Mevlan Shanaj Kam jeten kam dashurine

Mevlan Shanaj: Kam jetën, kam dashurinë
Intervista e jetës / Një gjykim i hapur për karrierën 45-vjeçare në televizion dhe kinema, rrëfim i sinqertë për fëmijërinë e dhimbshme, rininë e viteve '70, vitet në krah të Natasha Lakos, për tradhtinë dhe për projektet që koha ka lënë përgjysmë. Mevlan Shanaj mbushi dje 65 vjeç

"Kam dëshirë përsëri t'i trazoj njerëzit, t'i bëj të mendohen". Një fjali që në një lum të pathënash, del mënjanë të tjerave nga biseda me regjisorin Mevlan Shanaj. Një ditë para përvjetorit të tij të gjashtëdhjetë e pestë, pranon të flasë për jetën, fëmijërinë e dhimbshme në qytetin e Mallakastrës, fëmijën e ndrydhur që u formua aty, rininë e viteve '70, vitet e universitetit dhe dashurinë me studenten e gazetarisë Natasha Lako, martesa dhe përgjegjësitë që mori përsipër 26-vjeçar.
Më tej për karrierën, si e ka gatuar artit e tij, dashurinë për filmin artistik dhe pasionin për dokumentarin.

Mevlan Shanaj është prezantuar për publikun si aktor, regjisor në kinema dhe televizion, dhe si producent. Nga viti 1987 deri më 1992 ka qenë Drejtor i Departamentit të Filmit në TVSH dhe Anëtar i Këshillit Artistik i "Grupi Përzgjedhës i filmave" Kanë, Pragë, Budapest, Bukuresht. Shkëputet për 4 vite nga televizioni dhe kthehet në vitin 2001 si drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit në TVSH. Në vitin 2001 ka filluar punën e producentit dhe regjisori me "Zig-Zag" Film. Më 2005-2006 ka ushtruar profesionin e pedagogut në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi" e deri më sot në degën e regjisë në Akademinë e Arteve. Në vitin 2008 mori titullin "Mjeshtër i Madh".

Shanaj ka interpretuar në filmat: "I teti në bronz"(1970) regjisor Viktor Gjika, "Malet me blerim mbuluar" (1971) regjisor Dhimitër Anagnosti, "Guximtarët" (1970) regjisor Gëzim Erebara, "Rrugicat që kërkonin diell" (1975) regjisor Saimir Kumbaro, "Ballë për Ballë"(1979) regjisor Kujtim Çashku, "Rrethimi i Vogël" (1986) regjisor Saimir Kumbaro, "Pranvera s'erdhi vetëm" (1988) i Pirro Milkanit, "Viktimat e Tivarit"(1996) i Ekrem Kryeziut, "Unë e dua Erën" (1991), dhe "Lule të Kuqe Lule të Zeza" realizim i vetë Shanajt. Të tjera realizime të tij janë filmat artistikë: "Korrierët" (1976), "Plumba Perandorit" (1980 ), "I Paharruari"(1984), "Të Shoh në Sy" (1985), "Një Telegram dhe një Këngë" (1986), "Fletë të Bardha" (1990). Dokumentarë: "Marie Kraja", "Tefta Tashko", "Komani një Betejë e Madhe", "Gju me Gju", "Lasgush Poradeci", "Berati Qyteti i Bardhë", "Zëra nga Lashtësia", "Katër Mëngjeset", "Pandi Raidhi", "Rrugët", "Bibla & Kurani" , "Një ftesë nga Iliri", "Visi", "Përcjellja", "Shkronjat e Pavarësisë".




Sot mbush 65- vjeç. A mund ta quajmë këtë intervistë, "një rrëfimi i shkurtër për të pathënat"?
Gjashtëdhjetë e pesë vjet janë të mjaftueshme për të bërë një bilanc. Kush je? Nga ke ardhur? Çfarë ke bërë?.

E nisim me Mallakastrën, vendin e lindjes, të kujtimeve të para.
Vij nga një vend që ka shumë ullinj. Ullinjtë janë të gjelbër gjithmonë dhe kjo ngjyrë shpreh mirësi. Ndoshta, tek unë diçka e tillë mund të ketë udhëtuar. Deri më 14 vjeç kam jetuar midis Mallakastrës dhe Patosit, një vend me naftë. Ardhja ime në jetë, përkon me një ngjarje shumë të madhe, fundin e Luftës së Dytë Botërore, si dhe dëshmitar i përcjelljes së një sistemi.
Unë jam rritur si të gjithë fëmijët e asaj kohe, pjellë e një sistemi të ri, me shumë euforira, me shumë vështirësira, por me një ambicie të madhe për dije. Mbarsja dhe lindja janë të rastësishme. I rëndësishëm është drejtimi që merr në jetë. E quaj veten me fat dhe njeri të realizuar, por ende kam pak vend bosh. Nuk jam i nginjur, për sa i përket krijimtarisë.
Kurse, Patosi është një qytet konglomerat, me njerëz të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Shquheshin inxhinierët që vinin nga jashtë shtetit. Kam banuar tek shtëpitë ku ishin Jugosllavët dhe më vonë, shkollën e bëja ku ishin rusët. Domethënë ndikimet e të huajve në fëmijëri lanë edhe gjurmët pozitive. Jam një fëmijë i edukuar nga radio, dhe jo nga televizioni, dhe sigurisht edhe nga filmi rus. Lexoja letërsinë e kohës, letërsi ruse. Ishte ajo që mbizotëronte në biblioteka.

Kjo është koha e mësimeve të para të moralit. Si i ngulitën tek ju prindërit parimet e moralit?
Kthehem pas tek fëmijëria ime e dhimbshme. Në fëmijëri kam përjetuar vdekje. Më ka lënë babai shumë të vogël, më pas një vëlla. Akoma pa mbushur pesë vjeç kisha dy vdekje të mëdha brenda familjes. Mbeta nën kujdesin e një nëne e veshur me të zeza. Në impresionet e mia të fëmijërisë, nënat vishen me të zeza. Kjo ngarkesë emocionale është ngulitur thellë tek unë dhe deri në moshën që unë u shkëputa, 14 vjeç, kam qenë një fëmijë timid, një fëmijë që duhet t'i bënte shumë mirë të gjitha punët, që të ishte i edukuar, të mësonte mirë, të ishte i sjellshëm, pra të bënte më të mirën. Dhe jo vetëm kaq, por të mos ja kërkonte tjetrit kurrë të keqen, ashtu sikurse, nuk ia donte vetes së tij. Ndoshta kjo fëmijëri e hershme, e ngulitur, udhëtoi gjatë, brenda meje. Keni përpara një njeri që udhëton me të gjelbrën, me shpresën. Kjo ka qenë motoja ime: jeto me shpresën.



Ndrydhja ishte edhe në adoleshencë?
Di një dashuri nëne, një përkëdheli të skajshme dhe një largim nga e keqja.
Deri aty sa edhe kur lindin dëshirat e adoleshencës për të qëndruar pak më gjatë natën, apo për të lexuar diçka më shumë. Një mentalitet tashmë i shkuar. Dhe kur u bëra vetë prind në fillimet e mia, mendoj se diçka kam huazuar nga përkujdesi për fëmijët. Një përkujdes pak i tepruar. Megjithëse sot, ata bëjnë opozitë dhe thonë na ke kërkuar më shumë se ç'duhet llogari. Si prind ndihesh mirë kur shikon ecurinë e tyre të suksesshme.



Pra, jeni për disiplinën?
Unë kam një problem me time shoqe. Shquhem për tolerancë dhe ajo disa herë më thotë, tolerancë të skajshme nuk mund të ketë. Njeriu duhet të jetë edhe luftarak. Është nga Korça gruaja ime, është luftarake, është malësore, është me një background tjetër. E bëjmë këtë debat, por jeta më ka mësuar, se të gjithë njerëzit kanë të drejtë, në mënyrën e tyre. Nuk mund ta akuzoj Natashën që s'ka të drejtë, por ama duhet të mbroj veten time. Mendoj se toleranca është ajo që të thotë se ky është një model.



Kur erdhët në Tiranë, kishit më tepër liri?
Më 1959. Kam bërë shkollën e mesme, Politeknikumi mjekësor. Kam mbaruar për ndihmës mjek dhe më vonë ndërrova degë. Sot njerëzit e lakmojnë mjekësinë, luftojnë për ta mbërritur atë. Por unë me insistimin tim, me aventurën e moshën, e kapërceva. Kam vazhduar më pas shkollën "Aleksandër Moisiu", që më vonë u quajt Instituti i Lartë i Arteve dhe sot Akademia e Arteve. Kam konkurruar me fragmentin "Garda e re" nga Esenini dhe me e "E kuqja dhe e Zeza" të Stendalit.



Pa mbaruar shkollën interpretoni tek "I teti në Bronz". U bëtë papritur i famshëm?
Ndihesha shumë i vlerësuar. Në atë kohë kishte pak prodhim filmi, por kishte shumë organizim. Ishte një kanal televiziv dhe filmat shfaqeshim shumë herë. Isha në moshën, 25-vjeçare, në një moshë të bukur, plot me ëndrra, pasion dhe përnjëherë, papritur u bëra një njeri me përgjegjësi personale. Ndoshta kjo gjë më ka bërë mirë, por ndoshta më ka bërë keq se m'i ndërpreu aventurat shpejt.



Cilat aventura?
Në vitet '60-'70 në art, në të gjithë botën, ka eksplorime, kërkime për lirinë e mendimit, për lirinë e seksit, për opozitë të politikës. Dhe në Shqipërinë tonë të vogël, por gjithmonë të varfër, këto ide përcilleshin. Idetë vijnë në mënyrë eterike, nuk frenohen dot. Sigurisht që censurova shumë gjëra në aparencë. Sepse ishte sistemi që t'i censuronte, nëse nuk i censuroje ti. Por kjo më bëri edhe mirë, sepse më maturoi.



Ç'ndodhte nëse puthje një vajzë?
Në atë kohë nuk kishte puthje. Unë kur kam puthur Natashën njëherë tek Stacioni i Trenit, njerëzit u shqetësuan. Kur u ndamë, e putha dhe njerëzit aty reaguan përnjëherë. Është koha e një shoqërie, ku ende ka atavizma të çuditshëm. Shoqëri me mentalitet të prapambetur.



Lirinë e kufizuat më tej edhe me martesën?
Po në atë kohë jam martuar. Njëzet e pesë jam martuar. U bëra baba në moshën 26- vjeçare. Ishte një kohë shumë e bukur. Të kesh në kokë ende aventura dhe papritur të marrësh përsipër një peshë shumë të madhe. Por, egoizmi sfumohet dhe dalin në plan të parë çështje më madhore, siç janë ato të lidhjes, të trashëgimisë sidomos shpirtërore.



Ku jeni njohur dhe çfarë ju tërhoqi tek Natasha Lako?
Natasha ishte studente në vitin e parë gazetari. Unë isha student i vitit të fundit aktrim. Jemi njohur në Universitet dhe ishim pranë në godinat e konviktit. Ishte një dashuri studentore, e çlirët, e balancuar, e moderuar. Ajo është tip i kundërt me mua. Natyrë timide, e përmbajtur, poete, njeri sistematik, njeri i organizuar, njeri pas librave. E kundërta ime në gjithçka, në temperament.
Atë akumulimin e hershëm që kisha pasur, më pas e kisha konvertuar në të kundërt, në një njeri të lirë. Kam jetuar 8 vite nëpër konvikte, dhe kjo jetë në komunitete të ndryshme ka lënë mbresa të bukura, interesante, informacion i shumanshëm, dhe kjo më ka vlejtur. Kjo më ka bërë që sot e kësaj dite të ndihem njeri social. Komunikoj mirë me njerëzit.



Ju afruan shijet e përbashkëta?
Jo. Ne të artit lidheshim me këdo (Qesh). Nuk njihnim prangat.



Familja, çfarë fjalësh vendos krah saj?
Baza. Një njeri normal, me kërkesa me aspirata në jetë, nuk mund të jetë i tillë pa bazën e familjes. Familja është shteti, gjithësia, është shpirti i tij. Është orientimi psikik, moral, profesional. Një familje e shëndoshë, do të thotë një shëndet i mirë mendor, një aftësi e mirë krijuese, kushte të mira menaxhuese. Baza e suksesit qëndron në marrëdhëniet në familje. Dashuria e barabartë, respekt i reciprok.
Barazia, respekti, dashuria, kështu funksionon familja në konceptin tim.



Ka influencuar figura e bashkëshortes, Natashës, tek ju?
Ka qenë mikja ime më e mirë. Një pikë referuese e seriozitetit, mençurisë. Kam bashkëpunuar me të në shumë skenarë. Përveç kësaj është shumë kërkuese. Unë përveçse e respektoj, e admiroj seriozitetin e saj, përkushtimin e saj. Natasha është shquar në "lëvizjen feministe". Ajo lufton për të drejtat e gruas. Femra zë vend qendror në krijimtarinë e saj. I them mbete utopiste, në Shqipëri nuk arrihet dot. Natasha di t'i vendosë pikat mbi "i" me çfarëdolloj burri jo vetëm me mua. Është me autoritet. Është intelektuale e formuar në dimensione, realisht botërore.



Folëm për ndjenjën e së mirës, dashurisë dhe ato gjithmonë kërcënohen nga tradhtia. Keni tradhtuar?
Edhe pse e mbaj veten për njeri modern, mund të jem shumë tradicional në këtë pikë. Kam parimin tim, atë që s'ia kërkoj vetes, mos ia kërko tjetrit. Nuk besoj që të më ketë blerë dikush deri më sot, edhe për këtë ndihem krenar. E ndiej tek fëmijët e mi që këtë cilësi ma vlerësojnë. Është pak e vështirë që të më blejnë ose të shitem. Shitblerje me karakterin tim, nuk kam bërë edhe për këtë mund të bërtas fort.



Po në planin tjetër, aty ku është më e zakonshme tradhtia?
Kur të vdesësh tregohen gjynahet (Qesh). Unë mendoj se kam një familje të konsoliduar, të respektuar. Bëj një jetë serioze. Baza e marrëdhënies në respekt është baza e respektit reciprok. Në ndonjë rast, kur bëjnë muhabet burrat u kam thënë: "Po sikur të ndodhte kjo me tët shoqe?" Po sigurisht që pyetja ime sjell tronditje tek burri shqiptar.



Të kthehemi tek profesioni, më parë tek aktrimi. Në cilët filma është shfaqur më tepër Mevlani?
Tek të gjithë. Kam bërë maksimumin. Për shumë vite kam qenë drejtor i departamentit të filmit në Televizion. Por ne atëherë, punuam duke iu imponuar administratës së kohës, si një nevojë e zhvillimit të artit dhe kulturës, brenda televizionit. Dhe arritëm ta bëjmë me sukses. Në atë periudhë në televizion janë bërë shumë filma të suksesshëm.



Me gjykimin e tanishëm, si i shihni filmat që keni realizuar?
Unë kam gatuar film, diku me portretin tim, diku me mendjen time. Por, gjithkund dhe vazhdimisht jam përpjekur që të flas me mendjen time. Në krijimtarinë time, unë nuk mendoj se kam qenë shumë i bujshëm. Kam vendosur aspiratat e mia për të qenë sa më afër njeriut. Edhe ne ekran kur kam dalë, në interpretimet e mia të fillimit, u mundova që të fus anën njerëzore. Plani psikologjik ka qenë një preferencë dhe këtë gjë kam dashur ta ekspozoj në ekran, jo vetëm në filmin artistik, por edhe në filmin dokumentar. Jam një dashnor i dokumentarit, por jo i dokumentarit patetik. Ndihem krenar për dokumentarët që kam bërë. E dua atë gjini sepse është gjinia më e vështirë, dhe një mjeshtër i madh i kinemasë thotë që tek filmi është zot regjisori, kurse tek dokumentari është zoti regjisor. Mua si duket, edhe pse vetë jam ateist zoti më ka dashur, që i bëj punët larg patetizmit, brenda asaj që unë aspiroj. Ndërsa tek filmi artistik, që nga fillimet e mia e deri më sot, përpiqem që të them në mënyrën e Mevlanit dhe për këtë ndihem mirë. Them që nesër, pasnesër, jemi të ikshëm nga kjo botë, kur të mos ketë më pasione, kur të mos ketë më klane, kur të ketë njerëz të qetë, do ta shikojnë këtë mënyrën time. Kjo nuk është për të thënë se më janë mohuar të drejtat, përkundrazi, unë kam marrë maksimumin në jetë deri tek titulli "Mjeshtër i Madh". Më i madhi është marrëdhënia që ka publiku me mua. Vazhdimisht më ka dashur dhe kjo dashuri e tij më ka bërë që të ndihem i përgjegjshëm.



Çfarë ka mbetur ende pa realizuar nga atëherë?
Po të mos kisha qenë me ngarkesat e ditës në televizion, do të kisha një prodhimtari shumë më të madhe filmash. Pjesën më të madhe ma kanë marrë programet televizive, ma kanë marrë koncertet, teledramat, koncertet e vitit të ri, spektaklet. Brenda vetes time kam një kënaqësi që arrita të bëj kinema brenda televizionit. Në televizion unë ndërtova film. Nuk rashë viktimë e soap-operave. Kisha urinë për ekranin, dhe në televizion unë kam folur me gjuhën e kinemasë. Një shembull i tillë është një nga filmat e mi më të suksesshëm të asaj kohe "Plumba perandorit". E quajta me 2 seri, por është një film i plotë, është një film unikal. Edhe sot, pas 30 vjetësh, jo vetëm nuk më skuqet faqja, por jam krenar të them, jam unë regjisor i atij filmi.
Kurse, në jetën time rrethohem nga ajo që dua. Në jetë mund të hasësh gjithçka, por e rëndësishme është të marrësh drejtimin e duhur, në kohën e duhur. Pretendoj se deri më sot, kam ditur të shmangem nga e keqja për të gjetur atë rrugë që unë quaj të drejtë.



Për çfarë ju vjen më tepër keq?
Më dhimbset sepse janë tri institucione të rëndësishme të kulturës shqiptare, që unë i quaj pasuri kombëtare, siç ishte Kinostudio, që të gjitha pushtetet që erdhën në këto vite, bënë çmos që ta shkatërrojnë. Është e dhimbshme për mua, se nuk i ka mbetur asgjë. Kanë mbetur format e vjetra të organizimit, por nuk ka mbetur asgjë nga forma e çuarjes deri në fund të prodhimit. Në institucionin tjetër, që unë kalova pjesën më të madhe të jetës sime, kur u mundova dhe u përpoqa që të jap modelin e transformimit të një qendre të rëndësishme të edukimit, siç ishte Radiotelevizioni Publik Shqiptar, i cili vazhdon të jetë i anatemuar nga publiku sepse pushtetet luftuan që ta pronësojnë. Mirëpo pronësimi i tyre i depersonalizoi. Dhe e treta: Lidhja e Shkrimtarëve dhe e artistëve. Këto ishin tri institucione që kanë pasur të bëjnë me jetën time. Unë nuk bëj dot profesion tjetër. Me këto të tria kam kaluar jetën time 45-vjeçare. Sot ndjej dhimbje kur shikoj se të tria, nën pakujdesinë ekstreme të pushteteve janë shpërbërë.



Çfarë ju thoni të rinjve në Akademi për regjinë?
Për t'u bërë njeri me personalitet në jetë, duhet të shpenzosh shumë energji.



Keni frikë nga vdekja?
Nuk e njoh fare. Është personazhi më i panjohur për mua. Kam jetën, kam dashurinë, kam me kë flas.



Çfarë keni trashëguar nga familja dhe çfarë do t'ju trashëgoni fëmijëve?
Ndershmërinë. Nuk dola më i zoti që t'u lë ndonjë gjë më të madhe.
Të rinjtë kanë filozofi tjetër, kanë koncepte të tjera, por edhe Era dhe Joni, në këtë pikën e trashëgimisë janë tradicionalë.

Jorida Pasku
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama