Me Europen krijuam nje perbindesh

'Me Europen krijuam nje perbindesh'

Vendet nuk mund t'i reduktojnë defiçitet e tyre, përveçse nëse ekonomia rritet. Skema aktuale nuk funksionon. Ne s’duhet të harrojmë, se as Gjermania, as Franca, të dyja të zhytura thellë në borxhe në vitin 1945, nuk i paguan asnjëherë plotësisht ato borxhe. Dhe pikërisht këto dy vende tashmë po u thonë evropianëve në jug, se ata duhet të shlyejnë një më një borxhet e tyre. Është një amnezi historike, por me pasoja të tmerrshme.

Në një intervistë për “Der Spiegel”, ekonomisti i njohur francez Thomas Piketty, flet për fitoren e Aleksis Cipras në zgjedhjet e fundit në Greqi, paaftësinë e Evropës, për të rregulluar problemet e saj financiare, dhe atë se çfarë mund të mësojnë udhëheqësit e BE nga Shtetet e Bashkuara.

Spiegel: Ju u gëzuat publikisht nga fitorja e Ciprasit gjatë zgjedhjeve të fundit në Greqi. Çfarë shansesh ka që Bashkimi Evropian dhe Athina, të bien dakord mbi rrugën e daljes nga kriza?

Mënyra sesi Evropa u soll ndaj krizës ishte thjesht katastrofike. Pesë vite më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kishin përafërsisht të njëjtin ritëm të papunësisë dhe nivel të borxhit publik. Aktualisht, gjërat kanë ndryshuar: Papunësia ka shpërthyer këtu në Evropë, ndërsa ka rënë në SHBA. Prodhimi ynë ekonomik mbetet nën nivelin e vitit 2007. Ai ka rënë deri në 10 përqind në Spanjë dhe Itali, dhe me 25 për qind në Greqi.

Spiegel: Qeveria e re e majtë në Athinë nuk ka patur një fillim mbresëlënës. Besoni seriozisht që kryeministri Cipras mund të ringjallë ekonominë greke?

E vetme, Greqia s’do të jetë në gjendje të bëjë asgjë. Ndihma duhte të vijë nga Franca, Gjermania dhe Brukseli. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka pranuar që 3 vite më parë, se ishte tepruar me politikat shtrënguese. Fakti që vendet e prekura, u detyruan të reduktojnë defiçitin e tyre, për një kohë shumë shumë të shkurtër, pati një ndikim të tmerrshëm mbi rritjen ekonomike. Ne evropianët, sikurse jemi të organizuar dobët, kemi përdorur instrumentet tona të padepërtueshme politike, për ta kthyer krizën financiare, e cila filloi në Shtetet e Bashkuara, në një krizë të borxhit. Mjerisht, ajo u kthye tragjikisht në një krizë besimi në të gjithë Evropën.

Spiegel: Qeveritë evropiane u përpoqën të shmangin krizën, përmes zbatimit të reformave të shumta. Çfarë doni të thoni me instrumentet e padepërtueshme politike?

Ne mund të kemi një monedhë të përbashkët për 19 vendet, por secili prej tyre ka një sistem të ndryshëm të taksave, dhe politika fiskale nuk është harmonizuar ndonjëherë në Evropë. Prandaj ajo nuk mund të funksionojë. Me eurozonën ne kemi krijuar një përbindësh. Para se të kishte një monedhë të përbashkët, vendet mundnin thjesht të zhvlerësonin monedhën e tyre, për t’u bërë më konkurrues. Si anëtare e zonës Euro, Greqia u ndalua të zbatonte këtë koncept të vendosur dhe efektiv.

Spiegel: Ju jeni duke mbështetur Ciprasin, që argumenton se për shkak se të tjerët janë në faj, Greqia nuk duhet të shlyejë borxhet e veta…

Unë nuk jam as anëtar, dhe as e mbështes i Syriza-s si parti. Thjesht po përpiqem të analizoj gjendjen ku ndodhemi aktualisht. Dhe është bërë e qartë se vendet nuk mund të reduktojnë defiçitet e tyre, përveçse nëse ekonomia rritet. Skema aktuale nuk funksionon. Ne s’duhet të harrojmë, se as Gjermania, as Franca, të dyja të zhytura thellë në borxhe në vitin 1945, nuk i paguan asnjëherë plotësisht ato borxhe. Dhe pikërisht këto dy vende tashmë po u thonë evropianëve në jug, se ata duhet të shlyejnë një më një borxhet e tyre. Është një amnezi historike! Por me pasoja të tmerrshme.

Spiegel: Nga kjo që thoni, nuk duket se ju jeni një përkrahës i Paktit të Stabilitetit, marrëveshja qëdetyron vendet e eurozonës, për të përmirësuar disiplinën fiskale.

Pakti është një katastrofë e vërtetë. Vendosja e rregullave fikse mbi defiçitet për të ardhmen, s’mund të funksionojë. Nuk mund të zgjidhen problemet e borxhit me rregulla automatike, të cilat aplikohen gjithmonë në të njëjtën mënyrë, pa marrë parasysh dallimet mbi kushtet ekonomike.

Spiegel: Çfarë propozoni ju?

Ne duhet të investojnë më shumë para, për trajnimin e të rinjtë tanë si dhe në risi dhe kërkimin shkencor. Ky duhet të jetë qëllimi më i rëndësishëm i nismës për të nxitur rritjen ekonomike në BE. Nuk është normale që 90 përqind e universiteteve më të mira në botë ndodhen në Shtetet e Bashkuara, dhe mendjet tona më të mira të shkojnë jashtë shtetit. Amerikanët investojnë 3 për qind të PBB-së së tyre për universitetet që kanë, ndërsa në Evropë kjo është pak më shumë se 1 përqind. Mendoj se kjo është arsyeja kryesore se pse SHBA po rritet kaq shumë më shpejt sesa Evropa.

Spiegel: Shtetet e Bashkuara kanë një politikë fiskale uniforme. Çfarë përfundimi mund të nxirret nga ky fakt?

Ne kemi nevojë për një bashkim fiskal dhe një harmonizim të buxheteve. Nevojitet një fond i përbashkët i ripagimit të borxhit për eurozonën, për shembull si ajo e propozuar nga Këshilli gjerman i Ekspertëve të Ekonomisë. Çdo vend do të mbetet përgjegjës për shlyerjen e pjesën e vet të borxhit total. Me fjalë të tjera, gjermanët nuk do të duhet të paguajnë borxhet e vjetra të italianëve, dhe anasjelltas. Por do të ketë një normë të përbashkët interesi për obligacionet në euro, të cilat do të përdoren për të rifinancuar borxhin.

Spiegel: Por kjo do të krijonte rrezikun e një koalicioni të madh borxhlinjsh. Kush do të përcaktojë sesa borxh lejohet?

Na duhet një grupim i borxheve, por kjo duhet të legjitimohet në mënyrë demokratike. Unë propozoj një parlament evropian për zonën e Euros, që do të përbëhet nga anëtarët e parlamenteve kombëtare. Çdo vend do të përfaqësohet në këtë parlament, në përpjestim me numrin e popullsisë që ka. Dmth, Gjermania, me 80 milionë banorët e saj, do të kenë numrin më të madh të anëtarëve. Këta politikanë do të votojnë në mënyrë demokratike, mbi atë sesa i lartë mund të jetë defiçiti në zonën e euros.

Spiegel: A prisni që iniciativën ta marrë Franca? Vendi duket se është fokusuar më shumë në vetvete kohët e fundit ?

Kjo është shumë e vërtetë! Unë besoj se shumë prej ideve që mund të na shtyjnë përpara, vijnë nga Gjermania. Kam një mosbesim të thellë tek mënyra franceze e të menduarit në kategoritë kombëtare. Elitat tona, pavarësisht nga qëndrimet e tyre politike, janë të paafta të mendojnë realisht në terma evropianë. Gjermania është e ndryshme në këtë drejtim.

Spiegel: Pse presidenti Fransua Holond duket aq i dobët?

Ne kemi përherë të njëjtët lloj njerëzish në krye të vendit, dhe që nuk i kanë sjellë vendit asgjë të mirë. Kudo, nuk ka asnjë ripërtëritje. Holond ndihet ende i traumatizuar nga referendumi, për Traktatin Kushtetues Evropian në vitin 2005. Ai luftoi shumë për traktatin, por francezët e refuzuan atë. Do të jetë mirë për ne dhe për vetë Evropën, nëse ai ngadalë i jep fund sjelljeve të tilla.

Spiegel: Çfarë propozoni ju?

Menjëherë pas marrjes së detyrës, qeveria e re e anuloi një masë të miratuar nga qeveria e mëparshme, për të zvogëluar shpenzimet mbi tregun e punës, vetëm sa për ta rivendosur atë nën një emër tjetër, një vit e gjysmë më vonë. Kjo është çmenduri. Shpenzimet për punëdhënësit, janë dy herë më të larta në Francë sesa në Gjermani. Por në vend të adresimit të çështjeve me të vërtetë të rëndësishme, Holond futi një taksë 75-përqind mbi pasurinë, që është krejtësisht e paefektshme – e cila është edhe arsyeja se përse është anulluar. Çdo gjë sillet rreth politikave simbolike, por ato të gabuara.

Spiegel: Si munden Holond dhe Merkel, të frymëzojnë votuesit të mbështesin më shumë Evropë?

Ata duhet t’u shpjegojnë votuesve, për shembull, se edhe Gjermania dhe Franca nuk mund të menaxhojnë më në mënyrë efikase taksimin e kompanive shumëkombëshe, për shkak se këto të fundit janë duke i kundërvënë vendet me njëra-tjetrën. Ende sot, shumë korporata të mëdha nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, paguajnë më pak taksa sesa kompanitë e vogla evropiane. Një taksë e përbashkët mbi korporatat për zonën e euros e cila do të përcaktohet nga parlamenti i ri i eurozonës, do të ishte e dobishme, dhe me siguri do të jetë popullore në mesin e votuesve.

Spiegel: Në këtë pikë, votuesit nuk duken tepër të prirur për të zhvendosur më shumë pushtet në Bruksel. Përkundrazi, partitë euroskeptike janë bërë kudo popullore…

Pa marrë parasysh se çfarë ju mendoni mbi fitoren Syriza-s në Greqi, ajo mund të shërbejë si një terapi e shokut, për ata që janë në pushtet. Papritmas, ata do të kuptojnë se ajo çfarë po bënin nuk po funksionon dhe se për këtë arsye duhet të marrin një qasje të ndryshme. Por një parti e majtë si Syriza në Greqi apo Podemos në Spanjë, nuk janë aq të rrezikshme sa e djathta ekstreme. Tani për tani, Fronti Kombëtar këtu në Francë është më popullor se kurrë. Kjo është arsyeja, se përse është kaq e rrezikshme për partitë tradicionale që të vazhdojnë të nxisin qarqet nacionaliste, duke i quajtur vazhdimisht grekët si dembelë apo portugezët të papërgjegjshëm.

Shënim: Francezi Thomas Piketty, 43 vjeç, është një “yll” në ngjitje mes ekonomistëve. Libri i tij “Kapitali në shekullin XXI” mbi zgjerimin e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, shiti mbi një 1.5 milionë kopje në mbarë botën. Piketty është profesor në Univesitetin e Ekonomisë në Paris. Ai thotë se për “arsye personale dhe intelektuale” nuk do të japë mësim në SHBA, ndërsa e sheh veten si pjesë e traditës franceze të shkencëtarëve socialë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama