabisi ka rreth 100 përbërës që njihen si kanabinoidë, ku secili prej tyre ka ndikime të veçanta në trupin e njeriut. Unë besoj, se ata që janë kundër legalizimit të kanabisit mjekësor, ose janë të painformuar ose kanë një lloj frike brenda vetes. Një pjesë e mirë e njerëzve e kundërshtojnë këtë nismë kaq të rëndësishme, pasi kanë frikë se humbasin shumë nga reputacioni i tyre duke e mbrojtur këtë nismë. Kjo për shkak të emrit të keq që ka kanabisi kur përdoret nga të rinjtë dhe pa recete mjekësore. Mirëpo kur flasim për kanabisin mjekësor, duhet të çlirohemi nga këto kompleksitete.

Guvernatori dhe shumë ligjvënës në SHBA kanë frikë se, duke e legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore, ata do të humbasin terren në luftën kundër trafikut të drogës. Por duhet të kuptojmë se nuk bëhet fjalë më për luftë ndaj drogës, por për një zgjidhje mjaft efikase në fushën e shëndetësisë, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që kanë nevoja emergjente të trajtohen me kanabis mjekësor. Nga ana tjetër, sektori i shëndetësisë në Ajoua i druhet daljes nga kontrolli të programit për kanabisin mjekësor, por ne e dimë shumë mirë se kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk kanë pse druhen aspak. Edhe kompanitë farmaceutike përdorin si lëndë të para substanca drogash që janë subjekte të luftës kundër trafikut të tyre. Asnjëherë kompanitë farmaceutike nuk janë përfshirë në trafik droge, edhe pse operojnë me to. Është e turpshme që këta pacientë që kanë nevojë për kanabis mjekësor të trajtohen me medikamente të tjera disa qindra herë më të shtrenjta dhe shumë më pak efektive, kur mund të trajtohen thjesht me kurën e duhur. Deri tani askush nuk ka vdekur nga mbidoza e kanabisit. Duhet ndryshuar kjo mendësi pasi ka njerëz që po vuajnë.

Marrë nga “Siouxland Matters”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama