Milionat e tenderave dhe dy fjale per ata qe heshtin

Milionat e tenderave dhe dy fjalë për ata që heshtin

Jehona e çdo lajmi nuk zgjat më shumë se tre ditë. Të paktën në një vend si Shqipëria, të mbushur me skandale që nisin me botën e krimit dhe përfundojnë tek abuzimet në institucionet për të mitur. Kështu duket se ndodhi edhe me aksidentin tragjik ku humbën jetën dy fëmijë ndërsa po shkonin bashkë me nënën për të takuar babain në burg. Përtej tragjikes dhe tronditjes që kalojnë të gjithë kur dëgjojnë këtë lajm, qëndrojnë një zinxhir institucionesh që mbajnë përgjegjësi, jo vetëm për rastin konkret, por dhe për ngjarje të tjera, madje dhe për rrezikun ende prezent, ndërkohë që rruga vazhdon të jetë jashtë çdo standardi teknik.

Ndërsa prokuroria ka nisur hetimet, ka arrestuar dhe tre persona krejtësisht me përgjegjesi teknike, dikush duhet t'i tregojë institucionit të hetimit që pas çdo shkelje administrative qëndron një urdhër nga një njeri me pushtet politik. Se sa të interesuar mund të kenë qenë tre punonjësit e Autoritetit të Rrugëve për të prishur barrierën mbrojtëse të rrugës këtë nuk mund ta di askush me siguri. Dhe mbetet çështje për t'u hetuar. Por ajo që tashmë është edhe publikuar është interesi që ka patur pronari i karburantit për të hapur rrugën në drejtim të biznesit të tij. Aq shumë i ka interesuar kjo çështje, sa as policia apo vendimet e gjykatave nuk e kanë penguar të bëjë çka ka dashur, për më tepër që i njëjti person, Pilo Keri, ka qenë dhe fitues i tenderit për mirëmbajtjen e rrugës Plepa - Rrogozhinë, aksi ku ndodhi dhe tragjedia.

I indinjuar për lajmet e ditëve të fundit, zoti Keri deklaroi në emisionin "Opinion" se ai kishte vepruar konform ligjit gjatë gjithë praktikës, gjë që hidhet poshtë me lehtësi ndërsa shihet qartë që vendimi i gjykatës nuk është zbatuar sepse një zyrtar i lartë i rrugëve la porosi për të kundërtën. Me të njëjtën indinjatë zoti Keri shprehet edhe për përmendjen që i është bërë faktit që ai ka fituar vetëm në vitin 2015, 3.2 milionë euro në tendera që përfshijnë punët publike. Dhe ndoshta për një pjesë ka të drejtë, sepse bëhet fjalë për punë të zhvilluara në bashki të ndryshme. Por ç'mund të thotë ai për tenderin e rrugëve apo atë të portit të Durrësit, kur ndërkohë djali i tij prej më shumë se 2 vitesh është shefi i kabinetit të ministrit Haxhinasto.

Dhe këtu hallka e zinxhirit shkon në vendin e duhur. Sepse është pikërisht drejtuesi i Ministrisë ai që mban përgjegjësi direkte për çdo shkelje që ndodh në një institucion të rëndësishëm. A e ka ditur zoti Haxhinasto që shefi i tij i kabinetit ka konflikt të hapur interesi në disa tendera të prokuruar nga enti që ai drejton? Këtë nuk mund ta paragjykojë askush,por në momentin që ky fakt bëhet publik dhe ministri vetëm hesht, çdokujt i lind e drejta të mendojë se "mbrojtja" me heshtje është diçka që ka emrin bashkëpunim.

Në një ministri të përfolur historikisht për probleme me tenderat që kapin shifra disa milionëshe nuk është e vështirë të hulumtosh dhe të gjesh shkelje administrative, nga ato që rëndom kanë ngecur nëpër dyer gjykatash pa asnjë vendim. Por të paktën, dikush ka folur qoftë dhe politikisht për akuzat publike, dikush tjetër mund të jetë përballur edhe me dyert e gjykatave. I vetmi i heshtur i madh i këtij skandali,ministri i transporteve thjesht ka pranuar faktin që 3 vartës të tij, që kanë zbatuar urdhrin e eprorit ndodhen pas hekurave të burgut. Ndërsa i implikuari i madh i kësaj historie, mbretëron në oazin ministror me poste drejtori dhe me milionat e babait. Dhe kjo ndodh për sa kohë të gjithë e dimë që një ngjarje ka jehonë jo më shumë se 3 ditë. Sepse skandalet vijojnë të bëjnë zhurmën e radhës. Ndërkohë paraja e veshur dhe me pushtet i ka errur jo vetëm mendjen, por dhe sytë atyre që nuk duan të shohin të vërtetën. Ose ndoshta duan të shohin të vërtetat e tyre veshur me luksin e milionave që ndahen netët e vona dhe shijohen ditëve të gjata.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama