Metateza e likuideve dhe evoluimi /ti/>/c/

Abdullah Konushevci

• Disa toponime të Dardanisë në dritën e rregullave të fonetikës historike sllave fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë, që morën formën e sotme me ndërmjetësimin e hetueshëm të gjuhëve sllave të jugut

Metateza e likuideve, dukuri kjo e njohur fonetike e gjuhëve sllave të jugut, sikundër dhe evoluimi /ti/>/ç/ ka prekur një numër të madh toponimesh të Dardanisë. Nga më të parat, ne do të përmendim Rashën, kryeqytetin e dikurshëm serb,  dhe formën e saj të dokumentuar, antike, Arsa, ku vihet re si ndërmjetësimi i shqipes me evoluimin /s/>/sh/, po ashtu edhe ndërmjetësimi i sllavishtes me metatezën a – r > r – a.

Po këtë dukuri e gjejmë të dëshmuar edhe për emrin etnik të shqiptarëve, që në dokumentet e para sllave del si raban ose në formë mbiemërore rabanashki për arban dhe arbanashki.

Po ky tip i metatezës, kujtojmë, ka prekur edhe toponimin Prugovc, të cilin ne e gjejmë të dalë nga një trajtë shumë më e hershme e burimit gjermanik Purgovc, ku bie sheshit në sy ndikimi i kulturës sase, se fjala purg/burg kishte kuptimin ‘kështjellë, qytet’. Këtë bindje na forcon edhe më shumë fakti se ky fshat ndodhet në një zonë të ndikimit të fuqishëm latin dhe katolik njëkohësisht, ndaj është e natyrshme që aty këta xehetarë të dëgjuar të Mesjetës të kenë krijuar edhe enklavën e tyre, meqenëse për ta ky ishte një ambient më i sigurt dhe më familjar.

Dijetari sllav Milivoj Pavloviq në punimin “Les coincidences toponymiques en France et en Illyricum” (GJA, IAP, nr. 1, 1968, f.24) mendon se ky lloj i metatezës ka rrokur edhe oronimin Radan  që korrespondon me Ardennes, Silva ardenna në Galinë veriperëndimore, pastaj ai sjell toponimin Arde, hidronimin Ardeche, etj.

Bazën Ard pa ndërmjetësimin gal ai e gjen te hidronimi Ardea (në Rumuni), Arda në Bullgari dhe Radika (në Maqedoni).

Megjithatë, duke marrë parasysh topografinë e disa vendbanimeve, që shtrihen kryesisht rrëzë malesh, ne mbrojmë mendimin se toponimet, që hasen në trojet shqiptare, si: Radavc, Radoniq, Radishevë, Radashevc, Radikë, Radushë gjajnë të jenë më parë nga baza latine radix, -icis ‘rrënjë’. Pra, vendbanime të vendosura në rrëzë të maleve për dallim nga ato që janë të vendosura rrëzë ose në gryka lumenjsh, në fusha, në kodra, etj.

Megjithatë, po të pranohet se këto janë forma me metatezë, atëherë baza e tyre do kërkuar te mbiemri latin arduus ‘i rrëpirët, fig. i mundimshëm, i rëndë’, por pozita e tyre gjeografike nuk na lejon të sjellin një përfundim të tillë. Ndryshe qëndron puna me Ardenicën (khs. Kodrat e Ardenicës), që nuk iu shtrua metatezëz së likuideve dhe që mund të ketë me siguri lidhje gjirie me bazën *ard- ‘kodër’ të gjuhëve kelte, zgjeruar me kunglitinatin e prapashtesave –en dhe –ica. Po kësaj familjeje duhet t’i takojë edhe emri i kështejllës së fundit të qëndresës ilire, Ardubës (khs. toponimin Kordoba në Spanjë, si dhe Gelduba në Holandë). Këtë mendim e shpreh edhe H. Krahe, kur flet për emrat keltë në nomenklaturën e emrave gjeografikë të Ilirisë.

Prapashtesa –en dhe evoluimi i saj nga forma më e qëmoçme -and
Mund të thuhet se me prapashtesëm –en në toponiminë shqiptare u krijua një bashkësi e tërë toponimesh: Shkëlzen, m., Luboten, m., Gruden, fsh., Goden, fsh., Lepen/c/, l., Përlepnica, f. e l., Eren/ik/, l., ku ne shohim reduktimin e gjymtyrës and > end > en (khs. Prizren < Prizrend < pri- + Theranda, Pren < Prend, parmenë < parmendë, lenë < lendë < landë, ven < vend etj.). Pra, jo një prapashtesë sllave, siç duket në të parë. Për më tepër, kjo prapashtesë, kryesisht toponimike, ka paralele të saj në gjuhët gjermanike (khs. ang. end ‘fund, skaj’), si dhe në gjuhën sankskrite anta. Kjo dukuri mund të lidhet me traditën e kufizimit të një visi, të një vendbanimi, të një mali ose dhe të një lumi.

Një tip tjetër i metatezës është edhe ai e – l > l – e, i cili, në Dardani ka rrokur toponimet Lebanë < Elbanë (khs. bazën e këtij toponimi te Elb + - as + -an), hidronimin Lepens < Elbenës (khs. hidronimin Elba në Gjermani, etj.) si dhe te Livoç (Anamoravë), një trajtë e dokumentuar më herët si Levaç, që M. Popoviq e gjen me të drejtë të dalë nga Helvetia me deaspirimin dhe kalimin /ti/ > /ç/. Këtë fakt sikur e pohon edhe toponimi në trajtën turke Svircë < Isvirçe “Zvicër’. Po ky evoluim /ti/ > /ç/, na thotë mendja, ka rrokur edhe toponimet Hoça e Madhe dhe Hoça e Vogël, përftuar nga trajtë më e hershme Hotia, që lidhet me fisin shqiptar të Hotit. Hoça e Vogël janë të gjithë të fisit Hot, kurse Hoça e Madhe, meqenëse iu dhurua kishës si pronë, u popullua nga elementë sllavë, kurse elementët shqiptarë u shpërngulën në Krushë. Si Hoça e Madhe dhe Hoça e Vogël, po ashtu edhe Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël u ndërtuan sipas prototipit antik Polti Maior (Pulti i Madh) dhe Polti Minor (Pulti i Vogël).

Në një formë të deaspiruar dhe pak a shumë të sllavizuar të emrit të këtij fisi si bazë motivuese ne e gjejmë edhe te fshati Uçë (dokumentuar si Oça), kurse në Tetovë te Otla, sajuar nga prapashtesa zvoguluese –ël.

Drenica apo Dernica?
Te hidronimi Drenica, nga e mori emrin kjo zonë, ne shohim një trajtë shumë më arkaike nga ajo e sotme, e cila del dytësore, pasi është përftuar nga metateza e likuideve e-r > r-e. Ky lloj i metatezës preku edhe toponimin e dëgjuar mesjetar Breuernik > Bervenik > Bërvenik, pastaj Berkocin > Brekoc, Smerkovnica > Smrekovnica  etj. Sipas A. Llomës, Sredksa është një formë me metatezë e Serdikës antike. Prandaj forma e saj e qëmoçme është Dernica dhe mendimi i deritashëm se emri i saj lidhet me sll. dren ‘thanë’ del i paqëndrueshëm, sepse nuk dihet deri më sot, që ndonjë lumë mori emrin nga ndonjë dru a pemë. Për numrin e madh të toponimeve me fjalën *darn > dern > djerr edhe në toponiminë sllave, le t’i shohim disa: ‘Derdjina te Dubrovniku, der m (Perast) dero (Rab); djer (Crmnica, Budua, Ljubisha, Tivat, Prçanj); Deraç, lokalitet te Bogdashiqi, të cilat lidhen me njëlloj toke ngjyrëverdhë, njëlloj lëndine as dhé, as gur, që nuk është e pëlleshme, ku rritet ulliri’.

Të gjitha këto P. Skoku i shpjegon nga fjala shqipe djerr, formën e kryehershme të së cilës e paravendon me të drejtë nga një *darno/derno > djerr. Nga kjo formë, me parashtesën intensifikuese sh- u përftua edhe folja shtjerr ‘thahet’, subjekti: kroni, pusi, lumi.

Këto shpjegime na japin dorë që te makrotoponimi Drenica të shohim ose një mbiemër të substantivuar nga togfjalëshi Lumi i Dernës, ose të shohim tek ai një kuptim të lumit të tharë, të shtjerrë.

Paralelizma të këtij hidronimi janë hidronimet sllave Suha Reka, Sušica. Është për t’u përqasur këtu edhe Lumi i Vdekur (krahaso veprën omonime të Jakov Xoxës).

Me një fjalë, te hidronimi Drenica kemi të bëjmë me një lumë pothuajse të tharë, ujërat e të cilit, me sa duket, filluan të derdhen në lumenj të tjerë nëntokësorë. Është ky semasiologjikisht dhe semantikisht kuptimi më i qëndrueshëm, sepse lumi mund të jetë i bardhë ose i zi, i turbullt ose i qetë, i madh ose i vogël, i bujshëm ose i tharë, siç tregojnë edhe hidronimet e shumta: Drini i Bardhë, Drini i Zi, Llapi (khs. lat. albus ‘i bardhë), Mavriqi (gr. mauros ‘i zi’), po dhe hidronimet sllave: Bistrica, Velika Reka, Mala Reka, Suha Reka, Sushica, etj.

Prapëseprapë, nuk mund të mohohet ndikimi i gjuhëve sllave, sidomos për disa toponime, si Drenova, Drenovci, që, varësisht nga prania e drurit të thanës, edhe mund të kenë dalë nga baza sllave dren ‘thanë’.

Sipas gjasash, është ky rripi i tokës, që u njoht në harta si Dardania deserta ‘Dardania e shkretë’. Bazën motivuese të këtij horonimi a emri të krahinës do kërkuar te hidronimi Drenica, sikundër e provojnë edhe një varg horonimesh të tjera, si Llapi, Anamorave, Anadrini (sll. Podrimja), Mati, Devolli, Luma, që të gjitha motivuar nga hidronimet përkatëse.

Drenica, duke qenë zona më konservative e Kosovës, është e natyrshme të ndryjë në vete edhe një thesar të çmueshëm toponimik, të paprekur nga ndikimet e huaja. Për më tepër, si dëshmojnë dokumentet osmane dhe sllave, ajo qe po ashtu e paprekur edhe nga pushtuesit e huaj.

Palatalizimi i guturaleve
Një dukuri tjetër, e vënë re edhe nga ky dijetar, është palatalizimi i guturaleve në gjuhët sllave. Kjo dukuri, më duket, ka rrokur një varg toponimesh edhe në Dardani. Kështu, emrin e malit Zhegovc ne e gjejmë të palatalizuar nga Geg+ovac (khs. Malet e Berishës, si dhe Malet e Zhegovcit), sikundër që emrin e fshatit Zhegër ne e gjejmë po ashtu të palatalizuar nga trajta Geg + -ër (lidhur me prapashtesën e shumësit –ër, krhs. Arb+ -ër,  Bosh + -ër + -an, trajta e sotme – Pozharan; Pip + - ër, etj.), meqenëse këto emërtime nuk do të thonë gjë në gjuhët sllave. Mendoj se ky palatalizim ka rrokur edhe emrin e Zetës < Zenta < Genta, si dhe emrin e Rozhajës < Rogajë, sajuar nga prapashtesa shqiptare –ajë.

Kam frikë se kjo dukuri ka prekur edhe toponimet Zhabar, Zhilivodë (khs. gilanë ‘tokë ujëse’), por jo edhe ato që gjejnë shpjegim me fjalët sllave, sikundër është toponimi Zhitia e ndonjë tjetër.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama