Me eshtrat e Zogut bene mire por ai ishte tradhtar

Me eshtrat e Zogut bene mire, por ai ishte tradhtar

Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, në një intervistë të gjatë për emisionin “Debati në Channel One” pranoi se ishte veprim i drejtë kthimi i eshtrave të ish-mbretit Zog në atdhe, si një e drejtë që u takon të gjithëve, por nuk -pranoi të lëvizte nga qëndrimi i vjetër i rregjimit komunist, që e cilësonte monarkun e arratisur një tradhëtar. Zonja Hoxha, tashmë 93 vjeç, që jeton në një ndërtesë modeste në Laprakë të Tiranës, iu rikthye edhe kujtimeve për luftën nacional-çlirimtare, ndërsa vendi sivjet feston 70-vjetorin e çlirimit. 

Zonja Hoxha, në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë një nga aksionet ka qënë edhe rivlerësimi i figurave. Një ndër to ishte dhe Ahmet Zogu, i cili për 15 vjet nuk ishte vetëm një nga figurat më të rëndësishme si ministër, kryeministër, president dhe mbret. Eshtrat e tij u morën nga Parisi dhe janë vendosur në Kodrat e Liqenit Artificial. Ndërkohë që një shtatore është përuruar në afërsi të stacionit të trenit. Ka pasur reagime dhe kritika për këtë vendim. Ju si protagoniste e luftës, por edhe si personazh që keni shprehur mendimin tuaj për Ahmet Zogun, cili është vendimi juaj për këtë vendim të qeverisë?

 Braktisja e tij që e kam përjetuar është tradhëti, mbi tradhëti. Nuk i falej një mbreti që të lërë vendin në atë gjendje, që të sabotojë ushtrinë e tij, pasi ushtria ishte e papërgatitur. Dhe vodhi thesarin. Është tradhëti që se luan topi. Për sa i përket eshtrave të tij, që u sollën në Shqipëri, kjo është fare normale, mendoj, që eshtrat e çdo shqiptari që mbetet jashtë, të prehen në tokën anëtare. Por kjo mund të bëhet nga familja. Janë absurde dhe të pavend, organizimi skandaloz me homazhet në Pallatin e Brigadave. Nuk e meriton. Ai ishte mbret, por tradhëtoi. Ai Pallatit të Brigadave nuk i dha asnjë kacidhe, nuk fjeti asnjë natë. Për mendimin tim, ishte skandaloze mënyra si u bë dhe monumenti që ju vendos në Tiranë. Aq meriton. Pse u bënë të dyja? Sepse shqetësimi i Sali Berishës ishte të evitonte, një figurë, siç qe ajo e Enver Hoxhës, që kishte meritat e gjysmës së këtij 100 vjetori. Këtë s’e bënte dhe donte medoemos që pas Ismail Qemalit, të cilin edhe atë e poshtëroi.

Pse u poshtërua?

Nuk e respektoi. Ti e di atë historinë që nxorri monumentin. Ai monument ishte për muze e jo për park. Edhe ceremonitë i dubloi, vetëm që të mos ngrihej Vlora, të cilin ai deshte ta mbyste fare në 1997. Unë kam këtë pikëpamje.

Zonjë, e dini që tetë kryeministra të Shqipërisë e kanë varrin jashtë. Përse ju gjatë 50 viteve që keni drejtuar nuk e bëtë këtë që thatë. Se është normale që eshtrat e Ahmet Zogut të vinin?

Jo, pse ta bënin ne. Ne kemi mbajtur qëndrim me anë të luftës. Unë jam dakord me këtë qeveri që dha të drejtën, që eshtrat e Ali Këlcyrës të vijnë, që i bëri familja dhe bashkëfshatarët e tij.

Të Ali Këlcyrës e ka bërë familja, ndërsa të Eqrem Bej Vlorës e ka bërë qeveria. Ishit dakord me këtë?

Nuk e di. Nuk e di rolin e madh të Eqrem Bej Vlorës.

Zonja Hoxha, ka një fakt. Si gazetar më ka rënë në sy që në Kodrat e Liqenit Artificial, në kujtim të ushtarëve anglez të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, janë mbi 150 ushtarë të vrarë në Shqipëri. Por memoriali që është bërë te Kodrat e Liqenit, është ngritur me pjesën e mermerit të varrit të Enver Hoxhës, i cili u zhvarros në vitin 1992. Ju e dinit këtë fakt?

E di. Mendimi im është që çështja e mermerit, ku vajti dhe ku u përdor copat e mermerit, nuk më intereson fare. Kurse për mua, mbetet akti barbar antishqiptar, antikombëtar vetë të zhvarrosjes. Kurse përdorimi i këtyre copave, mbeturinave, për ushtarët aleatë tonë, më duket një vendim trashanik, jo i menduar. Sidoqoftë nuk është e drejtë, të nderohen në atë mënyrë aleatët tanë që dhanë jetën në malet e Shqipërisë. Ato fare mirë, mund të gdhendin shkëmbinjtë e maleve tona, ku ata dhanë jetën dhe do të ishin më të nderuar. Vlerësimi i tyre për Enver Hoxhën, ka qënë pozitiv gjatë luftës. Në vitet ’90-‘91, isha larguar nga rezidenca dhe isha në vilën 6. Aty më erdhën dy gazetarë anglezë të gazetës “Sunday Times”. Njëri nga ata më tha se kam ardhur se dua të përmbush një amanet të babait tim, i cili ka qënë pjesë e misioneve angleze këtu, kapiten. Më nxorri fotografinë. Ai më ka thënë që më ka njohur mua në male gjatë luftës dhe se unë i kisha dhënë një furçe të dhëmbëve. Ai i kishte thënë të birit që të shkosh edhe një herë te ajo edhe ta falenderosh nga ana ime, e ti dërgosh një furçë. Ai në mënyrë simbolike më kishte dërguar një furçë. Unë nuk kam shërbyer në spitale. Dhe nuk desha ta zhgënjej, domethënë e kalova. Përvec kësaj ai më ka thënë që kishte marrë pjesë në pritjen në hotel Dajti, që u bë për dasmën tuaj. Pritja është bërë se në vitin e ri të 44’, u bë një pritje ku morën pjesë edhe aletatët, aty unë vajta si bashkëshortja e Enverit. Pasi dasmë ne nuk bëmë, familja e Enverit e la të kalojë në një ceremoni që ishte paska për të qeshur. Erdhën gjoja të më marrin dhe më dhuruan disa gjëra.

Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë luftës ishte femra shqiptare. Nga librat që kam lexuar, edhe nga librat tuaj më ka bërë përshtypje një bisedë, një letër që ju ia keni shkruajtur shkrimtarit të njohur Haki Stërmilli. Në shkollë na thonin se haxhi Stërmilli ka një kryevepër të tij, sikur të isha djalë. Ne shumë pak e kuptonim këtë vepër ët tij. Ndërsa juve ju ka bërë shumë përshtypje ky libër. Përse ishte një revolucion brenda revolucionit ajo që ndodhi me femrën në atë kohë. Dhe përse Haki Stërmilli ishte filozofi i femrës së re të luftës?

Për sa i përket Haki Stërmillit, i cili ishte edhe mik i familjes sonë. Ai ishte nga Dibra, kemi qënë në Manastiri bashkë. Dhe familja e tij kur u burgos ka ndenjur në shtëpinë tonë. Kur kthehesha nga shkolla, unë isha në dyqanet e tij në rrugën e Barrikadave. Ai shiste llampa. Unë kthehesha, bënim bisedime për gruan. Ai ka qenë dibran, libri i tretë i vëllimeve të tij, i kushtohet vajzave kosovare, dhunës së serbëve. Ne kemi vuajtur nga dhuna e serbëve. Kështu që ka bërë vjersha. E ndjente shtypjen e gruas. Unë lexova këtë librin “Sikur të isha djalë” që flet për një vajzë tiranase të mbyllur në shtëpi. Më bëri shumë përshtypje për vajzat shtëpiake. Unë që isha e ngritur, kishim filluar të ëndërronim për emancipimin e femrës shqiptare, se e dinim çbëhej përjashta. Unë i bëra një letër ku e lavdëroja, si dhe mbaja qëndrim për shqiptarët e kohës që shkruanin për qiellin, e nuk flisnin për këto plagë të gruas. Edhe i thoja që do vijë dita që vajzat shqiptare nuk do të thonë më sikur të isha djalë, por ne do ta fitojmë lirinë me përpjekjet tona, me luftën tonë. Këtu nuk parashikoja luftën Nacional Clirimtare, por ndihej. Unë merja pjese në një shkollë, që ziente, ku vajzat kishin filluar të kuptonin. 

13 letrat që më dërgoi Enveri gjatë luftës  

Po ju Zonja Hoxha, si një njeri që keni ruajtur shumë nga arkiva mund të na tregoni diçka të veçantë?

Nga lufta unë kam ruajtur vetëm letrat e Enverit që më ka dërguar mua. Janë 13 copë dhe unë i kam fshehur në dysheme të një familje që ishte baza jonë. Ndërsa letrat e mia, që i kam dërguar Enverit, ato nuk janë mbajtur sepse gjatë operacioneve të armiqve, nga lëvizjet që bënin erdhi një kohë që jo vetëm letrat e mia, por dokumentat e Enverit e të Komitetit Qëndror, që të mos rrezikoheshin, i futëm në qypa të raketave të Luftës edhe i groposëm në një vend.

Ju i keni ruajtur ato të Enverit, ndërsa ai nuk i ka ruajtur?

Me shaka i thoja gjithmonë që shiko unë i kam ruajtur letrat e tua, në kushtet e ilegalitetit. Por këto ishin rrethanat, sepse kështu u groposën edhe florinjtë që kishte shtabi, që ishin dorëzuar edhe nga aleatët edhe nuk u gjetën më. Ishin groposur në një pyll. Gjoja mbajtën mend edhe trungun. Florinj? Sa ishte sasia e tyre? Nuk e di dhe nuk u gjet më.

Në cilin vend ishte groposur?

Andej nga pyjet e Elbasanit. U dërgua Sami Baholli dhe një tjetër, që kërkuan. Por ndoshta, kishin punuar fshatarët, e kishin gjetur dhe e kanë marrë. Nuk e gjetën, nuk po orientohenin dot. Pyll ishte ai, me shumë dru. Nga këto 13 letra që më kishte dërguar Enveri, se u bë 70 e ca vite, nga 42’ deri në 44’ letra e fundit. Unë kam mundur të ruaj në kushte. Një karakteristikë për këto letra është se shumë prej tyre, janë pa data. I ka shpëtuar Enverit, pa data dhe sidomos vendi nga i ka shkruajtur. Në këto shënime, unë kam gjetur datën në bazë të ngjarjes që ka ndodhur.

Dhe e keni shënuar?

Po, e kam shënuar. Konkretisht, letra ka 70 e ca vite dhe është vjetëruar dhe shkrimi është zbehur. Por që në atë kohë, ka qënë e thyer dhe pak e ndotur, e nxirë nga prapa sepse ato paloseshin dhe viheshin ose në këpucë, ose në ndonjë vend tjetër dhe ajo ka marrë formë. Kështu kalonte postoblloqet, korrieri që na i sillte ne në Tiranë. 

Qemal Stafa nuk vrau veten, por luftoi deri në fund

Zonja Hoxha, ju keni njohur shumë protagonistë të tjerë që sot nuk jetojnë më, por që janë personazhe shumë të rëndësishme të historisë asaj kohe. Si i keni njohur ju disa personazhe si Qemal Stafa, Mihal Duri, Vojo Kushi, që në një formë apo tjetër janë heronjtë e asaj lufte?

 Unë jam njohur me ta dhe shumë të tjerë. Me Vasilin dhe Qemalin, jam njohur që në vitin 1937, kur unë u futa në grupin komunist dhe unë shkoja lirisht në shtëpi sepse ishin edhe këto rrethana. Unë shkoja shpesh se motrën e Vasilit e kisha shoqe klase dhe aty ishte dhe Qemali. Jo vetëm që Qemali, ishte njëkohësisht dhe edukator i grupit tonë të shoqeve. Kështu që e njihja. Ndërmjet Vasilit dhe Qemalit kishte një lidhje të jashtëzakonshme të respektit reciprok, dashurie reciproke. Ai si më i moshuar e punëtor dhe Qemali si më i ri.

Pse, sepse dihet që kishin diferencë?

Ata ishin krejt natyra të ndryshme. Vasili i qetë, i heshtur dhe shikonte me një buzëqeshje shpërthimet rinore të Qemalit, i cili nuk rrinte dot në një vend ulur, qoftë në debat politik, qoftë në shaka. Vasili e shikonte me kënaqësi të madhe. Vojo Kushin, e kam njohur shumë pak. Gjatë kohës që unë isha anëtare e qarkorit te partisë së Tiranës, Vojo ishte anëtar për njësitet guerile. Pra në mbledhje më shumë e në njësitë e ilegalitetit. Ishte një trup i madh, por krejt në kundërshtim me pamjen e tij të vërtetë. I qetë, me sy bojëqielli, fjalëpak, por zhivë në aksione. Nuk ishte e rastit që ai ishte përgjegjës i njësive guerile, derisa u vra. Kam ndjekur edhe zhvillimin e luftimeve nga larg. Një dhimbje tjetër në ato që kemi ndjerë ne është edhe lajmi i vrasjes së ketyre shokëve, kur një natë më parë ishte në mbledhje. Kujtoj rastin me Misto Mamen, ku ne një natë  më parë ishim në mbledhje e pastaj bëmë muhabet, qeshëm, dëgjuam muzikë.

Në mëngjes, ai iku herët se mezi priste të hapej ndalim-qarkullimi se vazhdonte deri në gjashtë të mëngjesit. Megjithëse ne u munduam që ta mbanim, ai donte me patjetër të merrte një makinë shkrimi dhe aty u vra në aksion. Ishte shumë e vështirë. Ndërsa Qemali u vra dy ditë pasi kishim qenë në mbledhje me rininë, për Qarkun e Tiranës. Ishim në rrugën “Ali Demi”, në shtëpinë nr. 66, meqë ajo dhoma ishte buzë rrugës, kalonin patrullat edhe ishim shumë të shqetësuar, nga zhurma e lehjes së qenve me të tyren. Ishim të shqetësuar, pasi nuk e dinim nëse ishin duke kaluar apo thjesht do trokisnin në derë. Qemali, që ishte një vit më i madh se unë, 21 vjeç, u tha atyre që mos u shqetësoni. Do të vij dita që do çlirohet vendi dhe ne siç jemi, do të dalim në bulevard krah më krah, do këndojmë edhe do të thonë njerëzit çfarë janë këta të çmendur, e ne aq na bën. E tha në këtë mënyrë që të ngrinte moralin.

Në fakt është diskutuar shumë për Qemal Stafën. A mund të jepni me një fjali, atë që quhet si variant se Qemal Stafa vrau veten?

 As mund të mendohet. Nuk kishte se përse të vriste veten. Ai u mundua të shpëtojë. Qemali edhe në këtë rast, tregoi edukatën e tij, shpirtin e tij të një intelektuali, fisniku. Ai u vonua për të shpëtuar shoqet, që t’u linte mundësi të largoheshin dy shoqet. Kurse Kristo Themelko, punëtor, çau për vete dhe nuk u interesua as për Qemalin e as për shoqet. Ai luftoi deri në fund, derisa kishte patllakja.

Ju nuk dyshoni fare edhe për ndonjë konspiracion që Qemal Stafa ishte aty?

Dikush mund të ketë treguar për shtëpinë, por për Qemalin jo.     


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama