Mbrojtja e Carraleves (8-10 maj)

Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut, Mahmut Shefqet pasha, duke u vënë në krye të operacioneve, urdhëroi të marshohej në drejtimin Shtimje-Carralevë. Ai ndau ushtrinë në tri kolona, të mbështetura nga artileria malore.
Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës, që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita e tyre u vështirësua kur u dolën në shpinë forca osmane të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me porosinë e konsullatës serbe në Prishtinë, mësues, klerikë dhe banorë serbë qenë vënë në shërbim të ushtrisë turke.
Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse në Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm e pozicioneve të luftëtarëve shqiptarë, por edhe e fshatrave të pambrojtura.
Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime të përgjakshme. Forcat osmane mundën të çanin përpara vetëm pasi u erdhën përforcime të tjera.
Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të fortë të artilerisë, mbrojtësit e Grykës së Carralevës qëndruan me trimëri. Edhe pse u gjendën përballë një armiku që kishte epërsi në njerëz e në armatime, shqiptarët vijuan qëndresën në këtë pikë disa ditë me radhë. Por mungesa e municionit dhe e ndihmave që priteshin nga çasti në çast, e bënë të pamundur përballimin e mëtejshëm të sulmeve të forcave osmane. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.
Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh të rrepta, të mbështetura nga artileria, që nuk kursente as fshatrat e pambrojtura, valiu i Kosovës e pas tij edhe Mahmut Shefqet pasha, i shoqëruar nga Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor i forcave osmane, hynë në qytetin e Prizrenit. Më 1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë.
Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më e organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën komandë një forcë të përbërë prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, e gatshme të vijonte operacionet ushtarake për nënshtrimin e plotë të shqiptarëve. Ai ndërmori masa terrori në Prizren dhe në rrethinat e tij. Gjyqet ushtarake dënuan me vdekje disa dhjetëra kryengritës. Autoritetet ushtarake xhonturke nuk kursyen as edhe shqiptarët që i kishin bërë ndonjë shërbim komandës osmane. Shtypi socialdemokrat serb shkruante ato ditë se krimet dhe barbarizmat që po kryente regjimi xhonturk në Kosovë, që ishte bërë “Vendi i litarit”, ishin aq të mëdha, sa nuk mund të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama