Meta Te gjithe personat do te rikthehen serish ne Shqiperi me te varfer

Meta: Te gjithe personat do te rikthehen serish ne Shqiperi, me te varfer

Çështja e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian është bërë një problem edhe për Shqipërinë. Kjo ka shqetësuar edhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, i cili gjatë një takimi me të rinjtë në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos zgjedhin të emigrojnë në vendet e Europës dhe të kërkojnë azil politik.

Duke iu përgjigjur interesimit të një maturanti në lidhje me fenomenin e kërkimit të azilit politik të qytetarëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, Meta tha se të gjithë azilkërkuesit do të rikthehen sërish në Shqipëri.

Sipas kryetarit të Kuvendit, numri më i lartë i azilkërkuesve shqiptarë është më i lartë nga Kukësi, duke theksuar se largimi i tyre nga vendi bëhet nga grupe kriminale shqiptare dhe të rajonit.

“Sipas mendimit tim, bëhet nga grupe trafikantësh jo vetëm shqiptarë, por edhe të vendeve të tjera të rajonit, me idenë se duke ikur në Gjermani do t’i pranojnë nëpër kampe dhe do të kenë mundësi edhe për punë apo për shkollë, për të çuar fëmijët nëpër shkolla, gjë që është tërësisht e pavërtetë. Dhe do t’ju thosha dhe juve dhe të gjithë të afërmve të tuaj dhe kujtdo që ka mundësi ta dëgjojë këtë mesazh, të mos bien viktimë e një mashtrimi të tillë, pasi absolutisht të gjithë do të kthehen. Jo vetëm që do të kthehen këtu sepse Gjermania dhe vendet e tjera të sistemit të Shengenit nuk i pranojnë, por do të kthehen të humbur, sepse për të vajtur në Gjermani detyrohen të hyjnë në borxh, detyrohen të shesin diku edhe lopët, edhe bagëtitë nëpër fshatrat e Kukësit, mesa kam dëgjuar, me idenë se po bëjnë një investim për të ardhmen dhe më pas do të kthehen përsëri, por do të kthehen edhe më të varfër sesa ikin”,- theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se investimet e bëra deri më tani në infrastrukturë për rrethin e Kukësit, siç është rruga Tiranë-Durrës, nuk kanë sjellë përfitimet e nevojshme për banorët e Kukësit, pasi nuk kanë prodhuar vende të reja pune.

“Unë më parë kam shprehur keqardhjen vërtet që është bërë një investim shumë i madh, siç është rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën, ku qyteti i Kukësit duhet të ishte përfituesi më i madh në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe social, dhe për fat të keq kemi vënë re se pothuajse nuk është hapur asnjë vend i ri pune dhe pse distanca e Kukësit me Tiranën është shkurtuar disa herë. Pra thjesht kjo ka shërbyer që të shkurtohet distanca fizike, por jo të rriten kapacitetet e këtij qyteti dhe këtij rrethi për zhvillim”,- pohoi Meta.

Kryetari i Kuvendi theksoi se me zgjedhjet e reja vendore dhe me vënien në zbatim të ndarjes së re territoriale, banorët e zonave që përbëjnë edhe numrin kryesor të azilkërkuesve, do të kenë mundësi që të përfitojnë nga politika më afatgjata në punësim, në mënyrë që tendenca për t’u larguar nga vendi të minimizohet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama