Mbrojtja e te drejtave te autorit mberrin ne Kuvend ligj i ri

autorTIRANË, 9 tetor/ATSH-Anila Struga/.- Mbrojtja e të drejtave të autorit dhe e të drejtave të tjera të lidhura me të është objekt i një projektligji të plotë që qeveria ka përcjellë së fundi për shqyrtim në parlament. Përmes tij synohet një nivel më i mirë mbrojtje për autorët, artistët e titullarët e të drejtave të autorit në përgjithësi, duke siguruar balancën midis të drejtave private dhe interesit publik për informim.
I organizuar në rreth 190 nene drafti, i hartuar sipas direktivave të BE-së, synon mes të tjerash, intensifikimin e masave ndëshkuese dhe vendosjen e "filtrave" për importuesit, eksportuesit apo shfrytëzuesit e veprave kulturore, artistike dhe shkencore në tregun shqiptar, i cili, sipas të dhënave të ndërkombëtarëve operon në 70% të përdorimit të tyre në pirateri.
Projektligji po ashtu i dedikon një trajtim të veçantë grupeve vulnerabël të atyre autorëve apo mbajtësve të të drejtave të autorit, të cilët nuk mund të realizojnë të drejtën e tyre personalisht. Për përmbushjen e këtij qëllimi, drafti propozon mekanizma specifikë që bëjnë të mundur nga njëra anë garantimin e të drejtave të krijuesve dhe nga ana tjetër forcimin e rolit garantues të shtetit, përmes strukturave të specializuara. Konkretisht, krijuesit ose ekzekutuesit kanë të drejtë për të administruar individualisht këto të drejta nëpërmjet lidhjes së kontratave specifike me përdoruesit e ndryshëm dhe vetëm nëse dëshirojnë mund t'i administrojnë këto të drejta nëpërmjet agjencive të fushës.
Ligji parashikon mënyrën e rregullimit kontraktor për të bërë të mundur shmangien e abuzimeve me të drejtat sidomos nga ana e subjekteve dominante në treg, për të akorduar jo më shumë se 30% të vlerës së shpërblimit, tarifën e shërbimit të agjencisë së administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, si dhe për të kërkur brenda tre vjetëve të drejtën e tyre të shpërblimit, nga agjencitë fillimisht, e pastaj nga shteti.
Ligji përcakton detyrimin e agjencive t'i shpërndajnë titullarit të të drejtave të autorit të ardhurat e mbledhura gjatë një viti financiar. Nëse shpërblimi nuk shpërndahet ai kalon në një fond special në ruajtje, nga ministria përgjegjëse për të drejtën e autorit, për 3 vjet, kohë në të cilën titullari i së drejtës mund përfitojë dhe pas kësaj periudhe trevjeçare shpenzohet në favor të krijuesve të rinj dhe diversitetit kulturor.
Roli garantues i shtetit ndër të tjera realizohet nëpërmjet parashikimit të mekanizmave që sigurojnë nxitjen e gjetjes së krijuesve për të kryer shpërndarjen e të ardhurave nga ana e agjencive, duke kushtëzuar përfitimin e tarifës së tyre të shërbimit nga vlera e shpërndarë dhe jo ajo e mbledhur, ruajtjen e situatës apo ndërprerjen e menjëhershme të cënimit, e realizuar kjo përmes rregullave proceduriale të tilla ku masat e sigurisë së padisë me objekt cënimin e të drejtave të autorit marrin rëndësi primare në zhvillimin e procesit gjyqësor përkatës.
Një parashikim të veçantë ky ligj ia dedikon lehtësimit të procedurave të ndjekura nga përdoruesit, të cilët jo vetëm janë pjesëmarrës aktivë në përcaktimin e metodologjisë së shpërblimit që u takon autorëve, por gjithashtu do të kenë vetëm një agjenci në të cilën do të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin nga ky ligj për të gjithë mbajtësit e së drejtës.
Aktualisht, përdoruesit gjenden të çoroditur duke qenë të detyruar të paguajnë vlera të ndryshme agjencive të ndryshme, pa arritur asnjëherë të jenë të sigurt nëse kanë respektuar detyrimet ligjore. Amullia e krijuar në këtë aspekt ka çuar si pasojë në moszbatimin e ligjit aktual, siç demonstrohet nga numri i konsiderueshëm i gjobave të vëna nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, por edhe nga ankesat e përdoruesve të mëdhenj apo të vegjël qofshin.

/f,n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama