Mid’hat Frasheri si dijetar i kultures shqiptare

Mid’hat Frasheri si dijetar i kultures shqiptare
I gjithë kontributi i M. Frashërit për arkivat dhe referencat për dokumentacionet historike të Shqipërisë, koleksioni dhe pasioni i tij për albanologjinë shpjegohet në këtë shkrim nga studiuesi i njohur i arkivave shqiptare. Shkrimi flet gjerësisht dhe si rrallë herë për këtë kontribut dhe botohet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku ai ruan një kontribut të vlefshëm historik

Mid’hat Frashëri, një nga pasardhësit e familjes së Frashërllinjve, që i ka dhënë aq shumë çështjes kombëtare shqiptare, historisë dhe kulturës se saj, do të mbetet një dijetar me një horizont të gjerë intelektual. Dy pasuri te mëdha të kombit shqiptar, Arkivi Qendror i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare, kanë në fondet e tyre dhe trashëgiminë e madhe që ka lënë Mid’hat Frashëri, të krijuar prej tij në vite.

Dhe këtë detyrë ndaj kombit ai filloi ta kryente që në moshën 16 vjeçare. Me entuziazmin dhe guximin e një të riu, që do ta karakterizojë gjithë jetën, pavarësisht moshës, letërkëmbimi i tij për të marrë përgjegjësitë që duhet të ketë çdo shqiptar ndaj kombit do të nisë për të bashkëpunuar me personalitete të shquara të kohës brenda dhe jashtë vendit. I riu 16 vjeçar, Mid’hat Frashëri, letrën e parë do t’ia drejtojë nga kryeqendra e Perandorisë Osmane, Stamboll, Ibrahim Temos në Rumani. Kjo letër mban datën 24 Nëntor 1896. Ai në këtë letër, ndër të tjera, i thekson nevojën e luftës me penë të patriotëve shqiptarë në gazetat e Evropës për të bindur opinionin ndërkombëtar se Shqipëria është gjallë e ka zot dhe të mos lejohet që ajo të bëhet kafshatë e fqinjëve.

 Mid’hat Frashëri, do të mbetet një ndër protestuesit më në zë ndaj padrejtësive dhe mizorive që u bëheshin vazhdimisht nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe qeveritë e shteteve fqinje, vëllezërve të tij shqiptarë në trojet e tyre të trashëguara brez pas brezi. Rëndësia e arkivave Mid’hat Frashëri, duke vlerësuar rëndësinë e madhe të arkivave dhe bibliotekave, të cilat për nga vlera ishin “sa dhe lufta për të mirë të kombit tonë”, bëri kërkime dhe botoi dokumente në gjuhën shqipe dhe të huaj, vetëm e vetëm për të hedhur dritë mbi historinë e Shqipërisë. Kujdesi i madh dhe i pandërprerë që ai tregoi ndaj burimeve të shkruara nuk ishte thjeshtë një dëshirë e tij, por ai e shikonte atë si një kërkesë te nevojshme të kohës.

Gjithashtu, Mid’hat Frashëri, ashtu si Syrja Vlora, si një nga historianët e parë të Perandorisë Osmane dhe të Shqipërisë, i panjohur deri tani për këtë ndihmesë të tij, do t’i shikonin dhe analizonin të dy dokumentet, si një burim të rëndësishëm për të ndërtuar një urë ndërlidhëse ndërmjet së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes për të krijuar një histori dhe një kulturë në vijimësi dhe vazhdimësi të kombit shqiptar.

Mid’hat Frashëri do të shkruajë në revistën “Dituria” se “askush nuk mund të mohojë lashtësinë e shkrimeve dhe të studimeve shqiptare për një periudhë katërqind vjeçare. Dhe për këtë, burimet historike duheshin grumbulluar, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Ai nënvizon se “nevoja për të ruajtur kujtimet është e pandarë prej nevojës që ndjen njeriu të ruajë mendimet e tij, t’iu japë një formë duke i fiksuar me anë të shkrimit, është pra një e duhur aq ’e inteligjencës sa edhe e sentimentit”. Dhe kjo punë e vazhdueshme brez pas brezi do të bënte që të “formohet thesari intelektual dhe kombëtar i një populli, histori e tij, monumenti i jetës se shkruar që vepron mbi ditët e sotme dhe kohën e ardhme”. Dokumentet, kujtimet, kronikat, letërkëmbimi privat, janë për Mid’hat Frashërin, burimet bazë për të shkruar historinë e kombit.

Mid’hat Frashëri, ashtu si do të gëzohej, kur do të shkruante për formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të shkruante se “ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë”, ashtu ai do të gëzohej dhe për gjetjen e dokumenteve, në bazë të të cilave, do të shkruhej historia e Shqipërisë. “Sa do të ishim të lumtur, - shkruan  Mid’hat Frashëri -, sikur të gjenim sot, gjëkundi fshehurë dhe harruarë, karterat e një shtëpije, e një fëmije ose të një katundi, rrëfimin e ngjarjeve të vogla, një shënim për mënyrën e rrojtjes. Sa dritë do të hidhnim mbi errësirën e kohëve të shkuara, ajo dritë qoftë –qoftë edhe shkëndija të vogla. “Të gjitha këto burime historike, të marra së bashku, do të përbënin thesarin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve.
 
Dokumentet e gjurmuara

Pushtimet e huaja, fatkeqësitë natyrore, moskujdesja sa duhet, kishte bërë që një pjesë e burimeve dokumentare të ishin zhdukur, grabitur, djegur dhe një pjesë shpërndarë sa andej këndej, dhe disave nuk dihej se ku ndodheshin. Mid’hat Frashëri do të ndërmarrë ekspedita të posaçme për t’i gjurmuar se ku ndodhen dhe do t’i prekë ato. Të rëndësishme ndër këto dokumente për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar, ai do të veçonte dorëshkrimet shqip me alfabet arab të Hafez Ali Ulqinakut, të cilat i kishte parë në Shkodër, të Sulejman Ramadanit, Hasan Zyko Kamberit dhe Nezim Frakullës. Një pjesë të këtyre dokumenteve, ai kishte parë në vitin 1913 në Berat, në shtëpinë e Sulo Resulit, të priftit të Mirditës, Zarishtit, ndërruar jetë ky i fundit rreth vitit 1780. Kurse  liturgjinë e Theodhor Haxhi Filipit e kishte parë në shtëpinë e Lef Nosit, dorëshkrimet e Tush Pinës në Elbasan dhe ato të Gjergj Pekmezit në Vjenë.

Si një burim i rëndësishëm për të shkruar historinë e Shqipërisë , veçanërisht atë të periudhës kur Shqipëria ndodhej nën administrimin e Perandorisë Ottomane, Mid’hat Frashëri do të vlerësonte regjistrat e gjykatave të Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Janinës, Tiranës, Shkodrës, etj. Këto regjistra mbaheshin nga kadiu në çdo sanxhak, sipas ndarjes administrative të kohës dhe janë një enciklopedi, një ditar i hollësishëm për të gjitha ngjarjet politike administrative, demografike, arsimore, kulturore, fetare etj. që ndodhnin në vilajet dhe më gjerë. Në këto regjistra nuk shkruheshin vetëm fermanet, urdhrat e ndryshme nga Porta e Lartë për emërime, shkarkime, zgjidhje konfliktesh pronësie, hapje shkollash dhe programet e tyre, lidhjet martesore dhe shkurorëzime, mobilizim forcash për t’i dërguar në ekspedita ushtarake për të shtypur kryengritjet atje ku kishin shpërthyer e vendosur qetësinë.

Në këto regjistra kadiu shkruante dhe çmimet e mallrave që duhet të shiteshin në treg, sëmundjet e ndryshme që përhapeshin si epidemi për popullsinë, fatkeqësitë e ndryshme natyrore stuhitë, etj. Edhe këto ngjarje i përkasin shekujve XVI-XX. Por deri në ditët tona kanë arritur të ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit vetëm regjistrat e gjykatës së sanxhakut të Beratit, të cilët fillojnë në vitin 1603. Kurse për sanxhakun e Elbasanit janë ruajtur kopjet e tyre dhe kjo vetëm në saj të kujdesit të Lef Nosit, i cili paguante në mënyrë private një njohës të mirë të turqishtes së vjetër (osmanishtes) për t’i kopjuar ato.

“ Nga pyetjet e mia personale – shkruan Mid’hat Frashëri -, kam mësuar se, në Elbasan , të tillë sixhilate (rregjistra-K.N.) kanë qenë komplete të pacenuara prej zjarri ose katastrofe tjatre, dhe mbajtur në 64 defterë të mëdhenj, të lidhur me lëkurë”. “Por, vazhdon më poshtë, - mjerisht në luftë të Ballkanit, më 1912, kur okupuan e për ca kohë serbët qytetin, bashkë me arkivat relativisht tëra të kadastro dhe financës hupnë dhe të gjitha kartërat e gjykatores sherie”.

Një ose dy prej këtyre regjistrave që ndodheshin në shtëpi të Aqif Pashës kishin kaluar në dorë të Lef Nosit. Një fatkeqësi të tillë pësuan edhe arkivat e Durrësit dhe të Shkodrës, kur serbët me vandalizma i shkatërruan dokumentet. Vetë Mid’hat Frashëri kishte parë me sytë e tij, anës detit në Durrës, përpara godinës së qeverisë së atëhershme, pirgje kartërash të nxira, të thëngjillosura ose të bëra hi. Kurse grekërit, në kohën që pushtuan pjesën e jugut të Shqipërisë, morën nga Gjirokastra dhe i dërguan në Janinë, të gjitha dokumentet që ndodheshin në zyrat e bashkisë së saj.

“Prandaj, - nënvizon ai -, do të ishte mirë që një autoritet kompetent t’i jepte rëndësi kësaj pike, se çdo njeri që mejtohet pakë dhe që kujdeset për rrojtjen e këtij vendi të mjerë, dëshiron t’i shohë të mbështjella dhe të vihen në rregull ato pak gjëra, që kanë mundur të shpëtojnë nga zjarri dhe nga armiqësia e njerëzvet, të mos lihen nën mëshirën e brejtjeve ose të lagështirës.”. Një pjesë e këtyre burimeve historike janë grabitur dhe nga të huajt, për të cilat Mid’hat Frashëri shpresonte se një ditë do t’i kthehen vendit të tij. Ai, gjithashtu iu jep rëndësi të madhe dhe kërkimeve dhe grumbullimit gjerësisht të dokumenteve për Historinë e Shqipërisë në arkivat e vendeve të tjera, veçanërisht në arkivat e Turqisë, Venedikut, Milanos, Raguzës, Vatikanit, Propogandës së Fides, Mbretërisë së Aragones, të Parisit, Londrës, Vjenës, Petërburgut, Athinës, etj.

“Meqenëse nga pushtimi i Kostandinopolit e deri më 1912, vendi ynë mbeti i pushtuar nga Perandoria Osmane, çdo ngjarje në këtë perandori ka ndikimin e vet dhe në Shqipëri, kështu që histori e Turqisë, ose më mirë të themi historianët e Turqisë, - vë në dukje ai, - pa dashur dhe tërthorazi janë dhe historianët tanë”.

Numri i dokumenteve të kësaj periudhe 500 vjeçare është shumë i madh dhe Mid’hat Frashëri  dëshiron hartimin e një bibliografie të plotë të kësaj periudhe të gjatë historike.

Duke ndjekur botimet e studiuesve gjermanë lidhur me këtë periudhë ai vëren se  historianët gjermanë për historinë e Perandorisë Osmane, Hammeri dhe Zinkeisen në veprat e tyre, kanë vënë shënimet në fund të faqeve, por nuk kanë mundur të hartojnë një bibliografi të dokumenteve në gjuhën turqishte të vjetër (osmanisht). Një burim i rëndësishëm për studiuesit e kësaj periudhe, - thekson Mid’hat Frashëri, - janë letërkëmbimi, vendimet, dekretet, raportet, regjistrat në të cilat shënoheshin aq sa ngjarjet me rëndësi kryesore, po aq dhe faktet, që japin një tablo besnike të jetës së kohës, material aq shumë i çmueshëm sa nuk gjendet dot vend historie, në librat që emërohen me këtë emër, por që kanë rëndësinë e tyre të veçantë si kronikat dhe dokumentet. Stambolli, është për Mid’hat Frashërin, qendra e arkivave të Turqisë, ku ndodhen një numër i madh dokumentesh lidhur me historinë e Shqipërisë. Njëra është godina pranë Bab-i Alisë (Porta e Lartë-K.N), - shkruan Mid’hat Frashëri, - me 350.000 akte dhe tjetra në pallatin e vjetër Top-Kapi, me 600.000 akte. Gjithashtu ai shton se pranë akteve të Portës së Lartë janë dhe arkivat e Divan-I Humajunit (Dekretet Perandorake) me 1592 volume. Nga këto volume, 185 janë vetëm për Rumelinë, ku përfshihet dhe Shqipëria. Krahas këtyre arkivave, janë dhe arkivat kadastrore (Defter-i Hakani), arkivat e financës, të ushtrisë, të shpenzimeve, të gjykatave etj.

Mid’hat Frashëri një rëndësi të madhe iu jep dhe arkivave të Venedikut. Ai shkruan se ato mbushin 400 dhoma të Manastirit Ferari, të plotësuara këto me inventarë dhe katalogë, ku “këto lëndë gjigantike na premtojnë një prodhim të paçmueshëm, në të cilën çdokush do të gjejë materialin për të ngrehur një godinë gjithnjë të re dhe çdo ditë me madhështi. “Arkivat e Venedikut janë hulumtuar lidhur me historinë e Shqipërisë nga studiues të huaj të shumtë , veçanërisht gjatë viteve 1812-1875. Ndër këta, Mid’hat Frashëri do të theksojë Carlo Denois, Ceçhette, Makushef, Gregorovic, Lamnasky, Bogonic, Sathas, Marti Thomas etj.

Ndërmjet tyre që ka hulumtuar arkivat e Venedikut është dhe emri i dijetares shqiptare Dora D’Istria. Mid’hat Frashëri është një njohës i hollësishëm dhe i arkivit të Manastirit të Ferarit. Në Manastirin e Ferarit kanë shërbyer një numër klerikësh me origjinë shqiptare dhe mendohet se ata aty kanë ruajtur dhe një numër jo të vogël librash, fotografi dhe dokumente të vjetra në gjuhën shqipe. Mid’hat Frashëri jep të dhëna se në manastirin e përmendur më lart ndodhen për Dalmacinë dhe Shqipërinë 1279 regjistra dhe pjesa më e madhe e tyre u përket viteve 1519-1795. Katalogët e tyre përmbajnë rubrikat e klasifikimit: Albania, Butrinti, Korfuz, Durrës, Pragë, More, Prevezë etj.
 
Dorëshkrimet e rralla

Vëmendja e Mid’hat Frashërit përqendrohet dhe në hulumtimin dhe grumbullimin e dorëshkrimeve të rralla shqipe. Bibliografinë e hartuar për këto dorëshkrime nga studiuesi francez Mario Roque dhe albanologu Nikolla Jorga, ai nuk e konsideron të përfunduar dhe të plotë. Duke u mbështetur në hulumtimet e tij, monumentet letrare dhe historike të shkruara në gjuhën shqipe në qytetet e Shqipërisë dhe jashtë saj arrijnë numrin 400, pa llogaritur gazetat, të cilat kapërcejnë të 90-ta dhe 100-tat.
Me mjaft vlerë për Historinë e Shqipërisë, ai përfshin dhe dokumentet e kishave, xhamijave dhe të teqeve, të cilat e kanë pasur traditë ruajtjen e tyre.

Një ndihmesë të veçantë gjatë shekujve për ruajtjen e dokumenteve kanë dhënë dhe teqetë bektashiane, të cilat i shihnin ato si burime të rëndësishme për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ai, duke qenë se rridhte dhe vetë nga një familje e besimit bektashian, u bën thirrje teqeve bektashiane për të mbledhur dhe grumbulluar kujtimet dhe dokumentet e humbura. Shpirti i tij patriotik u kërkon atyre se si për çdo send, që është e jona, e Shqipërisë, do të ishte mirë që të ngjallin dhe kujtimet e vjetra relative me faltoret e bektashizmit. Gjithashtu, Mid’hat Frasheri, duke parë punën e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të At Shtjefën Gjeçovit në grumbullimin dhe ruajtjen e thesareve të kombit shqiptar, më 25 tetor 1922 dhe duke vlerësuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një ngjarje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i shkruan për formimin e një shoqërie, e cila do të kishte si detyrë të mblidhte dokumentet për këtë ngjarje.

Libraria e Mid’hat Frashërit, duke qenë mjaft e pasur, pasuronte vazhdimisht dhe Bibliotekën Kombëtare . Vetëm gjatë viteve 1929-1930, kjo bibliotekë mori nga libraria e Mid’hat Frashërit1127 libra. Në vitin 1937 kjo librari numëronte 6000-7000 libra. Kurse gjithsej, numri i librave të bibliotekës dhe i librarisë së tij, arrinte numrin 18.000, duke përbërë kështu dhe bazën e Antikuarit dhe të Albanologjisë së Bibliotekës Kombëtare mbas sekuestrimit që i bëri regjimi diktatorial. Ekziston dhe një mendim tjetër, se numri i librave të Mid’hat Frashërit arrinte ne 40.000. Biblioteka e këtij dijetari, nuk ishte thjesht personale. Ajo ishte e hapur dhe për lexues të tjerë, veçanërisht për nxënësit, të cilët nuk kishin mundësi financiare të blinin libra. Dhe Mid’hat Frashëri i lejonte këta nxënës t’i merrnin këto libra jashtë bibliotekës dhe t’i lexonin në shtëpitë e tyre. Ai, duke treguar një kujdes të posaçëm për ruajtjen e librave, vinte shpallje përpara bibliotekës dhe u dërgonte njoftime shkollave për t’i porositur nxënësit, që kur të merrnin librat dhe katalogët, t’i mbanin pastër dhe të mos i grisnin.

Me 4 Prill 1929, Mid’hat Frashëri do të shkojë në Noterinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ku do të nënshkruajë testamentin me nr.163. Me këtë testament, gjithë pasurinë e tij mbas vdekjes ia dhuronte kombit shqiptar. Kopjen e këtij testamenti ai ua dorëzoi dhe bashkëkohësve të tij, tek të cilët kishte besim, të cilët ishin: Njazi Tirana, Sotir Kolea, Dhimitër Berati, Et’hem Fuad Frashëri dhe babai i Teqesë së Frashërit. Mid’hat Frashëri, nëpërmjet këtij testamenti, gjithë pasurinë e tundshme dhe të patundshme, librat, mobiliet i linte për krijimin e një Instituti Albanologjik, të një qendre shkencore për studiuesit shqiptarë, në të cilin do të kryenin studimet e tyre për Historinë e Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë testament ai kërkon që biblioteka e tij private të ruhej e plotë, ashtu si i kishte mbetur e trashëguar nga i ati, Abdyl Frashëri dhe të afërmit.

Kurse me shumën e të hollave që ai do të kishte në shtëpi, në ndonjë bankë ose hua, duke i shtuar dhe shumën që do të merrej nga shitja e librave duhet të përdoreshin gjithashtu për ngritjen e Institutit Albanologjik. Mid’hat Frashëri, kërkonte njëkohësisht që ky Institut të ishte larg çdo godine tjetër dhe të mos kishte rrezik zjarri. Librave të bibliotekës së tij dëshironte që t’iu vihej vula me nënshkrimin “Biblioteka Lumo Skëndo, 1897”. Një skicë e vulës ishte përgatitur nga Eshref Frashëri. Personave të lartpërmendur, të cilëve u kishte dhënë kopjen e testamentit, i kishte ngarkuar për ta mbaruar atë dhe për të ngritur Institutin Albanologjik. Nëqoftëse ndonjëri do të mungonte, në kohën kur Mid’hat Frashëri do të kishte ndërruar jetë, do të zëvendësohej nga Athanas Shundi, farmacist në Tiranë, dhe Hasan Toptani, biri i Murat Toptanit. Testamentin e tij ai e përfundon duke shkruar këto fjalë: “Nuk di ku do të vendoset Instituti, po, nëqoftëse goditet pakëz jashtë qytetit do të donja varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjër, duke hyrë nga porta e rrugës. Mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjallimin e tij”.

 *Studiues i arkivave


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama