Milano emigranti shqiptar proteston 14 ore mbi nje vinc

Milano, emigranti shqiptar proteston 14 orë mbi një vinç
Duket e pabesueshme, por jo për kuesturën dhe zjarrfikësit e Milanos, që kanë qëndruar 14 orë "dezhurn" përballë 35-vjeçarit shqiptar, të cilin gazeta italiane "Il Giornale", e identifikon me emrin Liman Gashi.

14 orë bisedime nga policia dhe ndërhyrja e zjarrfikësve, dhe, më në fund, "dorëzimi" vjen pas ndërhyrjes së zëvendëskomisarit, Silvano Gattari, i cili përdori vajzën e tij, duke arritur ta bindte të zbriste.

Gattari ka kaluar 40 vjet mes terrorizmit dhe jetës së keqe. Dje në mëngjes, teksa kishte hyrë në shërbimin e punës, i kanë thënë se "ai" vazhdon të ndodhet mbi vinç. "Ai\' është Liman Gashi, shqiptari 35-vjeçar, disa herë problematik me drejtësinë. Një histori emigranti interesante: Transferohet nga Saronno, hap një qendër të vogël për transport, martohet me një mësuese italiane, prej së cilës, dy muaj më parë pati edhe një vajze dhe tashmë është duke arritur të marrë kartën e qëndrimit.
"Është pikërisht lindja e vajzës që e bën ndoshta më shumë të ndjeshëm ndaj dhunës për fëmijët", - shkruan "Il Giornale".

Një ditë më parë, Gashi kishte lexuar në gazetë një raport të FAO-s mbi urinë në të gjithë botën, një faqe që godiste në përgjithësi të vegjlit, të detyruar të hanë insekte për të mbijetuar. Lajmi e tronditi shumë. Shkroi që atë ditë një letër për redaksinë e "The Washington Post" dhe organizatës së FAO-s.

Më pas gjendet në sheshin "Meda", duke u ngjitur mbi një vinç 60 metra të lartë. Ngjitet dhe në platformën e kartërt (40 m lartësi), ku lëshon mesazhin e tij. Pak minuta më pas mbërrijnë helikopterët dhe zyrtarët e zjarrfikësve. Një funksionar mundohet ta bindë atë, por ai mbetet i palëkundur në vendimin që ka marrë dhe kërcënon se do ta hedhë që andej, nëse dikush tenton të shkojë dhe ta ndalojë.

Në kuesturën e rajonit vendosin fillimisht të lihet atje, derisa uria dhe lodhja të ulin rezistencën e tij dhe ta detyrojnë të zbresë poshtë vullnetarisht. Por asgjë. Ai është i vendosur të rezistojë edhe gjatë natës milaneze në shi.

Mëngjesin tjetër është akoma atje, i uritur, i rraskapitur, i lagur si një zog pule, por i palëkundur. Eksperti i policisë lë zyrën dhe shkon ta bindë. I flet pa megafon. Gashi duket në fakt se është bërë hekur, duke zbritur dhe u ngjitur me dhjetëra herë, pa dhënë asnjë shenjë se është qetësuar. Gattari fillon t\'i flasë për të bijën. Çfarë do të ndodhte nëse babai do të përfundonte në burg apo do të binte poshtë? Po, karta e qëndrimit? Sa dëme do të bëhen nëse do të ndodhin këto budallallëqe?!"

Më në fund bindet. Gashi, pasi lëshon edhe një britmë tjetër: "Fëmijët po vdesin urie, është gjë e rëndë, meritonte një gjest goditës..."

Për fat të keq, veprimi i tij është denoncuar dhe ai duhet të shkojë në gjyq. Ka patur kosto për prokurorinë, për shërbimet publike, mbi të gjitha, për atë të shërbimit të zjarrfikësve, 14 orë rresht në roje. Ndaj, Gashi, me gjithë qëllimin e mirë, duhet të shkojë para një trupi gjykues. Ndoshta gjykata do të jetë disi e butë me të...

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama