Mihal Anagnosti piktori i fundit i artit pasbizantin ne Shqiperi

Mihal Anagnosti, piktori i fundit i artit pasbizantin ne Shqiperi

Ekspozita “Mihal Anagnosti dhe arti i tij. Piktori i fundit pasbizantin në Shqipëri” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 18 ikona, 14 prej të cilave i përkasin fondit të kishës së Shën Mërisë në Elbasan dhe 4 fondit të MHK-së. Veprat ekspozohen për herë të parë dhe arrijnë që të evidentojnë vlerat e artit ikonografik pasbizantin (shek.XIX) në Shqipëri. Tematikat që trajtohen në to janë të ndryshme. Mund të përmendim: “Tre Jerarkët”, “Shën Julita dhe Shën Marena”, “Shën Harallambi dhe Shën Trifoni”, “Shën Gjergji”, si dhe disa ikona me skena nga jeta e Krishtit. Kuratorja e ekspozitës, Dorina Arapi tregon për “Shekulli”-n, teknikat që ka përdorur ikonografi i fundit i artit pasbizantin në Shqipëri, lidhjen që kishte me vendin etj. Ekspozita ikonografike do të qëndrojë e hapur për publikun artdashës një javë.

Zonja Arapi, një ekspozitë të titulluar “Mihal Anagnosti dhe arti i tij”... Çfarë mund të na thoni për kontributin e tij në artin pasbizantin në Shqipëri?

Vetë tematika e ekspozitës “Mihal Anagnosti dhe arti i tij”, ka në qendër ikonografin e fundit të periudhës pasbizantine në Shqipëri. Ky piktor cilësohet i fundit, sepse mbyll një epope shumë të gjatë shekullore, që ka pasur ky art në Shqipëri. Ne kemi prezantuar disa ikona nga fondi i MHK-së, ndërsa 14 prej tyre vijnë nga Elbasani. Ato ruhen në gjendje shumë të mirë.

Cilat janë tematikat që trajtohen në këto ikona?

Tematikat e 18 ikonave, që ka realizuar Mihal Anagnosti janë të ndryshme. Kemi ikona shenjtorësh si: “Tre Jerarkët”, “Shën Julita dhe Shën Marena”, “Ungjillorët Mateu, Marku e Luka”, “Shën Harallambi dhe Shën Trifoni”, “Shën Athanasi i Madh, Kirili i Aleksandrisë dhe Eftimi i Madh”, “Shën Gjergji”, “Ikona e gjithë shenjtorëve” etj. Ndërsa skenat janë marrë nga jeta e Krishtit, si për shembull, “Rrethprerja e Krishtit”, “Hyrja në Jeruzalem”, “E diela e të verbëritë” etj.

Në krijimtarinë e tij, sa besnik u ka qëndruar rregullave të artit bizantin?

Kur flasim për Mihal Angnostin nuk diskutojmë thjesht një autor të kësaj tradite, por veprat e tij duhet t’i shohim dhe nga ana estetike. Vëmë re se në ikonat e tij ka ndikime të artit të Venecias, këtë e shikojmë jo në gjëra të kanunit të artit bizantin, por në modelet sesi ai trajtonte portretet e shenjtorëve. Teknikat janë në bojëra dhe temprea. Për realizimin e tyre është përdorur druri dhe janë vendosur fije ari, pastaj ngjyrat hapen gradualisht nga ngjyra e errët në të ndriçuar, derisa arrihet kulminacioni.

Përsa u përket rregullave të artit bizantin, bazohej në rregulla dhe kanune, prandaj ka rezistuar në shumë shekuj. Qysh kur lindi, në fillimet e kristalizimit, njerëzit vinin nga besime të ndryshme, prandaj duhet të gjendeshin mënyra që mesazhi t’u komunikohej të gjithëve njëlloj. Portretet e shenjtorëve dhe skenat u standardizuan, që kur të hynte besimtari në kishë ta dallonte, që në momentin e parë se për çfarë skene bëhej fjalë, se cila ishte skenë me Shën Marenën me Krishtin dhe cila tjetër. Prandaj arti bizantin ecën kah rregullave të veçanta, ndryshe nga ai perëndimit, që bëri Mikel Anxhelo apo Leonardo da Vinçi.

Ngjarjet që mbartin ikonat e realizuara prej tij?

Shenjtorët që kanë qenë në fokus të Mihal Angnostit përgjithësisht janë të ndryshëm. Ne kemi ekspozuar si ikonën e parë të “Shën Julita dhe Shën Marena”, dy shenjtoreve që u persekutuan për shkak të besimit të tyre kristian. Pasi përgjithësisht ikonografia ka lindur gjatë viteve të para të kristianizmit, kur perandoria romake persekutonte kristianët. Nëse marrim “Shën Julita dhe Shën Marena”. Shën Marena u persekutua për besimin e saj, sepse ishte e krishterë. Një nga mrekullitë e saj është se djalli i del në formë dragoi dhe ajo me kryq në dorë e vret.

Dhe së fundmi, rëndësia e artit pasbizantin në Shqipëri?

Kjo ekspozitë është hapur me synimin për të promovuar trashëgiminë kulturore pasbizantine në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme, sepse për herë të parë i shfaqen publikut disa ikona që janë pjesë e fondit të MHK-së dhe kishës së Shën Mërisë në Elbasan. Gjithashtu ka rëndësi, sepse ne kemi qenë pjesë e perandorisë Bizantine. Në vitin 1453 ra perandoria e Kostandinopojës, por në shekullin XVI ne kemi Onufrin, i cili nis traditën e ikonave, pikturimin e kishave etj. Këta e vazhduan traditën në shekullin XV-XVI-XVII-XVIII me një nivel shumë të lartë. Në shekullin XIX,  dhjetëvjeçarin e parë është ende familja e Çetirëve, që e ruan dhe e zhvillon traditë në një nivel të lartë artistik. Më vonë futet një lloj dekadence, arti fillon ndryshon. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dalin pikturat realiste. Ndërsa Mihal Anagnosti me të birin, Danielin, e mbyllin këtë periudhë të madhe.

Biografia

Zakonisht ikonografët nuk e shkruajnë emrin e tyre, por një nga ikonat që ruhet në Pavijonit e Ikonave në MHK, ai ka shënuar emrin e tij, Mihal Angnosti nga Samarina. Ky mbishkrim vërteton se Mihal Anagnosti vinte nga Samarina, një fshat vllehsh në Grebena. Mihal Anagnosti e trashëgoi traditën e pikturimit të ikonave te djali i tij, Daniel. Në zonën e tyre ata njiheshin edhe me mbiemrin Zisi, por ka gojëdhëna, sikurse thonë edhe studiues të tjerë, se ai mund të ketë qenë nga Dibra. Mihal Anagnosti ka bashkëpunuar dhe me drugdhendësin, Petro Filipi nga Dibra e Madhe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama