Meta Do ta nxjerrim se shpejti Berishen ne pension
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u angazhua të nxjerrë në pension Kryeministrin Sali Berisha. Në një komunikim me median dje, ai konstatoi se, për herë të parë, në këto 18 vjet një qeveri paraqet një bilanc 7-mujor dhe kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me rezultatet e dështuara. "Qeveria ‘Berisha‘ futet në vitin e fundit të qeverisjes se saj me bilancin më të dështuar të qeverive të tranzicionit, e kapur thellë nga korrupsioni dhe tashmë si një instrument i bindur dhe i verbër i interesave korruptive", theksoi Meta. Sipas tij, korrupsioni dhe kasta korruptive, që Sali Berisha ka ngritur në sistemin e qeverisjes së tij, ka ndryshuar thelbin dhe misionin e çdo qeverie, atë të shërbimit ndaj interesave të qytetarëve dhe publikut të gjerë. "Pasi edhe i ka vrarë me tragjedinë e Gërdecit, pasi i ka vjedhur me rritjen artificiale të çmimeve, pasi i ka fyer me një sistem gjyqësor, që prodhon fare pak drejtësi dhe me tepricë padrejtësi për qytetarët shqiptarë", vijoi Meta.
Teksa nguli këmbë se Berisha dhe qeverisja e tij, sponsorizuan fort nga kasta korruptive dhe autokratike që ka ndërtuar gjatë këtyre tre viteve, shkatërruan edhe sistemin institucional në vend me atentatin që i bënë Kushtetutës dhe institucioneve. Duke lënë, sipas tij, përfundimisht në kalendar e matrica ato reforma që ka kërkuar prej kohësh përparimi dhe integrimi i mëtejshëm i vendit në NATO dhe në BE. LSI mendon se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë po i bien fort kambanave dhe prej kohësh e paralajmërojnë Berishën, dhe të gjithë shqiptarët, për rrezikimin e integrimit të vendit. "Por, siç e dini, ai ka futur kokën si struci dhe vazhdon të jetojë me delirin e tij jashtë këtij realiteti tepër problematik dhe shqetësues", konstatoi Meta.
Ish-kryeministri vlerësoi se Sali Berisha ka pafytyrësinë e papërgjegjshmërinë të gënjejë për reforma të pakryera në vend, apo qoftë edhe për reformën zgjedhore, e cila gjoja do të përfundonte përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht. "Për kartat e identitetit, që do të shpërndaheshin deri në fund të vitit të parë të qeverisjes së tij, por që duket qartë se nuk do të jenë gati as për zgjedhjet e ardhshme dhe në këtë mënyrë të vërë në një pikëpyetje të madhe edhe procesin e zgjedhjeve të ardhshme, legjitimitetin dhe integritetin e votës së shqiptarëve, duke rrezikuar realisht riciklimin e krizave të mëparshme në vend", u shpreh Meta. Megjithatë, shtoi ai, për fat të mirë po hyjmë në vitin e fundit të kësaj qeverisjeje dhe vota e shqiptarëve i ka të gjitha mundësitë që ta ndëshkojë përfundimisht Sali Berishën për vuajtjet që i ka shtuar popullit shqiptar.
"Për mashtrimet që ka bërë pa pushim, por edhe për talljen që ka guxuar t‘u ofrojë shqiptarëve edhe tani, pikërisht pra në prag të vitit të fundit të qeverisjes së tij", theksoi Meta. LSI mendon se kjo qeverisje, e cila nuk realizon dot reforma që përmirësojnë jetën e shumicës së shqiptareve, nuk ka as aftësinë dhe as përgjegjshmërinë për të reflektuar. "Pa dyshim që i ka të gjitha mundësitë të largohet një herë e mirë në vitin 2009 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të bëjë çdo gjë që Sali Berisha duke mbushur edhe 65-vjetorin e tij, të dalë përfundimisht në pension, ashtu si shumica e shqiptarëve që e kanë këtë moshë", ironizoi kreu i LSI-së. Një deklaratë të tillë e kishte bërë në vitin 2005 Kryeministri aktual, Sali Berisha, i cili tha në fushatë se do të nxirrte në pension politik Kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nano.
Gazeta: Shqip