Mesuesia profesioni i mafiozeve

Mësuesia, profesioni i

Në shkollat e ndryshme të vendit është normale që të japin mësim të afërmit, gratë apo vajzat e bosëve të "Ndraghetës". Pothuajse të gjitha po skedohen një për një, edhe pse hetimi është sekret. Deri tani numri i tyre ka shkuar në 70. Lista është gati në zyrat e hetuesve të Rexhio Kalabrias. Janë gra të respektuara që japin mësim, gra që kanë në familje bosët më të famshëm të "Ndraghetës" kalabreze. Në vend i quajnë edhe mësueset e "shoqërisë së nderuar". Më 17 shtator, në shkollën fillore të Pellaros, u paraqit para nxënësve të klasës së parë edhe Konsolata Pellicone. Pas 284 ditësh "sëmundjeje" (dhe një burri - në arrati prej 11 vjetësh - por që tashmë i dënuar në një burg të sigurisë së lartë) mësuesja u rikthye të japë mësim në shkollë. "Mësuese, mësuese çfarë është Ndragheta"?

 Kush e di se si do t‘i përgjigjet atij nxënësi që mund t‘ia bëjë këtë pyetje, mësuesja që është njëkohësisht edhe gruaja e një prej 30 bosëve të mafies më të kërkuar në Itali. Nuk dihet gjithashtu nëse mësuesja do t‘u përgjigjet nxënësve që kërkojnë të dinë domethënien e fjalës "Ndragheta". Askush nuk mund t‘i mendojë përgjigjet e saj, që vetëm pak kohë më parë u gjet nga karabinierët në bazën ku fshihej bashkëshorti me emër të rremë. Në të vërtetë, Konsolata Pellicone është një qytetare e padënuar dhe konsiderohet nga ato që nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Mësueset e "shoqërisë së nderuar" i kanë pothuajse të gjitha kartat në rregull për të bërë atë që bëjnë: tituj, aftësinë. Vërtet e çuditshme, pasi edhe kur karabinierët ndiqnin burrin e saj në çdo hap, ajo nuk ishte asnjëherë nën hetim. Madje as kunata e saj, e martuar me vëllain e bashkëshortit të saj, një tjetër bos mafie, i kapur pas një arratisjeje të gjatë, nuk ka qenë ndonjëherë nën hetim. Edhe ajo është mësuese në një shkollë fillore. Kur kjo e fundit u zgjodh si përgjegjëse në shkollën e saj për një projekt mbi ligjet që organizon kurse dhe konferenca dhe ku shpesh herë ftohen zyrtarë dhe prefektë që të flasin për mafien, u zgjodh me pëlqimin e të gjithë mësuesve të tjerë. Hetimi mbi mësueset e "shoqërisë së nderuar" nisi duke u bazuar te çështja e burrit të Konsolatës dhe kunatës së saj. Në të vërtetë, ky hetim është një monitorim, një kontroll i hollësishëm, që synon të zbulojë se sa është saktësisht numri i tyre dhe se në cilat shkolla japin mësim. Në vitet e fundit, shumë prej tyre janë transferuar edhe nga veriu i Kalabrisë për "motive shëndetësore", transferime që në shumicën e herëve janë favorizuar nga certifikatat e lëshuara prej mjekëve "bashkëpunëtorë". Deri tani janë skeduar rreth 70 të tilla, megjithatë mendohet se ky numër nuk është shumë i saktë. Në të vërtetë janë shumë, nëse nuk do të merreshin në konsideratë vetëm gratë, por edhe motrat, vajzat dhe të afërmit e bosëve të mafies, që u është besuar edukimi i fëmijëve. "Janë të shumta në numër.
 
Në disa vende, mësueset vijnë pothuajse të gjitha nga ato familje. Për fat të keq është një nga këto vende është edhe Kalabria", tregon drejtoresha e shkollës për krahinën e Rexhios. Në listë renditen emra shumë të njohur, pasi fama e bashkëshortëve dhe veprimtarive të tyre ka bërë që të fiksohen lehtë. Lista është vërtet e gjatë, por në krye të renditjes qëndron kushërira e Paskuale Kondellos, i quajtur ndryshe "Shefi", një lloj Toto Rina kalabrez dhe numri një i të kërkuarve të "Ndraghetës". Hetimi i mësuesve, që kanë lidhje të ngushta me bosët e mafies për momentin është në fazën fillestare, nisi nga hetimeve mbi kapjen e disa të arratisurve. Hetuesit e reparteve të antikrimit kanë kryqëzuar dosjet dhe kanë dizajnuar hartën për të gjithë ata që konsiderohen se kanë bashkëpunim të ngushtë me ta. Ata që furnizonin bazat. Nën vëzhgim të rreptë janë edhe shumë mjekë në vend, në studiot e të cilëve janë gjetur dokumente që u përkasin organizatorëve të trafikut të kokainës dhe armëve me kolumbianët. Gjithashtu, nën vëzhgim janë edhe liderët në Kalabri, për riciklimin e mbetjeve toksike dhe radioaktive. Kështu, sipas policisë, në një sirtar tavoline të një mjeku në vend u gjet edhe një kartelë e Konsolatës, gruas së Vinçensos, e mbushur plot me certifikata mjekësore, gjashtë prej të cilave ishin firmosur brenda një viti nga doktori. Në tre prej të tyre shkruhej se mësuesja vuante nga një formë e astmës bronkiale me deficit respirator, ndërsa në tre të tjera që vuante nga sindromi i ankthit të vazhdueshëm dhe krizave depresive. Me këto raporte mësuesja kishte arritur të mungonte në shkollë rreth 248 ditë brenda një vitit. Doktori i firmoste ato dokumente si mjeku kurues, si drejtori shëndetësor dhe presidenti i Komisionit për Invalidët në Melito Porto Salvo. Aty shkruhej se Konsoleta hynte në grupin e invalidëve sipas ligjit 1004/92. Sipas këtij ligji, mësuesja mund të transferohej në Kalabri, në shkollën fillore të Pellaros, 30 kilometra larg nga Melito Porto Salvo. "Kemi shumë shembuj të këtij ligji, por nuk mund të bëjmë asgjë me ato mësuese", vazhdon më tej drejtoresha e shkollës.
 
Por çfarë mund t‘u mësojnë fëmijëve mësueset e nderuara? Çfarë mesazhi edukativ mund t‘u japin? Çfarë vlerash? "Më tepër se sa ajo që mësojnë dhe ajo frymë që qarkullon në ambientin e tyre familjar, ajo që përfaqësojnë është më e rrezikshme", thotë kreu i të gjitha shkollave në Rexhio. Ai më pas shton: "Nga njëra anë nuk mund t‘i përzëmë, madje as ministri nuk mund të ndërhyjë. Duhen marrë masa të veçanta për këtë gjë. Nga ana tjetër, ka nxënës që shohin me adhurim kur në klasë flet një mësuese, e cila është gruaja e një bosi që për ta përbën një simbol. Është e tmerrshme të thuash këto gjëra, por kështu është". Janë të paprekshme. Askush nuk mund t‘i përzërë, madje as që mund t‘i çosh në ndonjë vend tjetër jashtë shkollës. Vërtet janë të paprekshme, të paktën derisa të përfshihen direkt në ndonjë çështje. Kjo ka ndodhur vetëm një herë në Kalabri, ku një mësuese u dënua për aktivitete mafioze. Një përjashtim, pasi të gjitha mësueset e tjera të nderura janë aty, me regjistër në dorë, madje askush nuk ankohet. "Në tridhjetë vjet nuk kemi pasur asnjë ankesë nga ndonjë prind", tregon një funksionar në vend dhe shumë drejtues shkollash nuk shtiren sikur ka ndodhur gjë. Përkundrazi, janë të lumtur që kanë në krah këto kolege. Të paktën kështu thotë njëra prej tyre: "Mësuesja që është gruaja e ndonjë mafiozi është një resurs për shkollën tonë. Është një burim, sepse sjell një jetë familjare që mund të kuptojë më mirë situata të caktuara të realitetit tonë. Nuk duhet harruar se shumë prej tyre janë edhe ndër mësueset më të mira në vend".


Marre nga  : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama